11.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Vihet guri themeltar për objektin e ri shkollor në Tërrnje

Autoritetet komunale të Suharekës dhe ata të Ministrisë së Arsimit të premten kanë vënë gurin themeltar për ndërtesën e re të shkollës në fshatin Tërrnje.

Me këtë rast kreu i Komunës, Bali Muharremaj, është zotuar se komuniteti shkollor në këtë lokalitet do të ketë ndërtesë të re shkollore dhe kushte më të mira pune në shtatorin e vitit të ardhshëm.

Ndërsa ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyqi, ka theksuar se krahas hapësirave të reja nevojitet edhe arritja e standardeve për arsim cilësor.

Zyra komunale për informim ka njoftuar se para banorëve të fshatit Tërrnje, nxënësve dhe mësimdhënësve, kreu i Komunës, Bali Muharremaj, “ka premtuar se në shtatorin e ardhshëm nxënësit e shkollës së Tërrnjës do të mësojnë në objekt të ri dhe me kushte shumë të mira”.

“Fjalët që i kam dhënë më herët po fillojmë me i realizua. Fshati Tërrnje ka dhënë shumë deri tash, me dekada ka dhënë Tërrnja. E meritoni edhe më shumë se kaq. Mos harroni për herë të parë ka me ndodh në Republikën e Kosovës, një shkollë po fillon sot dhe mbajeni në mend më 21 gusht vitin e ardhshëm, kjo shkollë do të lëshohet në përdorim. Unë ju premtojë se ju do të mësoni vitin e ardhshëm në shkollën e re”, ka thënë Muharremaj, përcjellë ZI.

Ndërkaq Zyra për informim e MASHT-it ka njoftuar se ministri Shyqiri Bytyqi, bashkë me kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, kanë vënë gurin themeltar të shkollës fillore “Vaso Pashë Shkodrani”, në Tërrnje të Suharekës. Sipas njoftimit ministri Bytyqi ka uruar të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe banorët e kësaj ane për fillimin e ndërtimit të shkollës së re, për të cilën tha se do të ofrojë kushte më të mira për arsim cilësor.

“Nëse flasim për zhvillim të vendit tonë, është kot të flasim nëse nuk kemi arsim cilësor dhe kjo është e vetmja mënyrë që të kemi një të ardhme më të mirë për të gjithë”, ka thënë ministri Bytyqi.

Ai ka theksuar gatishmërinë e MAShT-it për ta përkrahur Komunën e Suharekës dhe shkollën, e cila po fillon të ndërtohet, ndërsa tha se përveç krijimit të kushteve më të mira, me angazhimin e të gjithëve, sidomos të mësimdhënësve, do të mund të ngrihet cilësia në arsim.

“Nuk ka dyshim që mësimdhënësit po japin kontribut të madh, por kemi nevojë akoma më shumë në mënyrë që fëmijët tanë të kenë shkathtësi dhe kompetenca të duhura dhe të jenë të barabartë me të gjithë fëmijët kudo në Evropë”, është shprehur Bytyqi.

Objekti i ri shkollor është paraparë të fillojë të shfrytëzohet nga nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës “Vaso Pashë Shkodrani” në fillim të vitit të ardhshëm shkollor.

Sipas njoftimit të Komunës së Suharekës, kryetari i fshatit Tërrnje, Enver Shabani, e ka quajtur ditë të vecantë vënien e gurit themeltar për ndërtimin e shkollës. “Shkolla do të ketë 10 dhoma mësimi dhe vlera e projektit është mbi 300 mijë euro, mjete këto nga buxheti i Komunës”, shkruan në komunikatën e ZI-së së Suharekës.

Më Shumë

Rike Roçi i jep fund lidhjes: Mbaroi sapo dola

E ftuar në ‘Wake Up’ mëngjesin e sotëm ishte Rike Roçi, e cila është eliminuar së fundmi nga formati më i ndjekur ‘BBV3’. Ajo ka...

Lirohen qytetarët e Kosovës që u ndaluan mbrëmë nga policia serbe

Para pak çastesh, autoritetet serbe dhanë urdhër për të liruar kosovarët e ndaluar prej mbrëmë në kufirin Kroaci-Serbi. 12 autobusët e ndaluar janë nisur për...

Lajmet e Fundit