Home Blog Page 1223

Sekuestrohen mbi 3 mijë euro false në një bankë në Prizren

0

Përfaqësuesi i një banke në Prizren ka njoftuar në Policinë e Kosovës, se nga kompani të ndryshme janë deponuar 3.045 euro false.

Parat janë sekuestruar për hetim të mëtutjeshëm.

“Rr. Besim Shalla, Prizren 24.02.2024. Ankuesi mashkull kosovar, përfaqësues i bankës ka raportuar se kompani të ndryshme kanë deponuar 3045€ që dyshohet të jenë të falsifikuara. Parat janë sekuestruar për hetim të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftim.

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

 

“Adi-Plast” në Prizren, një emër i njohur në tregun e Kosovës dhe ndërkombëtar për vendosjen e dyerve dhe dritareve

 

 

Kobra sillet para Gjykatës, pritet të mbahet seanca fillestare për vrasjen e të riut nga Kukësi

0

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë nën përcjelljen e Policisë është sjellë Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, ku pritet të mbahet seanca fillestare në rastin ku i njëjti akuzohet për vrasjen e të riut nga Kukësi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktauzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren një vit më parë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Cobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C,  duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.

Pas zënkës, thuhet se viktima dhe të dëmtuarit, kishin hyrë në veturën “Mercedes”, me qëllim që të largoheshin nga lokali. Por, thuhet se tashmë i akuzuari Dibran Hoxhaj pasi ishte njoftuar për ngjarjen, në ato momente kishte arritur në lokal me veturën “Audi Q7”, pronë e dëshmitarit Enver Amrllahu. “Kobra”, thuhet se kishte hyrë në lokal, kishte marrë pistoletën dhe iu ka afruar veturës së të dëmtuarve.

Sipas aktakuzës, nga motive të ulëta, demonstrimi i forcës së paskrupullt dhe kërcënim për të gjithë ata që e kundërshtojnë në çfarëdo mënyre, ka hapur derën e vozitësit tani të dëmtuarit  R.T (Sh) dhe ka shkrepur me armë dhe ka plagosur në kofshë të djathë të dëmtuarin T (Sh).

Ky i fundit, thuhet se kishte rritur shpejtësinë e veturës dhe kishte dalë në rrugë, por që i akuzuari “Kobra”, kishte shtënë me armë edhe katër herë tjera, duke goditur tashmë viktimën V.C në shpinë, pasi i njëjti ishte i ulur në ulëset e pasme të veturës.

Viktima V.C, të cilit plumbi i kishte shkaktuar gjakderdhje të brendshme, nuk kishte arritur t’i përballonte plagët ku edhe kishte ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin e Kukësit.

Më këtë, “Kobra”, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.5 dhe 1.8 të KPRK-së.

Ai po akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje nga neni 366, par.1 të KPRK-së, pasi thuhet se nga koha e pavërtetuar deri më 3 janar 2023, në lokalin e tij ka mbajtur në posedim një pistoletë gjysmë-automatike, me një karikator me kapacitet 13 fishekë, të cilin edhe e ka përdorur për të kryer veprën penale nga dispozitivi i parë si dhe një pistoletë tjetër me një karikator me 8 fishekë.

Tutje në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se Roland Susuri dhe Burim Mazreku në lokalin “Cobra City” pas ngjarjeve të ndodhura i fshehin provat, ku fillimisht Mazreku me kërkesë të Dibran Hoxhës fsheh pistoletën si dhe armën tjetër. Aktakuza thotë se arma është gjetur nga ana e policisë në afërsi të lokalit “Cobra City”, kurse Susuri kishte fshehur DVR e kamerave të sigurisë së lokalit në vend të paidentifikuar.

Me këto, veprime Susuri dhe Mazreku po ngarkohen për veprën penale “Manipulim me prova” nga neni 389, paragrafi 1 KPRK-së.

Kurse në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Roland Susuri, Jesmir Badalli dhe Arben Vezaj me qëllim të frikësimit të të dëmtuarve R.T dhe A.B dhe tani të ndjerit V.C., ku si të dëmtuar refuzonin të paguanin faturën prej 400 euro, gjatë rrahjes të pandehurit Susuri dhe Badalli me rrokin armën, kurse shkopin e bejsbollit Vezaj.

Prandaj, për këto veprime Susuri, Badalli dhe Vezaj po ngarkohen për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” nga neni 187, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 31 të KPRK-së.

Në dispozitivin e katërt të aktakuzës Roland Susuri dhe Jesmir Badallaj po ngarkohen për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

 

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

 

“Adi-Plast” në Prizren, një emër i njohur në tregun e Kosovës dhe ndërkombëtar për vendosjen e dyerve dhe dritareve

Banesa në shitje nga Renelual Tahiri  

 

Nagavci falënderon mësimdhënësit në ditën e tyre

0

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka uruar të gjithë mësimdhënësit në ditën e tyre.

Ajo ndër të tjera i falënderoi për kontributin e dhënë dhe përkushtimin e tyre.

“Të dashur mësimdhënës, Urime Dita e mësuesit!  Në këtë ditë të rëndësishme, ju falënderoj për punën dhe përkushtimin tuaj në arsimimin e brezave të rinj. Roli juaj në procesin edukativo-arsimor është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë”, shkroi Nagavci në Facebook.

“Mirënjohje pa fund për të gjithë mësimdhënësit për kontributin e çmuar të tyre në formësimin e të ardhmes sonë”.

Më tutje, ministrja tha se prioritet i ministrisë mbetet përmirësimi i cilësisë së arsimit.

“Prioriteti ynë si Ministri e Arsimit është të përmirësojmë cilësinë në arsim, duke rregulluar infrastrukturën ligjore dhe fizike. Andaj, jemi duke punuar në shumë drejtime për të avancuar pozitën e mësimdhënësit dhe për të ofruar kushte e politika arsimore që garantojnë mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore”.

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

 

“Adi-Plast” në Prizren, një emër i njohur në tregun e Kosovës dhe ndërkombëtar për vendosjen e dyerve dhe dritareve

Sot shënohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit

0

7 Marsi, njihet si festa e Mësuesit në Shqipëri, dhe festohet në të gjitha shkollat dhe universitetet.

Është një ditë simbolike për të kujtuar e vlerësuar mësuesit për përkushtimin e tyre në mësimdhënie dhe në përgatitjen e brezave të ardhshëm.

Zanafilla e kësaj dite përkon me hapjen e mësonjëtores së parë shqipe, e cila u hap në Mars të vitit 1887 në Korçë, pikërisht në një kohë kur shqiptarët mësonin shqip fshehurazi në shtëpitë e tyre, për shkak të sundimit Osman.

Mësonjëtorja e Korçës ka qëndruar e hapur për të paktën 20 vite dhe drejtues të tij ishin figurat e shquara të Rilindjes shqiptare si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami e të tjerë.

Festa e 7 Marsit, u përforcua më shumë gjatë periudhës komuniste. Ajo ishte dita më e shënuar për mësuesit. Ishte një traditë e bukur, kur nxënësit zgjidhnin përfaqësuesit e tyre më të mirë, të cilët shkonin për vizitë në shtëpinë e mësuesit. Mësuesi i priste me gjithë të mirat, me ëmbëlsira e fruta, ndërsa dhuratat e nxënësve ishin shumë simbolike: lule ose libër.

Sot kjo traditë ka ndryshuar. Festa e mësuesit organizohet në shkollë, me koncerte dhe aktivitete të ndryshme. Edhe dhuratat janë më të larmishme, jo thjesht lule, shkruan KosovaPress transmeton Klankosova.tv

Deri në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, për të nxitur mësimdhënien e një cilësie sa më të lartë, mësuesit më të dalluar shpërbleheshin me dekoratat e larta që ishin Mësues i Merituar dhe Mësues i Popullit.

Historia e Mësonjëtores së parë Shqipe

Në vitin 1885, Naim Frashëri, si zyrar në Ministrinë e Arsimit në Stamboll, me të vëllain, Sami Frashërin dhe shqiptarë të tjerë me ndikim të “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip”, ia dolën të siguronin lejen nga Sulltan Abdylhamidi II për hapjen e një shkolle shqiptare për djem në Korçë. Mbështetja financiare iu mundësua edhe nga mërgata e Rumanisë, anëtarët e Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, ndërsa shqiptarët e Stambollit vendosën që drejtor i shkollës të ishte Pandeli Sotiri. Mjedisi ku shkolla u vendos ishte shtëpia e dhuruar nga Diamant Terpo. Si “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”, ashtu edhe shoqëria “Drita” kishin rënë dakord që më përpara për të mos antagonizuar parinë vendase të ndikuar nga kultura greke duke hapur shkolla shqipe. Patrikana e Stambollit refuzoi që të jepej gjuha shqipe në shkollat ekzistente greke të komunitetit ortodoks të Korçës. Sotiri u dërgua në Korçë dhe e çeli shkollën më 7 mars 1887.

Tekstet e shkollës i mundësonin vëllezërit Naim e Sami Frashëri dhe shumë shqiptarë të tjerë.[8] Përgjatë 1887-ës, Sotirit iu desh të linte Korçën dhe administrimi i shkollës i kaloi Petro Nini Luarasit dhe Thanas Sinës. Autoritetet osmane i dhanë leje vetëm të krishterëve shqiptarë të ndiqnin mësimdhënien në këtë shkollë, por shqiptarët nuk iu bindën lejes dhe lejuan fëmijët myslimanë që të mund ta ndiqnin. Vitet e para, në shkollë u regjistruan rreth 200 nxënës të besimit mysliman dhe të krishterë. Në vitin 1888, shkolla kishte 100 nxënës të krishterë dhe 60 myslimanë.

Pandeli Sotiri e filloi mësimin fillimisht me 35 nxënës. Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore si dhe katër klasa të rregullta. Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik.

Edhe pse në kushte të vështira, kur ndalohej rreptësisht mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për 15 vjet; u mbyll në vitin 1902, për t`u riçelë në vitin 1908. U mbyll përsëri në vitin 1912 dhe u çel pas pesë vjetësh në 1917-ën. Përkrahës të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Naum Naçi, Thoma Avrami, Familja Qiriazi etj.

Më 15 tetor 1891, Gjerasim Qiriazi së bashku me të motrën Sevasti Qiriazi hapën këtu edhe Mësonjëtoren e vajzave, baza e së cilës ishte gjithashtu gjuha shqipe dhe kultura kombëtare.

Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull. Me ato mundësi që kishin, ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi të madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies, për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit. Të edukuar dhe me frymën e lartë të patriotizmit, këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen dhe pasuesit e ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm për luftën për liri dhe pavarësi.

Në shenjë nderimi, respekti dhe kujtimi për kontributin e Mësonjëtores së Korçës dhe mësuesve të saj, 7 Marsi është caktuar si Ditë e Mësuesit dhe e shkollës shqipe. Ndërtesa ku u hap kjo shkollë sot është muzeum kombëtar i arsimit.

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

 

“Adi-Plast” në Prizren, një emër i njohur në tregun e Kosovës dhe ndërkombëtar për vendosjen e dyerve dhe dritareve

 

Sonte `Nata e Zjarreve` në Prekaz

0

Me “Natën e Zjarreve” sonte përfundon manifestimin gjithëpopullor në kujtim dhe nderim të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, si dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

 

Aktivitete të shumta janë shënuar më 5 dhe 6 mars, në 26-vjetorin e rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.

Në ditën e tretë të Epopesë, nga ora 18:00, fillon ndezja e flakadanëve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Pas ndezjes së flakadanëve, vazhdon manifestimi “Nata e Zjarreve” me program kulturo-artistik në Sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.

Nait Hasani tregon takimin e parë me Adem Jasharin dhe organizimin e UÇK-së

0

Bashkëluftëtari i Komandantit Legjendar, Adem Jashari, Nait Hasani ka treguar në “RTK Prime” se takimin e parë me komandantin e kishte bërë në vitin 1994 në Kullën e Jasharajve, atë e kishte njohur përmes Rexhep Selimit dhe Sylejman Selimit, me të cilët kishte shkuar në takim me Adem Jasharin.

 

Ai ka thënë se në këtë takim kishin shkuar si UÇK, pasi paraprakisht organizata Lëvizja Popullore e Kosovës kishte vendosur për krijimin e njësive të armatosura.

“5, 6 dhe 7 marsi shënojnë daljen publike dhe qëndresën heroike të Jasharajve dhe të UÇK-së, si një ushtri që i del përballë për herë të parë policisë, ushtrisë dhe shtetit serb për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Njohja me Ademin dhe takimet me të janë pjesë e punës sonë të përbashkët në organizimin e UÇK-së para kësaj date, kur ata bëhen themeltarë të gjakut për liri e që bien në altarin e lirisë në shtëpinë e rrethuar nga policia dhe ushtria serbe”, tha Hasani në “RTK Prime”.

Ai ka thënë se kur kanë shkuar në Kullën e Jasharajve fillimisht ka qenë vetëm Shaban Jashari, e më pas kanë ardhur edhe Adem, Hamëz e Sahit Jashari. Sipas Hasanit, Adem Jashari nuk e kishte njohur atë me emër, derisa për shkak të rrethanave dhe veprimeve ai kishte shkuar aty i maskuar, me mustaqe e me syze. Megjithatë, sipas tij ata kanë shkuar të organizuar dhe pritja nga Adem Jashari ka qenë në formë të organizuar.

“Jemi prezantuar se ne jemi prej UÇK-së dhe jemi të interesuar të bashkëpunojmë dhe t’i arrijmë qëllimet tona të përbashkëta. Kemi biseduar me Ademin në odë si të fillojmë aksionet e përbashkëta në organizimin e UÇK-së në luftën për liri. Ai ishte një figurë që e përmbledh të gjithë pjesën e njerëzve të rezistencës dhe të familjes Jashari. Diskutimet me Ademin, Hamzën, Sahitin e Shabanin tregonin gatishmërinë e tyre dhe përgatitjen profesionale dhe shpirtërore të luftës sonë për liri. Kur e shihje Ademin me mjekrën, me mustaqet dhe me gjoksin e tij dëshmohej se kemi të bëjmë me një njeri të gatshëm për të luftuar për lirinë e vendin. Aty kemi qëndruar atë natë, kemi biseduar për organizimin e UÇK-së dhe njësiteve guerile që i kishim në atë kohë për shtrirjen e tyre në tërë territorin e Kosovës. Ne kemi shkuar aty sepse themelimi i UÇK-së ishte një etapë kohore e gjatë e organizimeve të grupeve dhe përmbyllja e të gjitha atyre grupeve në njësi dhe në një organizim të vetëm ishte një etapë kohore”, shtoi ai.

Sipas Hasanit dalja e UÇK-së dhe marrja e përgjegjësisë së aksioneve tregoi konsolidimin e kësaj force të armatosur.

“Ne kemi pasur organizim, ne nuk kemi qenë komitë, por ne kemi qenë njësi të themeluara nga një organizatë. Lëvizja Popullore e Kosovës ka nxjerrë vendime, ka mbajtur kongrese, konferenca e Prishtinës, e mbajtur më 26 korrik të 1993 në Vranjevc (Kodrën e Trimave, v.j.), ka nxjerrë vendime për krahun e armatosur të LPK-së dhe nga këto vendime janë krijuar edhe njësitet dhe ka ardhur deri te themelimi i UÇK-së”, nënvizoi Hasani.

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

Ai tutje ka thënë se të gjithë ata kanë qenë anëtarë të LPK-së, e madje edhe Adem Jashari. “Kur them ka qenë, ka qenë. Unë po e them”, tha ai.

“Shumë para nesh kur kanë shkuar dhe kanë kërkuar të qëndrojmë e të durojmë përkundër maltretimeve dhe dhunës që po bëhej nga Serbia. Unë kam me shkuar me qëllimin se nuk duhet të durojmë më. Kishte kaluar koha e durimit. Ne e kishim provuar durimin, që ishte një fazë kalimtare mjaft e frytshme, por jo një fazë e përhershme. Dhe durimi kishte kuptimin në vitet 1991-92, aty këtu 1993, por durimi i mëtutjeshëm ishte sakrificë brenda vetës, ishte migrim, sepse u humb shpresa. Ishte lufta në Kroaci e Bosnje, televizionet i prezantonin ato tmerre, krime e gjenocide. Në anën tjetër forcat politike të asaj kohe tregonin me gisht se çfarë po bëjnë atje e  çfarë mund ta bëjnë këtu. Ky ishte ai tmerri që iu fut njerëzve tanë. Njerëzit tanë kërkonin shpresë. Shpresa ishte ose të iknin jashtë të migronin, ose ta kapnin armët. Na erdhëm në momentin e duhur, me vendimet e organizatës së LPK-së. Në kapitullin e tretë ku thotë LPK është organizatë e cila  çlirimin e Kosovës e kërkon me mjete demokratike, nëse nuk ka efekt me mjete demokratike ne jemi të gatshëm ta realizojmë qëllimin final me luftë të armatosur”, shtoi Hasani.

Ai tutje ka thënë Ademi ka qenë i njoftuar me këto qëndrime. Sipas Hasanit, Adem Jashari ishte dërrmuar dhe kishte filluar t’i humbë vullneti i qëndresës prej pritjeve dhe durimit.

“Adi-Plast” në Prizren, një emër i njohur në tregun e Kosovës dhe ndërkombëtar për vendosjen e dyerve dhe dritareve

Dimër në kullë

0

Enver Sulaj

Përsëri ti, buzëqeshje e ngrirë,
erdhe bashkë me acarin shekullor
dhe turp mesjete
në netët e gjata pa fund.

Ato ditë
vdekja trokiti tinëzisht
në portën bërë hi
të kullës së rrënuar,
ndërsa shpirtrat preheshin
në pritje ankthi.

(Nga libri “Nyjë në ujë”, NB “Rilindja”, Prishtinë, 1997)

Projekti i Sheshit të Dëshmorëve në Malishevë– Kastrati: Shohim diskrimin në ndarjen buxhetore

0

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati është ankuar në ndarjen e buxhetit për komuna nga Qeveria e Kosovës e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në emisionin ‘Raport’ në Kanal10, Kastrati ka thënë se shohin diskriminim në ndarjen e buxhetit për komuna, raporton gazeta10.

Ai ka thënë se si kryetari i Malishevës është duke bërë përpjekje për rimëkëmbjen e kësaj komune dhe urbanizimin e saj.

“Jemi duke punuar shumë që mos të jemi vrimë e zezë si komunë e pazhvilluar në vend”, ka thënë Kastrati.

Sipas tij, tani Malisheva renditet me komunat fqinje, dhe është rrugës që të marrë për tu bërë një komunë me urbanizëm cilësor.

Projekti i Sheshit të Dëshmorëve – Kastrati: Shohim diskrimin në ndarjen buxhetore

Prizren: Një i vdekur dhe një e lënduar, pasi vetura ra nga 10 metra lartësi

0

Një i vdekur dhe një e lënduar si pasojë e një vetaksidenti në rrugën Prizren-Reçan.

Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Bytyqi tregoi se deri te aksidenti ka ardhur pasi shoferi ka humbur kontrollin dhe ka rënë në lugun e lumit, ku automjeti ka rënë nga një lartësi përafërsisht 10 metra.

“Me datë 06.03.2024 rreth orës 15:40 është raportuar për një vetaksident trafiku në rrugën Prizren-Reqan me pasoja fatale. Deri te aksidenti ka ardhur kur ngasësi (F.M. I lindur me 1954 , mashkull) nga fshati Llokvicë, Prizren, derisa ishte drejtuar automjetin humbë kontrollin e automjetit dhe kalon në anën e majtë të rrugës ,e godet anësoren dhe bie poshtë në lugun e lumit, automjeti bie nga lartësi përafërsisht 10 metra”, u shpreh Bytyqi.

“Si pasojë e aksidentit ngasësi mbetet i vdekur në vend, ndërsa pasagjerja (E.M. e lindur më 1957 ) pëson lëndime trupore, ajo është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren dhe pas tretmanit mjekësor është liruar”.

Ai theksoi se në konsultim me prokurorin kujdestar trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Bashkimi i ndan rrugët me ish-lojtarin e NBA

0

Klubi i basketbollit Bashkimi ka njoftuar se ka ndarë rrugët me prurjen e famshme Terrance Ferguson.

Në njoftimin e ekipit prizrenas thuhet se marrëveshja është ndërprerë për arsye disiplinore.

“Klubi ynë njofton se me marrëveshje të dyanshme ka shkëputur kontraten me lojtarin Terrance Ferguson për arsye diciplinore”, thuhet në njoftim

Ferguson kaloi te Bashkimi me shumë bujë, pasi kishte një eksperience fantastike në NBA me mbi 200 paraqitje në klubet OKC Thunder dhe Philadelphia 76ers.