8.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Kuvendi i Prizrenit ka larguar zyrat e partive nga lista e pronave komunale që jepen në shfrytëzim

Rekomandimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit që dhënia e pronës publike me qira të realizohet sipas legjislacionit në fuqi nuk është jetësuar ende nga organet vendimmarrëse komunale të Prizrenit sa i përket lokaleve që shfrytëzohen si zyra të partive politike, të cilat përfaqësohen në Kuvendin e Komunës.

Ekzekutivi i Prizrenit i ka propozuar Kuvendit të Komunës miratimin e listës së veçantë të pronave të paluajtshme të Komunës, të cilat planifikohen të jepen në shfrytëzim gjatë vitit 2021, përfshirë këtu edhe pronat, ku janë të vendosura zyrat e partive politike. Mirëpo Kuvendi i Prizrenit në seancën e fundit e ka votuar listën, por duke hequr nga lista, pronat respektivisht lokalet që shfrytëzohen nga partitë politike si zyra.

Ky propozim-vendim është shoqëruar me debat, me ç’rast anëtarë të caktuar të KK-së kanë kërkuar që zyrat e partive politike të trajtohen në mënyrë të veçantë, derisa ka pasur edhe zëra që kanë theksuar se interesi partiak nuk duhet të dalë mbi atë publik.

Anëtari i KK-së nga radhët e LDK-së, Haziz Hodaj, në seancën e fundit të KK-së ka pranuar se shqetësimi i përfaqësuesve të partive politike për shqyrtimin e propozim-vendimit lidhur me listën e veçantë të pronave të paluajtshme të Komunës të cilat planifikohen të jepen në shfrytëzim gjatë vitit 2021 ndërlidhet me zyrat e partive politike dhe ka propozuar që kjo çështje të shqyrtohet në Kuvend “me kusht që zyrat e partive politike të hiqen nga lista në fjalë dhe të trajtohen në mënyrë të veçantë”.

“Si përfaqësues i partisë politike nuk e kam vesvese nëse na qesin jashtë, sepse ajo zyrë s’është duke na funksionuar, mirëpo nuk bëhet fjalë vetëm për një parti politike, por është kërkesë e të gjitha grupeve të këshilltarëve”, ka thënë ai.

Ndërsa Ilir Gashi i LVV-së ka kërkuar që ky propozim-vendim të shqyrtohet, me qëllim të respektimit të afateve ligjore që i parasheh legjislacioni në fuqi. Në të njëjtën kohë u ka bërë thirrje partive politike që t’i respektojnë normat ligjore rreth kësaj teme.

“Nëse kemi frikë që partitë tona politike mbesin pa këto zyre, atëherë kjo tregon që interesi partiak po del përmbi interesin publik. Ta kemi të qartë, se edhe gjatë seancës së kaluar biseduam rreth kësaj teme, që të gjitha partitë politike janë duke i mbajtur këto zyre në mënyrë ilegale. Ligji nuk lejon që partitë politike ose dikush tjetër ti mbajë këto prona pa kontratë, dhe ti mbajë pa u vënë në ankand”, është shprehur ai.

Por kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Sulltan Badallaj, ka reaguar duke shprehur qëndrimin se partitë politike, në zyrat përkatëse janë vendosur bazuar në një vendim të mëhershëm të KK-së dhe se nuk janë aty në mënyrë ilegale. Edhe Hodaj i LDK-së nuk është pajtuar me vlerësimin e kuvendarit të LVV-së, duke pohuar se për këtë çështje ka pasur vendim të KK-së.

Ndërkaq kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, gjatë këtij debati ka theksuar se të gjitha kontratat e partive politike për shfrytëzimin e pronës komunale kanë skaduar.

“Asnjë parti politike nuk ka kontratë. Neve na është thënë se s’mund t’i vazhdojmë ato kontrata si janë. Për çfarëdo vazhdimi tjetër, duhet me u votu lista”, ka thënë Haskuka para kuvendarëve.

Pas konsultave të shefave të grupeve të këshilltarëve, është vendosur që ky propozim të vihet në votim.

“Qëndrimi i gjitha grupeve ka qenë që zyrat e partive politike të largohen nga kjo listë”, ka sqaruar kryesuesi Badallaj, gjë që është përkrahur në vijim nga shumica e kuvendarëve.

Në anën tjetër në takimin e fundit me qytetarët, kryetari Mytaher Haskuka ka deklaruar se Ekzekutivi ka pasur sfida lidhur me pronat komunale.

“Ne kemi pasur probleme me pronat e komunës, faktikisht i kemi evidentuar të gjitha, kemi bërë listën e pronave të komunës. Është dashur që KK-ja me votu në mënyrë që me i vazhdu procedurat e parapara me ligj. Sipas ligjit parashihet dhënia e pronave komunale vetëm nëpërmjet ankandit. Është mirë që në seancën e fundit të KK-së pas shumë sabotimeve në fund u votu, sepse këtë listë e kam nxjerr që nga muaji maj”, ka thënë Haskuka.

Raporti i Auditimit për Komunën e Prizrenit i publikuar nga ZKA-ja në verë të vitit të shkuar pati veçuar si çështje edhe shfrytëzimin e parregullt të pronave komunale. Te gjetjet, mes tjerash, thuhej se: “nga viti 2016 tetë parti politike shfrytëzojnë pronat-lokalet komunale me çmim prej 1€ në muaj për lokal, prej tyre tri parti vazhdojnë t’i shfrytëzojnë objektet me kontrata të skaduara”. Sipas ZKA-së, këto lokale ishin dhënë duke u bazuar në vendimin e KK-së të datës 29 dhjetor 2005.

https://www.koha.net/kosove/254164/kuvendi-i-prizrenit-ka-larguar-zyrat-e-partive-nga-lista-e-pronave-komunale-qe-jepen-ne-shfrytezim/

Më Shumë

Moti sot me vranësira, diell e shi

Sot parashihet të mbajë mot me vranësira dhe intervale të shkurtra me diell. Kohë pas kohe pritet të ketë reshje lokale shiu, të cilat në...

Pogba vjen me një postim emocionues pasi iu ndalua futbolli për katër vite: Sprovat që të dërgon Allahu janë të pashmangshme

Gjendja e Paul Pogbas duket e rënduar, pasi mesfushori francez nuk do të mund të luaj në katër vitet e ardhshme. Në fund të shkurtit,...

Lajmet e Fundit