10.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Vëllai i Mehmet Shehut polemizon me Isuf Kalon: S’e vrau veten, e helmuan dhe e qëlluan me pistoletë

AFRIM IMAJ/ “E kam thënë që ditën e ngjarjes që Mehmet Shehun e vranë. E shpreha këtë qysh ditën e mortit, kur i pashë dy plagët në kraharor. Vetëvrasja ishte alibi e porositur nga Enveri”.

Me këtë bindje të padiskutueshme, Duro Shehu, vëllai i ish-Kryeministrit të vetëvrarë në kushte të dyshimta në dhjetorin e largët të ’81-shit, kundërshton çdo version tjetër të asaj ngjarjeje të kobshme.

Sa herë ndizet debati në Tiranë për dilemën e kamotshme “Vrasje apo vetëvrasje”, vëllai i ish-Kryeministrit gjen mundësinë e ndërhyn që nga Kanadaja e largët ku jeton prej vitesh, për të kundërshtuar idenë e vetësakrifikimit, duke artikuluar madje me forcë se ajo që ndodhi mbrëmjen e 18 dhjetorit me Mehmetin, ishte një vrasje pas shpine e urdhëruar drejtpërdrejt nga Enveri.

“Panorama” e telefonoi dhe biseduam për mendimet e tij rreth pohimeve më të fundit të doktor Isuf Kalos, mjekut personal të Enverit, në librin “Blloku”, ku i lë një vend të rëndësishëm profilit të Mehmet Shehut dhe fundit tragjik të tij.

“Doktor Kalon e çmoj shumë, çmoj realizmin e tij në librin ‘Blloku’, por ndahem me të për vrasjen e Mehmetit”, shprehet Duro Shehu, duke kundërshtuar arsyetimin e Kalos për aktin e vetëvrasjes.

Sakaq, vëllai i ish-Kryeministrit të vetëvrarë kujton raportet e mira që ka pasur familja e tyre me mjekun e Enverit, duke veçuar përkujdesjen e veçantë të këtij të fundit për nënën e tyre Sulltanë…

Zoti Duro, Isuf Kalo, mjeku personal i Enver Hoxhës, ka botuar kohët e fundit librin “Blloku”, ku flet për fundin tragjik të vëllait tuaj, Mehmet Shehut, dhe zbulon detaje të tjera me përjetimet e tij nga ajo ngjarje dramatike. Çfarë përshtypjeje ju kanë lënë kujtimet e tij?

Unë jetoj në Kanada dhe të them të drejtën, librin akoma nuk e kam lexuar, por jam njohur aty-këtu nga mediat me pjesë të ndryshme që ato kanë botuar nga kujtimet e doktor Isufit, që për mua mbetet jo vetëm një mjek i mirë, por edhe një njeri dinjitoz. Nga aq sa kam lexuar nga “Blloku”, vlerësoj përshkrimet realiste të atij oazi të çuditshëm, objektivitetin në shtjellimin e raporteve midis liderëve komunistë dhe familjarëve të tyre dhe sidomos mënyrën si zbulon kontrastin e thellë të jetesës midis njerëzve të thjeshtë dhe zyrtarëve të lartë të nomenklaturës. Për të gjitha këto dhe jo vetëm, kujtimet e Isuf Kalos do të zgjojnë interes për mbarë brezat, si histori të artikuluara nga një dëshmitar i dorës së parë dhe intelektual i cilësisë së lartë.

Në librin “Blloku”, Kalo, që i kushton një vend të veçantë profilit të Mehmet Shehut, pohon se ai ka vrarë veten… Në këtë pohim, doktor Kalo nuk shfaqet nga pozitat e dëshmitarit, por nga arsyetime që vijnë nga analiza e zhvillimeve të asaj periudhe. E mirëkuptoj gjykimin e tij, pavarësisht se nuk ndajmë të njëjtin mendim për vrasjen e Mehmet Shehut. Refleksionet e Isufit për figurën e Mehmetit në kompleks janë sa origjinale, aq dhe mbresëlënëse. Për mua, ai mund të jetë i pari që zbërthen dimensionet e spikatura të personalitetit të Mehmetit, si shtetar, politikan, luftëtar e si njeri i zakonshëm. Prandaj, duhet lexuar me kujdes e vëmendje çdo arsyetim i tij…

Pra, një moment Kalo ju bind edhe ju që Mehmeti është vetëvrarë…

Në kujtimet e tij, Kalo pa dyshim nuk pretendon të bëjë ekspertin, edhe pse aty-këtu i referohet ndonjërit prej tyre, madje as dëshmitarin, por siç e thashë, operon me të dhënat e nxjerra nga gjykimi i anëve të veçanta të ngjarjes, të cilat e kanë bindur për një akt vetëvrasjeje. Megjithatë, interesant është shtjellimi i mëtejshëm i historisë prej tij, ku nuk i kushton shumë vëmendje dorës që shkrepi mekanizmin vdekjeprurës, por regjisorit që ndërtoi atë skenë makabre. E thotë bukur dhe me finesë doktor Kalo: Bazuar në analizën e rrethanave, në të cilat Mehmeti u gjend pa shpresë dhe pa rrugëdalje, edhe bindja ime është se Mehmeti u vetëvra. Kjo, jo për pasojë të dobësisë apo krizës nervore. Propaganda zyrtare asokohe tha se u vetëflijua nga një krizë nervore. Kalo shprehet për të kundërtën. E vetmja dobësi që kishte Mehmeti ishte përkushtimi për detyrën, dashuria e pakufishme për vendin…

Në kujtimet e Kalos rrëzohet dëshmia juaj, sipas së cilës Mehmetin më parë e kanë helmuar dhe pastaj e kanë qëlluar me pistoletë. Ai, duke iu referuar ekspertëve që kanë bërë analizën e gjakut, shprehet se nuk i janë gjetur shenja helmi, apo ndonjë substancë narkotike…

Shkurt, doktor Isufi ua lë në derë ekspertëve, por po aty tërthorazi shfaq dhe dyshimet e veta. Unë e kam lexuar dhe rilexuar disa herë pasazhin që bën fjalë për këtë moment. Ja si shprehet Kalo: Konkluzioni i ekspertëve (kuptohet për vetëvrasjen) u bazua vetëm me anë të vrojtimit me sy të trupit nga jashtë dhe të ambientit, sepse autopsia nuk u krye. Nuk dihet pse dhe kush (cili?) pat thënë verbalisht (!!) që ajo nuk do të kryhet. Më shumë se kaq, si mund të shprehet dyshues doktor Kalo. Sidoqoftë, unë jam i bindur që Mehmetin në fillim e kanë helmuar, pastaj e kanë qëlluar me pistoletë. E kam argumentuar këtë disa herë dhe në asnjë rast ekspertët e përzgjedhur nga nomenklatura për të këqyrur trupin e pajetë të Mehmetit, nuk më kanë kundërshtuar…

E keni njohur më parë doktor Isufin?

E kam njohur patjetër, që në ditët e para kur filloi shërbimin në klinikën e udhëheqjes, siç i thoshin atëherë. Ishte djalë i ri asokohe dhe flisnin mirë jo vetëm banorët e Bllokut, por edhe ata që e njihnin. Jam takuar me të posi, herë rastësisht dhe herë kur vinte për të kuruar nënën tonë, që jetonte me Mehmetin. Ishte i komunikueshëm dhe fjalëpakë. I vëmendshëm shumë gjatë vizitave. Veçanërisht Mehmeti e donte jashtë mase. Çmonte patjetër aftësitë e tij si mjek, por më së shumti i pëlqente mënyra e sjelljes së tij. Isufi, pavarësisht se gjatë gjithë kohës shërbente për Enverin, shumë herë ishte i besuari dhe i përzgjedhuri i Mehmetit për të vizituar familjen e tyre, qoftë vetë atë, Fiqiretin, nënën apo djemtë. Në shumë raste konsultonte me të edhe epikrizën e mjekëve të tjerë…

Keni folur me të për tragjedinë e Mehmetit në ato ditë dhjetori ’81?

Të thashë që doktor Isufi ishte një mik i preferuar i familjes sonë, por që nga momenti i vrasjes së Mehmetit, gjërat u kthyen mbrapsht dhe humbëm çdo kontakt me të. Në fund të fundit, si mund të takonim ne, familjarët e poliagjentit, njeriun më të besuar të Enverit. Kurrën e kurrës nuk mund të ndodhte kjo. Vetë koha na kishte mësuar për sjelljen që duhej mbajtur në të tilla raste me miqtë dhe shokët. Pastaj, fill pas asaj që ndodhi, ne na degdisën të gjithëve me kuç e me maç. Na syrgjynosën në burgje e internime. Jetuam, mbijetuam, desha të them kështu, deri në fillimin e demokracisë. Unë që këtej u largova në Kanada dhe të them të drejtën, nuk e kam takuar më doktor Isufin…

Me sa dimë, pas vetëvrasjes së Mehmetit keni bërë disa vite në burgun e Burrelit…

E vërtetë, aty kalova gati dhjetë vjet. Me atë rast u takova në burgun e Burrelit edhe me shokë të tjerë të dënuar më parë me grupin e puçistëve në ushtri…

isuf kalo, enver hoxha, blloku, panorama

Isuf Kalo: Si e mësova vetëvrasjen e Mehmetit

Më 18 dhjetor në mëngjes, pasi u mësua vetëvrasja e Mehmetit, fill pas nisjes së Enverit në zyrë atë ditë, me porosi të Nexhmijes, përveç anëtarit të urgjencës së ekipit tonë mjekësor, shkova edhe unë. Sulo më vendosi në një zyrë të vogël të Komitetit Qendror të Partisë, shumë pranë asaj të Enverit. Aty isha vetëm. I zhytur në mendime. Në botën e mbyllur të Shqipërisë, ngjarja më e bujshme dhe më e frikshme e asaj kohe sapo kish ndodhur. Mehmet Shehu ish gjetur i vdekur.

I gjakosur me një plagë plumbi në gjoks. Dy mjekët e njohur të ekspertizës ligjore, Bashkim Xhuveli dhe Fatos Harito, u sollën menjëherë atë mëngjes në vendin e ngjarjes, me detyrë të përcaktonin shkakun e vdekjes. Ata vërtetuan që plaga në gjoks ishte tejpërshkuese: tipike për plagët e shkaktuara nga plumbi. Dr. Harito e gjeti edhe plumbin të zhytur dhe paksa të shtrembëruar në dysheme, prej nga ai e nxori me një spatul. Vdekja, sipas raportit të tyre, mund të ish shkaktuar nga hemorragjia, meqë plumbi mendohej të kishte përshkruar zemrën, ose aortën apo ndonjë arterie të madhe.

Fjala “MUND” në raport u shënua nga dr. Harito qëllimisht me germa të mëdha, sepse konkluzioni i tyre u bazua vetëm me anë të vrojtimit me sy të trupit nga jashtë dhe të ambientit. Askush nuk e mati sa ato ishin çarë, sepse autopsia nuk u krye. Nuk dihet pse dhe kush (cili?) pat thënë verbalisht (!!) që ajo nuk do të kryhet. Prandaj, shkaku i vdekjes u konkludua bazuar në trupin e shtrirë në krevat, me një plagë të vetme të madhe në gjoks dhe një revolver pranë. Dr. Fatos Harito e zhveshi vetë viktimën.

Ai ishte i shtrirë në krevatin e tij ku flinte çdo natë, me pizhamet e zakonshme, por ndryshe nga ditët e tjera, nuk e kishte zhveshur këmishën që kishte mbajtur veshur atë ditë. Sipas dr. Haritos, kjo ishte shenjë e tërthortë në favor të vetëvrasjes. Ai nuk ishte shtrirë në krevat si zakonisht për të fjetur, por kishte pasur në mendje një tjetër plan. Dr. Harito i mori viktimës edhe kampione të gjakut, të cilat u analizuan.

Ai është shprehur qartas shumë herë që në gjak nuk u gjetën shenja helmi, as të ndonjë substance narkotike apo somnifere, që ta kishte vënë atë në gjumë. Gjykuar nga plaga dhe nga trajektorja e plumbit, të dy ekspertët mjekoligjorë janë shprehur të sigurt që Mehmeti është vetëvrarë….Ajo që u tha se vulosi gjithçka, qe një letër. Ajo u gjet mbi tavolinën e dhomës brenda një zarfi, sipër të cilit ishte shkruar me kaligrafinë autentike të Mehmetit: “T’i jepet në dorë shokut Enver. Askujt tjetër”.

Bazuar në faktet e mësipërme dhe në analizën e rrethanave, në të cilat ai u gjend pa shpresë dhe pa rrugëdalje, edhe bindja ime është se Mehmeti u vetëvra. Kjo, jo për pasojë të dobësisë apo krizës nervore. Besoj se atë akt ai e kreu me mendje të kthjellët, si tentativë e fundit dhe e vetme për të shpëtuar në këmbim të ndarjes vullnetare nga jeta familjen e tij dhe disa vlera e merita personale dhe shtetërore, shumë të shtrenjta për të. Atë ditë binte një shi i dendur, i mërzitshëm dhe herë-herë me vrull nervoz, inatçor.

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore./Panorama/

Më Shumë

Distria e fillon Evropianin me fitore bindëse

Distria Krasniqi e ka filluar me fitore bindëse paraqitjen në Kampionatin Evropian të xhudos në Zagreb. Disitra është bartëse e parë në kategorinë deri 52...

Milani nis sulmin final për Zirkzee

Skuadra e Serie A, Milan-i tani po bën presion për të nënshkruar me Joshua Zirkzee nga Bologna dhe po shton përpjekjet e tyre për...

Lajmet e Fundit