11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Dhuna në Maqedoni shqetëson shtetet fqinje

Politikanët dhe shefat e sigurisë në Kosovë, Serbi, Bullgari dhe Shqipëri kanë shprehur shqetësime rreth përplasjeve të fundjavës në Maqedoni dhe mundësinë e destabilizimit të rajonit.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa, shprehën shqetësim të thellë të hënën rreth përfshirjes së shtetasve kosovarë në përleshjet me armë me policinë në qytetin maqedonas Kumanovë në fundjavë.

Jahjaga dhe Mustafa thanë në një deklaratë të përbashkët se dhuna kishte synim ‘të destabilizonte Kosovën dhe shtetet fqinje duke sfiduar paqen dhe sigurinë”.

Jahjaga dhe Mustafa bënë thirrje për një hetim transparent dhe të besueshëm në luftimin e Kumanovës dhe tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë të plotë te autoritetet maqedonase.

“Republika e Kosovës mbetet e zotuar ndaj një Maqedonie multi-etnike dhe të qëndrueshme, me të cilën Kosova gëzon marrëdhënie të mira fqinjësie,” tha deklarata e tyre.

Përleshjet me armë mes policisë dhe një grupi fillimisht të panjohur personash të armatosur në Kumanovë më 9 dhe 10 maj lanë të vrarë tetë policë dhe rreth 37 të plagosur. Të paktën 14 persona gjithashtu u vranë.

Këshilli maqedonas i sigurisë tha se grupi prej disa dhjetëra personash kishte planifikuar sulme terroriste nëpër vend, me synim destabilizimin.

Petar Cvetkoviç, kreu i Agjencisë së Sigurisë Ushtarake të Maqedonisë tha të hënën se forcat serbe të sigurisë i kishin paralajmëruar kolegët maqedonas për problemet e mundshme me sigurinë në veri të vendit në prill, por autoritetet maqedonase e kishin shpërfillur informacionin si të ekzagjeruar.

Cvetkoviç dhe agjencitë serbe të sigurisë kishin informuar Shkupin se një grup i madh ‘terroristësh’ me etni shqiptare ishte aktiv në Maqedoni për misionin e krijimit të një “Shqipërie të madhe”.

Cvetkoviç tha se ushtria dhe policia serbe kishin shtuar praninë në kufij me Maqedoninë dhe Kosovën për shkak se kishin shqetësime se disa prej luftëtarëve ishin larguar prej Kumanovës gjatë betejave të fundjavës.

Milorad Veljoviç, kreu i policisë serbe, tha se nuk kishte informacion për të treguar se konflikti mund të kalonte në Serbi, por të dyja policitë po monitoronin nga afër situatën.

“Ne nuk mund të qetësohemi për asnjë çast, pasi kjo zonë është shumë e ndjeshme dhe duhet të jemi gati për çdo moment,” tha Veljoviç të hënën.

Në një deklaratë të publikuar të dielën, qeveria shqiptare tha se kishte ndjekur me shqetësim të madh ngjarjet tragjike në Maqedoni.

“Duke shprehur keqardhjen më të thellë për humbjen e jetëve njerëzore, Qeveria e Shqipërisë mbron bindjen se në asnjë rrethanë nuk mund të lejohet që kriza në Maqedoni të përshkallëzohet. Zhvillimet dramatike të ditëve të fundit në Kumanovë kanë cenuar normalitetin dhe marrëdhëniet ndëretnike, të cilat mbeten ende të brishta,” shkroi qeveria shqiptare.

Qeveria në Tiranë gjithashtu bëri thirrje për një hetim transparent në sulmet e Kumanovës.

“Reja e paqartësisë mbi të gjitha orët e renda të Kumanovës, te cilat u përjetuan me ankth nga shqiptaret kudo ku jetojnë, duhet t’ia lere vendin sa me pare transparencës së plotë për këtë ngjarje.,” tha deklarata.

Boiko Borisov, kryeministri i Bullgarisë fqinje tha të dielën se ai po e ndiqte situatën në Maqedoni dhe se beson se ngjarjet në Kumanovë ishin rezultat i problemeve politike më të thella me të cilat po përballet Maqedonia.

“Shpresoj që ata t’i marrin situatat në duar dhe ta rregullojnë shtetin e tyre… nëse nuk ka besim për diçka apo për një tjetër, atëherë njerëzit e kthejnë besimin te vetja” u citua të ketë thënë ai.

Në Malin e Zi, organizatat e shoqërisë civile dhe politikanët gjithashtu kërkuan paqe në rajon.

Aleanca Qytetare, një grup monitorues i famshëm, i bëri thirrje komunitetit të dielën të mos lejojë gabime të së shkuarës t’i shfaqen në Ballkanin Perëndimor.

Në një letër të hapur, organizata tha se ngjarjet dramatike në Kumanovë tregonin për një kapitull të ri dhune të hapur në Ballkan./Kallxo.com/

Më Shumë

Kosova e Shqipëria me marrëveshje të re për kalimin pa kontroll kufitar në Vërmicë

Qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë, do të kalojnë përmes pikës kufitare të Vërmicës nga ana e Kosovës dhe Morinës nga ana e...

Komuna e Prizrenit organizon takime për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal

Komuna e Prizrenit, ka filluar mbajtjen e takimeve informuese me qytetarët për Hartimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK). Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, është...

Lajmet e Fundit