Kryeministri i Kosovës, të dielën ka vizituar disa kompani në Dragash, izolohen personat që kanë pasur kontakt
Të dielën Kryeministri Hoti së bashku me një pjesë të kabinetit të tij, vizituan komunën e Dragashit.
Aty pos që vizituan këtë komunë, Hoti me stafin e tij, shkoi edhe në disa kompani për të parë nga afër punën e tyre.
Ai u ofroi mbështetjen e tij dhe të qeverisë pikërisht në ditën kur u konfirmua se ishte i prekur nga Covid-19.
E menjëherë pas këtij lajmi, një pjesë e stafit të tij u izoluan.
Njëjtë kanë bërë edhe disa persona që i vizitoi të dielën Kryeministri Hoti.
Televizioni 7 ka kontaktuar me disa biznese që ka vizituar të dielën Kryeministri Hoti.
Të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin para kamerave, por që prapa saj kanë thënë që janë vetizoluar dhe që po presin nëse kanë ndonjë simptomë në mënyrë që të testohen.
Ata tutje kanë thënë që po ashtu kanë bërë dezinfektimin e kompanive, dhe se janë të pajisura edhe me dezinfektues.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, ka thënë se nuk janë izoluar pasi që kontakti ka qenë minimal, si dhe me respektim të masave.
“Me rastin e vizitës së Kryeministrit Hoti në komunën tonë gjatë gjithë kohës sa ishim në përcjellje kemi mbajtur maska dhe jemi munduar të respektojm të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së. Ne kemi analizuar rrjedhjen e situatës dhe kemi konstatuar se niveli i kontakteve nuk ka qenë deri në atë shkallë që ne të izolohemi së paku deri në këtë kohë. Ne i urojmë shërim të shpejtë kryeministrit dhe gjithsesi do të veprojmë konform rekomandimeve të IKSHP-së varësisht prej situatës.”, thotë Shaban Shabani, kryetar i Komunës së Dragashit.
Kryeministri Hoti, tani më është izoluar në banesën e tij, ku ka thënë që të gjitha obligimet e tij do t’i kryej nga aty.