Home Blog Page 6190

EC Ma Ndryshe me performancë publike “Shadërvan Parking”

0

Organizata jo-qeveritare EC Ma Ndryshe, të premtën në ora 13:00, në Prizren do të realizojë performancën publike me moto: “Shadërvan Parking”.

Performanca publike “Shadërvan Parking” realizohet në kuadër të projektit “Qyteti gjithëpërfshirës…”, financuar nga Olof Palme International Center (OPIC), e cila përkrahet nga Qeveria e Suedisë.

“Qyteti gjithëpërfshirës…” është projekt i EC Ma Ndryshe, i cili synon të artikulojë nevojat e grupeve të komunitetit dhe t’i përkthejë ato në plane të zbatueshme urbane të komunës së Prizrenit. Grupet e komunitetit me të cilat punohet në këtë projekt janë të shpërndarë në lagje të ndryshme të qytetit. /PrizrenPress.com/

Mybera Mustafa emërohet këshilltare e kryeministrit Mustafa

0

Kryeministri Isa Mustafa nga sot është bërë edhe me dy këshilltarë të rinj. Mybera Mustafa dhe Kastriot Halili janë emrat e rinj që i janë bashkuar ekipës së kabinetit Mustafa.

Sipas njoftimit për media, Mybera Mustafa është emëruar në postin e këshilltares politike për çështje të shëndetësisë kurse Kastriot Halili, këshilltar politik për integrime evropiane dhe çështje të sigurisë.

“Mybera Mustafa është aktiviste e njohur politike e cila ka doktoruar në menaxhimin e sektorit të shëndetësisë. Kastriot Halili është njohës i proceseve integruese evropiane dhe ka punuar në Ministrinë e Integrimit Evropian, si dhe ka kryer studimet evropiane në universitete të njohura ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Në njoftim gjithashtu thuhet se nga data 26 shtator, këshilltari i jashtëm për siguri, Edon Myftari, është liruar nga kjo pozitë. /Insajderi.com

Singapori njeh pavarësinë e Kosovës

0

Ministri i Punëve të Jashtme , Enver Hoxhaj ka konfirmuar se Singapori është shteti më i ri që e njeh pavarësinë e Kosovës.

Postimi i plotë i ministrit Hoxhaj:

Një tjetër lajm i mirë për Kosovën. Singapori është shteti më i ri që e njeh pavarësinë e vendit tonë. Kam takuar e lobuar pa ndërprerë duke zhvilluar vizitën fillimisht në këtë shtet në vitin 2013, zhvilluar shumë biseda e takuar sërish ministrin e Jashtëm, Vivian Balakrishnan në Ney York. Tani numërojmë 113 njohje. Urime

Ndryshe, Singapori është i vendosur në Azinë Juglindore dhe ka popullsi prej 5.7 milionë banorësh. Singapori është një nga vendet më të zhvilluara në botë dhe nga GDP për kokë banori është vendi i 3-të në botë.

Në Prizren gjenden dy valixhe me marihuanë

0

Njësia e Hetimeve e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, ka gjetur në shtëpinë përcjellëse dy valixhe të mbushura me substancë narkotike e cila dyshohet të jetë marihuana.

Kurse lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prizren, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë. /PrizrenPress.com/

Kryetari i Rahovecit i gatshëm për bashkëpunim me fondacionin “AGAPE”

0

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi gjatë ditës së sotme, ka pritur në takim përfaqësuesit e fondacionit “AGAPE” nga Suedia Emanuel Wien dhe Mihane Qiragjiu. Në takim ishte i pranishëm edhe Munib Durguti, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Rahovec.

Me këtë rast, kryetari Vehapi i ka falënderuar udhëheqësit e fondacionit “AGAPE”, për vizitën e bërë dhe për ndihmën e dhënë në të kaluarën për Komunën e Rahovecit dhe u shpreh i gatshëm, që të fillojnë bashkëpunimin me këtë fondacion në sektorin e shëndetësisë.

Kurse, përfaqësuesit e fondacionit “AGAPE”, falënderuan kryetarin për shprehjen e gatishmërisë së tij për të bashkëpunuar me fondacionin “AGAPE”dhe e informuan kryetarin se ky fondacion kryesisht ofrojnë pajisje për persona me nevoja të veçanta.

Bashkëpunimi në mes të Komunës së Rahovecit dhe fondacionit “AGAPE” nga Suedia do të nis pas nënshkrimit të një marrëveshje mirëkuptimi. /PrizrenPress.com/

Sylë Hoxha, sërish kandidat për kryeprokuror të Prizrenit

0

Për pozitën e kryeprokurorit në Prizren kanë aplikuar tre kandidatë. Në mesin e tyre është edhe kryeprokurori aktual, Sylë Hoxha.

Ndërkaq, kandidatë të tjerë janë: Admir Shala dhe Ervehe Gashi. /PrizrenPress.com/

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë kundër 21 personave për organizim të grupit kriminal

0

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër njëzetenjë (21) të pandehurve.

Sipas aktakuzës 21 të pandehurit akuzohen për vepër penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 paragrafi 2 dhe paragrafin 1, lidhur me veprat penale kontrabandimi i mallrave nga neni 317 paragrafi 2, tregtia e ndaluar nga neni 305 paragrafi 2 dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore nga neni 318 paragrafi 3. Të gjitha lidhur me nenin 31, si dhe për armë mbajtje nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.

Rasti në fjalë është nga lëndët e shenjëstruara, ndërsa, Aktakuzën e ka ngritur një prokuror vendor nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. /PrizrenPress.com/

Mjeti që shkaktoi vdekjen e Astrit Deharit ende në kantina të burgjeve

0

Mjalti në shishe plastike vazhdon të shitet nëpër kantinat e burgjeve, edhe pse raporti i autopsisë e konsideroi një shishe të tillë shkaktare të vdekjes së Deharit.

Shishja e mjaltit që ishte mjeti me të cilin sipas autopsisë, Astrit Dehari u vetëvra, ende është i disponueshëm në Shërbimet Korrektuese të Kosovës.

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Drejtësisë, Orhan Hajrizi , mjeti në fjalë nuk ishte vlerësuar dhe as nuk vlerësohet si i rrezikshëm për t’u blerë në këto qendra.

Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje , vdiq më 5 nëntor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po qëndronte si i akuzuar për terrorizëm.

Megjithëse në publik kjo vdekje u diskutua duke u cilësuar herë si vrasje, e herë si vetëvrasje, rezultatet finale të autopsisë e konstatuan si vetëvrasje nga asfiksia.

Sipas ekspertëve ligjorë dhe atyre të pavarur të angazhuar nga familja, vdekja e Deharit kishte ardhur si pasojë e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes nga një shishe plastike e mjaltit që ishte blerë në kantinën e qendrës së paraburgimit.

Megjithatë, ky mjet sipas Hajrizit nuk kishte se si të konsiderohej i rrezikshëm , meqenëse është paketim plastik.

“Një gjë e tillë nuk është vlerësuar e rrezikshme meqë është paketim plastik dhe është në kantinë për të gjitha institucionet”, tha Hajrizi për KALLXO.com

Gjithashtu , ai deklaroi se një mjet i tillë vazhdon dhe do të vazhdojë të jetë i qasshëm nëpër kantina të institucioneve.

“Po ky ushqim ende mund të gjendet nëpër kantinë për blerje, meqë mjalti nuk konsiderohet i rrezikshëm”, deklaroi Hajrizi.

Pas vdekjes së Deharit, Lëvizja “Vetëvendosje” ka organizuar disa marshe protestuese dhe ka kërkuar mbajtje të një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për të diskutuar vdekjen e Deharit. /Kallxo.com/

Betohen prokurorët

0

Prokurorët e rinj të emëruar në Prokuroritë Themelore të vendit janë betuar sot para presidentit Hashim Thaçi.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Të pafajshmit nuk marrin kurrfarë kompensimi

0

Shteti shkel rregullisht të drejtat e qytetarëve për gjykim të drejtë. Përjashtim bëjnë vetëm ata që mbahen në paraburgim

Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët përballen me procese të caktuara gjyqësore, përveç atyre që gjenden në paraburgim apo edhe arrest shtëpiak, të tjerët pasi që shpallen të pafajshëm nuk marrin asnjë lloj kompensimi dhe asnjë lloj kërkimfalje, për faktin se janë akuzuar dhe maltretuar pa kurrfarë baze dhe pa prova materiale, derisa kompensimi edhe për ata që janë nën masat e lartcekura, të paraburgimit apo arrestit shtëpiak është shumë i ulët dhe joreal.

Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe. Ndaj në këtë drejtim është ngritur edhe shqetësimi se pse nuk i kompenson dikush qytetarët që enden në procese të padrejta gjyqësore dhe shantazhuese, pasi shpallen të pafajshëm dhe kush mban përgjegjësinë për shkeljen e të drejtave të tyre, por edhe dëmit moral e material që iu bëhet shpeshherë atyre në Kosovë?

Avokati Skënder Musa, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se sa u përket qytetarëve, të cilët shpallen të pafajshëm pas zhvillimit të procesit gjyqësor për të gjithë të pandehurit që ndodhen në paraburgim dhe në masën e arrestit shtëpiak kompensimi i tyre, siç tha Musa, me një vlerë shumë joreale, ku diku KGJKja ua llogarit 20 euro ditën atyre. Sipas tij, ajo çka është më e rëndë dhe që i dëmton shumë interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës që marrin pjesë në procedura, ani pse në shumicën e rasteve prokurorët e dinë që nuk posedojnë prova për t’i akuzuar dhe duhet të shkohet deri në fund të procedurës dhe nëse shpallen të pafajshëm ata nuk marrin kurrfarë kompensimi, shkruan gazeta Kosova Sot.

Prokuroria dhe gjykatat e bëjnë punën shkel e shko

“Edhe pse dalin nëpër mjetet e informimit, ku në njëfarë forme në aspektin publik shpallen fajtorë, për shkak se pothuajse të gjitha seancat janë publike në bazë të ligjit në gjykatat e vendit dhe kësisoj i gjithë opinioni publik informohet se X zyrtari i pandehur apo qytetari i vendit është i akuzuar për veprën përkatëse, që ndaj tij është duke u zhvilluar procedurë penale dhe për shkak se prokuroria dhe gjykatat nuk analizojnë në mënyrë analitike lëndën, ashtu siç kërkohet në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, shpeshherë ndodh që deri në fund të procesit gjyqësor, madje shpesh ndodh që edhe në shkallën e dytë, të shpallen të pafajshëm. Andaj kjo kategori e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët nuk janë në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, pasi që shpallen të pafajshëm nuk marrin asnjë lloj kompensimi dhe asnjë lloj kërkimfalje, për faktin se janë akuzuar dhe maltretuar pa kurrfarë baze dhe pa prova materiale”, ka vijuar Musa.

Tutje ai ka konsideruar se sa i përket kësaj çështje, përkundër faktit se në shumicën e këtyre rasteve prokurorët dhe gjyqtarët nuk i kryejnë detyrat e punës së tyre në pajtim me dispozitat ligjore, nuk ndodh që ndonjë gjyqtar apo prokuror të shkojë në përgjegjësi, megjithëse, sipas tij, gjyqtari apo prokuroi i caktuar e ka vërejtur se nuk ka asnjë provë që e inkriminon personin për kryerjen e ndonjë vepre penale, po ashtu nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për tërheqjen dorë nga aktakuza.

“Me rastin e vlerësimit të performancës duhet të kihet parasysh se X zyrtari nuk e ka kryer detyrën e vet ashtu siç duhet, në pajtim me dispozitat e ligjit, ku kërkohet që të vlerësohen të gjitha provat në mënyrë analitike dhe në mënyrë që të krijohen kushte që të kemi proces të hetimeve, por edhe proces të gjykimit të drejtë, siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale, por edhe me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut”, ka deklaruar për gazetën “Kosova Sot” avokati Skënder Musa.

Qytetarët po e humbin shpresën

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka nënvizuar se gjendja e krijuar në sistemin e drejtësisë dhe brenda tij në sistemin gjyqësor është një gjendje e mosreformimit, po ashtu një gjendje e avashllëkut, mosefikasitetit, mostransparencës, e sidomos fenomenit të mitës e korrupsionit dhe papërgjegjësisë në punë. Sipas tij, të gjitha këto kanë bërë që thjesht sistemi gjyqësor të mos jetë i besueshëm dhe qytetarët të mos i besojnë në shumicën e herëve këtij sistemi të drejtësisë në përgjithësi, për shkak, siç tha ai, të përvojave të tyre që kanë në proceset edhe të stërzgjatura, edhe të padrejta, edhe favorizuese e selektive.

“Kjo gjendje bën që qytetarët të mos kenë besim në sistemin e drejtësisë, por edhe në sistemin institucional përgjithësisht shkalla e kredibilitetit të jetë tepër e ulët dhe qytetarët të mos kenë alibi dhe të mos kenë një satisfaksion as moral e lëre më material sa u përket proceseve të zgjatura (odisejadave) të tyre, të cilat i përjetojnë shpeshherë duke përfunduar të pafajshëm dhe të pakompensuar, përveç në procedurën penale. Sipas ligjeve në fuqi ekziston e drejta e qytetarit që nëse është privuar padrejtësisht nga liria dhe është dënuar padrejtësisht ose kundër ligjit është mbajtur në paraburgim apo është dënuar për vepër penale, në ndërkohë mund të kompensohet nëse bën kërkesë të caktuar në KGJK, gjegjësisht në administratën, sekretariatin e tij, por me një çmim që as nuk është satisfaktiv dhe as ekonomikisht i arsyeshëm dhe real, por çmim simbolik për çdo ditë të kaluar padrejtësisht i privuar nga liria dhe padrejtësisht i paraburgosur në burgjet e Kosovës”, ka spikatur për gazetën “Kosova Sot” profesori Mazllum Baraliu. /Kosova Sot/