13.8 C
Prizren
E mërkurë, 17 Prill, 2024

Humbja e dytë e Ymer Agës

Mbrëmë u rikthye Ymer Aga. Nata, e veshur me ego djallëzorësh kishte dalë me ngut. Po rendte drejt një takimi të ri, e si gjithmonë për të më lënë mua vetëm me ca romane të vjetruara nga koha e me fijen e kuqe në dorën e majtë.

Qetësia po lindte nga çdo anë. Një natë ndryshe nga ç’dinte jeta. Ndryshe edhe për mua, ngase nuk kisha menduar se do të më ritakonte me Ymer Agën tim të heshtur. Po! Të heshtur! Një heshtje që ma gërryente shpirtin. Kishte kohë që nuk ia kisha dëgjuar zërin, që nuk ia kisha shtrënguar dorën nga frika e humbjes dhe e braktisjes, që nuk i kisha fjetur në kraharor. Kishte kohë që nuk e kisha ndjerë timin. Pashë se flokët i ishin thinjur pak, por, për mua nuk ndryshonte gjë, ngase të tilla që në fillim e dija se do i bëheshin dhe se sërish do ia krihja me dashuri, sido që të ishin. Ai e dinte këtë betim timin. Njëjtë si unë e fshihte në thellësi kraharori.

Për çudi, ende e kishte të veshur atë këmishë. Ia pata blerë kur mbushi tetëmbëdhjetë gushte, kur unë ende isha në të shtatëmbëdhjetat e për të gëzohesha që do ta quanin “burrë fisi”. Do i jepnin leje të më puthte, të më çonte nuse në shtëpi, të më dashuronte edhe më shumë, të bënte atë që deri atë kohë nuk ia kishte lejuar kulla dhe mosha.
Mbrëmë e ritakova dhe prita se do më fliste, se do më përqafonte e do ma falte një botë të tërë, njëjtë si dikur, kur muzgjet na zinin me lojën e egobokës, me të cilën kapja qiellin, e ai për atë zotërohej se do ta bënte deri në fund të jetës. Prita se sërish pa droje do kërkonte të m’i ndalonte krushqit imagjinarë që mos më merrnin, por ai qëndronte i heshtur e me shenja faji në fytyrë.

-Ymer Agë!- i thash e habitur. – S’më njeh? Kaq shpejt qenke thinjur e mbushur me dhembje? –ia bëja pyetjet njëra pas tjetrës . – S’ka problem Ymer Agë që me heshtje po del para meje. Por, ti e di betimin tim mbi kanunin e Lekës, besën time, e di, e di mirë, andaj folmë! Nata me djallin sonte po thurin ëndrra të reja, por ti harroje praninë e saj! Ajo nuk mbanë vesh në atë që do ta thuash. Ma thuaj emrin! Ma poho dashurinë!
Teksa ia thosha këto, ai po heshtte. Po më vriste e për këtë nuk doja t’i tregoja, ngase nëntë vjetët që nuk ia kisha parë e puthur sytë, më ngjanin me nëntë shekuj mbuluar me pluhur mesjete. Nëntë vjet! Nuk ishin të pakta të mos më harronte dhe unë e dija këtë.
Ia vendosa dorën mbi gjoks. Zemra i rrihte me shpejtësi e si e çmendur donte t’i shkulej nga gjoksi. Kishte ndaluar kalërimin, ndërsa unë mendoja se përse duhej t’i rrihte në atë mënyrë. Ai kurrë nuk kishte qenë i tillë.

-Ymer Agë! Më fol bre burrë! Nëntë vjet ndonëse s’ke folur me mua, nuk besoj se ke harruar fjalët e dashurisë. Shih, jemi vetëm! Ndonëse, tani në kullë po e vërejnë mungesën time, e babait etja për ujë çdo shtambë të thyer ia sjellë në mendje, unë pa frikë se do më vrasin jam pranë teje dhe pres të më flasësh. Ymer Agë! E di se burrat si ti i kanë fjalët e rralla, por kur ishe me mua para nëntë vjetësh nuk heshtje kështu. Nuk dua ta besoj se ke ndryshuar. Shihma fijen e kuqe në dorë, end? nuk është këputur. Është e tillë sepse e mbron dashuria jote Ymer Agë!

Sado që mundohesha ai nuk fliste. A thua nuk e ka marrë malli për mua që nuk mëton as të më puthë. Natën nuk guxoja ta pyesja, ngase po thurte ëndrra të reja, e këtë herë jo për mua. Edhe yjet i kisha lart, por si gjithmonë nga to nuk prisja të merrja përgjigje.
-Ymer Agë! Nuk besoj se kalin do ta marrësh për t’u kthyer pas. Ndonëse ta dhanë kohën për t’i ndaluar krushqit, sonte nuk i ke ata. Unë jam e vetme pranë teje ngase e dua fatin e baladës. Nëntë vjet Ymer Agë! Heeiii! Në derë babait i thash të mos fuste njeri; nënës i thash të mos m’i niste ojat e shamive, sepse nuk e dija se kur do të ktheheshe. Por, mos u mërzit! Nëna për tri ditë më bën gati e unë besën do ta mbaj. Ti e di këtë besë çapkëneje. Të dy e dimë.

Për një çast i qeshi fytyra. Në faqen e majtë sërish iu formua gropëza, me të cilën dikur ma vodhi zemrën. Ngriti dorën dhe ashtu si atëherë kur nuk isha në të tetëmbëdhjetat e kur bota na quante vetëm shokë fëmijërie, u mundua të ma hiqte fijen e flokut të shprishur nga gërsheti.

-Jepi, Ymer Agë! – i bërtita me zemrën e djegur. – Hiqma fijen nga sytë! Përqafomë dhe merrmë në shpirtin tënd! Leka nuk do të na dënojë, rij rehat, ne nuk e tradhtojmë kanunin. E sheh, sërish i shohim sytë e njëri-tjetrit. Tani kemi më shumë se tetëmbëdhjetë vera. Kali do na shpie në altar. Atje, zëshëm do ta pohojmë tonën dashuri. Më rrëmbe Ymer Agë! Më bëj pjesë tënden!

Pasi thashë fjalën e fundit, për një çast m’u ndal zemra. Atë e pashë të shtrirë për toke e me sytë drejt fytyrës sime. Po rënkonte. Po derdhte dhembje. Në sy ia lexova dashurinë jetike.

-Ymer Agë!- i thashë teksa iu hodha mbi gjoks. – Mos Ymer Agë! Nuk dua ta pranoj se kam pritur nëntë vjet për ta parë vdekjen tënde. Më fol! Ma poho dashurinë tonë të shkurtit! Qeshmë dhe kërko nga unë që të largohesh edhe nëntë vjet të tjera! Unë do ta pranoj ikjen dhe kalërimin tënd edhe për aq kohë, veç mos më braktis përgjithmonë Ymer Agë! Mos ma pre jetën! Ne jemi ende të rinj. Kali në altar do të na çojë. Mos ma vra ëndrrën e vetme! Ymer Aaaa…!!!

Mbrëmë e humba përgjithmonë timin Ymer Agë, ndërsa sot bëj çmos që kjo të mos hyjë në mesin e baladave popullore. S’dua që tjerët ta lexojnë tonën dashuri të hidhur, e aq më shumë që copëzat e shpirtit po ma kujtojnë edhe emrin e tij.

Shkroi- Adelina XHAFERI

Më Shumë

Policia shqipton mbi një mijë e 500 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1501 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Divorci Besi-Xhensila? Habit avokati: Ata po ndahen për pasuritë e Ilir Metës, kanë vila e prona miliona euro

Avokat Idajet Beqiri teksa ka komentuar ndryshimin e stilit të jetesës së kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka theksuar se edhe aktori...

Lajmet e Fundit