7.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Letërsi në ekzil

Nga ekzili me kujtime. Po jo vetëm. Edhe me përshkrime të gjalla apo kundërshti të regjimeve fundamentaliste. Siç kanë bërë Marjane Satrapi në librin e saj “Persepolis”, Salman Rushdie me “Vargjet Satanike” apo Khaled Hosseini me “Gjuetari i Balonave”. Kritika u ka kushtuar shtrenjtë. Duke mos shkelur më në vendin e lindjes…

Të jetosh në një vend dhe të mbash mend një tjetër. Kjo është gjendja e shkrimtarëve. Trishtimi thelbësor i ekzilit. Ashtu siç vëzhgon Eduard Said “përçarja e pashëndetshme, e detyruar mes qenies njerëzore dhe vendit të lindjes, mes vetes dhe shtëpisë së vërtetë”, mund të mos kapërcehet kurrë, por gjithashtu e bën të mundur origjinalitetin e vizionit. Siç është edhe romani grafik “Persepolis”, i autores iraniane Marjane Satrapi (film i animuar, i nominuar më 2008-n për ‘Oscar’). Një libër i cili është botuar edhe në gjuhën shqipe nga Shtëpia botuese “Pegi”.

Me përkthim nga Edmond Tupja dhe Mirela Kumbaro, ky libër bën pjesë në kolanën “Lotus”.

Autobiografia e Satrapit është një histori aktuale dhe e pakohë e jetës së një vajzë nën Revolucionin Islamik.

Karakteri i veçantë dhe frymëzues i një çupëline, e cila transformohet, mbi sfondin e një revolucioni islamik, disa luftërash, migrimesh dhe kthimesh, nga një vajzë në një grua të re, energjike dhe rebele.

Një vepër jashtëzakonisht aktuale pasi prek nga afër temat e tolerancës fetare dhe lirisë së mendimit e shprehjes, që u bënë aq qendrore në javët pas atentateve ndaj redaksisë së “Charlie Hebdo”. Autorja iraniane prej vitesh nuk kthehet më në vendlindje, pasi rreziku i një burgosjeje apo përndjekjeje është shumë i pranishëm.

Kushdo që lexon romanin grafik, të thjeshtë dhe evokues të Marjane Satrapit, “Persepolis”, e ndjen sëmbimin në faqen e fundit. Ajo vendos ta mbyllë me një imazh të heroinës 14-vjeçare, Marjana e animuar, me duart e shtypura në xhamin e aeroportit ndërsa i ati mban mamanë që i ka rënë të fikët. Marjana dërgohet nga prindërit në Vjenë për t’u arsimuar dhe të kalojë vitet më të mira, adoleshencën, e lirë nga regjimi totalitar.

Persepolis së pari rrëfen nga këndvështrimi i një vajze të re në një botë të vështirë rreth saj, ndërsa libri i saj i dytë përballet me rininë e një gruaje të re që kërkon të kuptojë veten.

“Bota përreth meje ndryshoi. Nisi lufta, pas pak kohësh u bë krejt normale, situata e luftës, kjo është aftësia e qenies njerëzore, që gjithçka krejt papritur bëhet fare normale. Ndjenjat që evokoj në librin e dytë janë më shumë një problem kur shkon drejt një kulture të re dhe dëshiron të adaptosh veten, dhe dëshiron të integrohesh. Duhet të harrosh së pari kulturën tënde. E di sepse kultura zë të gjithë hapësirën brenda teje. Nëse do që një kulturë e re të vijë te ty, duhet të nxjerrësh jashtë të parën, dhe pastaj të zgjedhësh çfarë dëshiron nga të dyja dhe t’i përtypësh”, –është shprehur autorja, e cila prej vitesh jeton në Francë.

“Por është edhe momenti kur gjithçka të duket sikur i mungon identiteti. Nuk e di më se kush je. Do aq shumë të integrohesh, por ke një gjë të plotë brenda vetes. Është problem kur ikën dhe kthehesh se mbetesh një i huaj kudo. Unë jam një e huaj në Iran. Nuk e marr rrezikun të kthehem në vendin tim më, por është ndjesi e mirë të dish se nuk i përket asnjë vendi, por njëkohësisht është ndjesi e keqe. Nëse kam shkruar një libër, kur kam thënë se kam qenë e shqetësuar për situatën në Iran gjatë gjithë kohës, kjo do të ishte shumë e pavërtetë. Kushdo nga ne që ka lëvizur nga Irani dhe ka pasur shumë nga ne që kanë ikur kështu, pa prindërit, të gjithë kemi kaluar përmes kësaj dëshire për të qenë pjesë e një shoqërie të re, dhe që na duhej të braktisnim gjithçka dhe e lezetshmja është se të gjithë miqtë iranianë që kam tani, që janë larguar nga vendi 12, 13 apo 14 vjeç, jemi bërë ekstremisht iranianë pas gjithë këtyre viteve”.

Sipas Marjane Satrapit, ata që iu larguan Iranit të trazuar vite më parë, sot kanë të përzierë

fanatizmin e qeverisë së Iranit me kulturën e vendit. “Kur je i ri, është shumë e vështirë që gjatë gjithë kohës të justifikosh veten për shkak të kombësisë. Një pyetje e thjeshtë që për këdo tjetër është një përgjigje me një fjali, për një iranian, është një sqarim njëorësh. Jam iranian, por jam iranian…. Kur je i ri e urren përgjigjen e kësaj pyetjeje, por sot them thjesht ‘jam iraniane’ dhe ata më pyesin ‘je iraniane?’…Dhe unë them: ‘Po, është fakt, jam iraniane. Kam lindur atje. Kam flokë të zinj. Jam një person iranian, çfarë mund të bëj?’…Qëkur kam shkruar librin askush nuk mund të më thotë ‘na jep ndonjë shpjegim’. Shpjegimi im është: Lexo librin dhe do të shohësh. Ky libër më ka lejuar të mos flas aq shumë më. Njerëzit e kanë lexuar librin dhe kanë parë situatën time”.

Në librin e saj të dytë, ajo largohet drejt Francës për të kërkuar lirinë, të cilën shprehet se e ka gjetur.

“Problemi kryesor i një vendi si i imi, përtej regjimit, përtej qeverisë, është kultura patriarkale që udhëheq vendin. Kjo është më e keqja. Kjo është pse qeveria qëndron akoma aty. Çfarëdo që prek, i jep interpretim. Kur prek psikologjinë, thotë se një grua është më e ndjeshme se një burrë; kur prek mjekësinë, thotë se truri ynë peshon më pak se ai i një burri. Kur prek çfarëdolloj gjëje, i jep interpretimin e vet dhe interpretimi shkon drejt politikës, drejt fesë, drejt gjithçkaje. Kjo është situata. Feministet zemërohen vetëm kur u them se nuk jam feministe. Jam humaniste. Besoj te qeniet njerëzore. Pas asaj çka kam parë në botë, nuk mendoj se gratë janë më të mira se burrat. Shihni se ç’kanë bërë ushtaret gra në Irak, nuk është diçka më e mirë sesa burrat.

Margaret Thatcher ishte një grua, shihni çfarë i bëri Britanisë së Madhe, apo Madeleine Albright…Kështu që gratë nuk janë më të mira se burrat”, – është e mendimit Satrapi.

Me gjithë zymtësinë, Satrapi nuk bie kurrë pre e sensacionalizmit apo sentimentalizmit. Duke paraqitur mjeshtërisht pikëpamjen e një fëmije mbi luftën dhe idealet që ndryshojnë, ajo tregon edhe jetën e përditshme në Teheran, krenarinë e familjes së saj dhe dashurinë për vendin e tyre, paçka kohërave të trazuara. Fuqimisht i thjeshtë, kjo vepër u bashkohet

autobiografive të tjera, që e përdorin grafikën për ta bërë të pamendueshmen, të zakonshme.

Arti i Satrapit është minimal, por njëherazi sharmant dhe plot humor ndërsa përshkruan çmendurinë rreth saj.

“Persepolis” paraqet një portret të paharrueshëm të përditshmërisë dhe kontrasteve trullosëse midis jetës publike dhe private në Iran. Sytë fëmijërorë të autores bëhen dëshmitarë të perandorëve të rrëzuar, të fshikullimeve të sanksionuara nga shteti dhe të luftëtarëve martirë. Autorja-personazh arratiset dhe rikthehet përsëri në një tentativë të pashterur për të pohuar

individualitetin e saj kundrejt absurditetit konformues. Imtësisht personal, thellësisht politik dhe tërësisht origjinal, “Persepolis” është njëkohësisht historia e një rebelimi dhe një kujtesë e kostos së luftës dhe represionit politik. Na tregon se si mund të mbijetojmë, duke qeshur e duke qarë

përballë absurditetit. Kjo autobiografi mbresëlënëse ilustron falimentimin moral të dogmës politike dhe të ekstremizmit fetar duke treguar, jo vetëm se si këto vënë nën zgjedhë dhe vrasin, por edhe se si përqeshen nga rebelimet individuale të shpirtit dhe intelektit. Gjithashtu na prezanton edhe një vajzë të vogël, pas së cilës dashurohen të gjithë. Përzierja e historikes me personalen nuk është asnjëherë një detyrë e thjeshtë, përzierja e individuales me universalen është edhe më e vështirë. Ky roman grafik është një kujtesë e shpirtit njerëzor që lufton kundër nëpërkëmbjes dhe vdekjes, është një dëshmitar i diçkaje të vërtetë dhe jetëgjatë që ndikon më shumë sesa qindra transmetime lajmesh.

Për ata që duan të kuptojnë diçka më shumë nga historia e Lindjes së Mesme, për ata që duan të kuptojnë nga vjen fundamentalizmi dhe natyrisht, për të gjithë ata që duan të lexojnë një histori mbresëlënëse, nga e cila mund të mësohet shumë.

Regjimi e kishte kuptuar se dikush që dilte nga shtëpia duke pyetur veten:

I kam pantallonat mjaft të gjata?

E kam vënë mirë shaminë?

A bie në sy grimi im?

A do të më kamxhikojnë?

S’pyeste më:

Ku është liria e mendimit?

Ku është liria e fjalës?

A jetohet kështu?

Ç’ndodh me të burgosurit politikë?

Mbi autoren

Marjane Satrapi ka lindur në Rasht, Iran. Ajo tashmë jeton në Paris, ku edhe shkruan për revista dhe gazeta në të gjithë botën, duke përfshirë këtu edhe The New Yorker dhe The New York Times. Ajo është edhe autorja e Embroideries (Dantellat), Chicken with Plums (Pulë me kumbulla) si dhe e shumë librave për fëmijë. Satrapi mori famë botërore falë romanit grafik “Persepolis”. Ajo fitoi çmimin e veprës më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Grafikës në

Angoulême në 2004 për “Dantellat”. Në 2006, Sony Pictures Classics e transformoi romanin e saj “Persepolis”. /Mapo/

Më Shumë

Moti sot: Me rrebeshe shiu dhe shkarkime rrufesh

Të enjten mbi Kosovë parashihet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell.   Sipas Meteo Kosova, gjatë orëve të para...

Moti sot: Shi dhe reshje bore

Në Kosovë parashihet që sot të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu të intensitetit mesatar deri të lartë, ndërsa në viset...

Lajmet e Fundit