14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

‘Udhëtoni’ në Prizrenin e viteve 50-ta përmes pikturave të mahnitshme të Besim Danjollit

Përderisa jeni duke shëtitur në qendrën e qytetit të Prizrenit, këto ditë krejt rastësisht keni pasur rastin të shihni po këtë qytet të minimizuar në pikturat e Besim Danjollit përmes të cilave secili mund të bëjë një “udhëtim” në Prizrenin e viteve 50-ta, shkruan KultPlus.

Pikturat të cilat po ekspozoheshin në qendër të qytetit, tërhoqën edhe vëmendjen time, ku e mrekulluar nga ngjyrat e bukuria e tyre, u ndala për t’i soditur nga afër. Por fati tjetër ishte prezenca e piktorit i cili pa hezitim, teksa unë po tregoja interesimin tim për një intervistë së bashku, nisi të më rrëfej për secilën pikturë e historinë që fshihet pas saj.

Qyteti i këtyre pikturave na shpaloste objekte kulturo-historike pa të cilat Prizreni po rrezikon të mbetet dita ditës. Pikërisht këto shkatërrime e ndryshime të qytetit, e kanë shtyrë artistin që përmes pikturës ta ruajë të freskët çdo cep të Prizrenit të vjetër dhe vetë trashëgimin e qytetit, që dikur kishte një qetësi të thellë shpirtërore.

Me ngjyra të ndezura e një freski të jashtëzakonshme, Danjolli na shpalos rrëfime për secilën lagje të vjetër e për jetën e asaj kohe për të cilën ka jo pak nostalgji.

Siç na tregoi vetë piktori, takimi i tij i parë me artin e pikturës ndodhi qysh në klasë të tretë në fillore ku bashkë me nënën e tij arriti të realizojë katër “deneze” me lule e nga ku Danjolli mbeti i mahnitur nga ngjyrat e ndezura e kontrastet të cilat duket se i ka trashëguar nga e ëma. Por, ishte mosha 5 vjeçare kur Danjolli realizoi portretin e shokut të tij dhe udhëtimi në botën e artit vazhdoi rrjedhimisht.

Ky pasion që me kohë u shndërrua në profesion, e bëri piktorin që në letrën e bardhë të vendosë qytete të ndryshme, portrete e gjithçka tjetër që linte mbresë te ai. Por vendlindjen, krejt pavëmendshëm ai kishte harruar ta ngjyrosë me brushën e tij. Një vërejtje nga shoku i tij për këtë “moskujdes” e ngacmoi mendjen dhe shpirtin e Danjollit i cili iu kthye rrënjëve për ta jetësuar vendlindjen në mënyrën më të mirë, atë të viteve 50-ta.

Ngjyrat e ndezura në pikturat e tij tregojnë për gjallërinë e popullatës dhe jetës në këtë qytet.

“Përmes pikturave mundohem të paraqes një qytet plot gjallëri, plot civilizim e që në emër të zhvillimit urban janë degraduar shumë pjesë të qytetit të cilat kanë pasur dhe ende kanë një vlerë shpirtërore poashtu edhe ekonomike në pikëpamjen e turizmit. E disa nga objektet mund të përtërihen në mënyrë që të plotësohen vlerat e qytetit”, vlerëson Danjolli për KultPlus.

Në disa nga pikturat e Danjollit, pasqyrohet edhe jeta e përbashkët e grupeve etnike e fetare në Prizren, të cilat piktori i sheh pasuri të përbashkët të qytetit.

“Paraqitja e etnive të ndryshme të cilat kanë jetuar dhe jetojnë ende sot, unë i shoh si pasuri të përbashkët dhe si shpirt kozmopolit të qytetit të cilat në periudha të ndryshme kanë tentuar të reduktojnë me procese të ndryshme presioni, për “pastrim etnik” dhe përcaktim të kulturës, e që ka rezultuar me represione të ndryshme”, thotë Danjolli.

Qyteti që e frymëzon kaq shumë, dita ditës po shkatërrohet me apo pa dashje, e kjo veç sa po e shtynë edhe më shumë piktorin që këto vlera ti “konservojë” në pikturat e tij.

“E dhimbshme është të shkatërrohen vlerat shumë-shekullore!”

Shumë nga objektet e shkatërruara sot, janë të përfshira në pikturat e Danjollit, e dhimbja e tij për këto objekte që sot nuk janë, përmbushet kur të paktën i takon në veprat e artit.

“Janë aq shumë, jo vetëm objekte, por edhe sheshe dhe tregje, si dhe rendi i dyqaneve dhe shtëpive të cilat janë tretur. Ura e Arastes (ura e dytë e gurit), hanet gjatë bregut të lumit, pastaj restaurimi i keq i hamamit si dhe restaurimi i hamamit të dytë dhe sahat kullës, etj.

Në gjithë koleksionin e tij të pasur është e vështirë të zgjedhësh më të mirën, por për piktorin pamja ku shihet kalaja, xhamia e Sinan Pashës, Kisha Ortodokse Shqiptare, hanet, hambari i drithërave, ura e gurit dhe shtëpitë pranë lumit, është një prej pikturave me një rëndësi të veçantë për vetë faktin se brenda vetes ngërthen histori e objekte tejet të rëndësishme.

Krejt për fund, Danjolli ka treguar që interesimi për këto piktura të cilat janë edhe në shitje, është shumë i madh, por që ai i drejtohet me një kërkesë edhe institucioneve përkatëse për krijimin e një bagazhi të piktorëve në një galeri të artit të cilën deri më tani nuk e kanë. / KultPlus.com

Më Shumë

Totaj priti drejtuesit e “Autostrada Biennale” në Prizren

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, takoi drejtuesit e “Autostrada Biennale” në Prizren, Leutrim Fishekqiu dhe Vatra Abrashi. Në këtë takim ,ata  biseduan për potencialet dhe...

Kurti pranon nga Nagavci raportin e teksteve të rishikuara për klasat 1-9

Kryeministri Albin Kurti e konsideron thelbësor rishikimin e teksteve shkollore për cilësinë e arsimit dhe edukimit në Kosovë. Këtë deklaratë ai e ka bërë...

Lajmet e Fundit