6.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Beqaj thotë se LDK-së i duhet një kryetar i ri

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tash e disa muaj është në proces të brendshëm zgjedhor.

Në këtë proces zgjedhor disa nga figurat kryesore të kësaj partie kanë dështuar të zgjedhen delegatë për Kuvendin Zgjedhor të LDK-së, i cili është planifikuar të mbahet në fund të këtij muaji.

Politologu Belul Beqaj ka komentuar procesin e zgjedhjeve në LDK. Ai ka deklaruar për “Epokën e re” se ndryshimet në LDK nuk e dëmtojnë këtë parti.

“Përkundrazi, LDK-ja po bëhet më e afërt me elektoratin, ndërsa ata që nuk po zgjidhen meritojnë respektin ngaqë, po sikur të ishin të paskrupulla, siç është krijuar perceptimi, do të bënin çdo gjë për t’u rizgjedhur. Besoj se vazhdimi i këtij procesi në këtë mënyrë do të përçojë një mesazh pozitiv edhe për të gjitha partitë e tjera”, është shprehur Beqaj.

Në këtë kontekst, Beqaj ka thënë se në LDK nuk mund të flitet për eliminime politike, pavarësisht se disa nga figurat qendrore të kësaj partie, siç janë nënkryetarët, Sabri Hamiti e Tetuta Sahatqija, nuk kanë arritur të zgjedhën delegatë për Kuvendin Zgjedhor të LDK-së.

“Jo. Mendoj se do të ishte gabim sikur të mendonim kështu. Nuk janë të gjithë njerëzit për të gjitha kohët. Duhet të kuptohet ky fakt. Ata kanë qenë funksionalë në kohën e tyre dhe nuk po bëhen pengesa për njerëz të tjerë të cilët do të sprovohen në atë ardhmen, siç janë sprovuar ata në të kaluarën”, ka theksuar Beqaj.

Sipas tij, do të ishte keq sikur të “dështuarit” t’i prishin rregullat e korrektësisë zgjedhore dhe me çdo kusht të mbesin aty ku janë.

“Meqë kjo nuk ka ndodhur deri më tashti, duhet ta përshëndesim mënyrën e sjelljes korrekte. Largimi i tyre dinjitoz vetëm sa i bën ata më të respektueshëm me kusht që përzgjedhja ka qenë fer dhe demokratike e atyre që po e udhëheqin procesin zgjedhor”, ka deklaruar Beqaj.

Beqaj ka deklaruar se sipas zhvillimeve brenda LDK-së, Isa Mustafa do të rizgjedhet kryetar i kësaj partie. Por, sipas Beqajt, rizgjedhja e Mustafës do t’i shkaktonte dëme të pariparueshme LDK-së.

“LDK-ja, në kohën kur ka nevojë historike për të ndërruar kryetari, si duket, do të mbetet me këtë kryetar i cili humbjet e veta i ka shndërruar në ‘fitore’, ndërsa shpëtimin e vet po e kërkon pavarësisht nga shkalla e dëmtimit të partisë. Mbetja e Isa Mustafës kryetar do t’i shkaktojë dëme të pariparueshme LDK-së”, është shprehur Beqaj.

Ai ka thënë se nëse Isa Mustafa nuk tërhiqet nga gara për të parin e LDK-së, historianët do të shkruajnë se Mustafa ia dha grushtin e fundit partisë së Ibrahim Rugovës.

“Dëmi i parë është vazhdimi i copëtimit të saj nëse në momentin e fundit edhe Isa Mustafa nuk kupton se më mirë është të shkojë pa problem sesa të mbetet me shumë probleme të cilat përfundimisht do ta gërmojnë atë dhe partinë. Nëse tërhiqet, do ta falë elektorati për mashtrimet dhe humbjet e deritanishme. Nëse nuk tërhiqet për të do të shkruajnë edhe historianët si kryetar që ia dha grushtin përfundimtar partisë së Ibrahim Rugovës”, ka thënë Beqaj, duke shtuar se LDK-ja ka nevojë për figura që kanë vizion.

“Kam deklaruar kohë më parë, se deri më tashti Vjosa Osmani, Anton Quni dhe bashkëmendimtarë të tjerë kanë treguar deri-diku vizion, qëndrueshmëri programore, politike dhe morale, për të cilën aktualisht ka më së shumti nevojë jo vetëm LDK-ja. Prandaj, do të ishte shumë mirë jo vetëm për LDK-në, por edhe për partitë e tjera, nëse fiton personaliteti politik që ka vizion, dinjitet dhe ndershmëri ngaqë kjo i mungon më së shumti skenës politike në Kosovë”, ka deklaruar Beqaj./Epoka e re/

Më Shumë

Tre ndeshje interesante luhen sot në Superligë, sytë te Ballkani dhe Drita

Tre ndeshje interesante do të zhvillohen sot, në kuadër të xhiros së 29-të në Superligën e Kosovës në futboll. Sfida kryesore e ditës së shtune...

U tha se u nda me të dashurën pasi flirtoj më njërën nga vajzat në ‘’Ferma Vip’’, reagon Robert Berisha

Robert Berisha është njëri nga meshkujt shqiptar, që përmendet më së shumti për lidhjet e tij të dashurisë. Së fundmi ai ishte pjesë e Reality...

Lajmet e Fundit