Letër delegatëve të LDK-së!

Adrian Çollaku
Të nderuar delegatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
ju kanë mbetur saktësisht edhe një javë kohë deri në mbajtjen e Kuvendit të Përgjithshëm të partisë, ku duhet të vendosni jo thjeshtë për të zgjedhur një kryetar të ri, por do të vendosni për të ardhmen e kësaj partie.
Prandaj, keni kohë të mjaftueshme që të analizoni secilin kandidat para se të votoni, sepse thjesht këto zgjedhje nuk janë të rëndomta, por janë jetike për të ardhmen e partisë suaj dhe të vetë Kosovës.

Të nderuar delegatë, disa prej jush mund të jenë nëpër pozita ekzekutive dhe nëpër pozita të larta publike falë liderit aktual të partisë, i cili është edhe kandidat për kryetar të partisë, mirëpo duhet të mendoni përtej kësaj, ngase nuk do të jenë të përjetshme ato pozita, e as kjo qeveri. Madje, kjo qeveri ka rrezik të bjerë shumë më shpejt se sa që mendoni ju, pra ndoshta para Vitit të Ri.
Dhe shtrohet pyetja e thjeshtë pse kjo qeveri nuk e ka gjatë. Janë të shumta arsyet, mirëpo po i numëroj disa prej tyre.
Së pari, ky koalicion është në kundërshtim me vullnetin e anëtarësisë së LDK-së. Këtë e tregojnë edhe sondazhet e fundit, ku LDK-ja që nga koha kur ka hyrë në koalicion me PDK-në, është nën 17 për qind, pra duke rënë partia e tretë në vend, më poshtë edhe se Lëvizja Vetëvendosje, edhe pse ata të partisë nuk ua tregojnë këtë fakt.

Së dyti, LDK edhe pse po thirret se e ka postin e kryeministrit, të paktën formalisht, po shihet në realitet se kush është kryeministër i vendit e kush është Shefi. Hierarkia është shumë e thjeshtë, Hashim Thaçi e Kadri Veseli me fuqi të pakontestueshme, dhe një Isa Mustafa formal, që se pyet kush për asgjë.
Dhe së fundi, LDK po tregohet e pafuqishme ta luftoj korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke bërë që e gjithë përgjegjësia e dështimit t’i mbetet partisë së drejtuar nga Isa Mustafa, sepse të gjitha mekanizmat e shtetit, citojmë vet Mustafën vazhdojnë të jenë të kapura nga PDK-ja .
Të nderuar delegatë të Kuvendit të LDK-së, ai i keni bërë ende pyetje vetit, se çka mendojnë anëtarësia, çka mendon baza e LDK-së, qoftë për koalicionin me PDK-në, qoftë për atë se kush janë kandidatët që do të udhëheqin me partinë në vitet e ardhshme. Apo e dini përgjigjen dhe ndoshta mendoni vetëm për ndonjë interes të ngushtë personal dhe afatshkurtër.

Edhe pak ditë ju kanë mbetur, ku i keni vetëm dy rrugë para vetes.
Njëra është vazhdimi i tatëpjetës së LDK-së më në krye Isa Mustafën. Dhe e dyta është rimëkëmbja e kësaj partie, duke e zgjedhur Vjosa Osmanin në krye të partisë.

Kandidatët tjerë, si Fatmir Sejdiu e Lutfi Haziri nuk e kanë seriozisht këtë garë. Lutfi Haziri më tepër e ka taktikë, në marrëveshje me Isa Mustafën, vetëm e vetëm që ta neutralizojnë sa më shumë Vjosa Osmanin, derisa Fatmir Sejdiu, është një kandidat i harxhuar, i cili kësaj gare i ka hyrë që të mund të fuqizohet të paktën si individë.

Delegatë të LDK-së, besoj se e keni të njohur botërisht faktin që kandidati për kryetar të partisë Suaj, dhe njëherësh, lideri aktual, Isa Mustafa e mundi Fatmir Sejdiun më 2010, pikërisht duke u thirrur në rrëzimin e PDK-së nga pushteti dhe në ç’kapjen e shtetit prej tyre.
Mirëpo, çka ndodhi në realitet.

Ai pos që nuk arriti t’i rrëzoj ata nga pushteti, u bë me ta, duke ua mundësuar atyre mbetjen në pushtet, dhe duke e rehabilituar këtë parti, nga të gjitha ato shkelje e hajni që i kishte bërë për më shumë se shtatë vjet.

Isa Mustafa duke u munduar që sërish ta marrë drejtimin e partisë, e pamë se sa shkeljet u bënë nëpër nëndegë e degë gjatë zgjedhjeve të brendshme. Në shumicën e këtyre nëndegëve dhe degëve, Isa Mustafa dhe njerëzit e tij, instaluan një formë jodemokratike të zgjedhjeve. Aklamacioni që nuk aplikohej në këtë parti, për herë të pari u bë normale si formë e zgjedhjeve, vetëm e vetëm që Isa Mustafa të mbes edhe më tutje në pushtet…
Dhe mbetja e tij e vazhdueshme në pushtet i ka vetëm dy të mira: rehabilitimin e mëtutjeshëm të PDK-së nga hajnia dhe keqqeverisja dhe zgjedhjen e Hashim

Thaçit si president shteti. Natyrisht edhe punësimin e disa njerëzve të LDK-së. Kaq. Për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, zhvillimit ekonomik as mos të flasim. Nuk ka indikacione në këtë drejtim, fatkeqësisht.

Kjo formë jo demokratike e instaluar nga Isa Mustafa dhe njerëzit e tij për t’i fituar zgjedhjet me çdo kusht, duke u munduar që të ngufatet zëri i vërtetë i anëtarësisë së LDK-së, do t’i hakmerret edhe më shumë kësaj partie. Se cili është vullneti i anëtarësisë e tregon më së miri edhe mënyra se si nënkryetarja e Isa Mustafës, Teuta Sahatqija, dështoi në Gjakovë. Dështoi poashtu edhe ndër njerëzit më të fuqishëm në këtë parti, Sabri Hamiti. E lista e njerëzve të Isa Mustafës që dështuan është shumë shumë më e gjatë, si Sadri Ferati e shumë të tjerë.

Dhe a e dini pse ka ndodhur një dështim i tillë. Për arsye se isa Mustafa dhe njerëzit e tij nuk arritën të menaxhojnë këto nëndegë e degë dhe nën dy, për faktin kryesore, se këta njerëz ishin pro koalicionit me PDK-në.

Të nderuar delegatë të LDK-së, argumentet janë të panumërta, se pse Isa Mustafa nuk është në të njëjtën vijë me anëtarësinë e LDK-së.
Megjithatë, është në dorën Tuaj, që më 31 maj, ta votoni këtë trend të rënies, apo të votoni një frymë të re, në krye me Vjosa Osmanin, e cila deri më tani ishte e vetmja që kishte një mendim dhe një qëndrim konsistent.

Në momentin që Isa Mustafa dhe servilët e tij për rreth i ranë në krah Hashim Thaçit e PDK-së, u tërhoq nga ta, duke mos pranuar asnjë post. Mendoni se Osmani nuk do të mund të ishte zëvendëskryeministre dhe të kishte një ministri nën udhëheqje?! Mirëpo, ajo tregoi se e kishte sinqerisht respektimin e vullnetit të anëtarësisë së partisë dhe u tha jo.

Dhe sot, ajo është e vetmja kandidate për kryetare të LDK-së, që të paktën i ka paraqitur 10 shtylla se si duhet të frymoj LDK-ja. Pavarësisht luftës që i është bërë asaj nga Isa Mustafa dhe njerëzit e tij, për shkak edhe të pozitës që kanë në qeverisje, ajo sot paraqet alternativën më serioze.
Delegatë të LDK-së, sot një javë ju vendosni se kah do ta çoni LDK-në…

Më Shumë

Aksion i Krimeve Ekonomike dhe Doganës në Prizren, bastisen disa argjendari

Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës me asistencën e Doganës së Kosovës janë duke zhvilluar aksion në disa argjendari në Prizren. Aksioni është zhvilluar fillimisht...

Qeveria në detyrë miraton pakon “Inflacioni 2.0”, nga 100 euro për pensionistë, punëtorët privat, fëmijë dhe studentë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se Qeveria në detyrë ka ndarë fonde dhe ka miratuar një paketë të re për përballje me...

Lajmet e Fundit