10.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Udhëtim në Pukën Turistike

pukPasi gjarpëron në një rrugë panoramike, në mes pyjeve të pishës, nën flladet verore të Bjeshkëve qyteti i Pukës i shtrirë në mesin e kurorës së gjelbër duket se të uron mirëseardhjen. Një mirëseardhje krejt të veçantë ku bukuritë natyrore të kësaj treve janë befasuese e ku e vetmja simfoni që mbizotëron është magjia e ujërave të kristaltë që gurgullojnë në lumenjtë që përshkojnë zonën.Një panoramë çlodhëse e relaksuese që vetë natyra e ka qëndisur deri në detajet më të imëta duke u dirigjuar e luajtur nga cicërimat e zogjve dhe puhizat e lehta të flladit që përcjellin Bjeshkët të miksuara me aromën e luleve të luginave. E lokalizuar në verilindje të vendit Puka është në gjendje të ndërthurë traditën me modernen, antiken me klasiken, të bukurën me të brishten.

E duket sikur kufijtë natyrorë, të cilët e përkufizojnë fizikisht qytetin, bien në kontraditë dhe nuk paralelizohen me bujarinë, mikpritjen dhe zemërgjerësine pukjane gjë që e shprehin mjaft qartë turistët që e vizitojnë vendin.

E ndërsa udhëtohet drejt Pukës gjelbërimi, ajri dhe freskia marrin jetë dhe të falin ndjesitë e munguara në shumë vende, madje edhe atje ku teknologjia mund të ketë arritur majën asgjë nuk barazvlerësohet me natyrën që pikturoi këtë qytet malor.

Bukurit natyrore të kësaj treve janë aq befasuese, sa janë befasuese dhe interesante edhe jeta e malsorve që jetojnë në këto anë, ku tradita kulturore dhe njësitë shpirtërore e materiale janë trashëguar brez pas brezi. Natyra e rrallë magjepse e Pukës, ka krijuar mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit malor, duke e kthyer këtë zonë në mesin e veriut të Shqipërisë në një ofertë turistike të kënaqshme, larg zhurmave të qyteteve të mëdha, larg smogut e ndotjes akustike.

Natyra duket se është treguar shumë bujare me këtë zonë duke i falur mjedise natyrale për t’u admiruar me male, lëndina e livadhe të panumërta.

Gjithashtu bimët e shumllojshme medicinale dhe frutat e egra, janë resurse që natyra i ka dhuruar kësaj krahine duke i kthyer hapësirat e gjelbërta të Pukës në një amfiteatër gjigant joshës e natyral me plot surpriza, për turistët që vlerësojnë resurset e kësaj zone.

Puka, si një vend i paeksploruar shumë, nga turistet vendas dhe të huaj është një ndër zonat ku natyra të ofron pamje të mahnitshme, të virgjëra e të pastra në një sipërfaqe totale 1250 km2. Klima malore e Pukës, bjeshkët e saj me pyjet që brenda duket se mbajnë historinë janë dhurata që natyra i ka bërë kësaj zone në mënyre që njeriu t’i përdorë, janë germat e arta që skaliten krenare përgjatë historisë pukjane.

Pushimet një ditore në kampe të improvizuara vetjake janë një tjetër mundësi që rrethi i Pukës ofron kryesisht për turistët e huaj. Fan dhe Anik Lin janë një cift turistësh të ardhur nga Belgjika.

Pasi kanë vizituar Alpet Shqiptare, kanë zgjedhur si një ndër vendpushimet e tyre dhe natyrën e rrethit të Pukës ku sëbashku me fëmijet ndjehen të lumtur dhe mjaft të sigurt në natyrën e qetë të veriut shqiptar ku të vetmet “zhurma” që prishin qetësinë janë cicërimat e zogjve dhe puhizat e lehta të flladit që përcjellin Bjeshket të miksuara me aromën e luleve të luginave.

Mes obsioneve të shumëllojshme për të kaluar momente të paharrueshme, nën shoqërinë e mbretëreshës natyre është dhe turizmi ujor, ku hedhjet nga lartësitë e mëdha të atyre puseve të fqinje siç njihen nga banorët të improvizuara si ujëvara do të jenë një kujtim i rrallë i një imagjinate të pakufishme.

Hedhjet nga lartësitë mbeten një kujtim i paharruar për këdo që në fshatin Kryezi viziton ujvarat që banoret i njohin si Pusat e Kqinje, të cilët po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

Turizmi ujor është mjaft i përhapur në rrethin verior, udhëtimet përmes ujrave të Drinit, në liqenin e Komanit dhe Fierzës mbeten të paharruar për këdo që ka fatin të përshkojë inteneraret turistike në mesin e grykave madhështore me malet e thepisura të shkëmbinjve gëlqerorë, të cilët jo rrallë zbukurohen me gjelbërimin ‘rebel” që vetëm natyra mund ta qëndiste me aq kujdes.

Qerimi, drejtuesi i varkës që na përcjell në ujrat e Liqenit të Komanit na ben të ditur se çmimet janë shumë të favorshme. Të lundrosh nga Komani në drejtim të Fierzës kushton vetëm 500 lekë. Por teksa mund të kalosh një ditë nga ato të veçantat e jetës, në kthim disa metra pa arritur bregun, atje ku merr rrugën për t’ju rikthyer qytetit, një tjetër mister pret turistët. Mbi tatëpjetën që zbret thik e me krenari mbi brigjet e liqenit të Komanit ndodhet dhe një ndër shpellat më të veçanta në Shqipëri e njohur si shpella e Murgjve, një nga 80 shpellat që ka rrethi i Pukës.

Turistët e radhës që kanë vendosur të njihen me këtë monument natyror janë një ekip mjekësh gjerman të cilët sëbashku me familjet e tyre kanë zgjedhur Pukën si destinacionin e tyre turistik. Duket sikur mesazhi i tyre si profesionist është i thjeshtë e i qartë: Natyra, freskia e gjelbërimi është burim e nje jete të shëndetshme. Nën shoqërinë e lakuriqve të nates, ata nuk ngurojnë të njihen me bukuritë e rralla, si një tjetër e veçantë që të ofron Puka./bw/

Më Shumë

Paraburgim për dy të dyshuarit për dhunimin e të miturës nga Prizreni

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për dhunimin e një vajze të mitur. Të dyshuarit thuhet se janë...

Zhdukja e kobshme – Niset për shtëpi, e moshuara nga Rahoveci vdes në mal

Si rëndom, edhe pasditen e së dielës doli nga shtëpia, por në të nuk u kthye e gjallë.   Hajnishahe Hoti nga Ratkoci i Rahovecit pasi...

Lajmet e Fundit