7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Agron Hoxhaj: Në Gjykatën e Prizrenit, veprohet shpejt në kryerjen e lëndëve

Gjyqtari i Departamentit të Përgjithshëm Divizioni- Civil në Prizren, Agron Hoxhaj, në një intervistë për Buletinin Informativ “Gjykatë e hapur’ ka fol për procedurat e përmbarimit.

“Gjykata në procedurën e përmbarimit i zbaton mjetet e përmbarimit të cilat janë veprimet përmbarimore ose sistemi i veprimeve të tilla, me të cilat sipas ligjit një kërkesa realizohet me detyrim dhe se këto veprime përmbarimore (gjyqtari dhe zyrtarët e përmbarimit), mund të kryhen drejtpërdrejtë kundër debitorëve dhe personave tjerë, në pajtim me këtë ligj”, ka thënë Hoxhaj.

Intervista e plotë dhe pa ndërhyrje

Agron Hoxha, gjyqtar i Departamentit të Përgjithshëm Divizioni Civil, referati i përmbarimeve

1 A mund të na flisni për procedurën e përmbarimit, çfarë nënkupton ajo?

Në kuptimin e përgjithshëm, procedura e përmbarimit, nënkupton njërën nga procedurat gjyqësore (kontestimore, jo kontestimore dhe penale) e cila zhvillohet pranë Gjykatës, si organ përmbarues si dhe te përmbaruesve privat, si organe të përmbarimit të cilët kryejnë autorizimet publike të besuara nga shteti, në bazë të Ligjit të procedurës përmbarimore (LPP), Nr.04/L-139 të dt.20.12.2012 dhe Ligjit, Nr. 05/L-118 të dt.17.8.2019 për Ndryshimet dhe Plotësimet e Ligjit, nr. Nr.04/L-139 të dt.20.12.2012 të LPP-së dhe të cilët emërohen nga Ministri i Drejtësisë për territorin e të gjitha Gjykatave Themelore në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës.

– Në kuptimin e veçantë, procedura e përmbarimit, nënkupton çfarëdo veprimi të ndërmarr nga organi përmbarues (gjykatat/ përmbaruesit privat) në bazë të dokuementeve të përmbarimit (vendimet përmbaruese – vendimet gjyqësore – aktvendimet, vendimet administrative, pajtimet gjyqësore, pajtimet/ujditë administrative, dokumentet noteriale, marrëveshjet e lidhura në procedurën e ndërmjetësimit, aktvendimet, aktet dhe memorandumet për ujditë gjyqësore të Gjykatave të huaja si dhe vendimet e Gjykatave të huaja të arbitrazhit dhe ujditë e arritura para Gjykatave të tilla në raste të arbitrazhit, të cilat janë pranuar për përmbarim brenda territorit të Republikës së Kosovës; vendimet dhe marrëveshjet përmbaruese të arbitrazhit në Republikën e Kosovës të shpallura të ekzekutueshme nga Gjykata, kontrata për hipotekën, kontrata e pengut dhe vendimi gjyqësor i vërtetuar si urdhër përmbarues evropian etj( përkatësisht e zbatojnë përmbarimin vetëm në bazë të dokumentit përmbarues (titulus executionis) dhe dokumenteve të besueshme (kambialet dhe çeqet me potest dhe faturë kthyese, po që se janë të nevojshme për themelimin e kërkesës; ekstraktet e verifikuara nga librat afariste për pagesat e shërbimeve komunale të furnizimit me ujë, energji elektrike dhe bartjen e mbeturinave; faturat; dokumentet që sipas dispozitave ligjore të posaçme kanë rëndësinë e dokumenteve publike, faturave, ekstrakte nga librat afariste etj) gjatë zbatimit të atyre dokumenteve të përmbarimit dhe dokumenteve të besueshme .

2. Procedura e përmbarimit udhëhiqet edhe nga gjyqtari, si e shpjegoni këtë?

Procedura e përmbarimit nuk udhëhiqet vetëm nga gjyqtari, si organ gjyqësor shtetëror por udhëhiqet edhe nga përmbaruesit privat si organe të përmbarimit sepse me Ligjin e procedurës përmbarimore (LPP), Nr.04/L-139 të dt.20.12.2012 dhe Ligjit, Nr.05/L-118 të dt.17.8.2019 për Ndryshimet dhe Plotësimet e Ligjit, nr.Nr.04/L-139 të dt.20.12.2012 të LPP-së, përmbaruesit privat, janë komtent kompetent të ndërmarrë të gjitha veprimet të përcaktuara në pajtim me dispozitat e LPP-së, dhe veprime të tjera të lejuara apo përcaktuara për përmbaruesin privat sipas këtij ligji, përveç kur shprehimisht ndalohen me këtë ligj.

Procedurën e përmbarimit në shkallë të parë dhe në shkallën e dytë, e udhëheq gjyqtari i vetëm (individual/inokos) dhe vendos ekskluzivisht në procedurën e përmbarimit dhe zbaton përmbarimin e vendimeve gjyqësore për të gjitha çështjet nga lëmia e të drejtës familjare (kontakti me fëmijë, alimentacion, marrja dhe dorëzimi i fëmiut ) dhe kthimin e punëtorëve dhe shërbyesve civil në punë dhe kompensimet tjera kurse përmbaruesi privat, vendosin për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të gjitha dokumentet e përmbarimit përveç çështjeve që janë kompetencë ekskluzive e gjykatës.

3. Një ndër parimet kryesore në procedurën e përmbarimit është koha e arsyeshme dhe proporcionaliteti, sa gjen zbatueshmeri në praktikë?

Sikurse procedurat tjera gjyqësore (penale, kontestimore, jashtë kontestimore), edhe procedura e përmbarimit, udhëhiqet nga parimet e ndryshme procedurale siç janë: parimet e përgjithshme – kushtetutshmëria, dhe ligjshmëria, dispozitivitet dhe oficialitetit, interesit juridik, ekonimizimit, dëgjimit të palëve, kërkimit të së vërtetës, shqyrtimit dhe hetimit, pa ndërmjetshmerisë, oralitetit dhe literalitetit, konncentrimit të procedurës, publicitetit, dhënies së ndihmës së palës së pa nxënë juridikisht/të pa udhëzuar, shfrytëzimit me mirëbesim i të drejtave procedurale, shpejtësia/urgjenca dhe radha e marrjes së lëndëve në shqyrtim dhe parimeve të posaçme siç, janë : Parimi i legalitetit rigoroz formal, i mbrojtes së dinitetit të debitorit, dhe parimi i prioritetit, barazisë dhe ekskluzivitetit.

Duke u referuar në pyetjen rreth kohës së arsyeshme, gjykata dhe përmbaruesi privat, duhet të veprojnë me urgjencë në procedurën e përmbarimit organi përmbarues, ka për detyrë të veprojë me ngutshmëri, pra organi përmbarues ka për detyrë që lëndët t’i marrë në punë sipas radhës që i ka pranuar, përpos kur natyra e kredisë ose rrethanat e posaçme kërkojnë që organi përmbarues të veprojë ndryshe, se kur mund të konkludoj se natyra e kredisë kërkon trajtim të përshpejtuar të rastit nëse ka rrezik legjitim që pasuritë e debitorit në atë rast të mos jenë në dispozicion për konfiskim apo do t’i bie vlera shumë në rast të vonesës. Gjyqtari mund të pranojë ekzistimin e rrethanave të veçanta, dhe të veprojë shpejt, në rastet që kanë të bëjnë me punësimin, çështjet familjare, alimentacionin apo pagesat për fëmijë nëse interesat e palës mund të ndikohen negativisht si rezultat i vonesës. Pra në gjykatën tonë, kryesisht dhe në të shumtën e rasteve mundohemi që të veprojmë në kohë të arsyeshme për të kryer lëndët e në funksion të respektimit të standardeve ligjore por edhe në respektimin e standardeve ndërkombëtare (konventave) dhe derisa gjatë procedimit të lëndëve, gjykatësi i çështjes, kujdeset që të veproj në mënyrë proporcionale në trajtimin e palëve në procedurën e përmbarimit (kreditorët, debitorët, personat e tretë dhe pjesëmarrësit tjerë në procedurë) por edhe duke treguar kujdes që të bëhet realizimi i kredisë në të holla ose jo në të holla të palëve kreditore në procedurën e përmbarimit por pa e cenuar dinjitetin e debitorëve.

4. Sa hasë gjykata vështirësi në zbatimin e masave të përmbarimit në teren?

Gjykata në procedurën e përmbarimit i zbaton mjetet e përmbarimit të cilat janë veprimet përmbarimore ose sistemi i veprimeve të tilla, me të cilat sipas ligjit një kërkesa realizohet me detyrim dhe se këto veprime përmbarimore (gjyqtari dhe zyrtarët e përmbarimit), mund të kryhen drejtpërdrejtë kundër debitorëve dhe personave tjerë, në pajtim me këtë ligj. Veprimet përmbarimore në terren, janë regjistrimi, dhe vlerësimi i sendeve, sekuestrimi, shitja e sendeve dhe përmbushjen e kredisë së kreditorit nga shuma e fituar nga shitja e atyre sendeve (përmes marrëveshjes me anë të shitjes së drejtpërdrejtë ose përmes ankandit verbal publik) e si vështirësi në terren, në të shumtën e rasteve janë tentimet e pa suksesshme për sekuestrimin e sendeve të debitorëve dhe personave të tretë e në mungesë të tyre sepse në këto raste, realizmi i kredisë në të holla të palëve kreditore, mbetet e pa realizuar ose në vështirësi për t’u përmbushur – realizuar.

5. Si e perceptoni rolin e palës së tret në procesin e përmbarimit?

Personat e tretë në procedurën e përmbarimit, janë persona tjerë që nuk janë kreditorë apo debitorë, e të cilët kanë të drejta apo detyrime e mbi të cilin ngarkohen të drejtat apo obligimet nga procedura e përmbarimit, apo të drejtat apo obligimet e së cilit janë të prekura direkt nga procedura e përmbarimit dhe se ata luajnë rol të caktuar në procedurën e përmbarimit e në të shumtën e rasteve luajnë rol pozitiv sepse mund të jenë subjekte kyqe për realizimin e kredive në të holla të palëve kreditore por në disa raste mund të pësojnë nga përmbarimit i një dokumenti të përmbarimit (ndaj tyre mund të zgjerohet propozimi për përmbarim te procedurat kur objekt i përmbarimit, janë sendet e pa luajtshme dhe të luajtshme por personat e tretë, në procedurën e përmbarimit, mund të paraqesin propozim për kundërpërmbarim kur nga pasuria e të cilëve është realizuar kredia e kreditorit, dhe të cilët, nuk kanë qenë të cilësuar si debitorë në aktvendimin për përmbarimin, dhe për këtë kanë të drejtë që brenda afateve ligjore të parapara me LPP, të kërkojnë nga gjykata që ta urdhërojë kreditorin, që t’ia kthejë gjithë atë që i është dhënë me anë të përmbarimit të përfunduar si dhe kanë të drejtë të paraqesin, prapësime dhe për prapësimet e personave të tretë, duhet të vendosë gjykata, që ka caktuar përmbarimin në procedurë përmbarimore, ose parashtruesin e prapësimit me anë të konkluzionit, do t’a udhëzojë që të drejtën e pretenduar, ta realizojë me anë të padis në procedurë kontestimore.

6. Kur debitori gjendet jashtë vendit, si mund të bartet lënda tek gjykata kompetente?

Në procedurën e përmbarimit, kur në një lëndë të përmbarimit, një palë debitore, gjendet jashtë vendit, lënda nuk mund të bartet në gjykatën kompetente jashtë vendit por gjykata jonë, pas sigurimit të adresës së saktë ose vendqëndrimit të palës debitore, nga ana e palës kreditore, do të tentoj që të bëjë dërgimin e shkresave të lëndës (ftesat për seancën dëgjimore si dhe shkresat e tjera të një lënde) për palën debitore, e pas përkthimit të tyre nga pala kreditore e me shpenzimet e tij, në gjuhën e vendit në të cilën gjendet me vendqëndrim pala debitore, dhe atë me komunikimin me rrugë diplomatike e përmes Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës, por në rast se komunikimi, nuk arrin të kryhet, me propozimin e palës kreditore, dhe pagimin e shpenzimeve paraprakisht nga pala kreditore, për një palë debitore, mund të propozohet që gjykata, të caktoj përfaqësuesin e përkohshëm për të mbrojtur të drejtat dhe interesat procedurale të një pale debite që është jashtë vendit tonë por në gjykatën tonë, vështirësi, paraqesin rastet gjyqësore të natyrës familjare, pra kur palët debitore, në bazë të një dokumenti përmbarimor – vendimi gjyqësor, janë të obliguar që të paguajnë kontribute për mbajte – ushqimi, alimentacion për bashkëshorten dhe fëmijët e tij dhe palët debitore, e ata gjenden jashtë vendit e kjo paraqet vështirësi në realizimin e kredisë në të holla të palëve kreditore (bashkëshortët dhe fëmijët) .

(Marrë nga Buletini Informativ “Gjykatë e Hapur” në Prizren)

Më Shumë

Robert publikon një video me të dashurën e tij Ana Skrel, dyshja shfaqen duke u përqafuar derisa ai nuk i ndalë puthjet

Robert Berisha dhe Ana Skrel si duket kanë qenë së bashku në një event, kjo u kuptua pas një videoje që publikuan dyshja në...

Moti sot me vranësira dhe intervale me diell

Për të mërkurën parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ku ndonjë rajon mund të ketë reshje të izoluara shiu. Në orët...

Lajmet e Fundit