27.3 C
Prizren
E shtunë, 19 Korrik, 2025
Home Blog Page 5359

Prizren: Shtyhet gjykimi për krime lufte ndaj pjesëtarit të UÇK-së

0

Shqyrtimi gjyqësor, i paraparë të mbahej të enjten, kundër Remzi Shalës, i cili akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për krime lufte ndaj popullsisë civile, nuk është mbajtur pasi që avokati Natal Bullakaj, ka rast vdekje në familje.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj, ka njoftuar të pranishmit se një ditë më parë i ka vdekur nipi i sapolindur dhe se nuk është në gjendje që të përfaqësojë të akuzuarin, andaj ka kërkuar që kjo seancë dhe ajo e së premtes të shtyhen.

I akuzuari, Remzi Shala, nuk ka pranuar që atij t’i caktohet një avokat tjetër zëvendësues me arsye se i njëjti nuk është i njohur me rastin penal dhe provat e prokurorisë, andaj ka kërkuar që seanca të shtyhet për një datë tjetër.

Prokurori i rastit, Haki Gecaj dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Asdren Hoxha, janë pajtuar që seanca të shtyhet.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Raime Elezi, ka vendosur që kjo seancë dhe ajo e së premtes të shtyhen për 19, 20 dhe 22 shtator 2017, duke filluar nga ora 09:00.

Remzi Shala, akuzohet nga Prokuroria Speciale se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babin e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël./betimiperdrejtesi/

O’Connell në Prizren takon kryeprokurorin e sapozgjedhur Admir Shala

0

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, sot ka pritur në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Connell.

Sipas njoftimit për media, në këtë takim fillimisht ambasadori O’Connell i uroi kryeprokurorit Shala për detyrën e re. Me këtë rast, kryeprokurori Shala falënderoi ambasadorin O’Connell për përkushtimin dhe bashkëpunimin e tij në fushën e sundimit të ligjit.

Kryeprokurori Shala shprehu përkushtimin e tij në luftimin e krimit dhe korrupsionit, si dhe në mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të Qytetit të Prizrenit.

Në anën tjetër, Ambasadori O’Connell ka ripërsëritur qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar për përkrahjen dhe bashkëpunimin në forcimin e sistemit të drejtësisë.

Socializmi i ri i budallenjve

0

J. Bradford DeLong 

Rirregullimi ekonomik nuk ndodh me falimentime, por më shumë me anë të ‘bumeve’ ekonomike

Sipas teorisë kryesore ekonomike, globalizimi tenton që “t’i ngrejë të gjitha barkat”, dhe ka pak ndikim në shpërndarjen e gjerë të të ardhurave. Por, “globalizimi” nuk është e njëjta gjë me eliminimin e tarifave dhe të barrierave të tjera tregtare. Sikur që thotë profesori i Universitetit, ekonomisti Dani Rodrik, teoria ekonomike parashikon që largimi i tarifave dhe barrierave të tjera jotarifore ndikon në rritjen e prodhimtarisë, por rezulton edhe me distribuime më të mëdha, derisa eliminimi i barrierave më të vogla stimulon redistribuimet më të mëdha krahasuar me fitimet neto. Globalizimi është i ndryshëm. Ai duhet që të kuptohet si proces gjatë të cilit bota bëhet gjithnjë e më e ndërlidhur nëpërmes përparimeve teknologjike, të cilat ulin kostot e transportit dhe komunikimit.

Deficiti në prodhim

Kjo formë e globalizimit lejon prodhuesit e jashtëm që të eksportojnë mallra dhe shërbime në tregje të largëta, me një kosto më të ulët. Por, ajo po ashtu hap tregjet e eksportit dhe zvogëlon kostot për anën tjetër. Dhe, në fund, konsumatorët marrin më shumë mall, për më pak para. Sipas teorisë standarde ekonomike, ridistribuimi vjen në shprehje vetëm kur eksportet e një vendi kërkojnë faktorë shumë më të ndryshëm të prodhimit, sesa importet e tij. Por, në ekonominë e tashme globale nuk ka dallime të tilla. Në SHBA, një bilanc pozitiv financiar nënkupton se më shumë amerikanë do të punësohen në ndërtimtari, prodhimin e mallrave kapitale, si infermierë dhe ndihmës shtëpiakë. Ngjashëm me këtë, një bilanc pozitiv në shërbime nënkupton që më shumë amerikanë do të punojnë jo vetëm si këshilltarë me edukim të lartë në zyra, por, të themi, edhe si portierë dhe kujdestarë shtëpish në motelet jashtë Parkut nacional “Yellowstone”. Në të njëjtën kohë, një deficit në prodhim mund të krijojë më shumë vende pune në prodhimtari jashtë vendit, në vendet ku kostoja e punës është relativisht e ulët krahasuar me kapitalin; por kjo shkatërron një numër relativisht të vogël të punës në SHBA, ku prodhimtaria tanimë është një industri intensive e kapitalit. Sikur që thotë ekonomisti i Universitetit Stanford, Robert Hall, më shumë amerikanë janë të punësuar në shitjen e automobilave, sesa në prodhimin e tyre. Mallrat që SHBA-ja i importon nga jashtë punësojnë një numër të konsiderueshëm të punëtorëve pa zanat, por ato nuk zhvendosin një punë të përgjithshme fizike në Amerikë. Kështu, të paktën në teori, ndryshimi në punësimin në SHBA nga linjat e prodhimit e deri te ndërtimtaria, shërbimet dhe përkujdesja, mund ta ketë pasur një ndikim në distribuimin e përgjithshëm të të ardhurave në aspektin e gjinisë, por jo edhe të klasës. Pse atëherë ka ekzistuar një rezistim aq i fortë politik ndaj globalizimit në shekullin XXI? Unë i shoh katër arsye.

Të huajt dhe imigrantët

Së pari dhe më së shumti, është lehtë për politikanët që, për problemet e vendit, t’i fajësojnë të huajt dhe imigrantët, të cilët nuk votojnë. Në vitin 1890, kur politikanët në Perandorinë Habsburge vazhdimisht fajësonin çifutët për probleme të ndryshme socio-ekonomike, disidenti austriak Ferdinand Kronawetter deklaroi se “Der Antisemitismus ist der Sozialismus der dummen Kerle”: Antisemitizmi është socializëm për budallenjtë. E njëjta gjë mund të thuhet sot edhe për antiglobalizimin. Së dyti, më shumë se një gjeneratë e një rritjeje ekonomike më të ngadalshme sesa që është pritur në veri të botës, ka krijuar një nevojë të fuqishme politike dhe psikologjike për ‘kurbane’. Njerëzit kërkojnë një shpjegim të thjeshtë pse nuk janë duke e shijuar prosperitetin i cili dikur iu ishte premtuar dhe pse ekziston një dallim gjithnjë e më i madh midis atyre më të pasurve dhe të gjithë të tjerëve. Së treti, ngritja ekonomike e Kinës ka ndodhur në të njëjtën kohë me një periudhë në të cilën veriu i botës ishte duke u përpjekur që ta arrinte një punësim të plotë. Përkundër asaj që kanë thënë gjithmonë ithtarët e Friedrich von Hayek dhe Andrew Mellonit, rirregullimi ekonomik nuk ndodh me falimentime, por më shumë me anë të ‘bumeve’ me anë të të cilave vjen deri te një hiperproduktivitet i lartë.

Prodhimi dhe mbajtja e një punësimi të plotë

Kështu, neoliberalizmi nuk kërkon vetëm tregje të hapura dhe garuese, ndryshime globale dhe stabilitet të çmimeve, por ai varet edhe nga një punësim i plotë dhe nga ‘bumet’ gati permanente, sikur që kishte thënë ekonomisti John Maynard Keynes në vitet 1920 dhe 1930. Në dekadat e fundit, rendi neoliberal ka dështuar që t’i sigurojë këto kushte, kryesisht për shkak se një gjë e tillë ka qenë e pamundur qoftë edhe me anë të politikave më të mira ekzistuese. Së katërti, politikëbërësit nuk kanë bërë mjaft për ta kompensuar këtë dështim me politika sociale më agresive dhe me një ridistribuim ekonomik dhe gjeografik. Kur presidenti amerikan Donald Trump tash vonë iu tha qytetarëve të NjuJorkut se duhet ta braktisin regjionin dhe të kërkojnë punë gjetiu, ai thjesht përsëriste politikanët e gjeneratës së kaluar të qendrës së djathtë nga veriu global.

Dilemat aktuale politike dhe ekonomike të veriut global nuk janë aq të ndryshme nga ato të viteve 1920 dhe 1930. Sikur që kishte vërejtur Keynes atëherë, çelësi i zgjidhjes qëndron te prodhimi dhe mbajtja e një punësimi të plotë, ku më pas do të zhdukej numri më i madh i problemeve tjera. Dhe, sikur që thoshte ekonomisti austrohungarez, Karl Polanyi, është rol i qeverisë që të sigurojë të drejtat socioekonomike. Njerëzit besojnë se ata kanë të drejtë që të jetojnë në komunitete të shëndosha, të kenë vende stabile të punës dhe ta kenë një rrogë të denjë e cila rritet me kalimin e viteve. Por, këto të drejta të supozuara nuk rrjedhin vetvetiu nga të drejtat pronësore dhe pretendimet ndaj pasurive të mangëta natyrore. Kanë kaluar dhjetë vjet që nga kriza financiare globale dhe fillimi i “Recesionit të madh” në veriun global. Qeveritë ende nuk i kanë korrigjuar dëmet e shkaktuara nga këto ngjarje. Nëse ato nuk e bëjnë këtë së shpejti, atëherë “socializmat” e budallenjve do të vazhdojnë që ta bëjnë kërdinë në dekadat e ardhshme.

(J. Bradford DeLong është profesor i ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë në Berkli) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE

LDK s’ka ende kandidat për kryetar të Prizrenit

0

Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar sot emrat e kandidatëve me të cilët do të garojë për kryetar të komunave në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, ndërkohë që për Prishtinën dhe Prizrenin ende nuk është vendosur se kush do të kandidojë.

Kandidatët për kryetarë  të komunave nga radhët e LDK-së janë: Agim Veliu-Podujevë, Lufti Haziri-Gjilan, Muharrem Sfarqa- Ferizaj, Gazmend Muhaxheri- Pejë, Sokol Haliti- Viti, Burim Berisha- Fushë Kosovë, Imri Ahmeti-Lipjan.

Në komunën e Kamenicës është kandiduar Shaip Surdulli, në Suharekë Salih Asllani, në Shtimje-Selim Shabani, Istog- Haki Rugova, Dragash- Selim Kryeziu dhe për kryetar të komunës së Novobërdës kandidat do të jetë Bajrush Imeri.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas mbledhjes së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku u caktuan kandidatët për kryetar të komunave, tha se e konsiderojnë tepër të rëndësishme pjesëmarrjen dhe fitoren në komuna dhe se në zgjedhjet e tetorit presin të shënojnë fitore në Prishtinë dhe Prizren.

“Ne vlerësojmë se mund ta fitojmë Prishtinën, besojmë që duhet të bëjmë çdo gjë që ta fitojmë edhe Prizrenin ta rikthejmë, sepse kemi qeverisur përpara edhe disa komuna të tjera të cilat janë shumë të rëndësishme për ne”, tha ai.

Lidhur me kandidatin për kryetar të komunës së Prishtinës, Mustafa tha se në fillim të javës së ardhshme do të mblidhen kryesia e LDK-së për të diskutuar për kandidatët e mundshëm për kryetar të kësaj komune dhe pastaj do të vendosin për kandidatin, por gjithmonë duke e pasur parasysh disponimin e qytetarëve të Prishtinës dhe anëtarësisë së LDK-së./KosovaPress/

Digjet një mal në Malishevë

0

Një person nga fshati Temeqinë i Malishevës ka informuar Policinë se i është djegur një hektar mal (pronë private), shkruan PrizrenPress.

Në raportin e sotshëm të Policisë thuhet se njësiti policor dhe i zjarrfikësve kanë dal në vendin e ngjarjes, dhe kanë lokalizuar zjarrin. /PrizrenPress.com/

Arrestohet në Prizren, dërgohet në burgun e Dubravës

0

Në Prizren, konkretisht në lagjen “Kurrilla” gjatë ditës së djeshme, Policia ka arrestuar një person të gjinisë mashkullore të komunitetit turk, shkruan PrizrenPress.

Arrestimi i tij, sipas raportit të sotshëm të policisë, është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore Ferizaj.

Më pas i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës. /PrizrenPress.com/

Policia thyen rekord, për 24 orë shqipton 2366 tiketa në komunikacion

0

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se gjatë ditës së mërkurë ka shqiptuar 2366 tiketa në komunikacion.

Referuar raportit të Policisë, po ashtu gjatë ditës së djeshme kanë ndodhur 28 aksidente në komunikacion me të lënduar dhe 54 pa të lënduar.

Aksidente me fatalitet nuk ka pasur.

Dragash: Fyen dhe pengon policët në kryerje të detyrës

0

Në Dragash, konkretisht në fshatin Llopushnik është arrestuar një person i komunitetit boshnjak pasi që i njëjti ka penguar, fyer, dhe kundërshtuar zyrtarët policor në kryerje të detyrës, shkruan PrizrenPress.

Ngjarja ka ndodhur dje, sipas raportit të sotshëm të Policisë së Kosovës, për shkak të një kundërvajtje në komunikacion e shkaktuar nga i dyshuari.

Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com/

Djali rrah nënën në Dragash

0

Në Dragash është arrestuar një person i gjinisë mashkullore pasi që i njëjti kishte sulmuar fizikisht nënë e tij, shkruan PrizrenPress.

Në raport e sotshëm të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se viktima ka pranuar tretman mjekësor.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com.

Digjet një veturë në autostradën “Ibrahim Rugova” (Video)

0

Një veturë derisa po qarkullonte në autostradën “Ibrahim Rugova” është përfshirë nga zjarri.

Sipas një lexuesi të Indeksonline, vetura e tipit Mercedes C220 është ndalur në dalje të qytetit të Obiliqit, pasi nisi ti dal tym nga pjesa e përparme e veturës.

Policia ka dal menjëherë në vendin ku është vetura për të hetuar shkaqet e zjarrit.