14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Vdekja e shpejtuar e Konushevcit

petrit palushiTë dielën. Në ditën e parë të dhjetorit, u nda prej jete në Prishtinë Abdullah Konushevci, poet, studiues dhe hulumtues nga më të dallueshmit të letrave shqipe, përkthyes, dhe në gjithë këtë shtrat veprimtarie, antikonformist i klasit të parë.

Vdekjen e rebelit Konushevci s’mund ta ndalonte kush, pasi e mori një sëmundje e pashërueshme, por jeta e tij dëshpëruese qe një këmbanë alarmi që s’ndihej prej kujt ose ndihej dhe anashkalohej. Prej një dekade, i papunë, dhe megjithatë ai s’iu nda krijimit si të sfidonte pengesat e vazhdueshme. Të pavëmendshëm për jetën e tij, por tani krejt sy e veshë mbas vdekjes së tij. Dhe shkëlqimtarët ikin. Kështu me Agim Spahiun, që u nda prej jete 20 vite më parë, kështu me Rreshpjen që iku pa i thënë kujt lamtumirë në 2006-n.

Në dhjetor të 2012-s Konushevci shkroi në statusin e vet në face-book:
“Lutem 2013 të ketë sa më pak poetëvrasës; sa më pak shpirt-e-bythëshitur; sa më pak sulme të egra të mediokërve ndaj krijuesve të mirëfilltë dhe njerëzve të dinjitetshëm. Lutem të kemi sa më pak vjedhës, mashtrues, kriminelë. Lutem të kemi sa më pak ‘akademikë’, ‘doktorë’ (shkencash), ‘shkrimtarë’ shqiptarë, xhuxhmaxhuxh heronj. Lutem për shëndetin, begatinë e lumturinë e çdo njeriu të mirë. 2012 mos na rëntë me kujtue!”

Konushevci, gjithsesi lutej vetëm për njeriun e mirë. Se mashtruesit ishin mbi të ndershmit, se sulmet e mediokërve mbi krijuesit e mirëfilltë qenë sheshazi, se akademikët pa vepra ose me vepra të kontestuara shtoheshin…

Nuk e di ç’vlerë kishte takimi komemorativ në Prishtinë “Për të nderuar Konoshevcin”, kur atij nuk iu shtri dora edhe në ditët më të vështira. Ndoshta, Konushevci do jetë më i qetë në botën tjetër, pa i dëgjuar prapësitë e të gjallëve.

Prandaj, lamtumira është e pakët për të, është lamtumirë e veshur me hipokrizi.

Duhej ndjesë, së pari nga ata që duhej të kërkonin ndjesë.Por në Kosovë dhe Shqipëri ndjesa ende mungon, për fat të keq.
/P. PALUSHI/

Më Shumë

Lajmet e Fundit