4.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Treshja e pandalshme amerikane e Rahovecit

Isaiah Traylor ishte amerikani i parë që u prezantua te KB Rahoveci për sezonin 2020/21. Ai është i pari në listën e koshashënuesve si në skuadër ashtu edhe në Superligën e Kosovës, në stinorin vjeshtor që përfundoi të dielën.

Te Rahoveci edhe kishin pritur që Traylor të shquhej me shënimin e pikëve. Në njoftimin e publikuar pas angazhimit të tij, klubi vreshtar kishte paralajmëruar se Traylor pritet të jetë bartës i lojës. Më 3 tetor Rahoveci zyrtarizoi Traylorin, kurse pas tij edhe Marvin Jones (4 tetor) e Amadi Ikpeze (7 tetor).

Këta tre amerikanë e kanë udhëhequr Rahovecin drejt pozitës së parë në stinorin vjeshtor. Janë më efikasët te “vreshtarët” dhe lojtarët kryesorë së bashku me Alban Veselin.

“Djaloshi që së fundi djersiti fanellën e skuadrës Lakehead në Kanada është i gjatë 193 cm, teksa karakteristikë kryesore ka të jetë bartës i ekipit. Në dy sezonet e fundit ishte koshashënuesi më i mirë i skuadrës, me një mesatare prej 21,7 pikësh për ndeshje. Traylor pritet të jetë një nga pikat e forta të Bujar Locit në aspektin organizativ”, shkruante Rahoveci në “Facebook” për të huajin e parë.

Traylor po luan me një mesatare prej 25,2 pikësh për ndeshje, Jones më 21,8 dhe Ikpeze më 10,6 pikë e 13 kërcime. Në 14 ndeshje të zhvilluara në stinorin vjeshtor, Rahoveci ka regjistruar 11 fitore e tri humbje dhe prin në tabelë me 25 pikë të mbledhura.

Duke parë rezultatet e stinorit vjeshtor, amerikanët e Rahovecit po shpresojnë që ekipi i tyre mund ta mbyllë sezonin me një trofe, që do të ishte i pari në histori.

“Kur iu bashkova klubit, erdha me idenë për të pasur paraqitje të mira dhe ta ndihmoj, kurse tani besoj se të gjithë jemi komponuar mirë dhe mund të bëjmë diçka më shumë, ta mbyllim edicionin me trofe. Megjithatë, e rëndësishme është që të vazhdojmë të punojmë dhe të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje”, tha Traylor, i cili insiston se mund të luajë edhe më mirë. “Natyrisht që asnjëherë nuk jam i kënaqur dhe mundohem të qëndroj me këmbë në tokë, të punoj dhe të vazhdoj me paraqitje edhe më të mira”.

Për Traylorin ky është edicioni i parë në Evropë, por edhe si profesionist. Ai çmon lart elitën e basketbollit kosovar dhe thotë se secila ndeshje pothuajse mund të llogaritet derbi për shkak të cilësisë pothuajse të barabartë të ekipeve.

“Sytë i kemi te trofeu, por do të shkojmë hap pas hapi. Basketbolli në Kosovë është shumë garues, kurse te Rahoveci kemi marrë përkrahjen e tifozëve me gjithë situatën me pandeminë. Po e shijoj kohën time në Kosovë dhe shpresoj që viti im i parë si profesionist të jetë i suksesshëm”, shtoi Traylor.

Ai insiston se së bashku me Ikpezen dhe Jonesin janë përshtatur shumë mirë te Rahoveci, gjë që ka ndikuar pozitivisht edhe në rezultatet e stinorit vjeshtor. Në përshtatjen e tyre të shpejtë kanë ndihmuar edhe lojtarët e tjerë, si dhe kryesia e klubit së bashku me trajnerin Bujar Loci.

“Jemi shumë të afërt me njëri tjetrin si në palestër ashtu edhe jashtë saj. E ndihmojmë njëri-tjetrin dhe e motivojmë kur është nevoja. Të gjithë në ekip jemi më të bashkuar se kurrë për ta sjellë trofeun e parë në qytet. Mendoj se do të ishte madhështore për të gjithë”, shtoi Traylor.

Edhe qendra Ikpeze në Kosovë po e luan vitin e tij të parë si profesionist. Te Rahoveci është transferuar nga kolegji amerikan “St. Bonaventure”. Edhe Ikpeze 22-vjeçar insiston se dëshira e tij është që ta shkruajë emrin në historinë e Rahovecit, të fitojë ndonjë trofe, ndonëse më me dëshirë titullin e kampionit.

“Kur kam ardhur e kam ditur se kemi potencial në ekip, por nuk kam pritur që të reagojmë kaq shpejt. Së bashku me dy amerikanët e tjerë kemi krijuar lidhje të shpejtë edhe me pjesën tjetër të ekipit dhe së bashku me trajnerin po kujdesemi vetëm për fitore. Deri më tani kemi luajtur shumë mirë dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm”, pranoi Ikpeze. “Në çdo ndeshje e japim më të mirën nga vetja dhe kur ka angazhim, atëherë nuk mungon as rezultati. Dhe, po, përfundimisht dua të ndihmoj Rahovecin ta fitojë titullin këtë edicion. Shpresoj të kem fatin ta shijoj trofeun e parë si profesionist me këtë fanellë”.

Amerikani tjetër, Marvin Jones ka përvojë në Evropë dhe ka fituar edhe trofe. Ai edicionin e shkuar ishte pjesë e ekipit Goga Basket nga Shqipëria me të cilin fitoi Kupën.

“Jones e njeh mjaft mirë elitën tonë, ku edhe presin që të adaptohet menjëherë në parket”, kishte shkruar Rahoveci për amerikanin e gjatë 193 centimetra.

Rahoveci ka pasur fat me të huajt, që janë stabilizuar dhe po shfaqin cilësi. Por mbetet të shihet nëse ka fond të mjaftueshëm të lojtarëve vendorë për të ruajtur vendin e parë./KOHA/

https://www.koha.net/sport/253739/treshja-e-pandalshme-amerikane-e-rahovecit/

Më Shumë

Hapet në Prizren edicioni parë i Shkollës për Diplomaci të Diasporës

Në Prizren u hap edicioni i parë i Shkollës për Diplomaci të Diasporës, organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe...

“Gratë e Trojës” udhëtojnë në Prizren për të treguar fatin e tyre përmes thirrjeve për paqe

“Gratë e Trojës”, më 15 prill, 2024, do të prezantojnë para publikut një udhëtim të tragjedisë njerëzore, nga Troja në ditët e sotme, dhe...

Lajmet e Fundit