30.4 C
Prizren
E shtunë, 19 Korrik, 2025
Home Blog Page 5371

Konfuci, një filozof për të gjitha kohët

0

Ne dimë shumë pak gjëra me siguri, rreth jetës së filozofit kinez Konfuci (një version perëndimor i emrit të tij, që do të thotë ‘Mësuesi Kong’). Ai thuhet se ka lindur në vitin 551 para Krishtit në Kinë. Ai mund të ketë qenë student i mësuesit Daoist Lao Tzu. Sipas gojëdhënave, ai filloi shërbimin në qeveri në moshën 32 vjeçare dhe ka shërbyer në shumë role, duke përfshirë Ministrin e Krimit nën sundimin e Dukës Ding në shtetin e Lu. Sidoqoftë, kur Konfuci ishte 56 vjeç, ai dhe duka u përplasën mbi ekseset e ushtrisë, kështu që Konfuci u largua nga gjykata dhe nisi endjet e tij për 12 vjet.

Konfuci paraqitej si një ‘transmetues i cili nuk kish shpikur asgjë’, sepse ai besonte se po mësonte rrugën natyrore drejt sjelljes së mirë, e cila kalonte nga mësuesit më të mëdhenj, hyjnorë. Rreth shekullit të dytë para Krishtit, veprat e Konfucit u mblodhën në Analektet (Lunyu), një koleksion thëniesh të shkruara nga ndjekësit e tij. Këto nuk janë gjithmonë urdhëresa, sepse Konfuci nuk pëlqente të ofronte rregulla strikte. Përkundrazi, ai besonte se nëse thjesht jetonte me virtytin, ai do t’i frymëzonte të tjerët të bënin të njëjtën gjë. Për shembull, një nga pasazhet e shkurtra në Analektet është:

Ahuri u dogj kur Konfuci ishte në gjykatë. Me t’u kthyer, ai tha: “A ka ndonjë njeri të lënduar?” Ai as nuk pyeti për kuajt.

Në këtë histori të thjeshtë me tre fjali, ne jemi në gjendje të mendojmë për vlerën e nënkuptuar të jetës njerëzore mbi sendet apo kuajt, dhe të pyesim nëse do të kishim bërë të njëjtën gjë.

Disa prej moraleve që mësoi Konfuci janë lehtësisht të dallueshme – më së shumti versioni i tij i ‘Rregullt të Artë’: ‘Mos u bëni të tjerëve, atë që nuk dëshironi t’ua bëjnë ju’. Por disa prej tyre gjithashtu tingëllojnë shumë të çuditshme ose të vjetëruara për veshët moderne (sidomos ato perëndimorë). Na duhet këshilla e tij edhe më shumë për këtë arsye. Ai shërben si një antidot ndaj problemeve me të cilat ballafaqohemi sot. Ja disa shembuj të asaj që Konfuci na ndihmon të kujtojmë:

Ceremonia është e rëndësishme

Analektet janë një libër i shkurtër dhe në dukje i çorganizuar me ngjarje të shkurtra, të mbushura me biseda të çuditshme, midis Konfuçit dhe dishepujve të tij, si kjo:

‘Tsze-kung dëshironte t’ia hidhte me ofrimin e një deleje, të lidhur me inaugurimin e ditës së parë të çdo muaji.

Mësuesi tha: ‘Tsze, ti e do delen; Unë dua ceremoninë’.

Në fillim kjo është e habitshme, nëse mos plot humor. Por Konfuci po i kujton Tsesë – dhe ne – rëndësinë e ceremonisë.

Në botën moderne ne tentojmë të shmangim ceremonitë dhe ta shohim këtë si një gjë të mirë – një shenjë intimiteti, ose mungese pretendimesh. Shumë prej nesh kërkojnë informalitet dhe nuk dëshirojnë asgjë më shumë, sesa t’ju thuhet ‘thjesht ndihuni si në shtëpi’ kur vizitojnë një mik. Por Konfuci këmbëngulte në rëndësinë e ritualeve. Arsyeja që ai i donte ceremonitë më shumë se delja, ishte se ai besonte në vlerën e etikës, traditës dhe ritualit.

Kjo mund të duket shumë e vjetëruar dhe konservatore në shikim të parë. Por në fakt, shumë prej nesh i dëshirojmë ritualet e veçanta – ajo gjellë që na përgatiste nëna sa herë që ishim të sëmurë, për shembull, ose përvjetori i ditëlindjes, ose betimet e dasmës. Ne e kuptojmë se disa gjeste të paramenduara, të qëllimshme dhe të sakta ndezin emocionet tona më të thella. Ritualet i bëjnë qëllimet tona të qarta dhe na ndihmojnë të kuptojmë se si të sillemi. Konfuci mësonte se një person që e kombinon dashurinë (‘ren’) dhe ritualet (‘li’) është një ‘njeri superior’, i virtytshëm dhe moralisht i fuqishëm.

Duhet t’i trajtojmë prindërit tanë me nderim

Konfuci kishte ide shumë strikte se si duhet të sillemi me prindërit. Ai besonte se duhet t’u bindemi kur jemi të rinj, të kujdesemi për ata kur janë të moshuar, të vajtojmë kur vdesin dhe të bëjmë flijime në kujtim të tyre më pas. “Duke u shërbyer prindërve, një djalë mund të kundërvihet, por me butësi”, thoshte ai. ‘Kur sheh se nuk priren ta ndjekin këshillën e tij, ai duhet të tregojë një shkallë më të lartë nderimi, por nuk e braktis qëllimin e tij; Dhe nëse ata e dënojnë, ai nuk duhet t’i lejojë vetes që të murmurisë”. Ai madje thoshte se nuk duhet të udhëtojmë larg, ndërsa prindërit tanë janë gjallë dhe duhet të mbulojmë shkeljet e tyre. Ky qëndrim njihet si devotshmëria filiale (‘xiào’).

Kjo tingëllon e çuditshme në epokën moderne, kur shumë prej nesh lënë shtëpitë e prindërve si adoleshentë dhe rrallë kthehen të vizitojnë. Ne madje mund t’i shohim ata si të huaj, që fati na i ka hedhur në mënyrë arbitrare. Në fund të fundit, prindërit tanë janë kaq jashtë realiteti, kaq humanë në të metat e tyre, kaq të vështirë, kaq gjykues – dhe ata kanë shije kaq të keqe në muzikë! Megjithatë, Konfuci e kuptonte se në shumë drejtime, jeta morale fillon në familje. Ne nuk mund të jemi me të vërtetë të kujdesshëm, të mençur, mirënjohës dhe të ndërgjegjshëm nëse nuk kujtojmë ditëlindjen e mamasë dhe nuk takojmë babanë për drekë.

Duhet të jemi të bindur ndaj njerëzve të nderuar

Shoqëria moderne është shumë egalitare. Ne besojmë se kemi lindur të barabartë, secili unik e i veçantë, dhe në fund duhet të jemi në gjendje të themi dhe të bëjmë atë që na pëlqen. Ne hedhim poshtë shumë role të ngurta hierarkike. Megjithatë, Konfuçi u thoshte ithtarëve të tij: “Lëreni sundimtarin të jetë sundimtar, të sunduarin të sunduar, babain baba dhe birin bir”.

Kjo mund të tingëllojë e tmerrshme, por është e rëndësishme të kuptojmë se ka njerëz që meritojnë nderimin tonë të thellë, madje edhe bindjen tonë të thjeshtë e të përulur. Ne duhet të jemi aq modestë sa për të njohur njerëzit, eksperiencat ose arritjet e të cilëve janë më të mëdha se tonat. Ne gjithashtu duhet të praktikojmë paqësisht, atë që këta njerëz kanë nevojë, kërkojnë ose urdhërojnë. Konfuci shpjegonte: “Marrëdhënia midis eprorëve dhe vartësve është si ajo midis erës dhe barit. Bari duhet të përkulet, kur era fryn mbi të”. Përkulja në fakt nuk është një shenjë dobësie, por një gjest përulësie dhe respekti.

Dija e kultivuar mund të jetë më e rëndësishme se sa kreativiteti

Kultura moderne i kushton shumë rëndësi krijimtarisë – shpërthimeve unike krijuese, që na vijnë papritur. Por Konfuci ishte i palëkundur për rëndësinë e mençurisë universale, që vjen nga vitet e punës së madhe dhe reflektimit. Ai përmendte dhembshurinë e lartpërmendur (‘ren’) dhe ritualet (‘li’) midis tri virtyteve të tjera: drejtësisë (‘yi’), dijes (‘zhi’) dhe integritetit (‘xin’). Këto njiheshin si ‘Pesë virtytet konstante’. Ndërsa Konfuci besonte se njerëzit ishin në thelb të mirë, ai gjithashtu thoshte se virtytet si këto duhet të kultivohen vazhdimisht, ashtu si bimët në një kopsht. Ai u thoshte ithtarëve të tij: ‘Në të pesëmbëdhjetat, kisha prirjen të mësoja. Në të tridhjetat, qëndroja i patundur. Në të dyzetat, nuk kisha dyshime. Në të pesëdhjetat, i njihja urdhëresat e Qiellit. Në të gjashtëdhjetat, veshi im ishte një organ i bindur për të pritur të vërtetën. Në të shtatëdhjetat, mund të ndiqja atë që dëshironte zemra ime, pa shkelur atë që ishte e drejtë”. Ai fliste për karakterin moral dhe mençurinë, si vepra të një jete. (Tani mund të kuptojmë pse ai kishte një nderim të tillë për pleqtë!)

Natyrisht, një shpërthim i frymëzimit mund të jetë ajo që na duhet, për të filluar biznesin ose ta ribëjmë jetën tonë. Por nëse jemi shumë të ndershëm me veten, do të duhet të pranojmë se edhe vetë duhet të kushtojmë më shumë energji për të ndryshuar ngadalë zakonet tona. Kjo, më shumë se çdo gjë tjetër, është ajo që na pengon të bëhemi me të vërtetë inteligjentë, të realizuar dhe të mençur.

***

Pas udhëtimit për shumë vite, Konfuçi u kthye në atdheun e tij në moshën 68 vjeç dhe iu kushtua mësimdhënies. Ai thuhet se ndërroi jetë në vitin 479 para Krishtit, në moshën 72 vjeç – një numër i mbarë dhe magjik. Ai vdiq pa reformuar dukën dhe zyrtarët e tij. Por pas vdekjes së tij, pasuesit e Konfucit krijuan shkolla dhe tempuj në nder të tij në Azinë Lindore, duke përcjellë mësimet e tij për më shumë se 2,000 vjet.

Në fillim, dijetarët konfucianë u persekutuan në disa zona gjatë dinastisë Qin (shek III para Krishtit). Por, në dinastinë Han (shekulli III para Krishtit deri në shekullin III pas Krishtit), konfucianizmi u bë filozofia zyrtare e qeverisë kineze dhe qëndroi në qendër të burokracisë së Kinës, për gati dy mijë vjet. Për një kohë, mësimet e tij lidheshin me ato të Lao Tzu dhe Budës, në mënyrë që taoizmi, konfucianizmi dhe budizmi të mbaheshin si praktika shpirtërore plotësisht të pajtueshme. Ndoshta më e rëndësishmja, mendimi i Konfucit ka patur një ndikim i madh në idetë politike lindore në lidhje me moralin, bindjen dhe udhëheqjen e mirë.

Sot miliona njerëz vazhdojnë të ndjekin mësimet e Konfuci si një disiplinë shpirtërore ose fetare dhe madje edhe të respektojnë ritualet konfuciane në tempuj dhe në shtëpi.

Ne mund t’i konsiderojmë virtytet konfuciane pak të çuditshme ose të vjetëruara, por kjo është ajo që në fund të fundit, i bën ato më të rëndësishme dhe më bindëse. Ne kemi nevojë për to, si një korrektues për ekseset tona. Bota moderne është pothuajse çuditërisht jo-konfuciane – joformale, egalitare dhe plot me risi. Pra, ne jemi në rrezik të bëhemi impulsivë, të parespektueshëm, dhe të rrëmbyer, pa një këshillë të vogël nga Konfuci … / Bota.al

Fryma kozmike e një poezie të Bob Dylanit me një këngë të njohur shqiptare

0

Bob Dylan, i njohur me emrin Robert Allen Zimmerman, lindur në 24 maj të vitit 1941 është kantautor, këngëtar, piktor dhe shkrimtar. Ai influencoi muzikën dhe kulturën popullore për 5 dekada dhe në vitin 1960 u quajt “Zëri i gjeneratës së re”. U bë shumë i njohur me këngët “Blowin in the wind” dhe “The time they are a-changin”.

Tekstet e Dylanit mbartin një domethënie të gjerë politike, sociale, filozofike duke kaluar kufijtë kombëtarë. Ai eksperimentoi në disa zhanre muzikore duke shitur anekënd botës 100 milionë disqe. Vitin e kaluar Bob Dylan fitoi çmimin Nobel në letërsi.

Një nga poezitë e tij më të bukura të këngëve të tij është dhe kjo që po ju përcjellim. Në fakt motivi i kësaj poezie ngjan shumë me një këngë popullore shqiptare “Bjeri gajdes, gajdexhi”, që ne po e sjellim në interpretimin e një grupi gjerman.

Zoti Dajrexhi

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Unë nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

Perandoria e mbrëmjes është bërë pluhur e hi

M’u tret nëpër duar tani

më la të verbër në vetmi, pa gjumë me mendje trazuar

lodhur e mërzitur deri në çmenduri, me këmbët përvëluar

të njohur asnjë s’kam takuar

Dhe e lashta rrugë e zbrazët, gjithë ëndrrat i ka dëbuar

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Unë nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

më vozit edhe mua hareshëm mbi anijen tënde magjike

Shqisat më janë bjerrur, duart nuk ndjejnë prekje

Këmbët e mpira, veç për të mbathur çizmat janë në pritje

që pastaj rrugëve të endem

jam gati të shkoj kudo, jam gati të zhdukem

Në paradën time, në magjinë e vallëzimit tënd të zhytem

Që pastaj në të të tretem

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Une nuk kam gjume dhe ku të shkoj nuk di

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

E nëse dëgjon të qeshin, të hidhen e përdridhen nëpër diell marrëzisht

Askënd nuk ngacmojnë sinqerisht

Është thjesht një vrap në arrati

drejt qiellit që gardhe e kufij nuk njeh

Dhe nëse dëgjon përhumbur një rimë që përsëritet

e në ritmin e dajres tënde përdridhet,

është thjesht një klloun që vërtitet

një i pavlerë që nuk shqitet

është thjesht një hije që përpiqet

ta shohësh ti, se këmba-këmbës po të ndjek.

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Une nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

Më zhduk pastaj nëpër rrathët e tymit të trurit tim

Përposhtë rrënojave të kohës në mjegullim

Larg gjetheve të ngrira

Tek pemët strukur e harruar,

Në plazhin me erë harbuar

Larg nga laku i shtrënguar

I të çmendurit trishtim

Do të vallezoj me duart drejt qiellit në liri

me siluetën e detit pa kufij

Zhytur në rërë si në cirk

Futur thellë nën valë me nxitim

Deri nesër, të sotmen po e le në harrim

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Une nuk kam gjumë dhe ku te shkoj nuk di

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Në mëngjesin e xhindosur une pas teje do të vij

(Përkthyer nga N. P) / Konica.al

Gati për turizëm kulturor, ja librat që duhet të lexoni

0

Kur themi pushime në verë automatikisht i lidhim me detin, rërën, diellin.

Megjithatë, ka njerëz që më shumë sesa turizmin detar preferojnë atë kulturor dhe zgjedhin që në vend të detit t’i kalojnë ditët në qytete të mëdha.

Në raste të tilla, planifikimi është shumë i rëndësishëm: vendet që do të vizitohen, lista me muzetë, restorantet tradicionale etj.

Por ka njerëz që nuk janë shumë të dhënë pas udhërrëfyesve. Ata janë të  apasionuar pas letërsisë, i pëlqejnë librat në të cilat vendi i ngjarjes është po aq i rëndësishëm sa personazhet, shkruan botimeshqip.com

Nëse keni bërë plan të udhëtoni jashtë vendit, ja disa nga librat që mund të zgjidhni të merrni me vete, në varësi të vendit që do të vizitoni.

  1. Pragë – “Shakaja”, Milan Kundera

Nëse do të udhëtoni në Pragë, lexoni “Shakaja” të Milan Kunderës. Një libër që e rekomandoj gjithnjë. Një histori e vendosur gjysmë shekulli më parë, megjithatë është një libër brilant, i përshkuar nga një humor i hollë dhe përshkrimi me detaje i një pjese të folklorit vendas i jep ngjyra realitetit gri të periudhës komuniste në ish-Çekosllovaki.

  1. Barcelonë – “Hija e erës”, Carlos R. Zafon

I vendosur në Barcelonën e pasluftës, libri rrëfen jetën e Daniel Sempere, ende fëmijë, që mrekullohet nga Varreza e Librave të Humbur. Në raftet e panumërta ai tërheq një libër: “Hija e erës” nga Julian Karaks. Pasi e lexon librin me një frymë, Daniel vihet në kërkim të librave të tjerë të Karaksit, kërkim që do të zgjasë me vite, duke zbuluar një nga një ngjarje të dhimbshme dhe fate të humbura.

  1. Tokio – “Kronika e zogut kurdisës”, Haruki Murakami

Në rrethinat e Tokios, jeta e Okadas, një burrë në moshë të re, do të ndryshojë pas telefonatës së rastësishme të një gruaje…

  1. Kejp Taun – “Turpi”, J.M.Coetzee

Pasi ka dhënë mësime për vite me radhë në Universitetin Teknik të Kejp Taunit, David Luri, një burrë rreth të pesëdhjetave, dy herë i shkurorëzuar, ka një lidhje të zjarrtë dashurie me një studenten e tij.

  1. Stamboll – “Muzeu i pafajësisë”, Orhan Pamuk

Libri ndjek jetën e një sërë personazhesh në një Turqi që po zhvillohet, europianizohet dhe që përpëlitet mes dukurive të tranzicionit. Ky roman është një dedikim ndaj “pafajësive” të mëdha të turkut të fundshekullit të kaluar dhe të sotëm, që përpiqet mes civilizimit europian dhe traditës orientale. Të gjitha detajet që shpesh duken tejet të hollësishme, s’janë veçse piketa dhe shenja që autori dëshiron t’i bëjë me dije për të zbërthyer jo thjesht një histori dashurie, por vetë Turqinë, historinë, kulturën, mentalitetin, modernitetin, traditën…

  1. Paris – “Kodi Da Vinçi”, Dan Brown

Një triller interesant, që pavarësisht pretendimeve për gabime historike apo kritikave për prozë të dobët, të mban mbërthyer deri në fund. Nga rrugët e Parisit, në kisha e galeritë e Luvrit, një libër që ia vlen të lexohet.

Aksident me të lënduar në Prizren, arrestohet vozitësi

0

Një aksident trafiku ka ndodhur mbrëmë në Prizren në mes një veture dhe një motoçiklete.

Si pasojë e aksidentit vozitësi i motoçikletës mashkull ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar në QKUK për tretman mjekësor, ndërsa pasagjerja në veturë ka pësuar lëndime të lehta trupore, shkruan PrizrenPress.

“Me urdhër të prokurorit është arrestuar vozitësi i veturës dhe është dërguar në mbajtje”, njofton Policia./PrizrenPress.com/

Prizren: Gjuan me armë në dasmë, arrestohet

0

Në Prizren është arrestuar një person i gjinisë mashkullore pasi që dyshohet se në një aheng familjar kishte shtënë në ajër me pistoletë me gaz.

Policia ka njoftuar se pistoleta me katër fishek është konfiskuar, shkruan PrizrenPress.

“Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton Policia. /PrizrenPress.com/

Rrahje masive në Suharekë, tre të arrestuar

0

Në Suharekë janë arrestuar dy meshkuj dhe një femër pasi që kishin sulmuar fizikisht një mashkull dhe një femër.

Sipas Policisë, viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, shkruan PrizrenPress.

“Me urdhër të prokurorit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, njofton Policia. /PrizrenPress.com/

Në Malishevë u mbajt nata e parë e festivalit “Oda e Llapushës”

0

Mbrëmë në Malishevë, është mbajtur nata e parë e festivalit “Oda e Llapushës”, edicioni i katërt me radhë, shkruan PrizrenPress.

Ky festival organizohet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe mbahet në kuadër të shënimeve të “Ditëve të Diasporës”. Në këtë festivalin, marrin pjesë rapsod, grupe dhe ansamble nga të gjitha trevat shqiptare, ndërsa festivali është hapur me këngën “U plaka unë, u plak sharkia” e kënduar rapsodi i ndjerë, i madhi Osman Sefë Gashi, i cili ndërroi jetë muaj më parë.

Fillimisht, grupet dhe ansamblet pjesëmarrëse, ashtu sikur edhe është bërë traditë, kanë defiluar rrugëve të qytetit në Malishevës, ndërsa më pas, festivalin e ka hapur i pari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili pasi i përshëndeti të pranishmit, i uroi të gjithë pjesëmarrësit e festivalit dhe ju dëshiroi suksese.

Begaj, gjithashtu në mënyrë të veçantë i ka përshëndetur të gjithë mërgimtarët nga Komuna e Malishevës, të cilët kanë dhënë aq shumë për vendin dhe vazhdojnë të japin edhe sot. Po ashtu, kryetari, gjatë fjalimit të tij, ka kujtuar edhe rapsodët e trevës së Malishevës, të cilët me këngët e tyre, ju kanë mësuar historinë dhe të kaluarën, brez pas brezi të gjitha gjeneratave, deri në ditët e sotme.

“Ne do të jemi gjithmonë në përkrahje të rapsodëve tanë dhe do ti kujtojmë gjithmonë rapsodët dhe këngëtarët tanë, në veçanti nga Malisheva, të cilët i dhanë aq shumë kulturës shqiptare, duke korrur suksese edhe në arenën ndërkombëtare”, tha Begaj, duke përmendur disa nga perlat e muzikës nga treva e Malishevës, si Sali e Feriz Krasniqi, Nexhmije Pagarusha, Sefë Mleqani dhe bijtë e tij, e shumë e shumë të tjerë, që e bëjnë Malishevën, si treva që më shumti i ka dhënë kulturës, e në veçanti muzikës folklorike dhe asaj popullore dhe që kanë lënë gjurmë të pashlyera në kulturën shqiptare.

“Kanë qenë këta këngëtar, këta rapsod që neve na kanë shtyrë të mbajmë një festival të tillë”, tha në fund Begaj.

Më pas, në festival janë paraqitur grupet dhe ansamblet e ndryshme, nga të gjitha trevat shqiptare, që kanë prezantuar këngë, valle dhe lojëra të ndryshme popullore, përmes së cilave i kanë prezantuar më së miri vlerat e mirëfillta të kulturës shqiptare, të trashëguara brez pas brezi.

Sonte, mbahet nata e dytë e festivalit dhe pas paraqitjes së pjesëmarrësve tjerë, juria profesionale, gjithashtu e përbërë nga profesionit të të gjitha trevave shqiptare, do të bëjnë përzgjedhjen e prezantimeve më të mira, në të gjitha aspektet, duke filluar me këngët, apo lojërat dhe instrumentalet, e deri te paraqitja e jashtme, si veshja dhe të gjitha karakteristikat e vlerave të mirëfillta të kulturës dhe folklorit shqiptar. /PrizrenPress.com/

Antikorrupsioni s’gjen prova për konflikt interesi të zyrtarit të UPZ-së

0

Agjencia Kundër Korrupsionit ka marrë vendimin që të mbylla rastin ndaj kryesuesit të Këshillit drejtues të universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, me arsyetimin se nuk ka prova për argumentimin e gjendjes së konfliktit të interesit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ushtrimi i këtij funksioni nga ana e Parim Kosovës, duke qenë njëkohësisht dhe bashkëpunëtor profesional në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren sipas AKK-së nuk paraqet konflikt interesi.

“Mbyllet rasti për Parim Kosovën, kryesues i Këshillit drejtues në universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, për shkak se nuk ka prova të mjaftueshme që argumentojnë dyshimin e arsyeshëm të gjendjes së konfliktit të interesit”, shkruan në vendimin e nënshkruar nga drejtori i AKK-së, Shaip Havolli. Aty theksohet se rasti mund të rihapet në çdo kohë kur mund të paraqiten rrethana të reja. (Koha Ditore)

Mamusha anulon prokurimin për sigurim fizik të objekteve komunale

0

Komuna e Mamushës ka marrë vendimin që ta anulojë aktivitetin e prokurimit për sigurimin fizik të objekteve të saj.

Këtë vendim e ka marrë me arsyetimin se një dispozitë në Ligjin e prokurimit publik kërkon anulimin e këtij aktiviteti, shkruan sot “Koha Ditore”.

Paraprakisht, Zyra e prokurimit të kësaj komune kishte anuluar njoftimin për dhënien e kontratës, duke u bazuar në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili e pati kthyer këtë lëndë në rivlerësim. Pas rivlerësimit, Komuna ka konstatuar se “të gjithë pjesëmarrësit në tenderë, kanë qenë të papërgjegjshëm”. (Koha Ditore)

Deputetët ‘sekretë’ të Kadri Veselit

0

Një ditë para seancës së Kuvendit të Kosovës, ku kandidat për kryeparlamentar do të jetë Kadri Veseli, koalicioni PAN nuk jep detaje për çështjen e numrave. Nuk dihet ende se cilët do të jenë deputetët që do ta votojnë ish-shefin e SHIK-ut edhe për një mandat në krye të Kuvendit

Për më shumë se një muaj drejtues të koalicionit PAN vazhdojnë të deklarojnë se i kanë numrat e nevojshëm në Kuvend për ta zgjedhur Kadri Veselin kryeparlamentar dhe Ramush Haradinajn kryeministër të ri.

Por, as një ditë para seancës së Kuvendit ata nuk janë në gjendje t’i zbulojnë emrat e deputetëve nga grupet tjera parlamentare që do t’i votojnë kandidatët e tyre për drejtimin e dy institucioneve më të larta shtetërore.

Ende mbahen sekretë emrat e deputetëve që do ta votojnë nesër edhe për një mandat në krye të Kuvendit ish-shefin e SHIK-ut, Kadri Veselin, apo pasnesër Ramush Haradinajn në krye të Qeverisë.

Në anën tjetër, mediet kanë lakuar emrat e deputetëve Teuta Rugova dhe Labinot Tahiri se do të mundë t’i votojnë kandidatët e PAN-it, në kundërshtim me qëndrimin e koalicionit LAA, pjesë e të cilit zyrtarisht janë këta deputetë.

Ndërsa përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” kanë pohuar se janë unikë në votën e tyre dhe se nuk do ta votojnë PAN-in.(Zeri)