7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Ka nisur sezoni i rrezikut nga nga pickimi i rriqrave

Sezoni i rrezikut nga rriqrat tashmë ka nisur dhe me gjithë masat e ndërmarra nga terreni njoftohet se Malisheva mbetet zona më e prekur në Kosovë. Nga Malisheva njoftohet se deri më tash janë shënuar 302 raste të pickimeve, ndërsa në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) thonë se janë duke u trajtuar 20 persona.

Përmirësimi i motit dhe ngritja e temperaturave duket se po ndikojnë në rritjen e rrezikut që qytetarët të pickohen nga rriqrat që janë ndër shkaktarët kryesorë për infektim nga ethet hemorragjike Krime-Kongo.

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Hamdi Ramadani, ka thënë për KosovaLive se pacientët janë duke u trajtuar mirë dhe se gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut. Ai ka theksuar se duke filluar nga nesër pacientët e trajtuar do të lëshohen nga spitali.

“Fatmirësisht deri më tani nuk është shënuar asnjë viktimë nga pickimi i rriqrave dhe nuk ka të infektuar nga ethet hemorragjike Krime-Kongo. Ndonëse ende është herët të thuhet se a është numri më i vogël i të pickuarve nga rriqrat se në vitet e kaluara, mirëpo po të krahasohen ky muaj me muajt e viteve të kaluara, gjendja është dukshëm më e mirë se viteve të mëparshme”, ka vlerësuar Ramadani.

Ai ka bërë të ditur se pacientët që po trajtohen janë nga rajone të ndryshme të Kosovës, por prin Komuna e Malishevës, që pasohet nga Drenasi, Klina, Rahoveci, Kaçaniku, Prizreni, Shtimja, Gjakova, Skenderaj, Lipjani e Prishtina.

“Pacientët janë duke u trajtuar mirë dhe gjendja e tyre shëndetësore është e shkëlqyeshme. Analizat laboratorike të shumicës kanë dal normale, ndërsa te disa pritet që të konfirmohet se janë shëruar. Moshat e të pickuarve janë të ndryshme, ka të viteve 1999, 2000, 2007, 2010, mirëpo kryesisht dominojnë moshat e reja prej 20 deri në 30 vjet”, tha Ramadani.

Drejtori Ramadani tha tutje se tashmë QKUK i ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për trajtimin e pacientëve të pickuar nga rriqrat, duke bërë të ditur se presin që shumë shpejt të sigurojnë edhe një bar të veçantë për shërimin e personave të pickuar.

“Ne kemi ndërmarrë masa të shumta, kemi shtuar stafin dhe përgjithësisht kapacitetet në klinikë janë në nivelin e duhur. Është shtuar edhe numri i shtretërve duke e krijuar një repart të veçantë për trajtimin e këtyre rasteve. Është kërkuar edhe material mbrojtës për personelin, maska, doreza e rrobe që nevojiten për trajtimin e këtyre rasteve”, ka potencuar ai.

Rikujtojmë se në vitin 2013 janë raportuar 2.667 raste të pickimit me rriqra dhe 17 kanë rezultuar me ethe hemorragjike Krime-Kongo nga të cilët 5 persona kanë humbur jetë. Simptomat e para te pacientët e pickuar nga rriqrat janë temperatura e lartë, gjakderdhja nga hunda, lodhja, molisja dhe simptoma të tjera, pas shfaqjes së të cilave është i domosdoshëm konsultimi me mjekun.

Në Komunën e Malishevës, e cila prin me numrin e qytetarëve të pickuar nga rriqrat, është evidencuar një numër i madh i rasteve të pickimeve nga rriqrat. Artan Paçarizi, zyrtar për informim në Komunën e Malishevës, ka thënë për KosovaLive se deri më sot në këtë komunë janë shënuar 302 raste të pickimeve.

Ai ka theksuar se fatmirësisht pavarësisht pickimeve nuk ka pasur as viktima dhe as raste të infektimit me ethe hemorragjike Krime Kongo.

“Komuna në kuadër të përpjekjeve të saj është duke i ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm, madje edhe jashtë kompetencave, pasi që luftimi i ethe hemorragjike Krime Kongo është përgjegjësi e nivelit qendror”, ka thënë ai.

Sipas tij, komuna është marr me fushata të vetëdijesimit, dezinsektimit, repelim të kafshëve dhe gjithçka tjetër që ka mundur, përfshirë edhe spërkatjen nga ajri.

Komuna e Malishevës në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike Krime Kongo, krahas masave tjera, ka filluar të martën edhe fushatën e dezinsektimit selektiv, të zonave endemike në territorin e Komunës së Malishevës.

Dezinfektimi ka filluar në fshatin Drenovc për shkak se këtë vit, sipas zyrtarëve komunal, janë regjistruar numër më i madh i rasteve të thumbimeve nga rriqrat, ndërsa në disa faza do të inskenohet i tërë territori i Komunës së Malishevës.

Në këtë fushatë të dezinsektimit janë angazhuar rreth 50 punëtorë, të pajisur me pompa dore dhe makineri lëvizëse, si traktor, kamioneta dhe të tjera.

KosovaLive ka tentuar të kontaktoj me zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, çoftë përmes adresën elektronike apo telefonit, mirëpo kontakti me ta ka qenë i pamundur./KosovaLive/

Më Shumë

Totaj pret U.D. të Kryeshefit Ekzekutiv të ASK’së, diskutojnë për procesin e regjistrimit të popullsisë

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj priti sot U.D. të Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati. Siç bëhet e...

Vdes 41-vjeçari pasi u godit nga rryma elektrike teksa po peshkonte në Romajë

Një person ka vdekur sonte në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi derisa ishte duke peshkuar me gjenerator elektrik, në fshatin Romajë, ishte goditur nga...

Lajmet e Fundit