11.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Banorët e traumatizuar në Kumanovë, kërkojnë ndihmë

“Jo, ju lutem mos më fotografoni, se pastaj më kap Policia. Nuk dua t`i bëj problem familjes”, thotë një kryefamiljarë në moshë që ka përjetuar tmerrin në Kumanovë

Banorët e Lagjes së Trimave në Kumanovë janë të traumatizuar. Kjo gjendje është reale dhe prekëse.

Janë gati 128 familje në “Lagjen e Trimave” që po vuajnë në heshtje nga traumat dhe që askush nuk po kthen vëmendjen tek vuajtjet e tyre. Gratë dhe fëmijët janë në gjendje më të rëndë. Ata nuk mund të shkëputen nga përjetimi i përleshjeve të para dy javëve.

Artani, 10-vjeçar, bashkë me familjen e tij 11-anëtarëshe ishin strukur në një nga dhomat më të thella të shtëpisë. Për 12 orë kishin qenë të ngujuar.

“U frikësova shumë. As s`kisha ngrënë e pirë. Atë ditë s`jam frikësu, por tash natën po frikësohem. Edhe shumë, por shokët e mi të lagjes po thonë se shumë po frikësohen”, rrëfen ai.

Shaban Demiri, kryetar i Bashkësisë Lokale të lagjes dhe këshillit emergjent kërkon ndihmë urgjente.

“Ju lutemi të na ndihmojnë, sepse s’kemi nga të drejtohemi. Apelojmë për ndihmë nga institucione përgjegjëse, avokatë, organizatat vendore, rajonale dhe të huaja që janë të specializuara në këtë fushë, por edhe ekspertë ndërkombëtarë të na ndihmojnë. Ka nevojë për këtë trajtim, sepse shëndeti është parësor”, thekson Shaban Demiri.

Shumë banorë të lagjes kërkojnë këtë ndihmë, por ata nuk kanë ku të drejtohen. Disa prej tyre kanë shkuar tek mjeku, por ai i ka sugjeruar që të shkojnë në klinikat e posaçme.

Rexhep Etemi, mjek nga Kumanova, vullnetarisht ka qëndruar tek “Lagja e Trimave” duke u dhënë ndihmë familjarëve.

“Kam vizituar dhjetëra raste dhe kam hasur në raste të rënda traumatike, dehidrime, stres, atak paniku. Pra, bëhet fjalë për sindromin strespostraumatik. Për këtë duhet trajtim adekuat psikiatrik. Sidomos tek fëmijët, pleqtë dhe femrat që janë më të ndjeshme”, thotë ai.

Skender Kodra, profesori i psikologjisë klinike që jeton në New York, kërkon reagim për të ndihmuar banorët e kësaj lagje.

“Shteti duhet të mbajë përgjegjësi dhe të kompensojë çdo familje për këtë vuajtje nga PTSD (Post Traumatic Stress Disorder). Duhet të sigurohen mjekë të specializuar dhe avokatë që të hapin dosjen, sepse në gjithë ato pamje që kemi ndjekur, bëhet fjalë për tmerr të përjetuar, për dëme të mëdha dhe sulme me armë të rënda. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi nga shteti për këtë vuajtje psikike dhe shpirtërore që kanë pësuar këta banorë”, thotë Kodra, i cili në Kosovë është angazhuar për shërimin e rasteve me trauma të luftës, e që është i dekoruar edhe nga SHBA-të për kujdesin për ushtarët amerikanë që kanë përjetuar trauma nga luftërat e fundit.

“Në rast se kjo nuk bëhet brenda një kohe të shkurtër nga institucionet përgjegjëse, apeloj që të ndërmarrim diçka diaspora, që të përgatisin një staf profesional. Jam i gatshëm të jem në shërbim të këtij misioni”, thekson ai, duke shtuar se dëmet materiale edhe mund të kompensohen, por jo dëmet shpirtërore.

Xhevrije Sh, një nga familjaret që i është djegur shtëpia, thekson se ashtu siç i është bërë shkrumb shtëpia, shkrumb e ka edhe shpirtin e saj.

“Kemi investuar 40 vjet në këtë shtëpi dhe sa e përfunduam para një kohe, na ndodhi kjo e zezë”, rrëfen Xhevrija, e cila jeton me bashkëshortin invalid dhe vajzën invalidë.

Përjetimet e ngjashme i shprehin edhe shumë familjarë të tjerë, e me ta e gjithë Kumanova.

Më Shumë

“Fortnight”, kënga e re e Taylor Swift thyen rekord!

Kënga e re e Taylor Swift “Fortnight” po korr një sukses të jashtëzakonshëm. Spotify së fundmi njoftoi se kënga e 34-vjeçares “Fortnight”, me Post...

Biblioteka e Prizrenit shënon Ditën Ndërkombëtare të Librit

Biblioteka e Prizrenit shënoi Ditën Ndërkombëtare të Librit . Drejtoresha e Bibliotekës, Sahadete Sadikaj-Kukaj, theksoi se angazhimet e institucionit janë të ofrojë librin sa më afër...

Lajmet e Fundit