10.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Liria e ka seriozisht rikthimin në Superligë, Xhengis Rexhepi beson fuqishëm në ekipin e tij

Skuadra e Lirisës së Prizrenit, është njëra prej klubeve më të vjetra dhe më me traditë në futbollin e Kosovës.

Viteve të fundit ky klub e ka humbur shkëlqimin që kishte dikur, për faktin se asnjëherë nuk arriti të stabilizohet në elitën e futbollit dhe prej vitesh bën gara në Ligën e parë, transmeton Telenews.al.

Vitin e kaluar drejtimin e klubit e morën disa investitorë seriozë dhe e riorganizuan atë, madje arritën deri në gjysmëfinale të barazhit për rikthim në Superligë nga Vushtrria pas penalltive 5-3 e kjo nuk i ndali prizrenasit që edhe sivjet të tentojnë fuqishëm rikthimin aty ku e kanë vendin.

Sivjet klubi ka emëruar në krye të grupit të lojtarëve një emër të dëshmuar si Xhengis Rexhepi, shqiptar nga Maqedonia e Veriut i cili është prej vitesh e ushtron rolin e trajnerit, madje ka asistuar edhe te Kombëtarja Maqedonase e futbollit.

Rexhepi në një intervistë për Telenews.al, ka folur për klubin që drejton me ç’rast tregoi shumë gjëra interesante në lidhje me skuadrën që po e udhëheq.

40 vjeçari në fillim tregoi se sa ishte e lehtë të pranojë postin e trajnerit të Lirisë edhe pse kishte dy oferta nga dy klube që garojnë në liga superiore.

Njëherit për mua është nder dhe privelegji të drejtojë njërën nga skuadrat më të mëdhaja në Kosovë. Kur më ka kontaktuar pronari i klubit z.Rahman Kiçe isha me dy skuadra tjera në bisedime, por i dhash përparësi klubit të Lirisë edhe pse dy skuadrat tjera ishin në liga superiore. Vendimi im është i qëlluar, ndodhem në një klub shumë të mirë, punoj me njerëz prefesional që kanë vizion të futbollit. Gjithë gjërat për momentin janë superiore, me pagesat e futbollistëve kushtet e ofruara për punë janë në nivel të lartë. Falenderoj pronarin e klubit z.Rahman Kiçe, kryetarin z.Qemal Krasniqi , drejtorin sportiv z.Enis Gashi dhe gjithë drejtuesit e klubit për mundësinë e dhënë, respektin e truguar dhe mbështetjen e dhënë në çdo moment”.

Në 4 xhirot e fundit një super-seri e prizrenasve me 3 fitore e 1 barazim, por Rexhepi nuk është i kënaqur dhe beson se kjo ecuri ka mundur të jetë edhe më pozitive, por beson që gradualisht ekipi do të rritet edhe më shumë.

Unë ju kërkoj falje gjithë simpatizuesve të Lirisë për 4 xhirot e para për rezulltatet e dobëta, por loja jonë ka qenë shpresëdhënëse se do vinë rezulltatet, ashtu siç erdhën. Patëm kritika të shumta, por ja që tash jemi veç 3 pikë larg kreut të tabelës. Në 4 xhirot e fundit kemi arritur të fitojmë 10 pikë, në 3 ndeshje kemi qenë në nivel shumë të mirë vetëm në ndeshjen e fundit ndaj Feronikelit, disa futbollistë nuk ishin në nivelin e duhur, aty edhe unë si trajner mund të kem lëshime, por 1 pikë e fituar për ne si skuadër ishte e mirëseardhur. Shpresoj dhe besoj se kjo seri e rezultateve pozitive do të vazhdojë për shkak se jemi përmirësuar dhe përvetësuar në çdo aspekt”, beson ai.

Trajneri tetovar ka folur edhe për merkaton dimërore të Lirisë, duke zbuluar se që në fillim ju ka bërë me dije drejtuesve të klubit se nuk ka kualitet në grupin e lojtarëve për ti thënë vetes që janë pretendent kryesor për rikthim në Superligë, por beson se me punë dhe angazhim kjo do të arrihet. Ai ka edhe një paralajmërim për futbollistët e tij.

Për momentin, fokusi ynë është të mbledhim sa ma tepër pikë të mundshme deri në gjysmësezon, unë pas xhiros së parë e kam thënë që Liria nuk ka kualitet për ti thënë vetes që është pretendenti kryesor për Superligë, por ne jemi munduar me shumë punë, angazhim dhe me lojën e treguar të vimë në shprehje. Nëse ne si klub dhe skuadër në gjysëm-sezon jemi në krye apo afër kreut të tabelës, atëherë normal që Liria çdo herë lufton për më të mirën e mundëshme. Asnjë futbollist nuk e ka vendin e sigurt për të ardhmen, të gjithë duhet ta tregojnë veten këo 6 xhiro, por një gjë është e sigurt se merkato e dimrit do jetë shumë e ndryshme nga ajo e verës”.

Viteve të fundit, rivaliteti edhe në Ligën e parë të futbollit kosovar është rritur maksimalisht, andaj Rexhepi thotë se kujdesi dhe mos-nënçmimi do të jenë maksimalisht për të gjitha ekipet dhe do ti çasen çdo ndeshje seriozisht, por nuk dha emra se kë e sheh ekip favorit.

Për gjitha ekipet kam respekt maksimal, nuk do jetë aspak e lehtë të gjitha skuadrat janë shumë afër me kualitet, por unë i frikësohem vetëm ekipit tim, gjithçka varet ne si i çasemi ndeshjes, çfarë performanca tregojmë, sa pikë do të mbledhim deri në gjysëmsezon, cfarë transferime do bëjmë, me një fjalë ne si klub dhe skuadër duhet vetë të vendosim për fatin tonë e jo ekipet tjera”, shprehet trajneri ambicioz.

Për fund, trajneri Rexhepi tha se nuk i pëlqen të flasë dhe të premtojë, por ajo çfarë garanton është se skuadra do të luftojë shumë, por pati mesazh të fuqishëm edhe për gjithë qytetin e Prizrenit.

Nuk më pëlqen të premtojë fjalë të mëdhaja, mundohem të punoj të nxjerrë maksimumin e mundshëm nga gjithë skuadra për rezultate sa ma të larta dhe ajo çfarë mund të garantojmë ne si ekip, është se do të japim maksimumin në çdo ndeshje. Për momentin dua një mesazh t’ua jap për gjithë qytetarëve të Prizrenit, simpatizuesit e Lirisë, tifo-grupit Arpagjikt, ish futbollistëve dhe legjendave të Lirisë, për gjithë trajnerët prizrenas. kërkoj përkrahje maksimale për klubin se klubi është i qytetit të gjithë në njëfarë mënyre kanë kontribuar për ngjyrat bardh e zi, andaj të jemi të bashkuar drejt sukseseve”, mbylli intervistën Xhengis Rexhepi.

Momentalisht, Liria gjendet në pozitën e 6-të në renditje të Ligës së parë, por me vetëm -3 pikë nga vendi i parë që e mban Feronikeli 74 me të cilin ekip, Liria në xhiron e fundit në udhëtim luajti baraz 2-2 e duelin e radhës e zhvillon derbin lokal ndaj A&N në vikend./Telenews.al

Më Shumë

Lajmet e Fundit