13.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Disa nga ngjarjet që shënuan javën që lamë pas-Sqarimi nga Trusti për 10 përqindëshin, vizita e Lajçakut, deklaratat e Thaçit, Osmanit e Mustafës

Në javën që lamë pas janë shënuar disa ngjarje. Miratimi i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike në Kuvendin e Kosovës është bërë të hënën më 12 tetor, në përpjekjen e shtatë të deputetëve, pastaj gjatë kësaj jave Kosovën e vizitoi i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, deklaratat e së cilit nxitën reagime.

Po ashtu javën e kaluar kryeparlamentarja Vjosa Osmani paralajmëroi krijimin e një iniciative qytetare me fytyra të reja, duke thënë se ekipi i saj do të përbëhet nga emra me integritet të cilët sipas saj nuk i shohim në media.

Presidenti Hashim Thaçi ka folur rreth Gjykatës Speciale dhe publikimit të dosjeve, kryetari i LDK-së publikoi një letër lidhur me Asociacionin e komunave serbe, ndërsa të premten u shkarkua drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Në përpjekjen e shtatë, miratohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike

Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë votë abstenim të hënën, më 12 tetor ka votuar në lexim të parë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Ky Projektligj kishte dështuar të votohej për gjashtë herë që nga muaji gusht kur ishte prezantuar për herë të parë në Kuvend, shkruan Telegrafi.

Projektligj parasheh plotësimin e një sërë ligjesh, i cili përfshinë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga vetë qytetarët nga Trusti. Për të ndihmuar sektorin privat, Qeveria e Kosovës më 28 shtator, ka ndarë rreth 87 milionë euro për bizneset private, për t’i rikuperuar humbjet që kanë pësuar nga pandemia COVID-19, për qytetarët në nevojë, për disa ministri dhe të tjera.

Nga kjo vlerë, 60 milionë euro u ndanë për bizneset, të cilat do të përfitojnë varësisht nga numri i punëtorëve që kanë pasur të regjistruar në muajin dhjetor të vitit 2019.

Përfaqësuesit e bizneseve në vazhdimësi u kanë bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që sa më shpejt të ndihmojnë në rimëkëmbjen ekonomike, pasi që çdo vonesë, sipas tyre, do të sillte probleme më të mëdha për bizneset dhe rrezik të falimentimit të tyre.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.

Trusti jep sqarime lidhur me tërheqjen e mundshme të mjeteve financiare nga qytetarët

Pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili përfshinë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga vetë qytetarët nga Trusti, Fondi i Kursimeve ka dal me njoftim sqarues.

Lidhur me këtë, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës me anë të një njoftimi për media, sqaron se kur qytetarët mund të aplikojnë për t’i tërhequr kursimet e tyre nga ky institucion.

“Parlamenti duhet të kalojë ligjin edhe në leximin e dytë. Pas leximit të dytë ligji duhet të dekretohet nga Presidenti. Në momentin që dekretohet ligji nga Presidenti, detajet për aplikim do të bëhen të ditura në mjete të informimit”, thuhet në njoftimin e Trustit, përcjell Telegrafi.

Hamza: Për dy ministri, unë nuk e shoh PDK-në në qeveri

Megjithëse përflitej përfshirja e Partisë Demokratike të Kosovës në Qeverinë Hoti, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se nuk e sheh partinë e tij në qeveri e aq pak pozita.

Hamza thotë se LDK asnjëherë nuk është dashur të vendos vija të kuqe për PDK-në, derisa për Vetëvendosjen thotë se ata i heqin vijat e kuqe kur PDK i duhet.

Ish-ministri i Financave thotë se Kosova ka nevojë për stabilitet politik në mënyrë që të mos zhvillohen zgjedhje çdo vit. “Zgjedhjet për çdo vit para se gjithash e dëmtojnë ekonominë e vendit”.

Vizita e Lajçakut në Kosovë

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë ekskluzive për Telegrafin një ditë para së ta vizitojë Kosovën, ka folur për shumë çështje.

Ai ka folur për takimin e radhës në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe ka treguar se për cilat tema janë pajtuar palët për të negociuar në Bruksel.

Ai ka folur edhe për marrëveshjet e arritura në Washington dhe rolin e BE-së në këto çështje.

Sipas përfaqësuesit të BE-së, një marrëveshje brenda muajve e jo viteve do të ishte ideale për dy vendet, por duke marrë në konsideratë se të dy palët do të jenë të gatshme të angazhohen dhe të bëjnë kompromis.

Ndërkaq, në një konferencë për shtyp i dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se nuk ka marrëveshje Kosovë-Serbi pa zbatimin e Asociacionit të komunave serbe pasi sipas tij për këtë Kosova është zotuar.

Deklarata e tij kur shkoi në Beograd, kur u pyet për formimin e Asociacionit sipas Kushtetutës së Kosovës, se “kushtetuta nuk është bibël dhe se ajo mund të ndryshohet’ ka nxitur reagime të shumta.

Ai po ashtu tha se nëse nuk ka marrëveshje nuk do të ketë normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, dhe sipas tij nuk ka marrëveshje pa Asociacionin e Komunave Serbe.

Mustafa publikon letrën e Mogherinit të vitit 2015, ku thuhet se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të ketë fuqi ekzekutive

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka publikuar një letër të cilën e kishte pranuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Frederica Mogherini, para nënshkrimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe, në të cilën thuhet e ky asociacion nuk do të ketë fuqi ekzekutive.

Mustafa thekson se këtë letër të pa publikuar më parë ia ka prezantuar gjatë takimit që pati sot me të dërguarin e Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Më 24 gusht të vitit 2015, një ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes mbi Parimet e Përgjithshme/Elementet Kryesore të Asociacionit, nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Frederica Mogherini e kam pranuar letrën me këtë përmbajtje: “Në kontekstin e diskutimit tonë për themelimin e Asociacioni/ Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, dua të konfirmoj se është kuptim i BE-së, se Asociacionit/Bashkësia – në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës – nuk do të konstituohet si nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do ketë fuqi ekzekutive. BE, në ushtrimin e rolit të tij si fascilitator i dialogut Prishtinë-Beograd do të vazhdojë të monitorojë respektimin dhe implementimin nga të dy palët të Marrëveshjes së Parë dhe marrëveshjeve të tjera të arritura në dialog”, shkruan Mustafa.

Osmani: Do të nis një iniciativë qytetare me fytyra të reja

Gjatë javës së kaluar po ashtu Vjosa Osmani ka paralajmëruar krijimin e një partie të re të drejtuar nga ajo.

Ajo ka thënë se do të nisë iniciativë qytetare, me fytyra të reja, njerëz profesionistë e jo riciklime të fytyrave politike”.

Ajo është shprehur se ekipi i saj do të përbëhet nga emra me integritet të cilët sipas saj nuk i shohim shpesh në televizione.

Thaçi: Asnjëherë nuk jam pyetur për “shtëpinë e verdhë” apo “trafikim të organeve”

Të enjte, më 15 tetor Thaçi ka folur për Gjykatën Speciale dhe publikimin e dosjeve.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur informacione dhe nuk kanë qenë të përfshira në këtë proces

Presidenti ka kritikuar edhe qeverinë pasi ka heshtur kur në aktakuzën ndaj Sali Mustafës përmendet shprehja “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

“Nuk mendoj se nëse nuk i mbrojnë vlerat e UÇK-së, partnerët e zotit Hoti, Haradinaj dhe Limaj atyre u rritet autoriteti i tyre në qeveri. As zotin Hoti nuk e çnderon përmendja e UÇK-së, sepse lirinë e kemi produktet të rezistencës paqësore të zotit Rugova dhe rezistencës aktive të UÇK-së”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Thaçi thotë se nëse në Kosovë respektohen vlerat e UÇK-së edhe të tjerët do t’i respektojnë këto vlera.

I pyetur për Gjykatën Speciale, Thaçi ka thënë se nuk mund të flasë për këtë çështje për shkak të kufizimeve ligjore.

“Por mund të flasë për gjërat që nuk jam pyetur. Asnjëherë nuk jam pyetur për ‘Shtëpinë e verdhë’ apo trafik të organeve”, tha ndër të tjera.

Shkarkohet drejtori i Policisë, Rashit Qalaj

Ndërkaq, të premten më 16 shtator kryeministri Avdullah Hoti ka shkarkuar Rashit Qalajn nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Mësohet se vendim për shkarkim mbështet në nenin 39/1, pika 1.6, të Ligjit për Policinë dhe i referohet performances jo të mirë të ish-drejtorit Qalaj.

Qalaj ishte emëruar në krye të Policisë së Kosovë më 28 gusht të vitit 2018.

Hoti ka emëruar Samedin Mehmeti, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”. /Telegrafi/

Më Shumë

Kurti: Nëse dëshiron opozita e shpërndajmë Kuvendin dhe shkojmë në zgjedhje, qeveria s’ka arsye të rrezohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për deklaratën e tij se është i gatshëm që vendi të shkojë në zgjedhje. Kurti ka thënë se...

Elsa Lila rrëfen qëndrimin e saj në burg

Elsa Lila ka rrëfyer në ‘Ferma Vip’ ditët e qëndrimit të saj në burg. Ajo u arrestua në Itali si pjesë e një grupi kriminal...

Lajmet e Fundit