8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Mbrojtësi i të akuzuarit për vrasje të një borxhi prej 20 euro: Marrja e provave është bërë në mënyrë jo të rregullt ligjore

Të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur shqyrtimi i dytë ndaj Sylejman Ahmetit, i dyshuar për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Në këtë seancë, mbrojtësi  të akuzuarit Sylejman Ahmeti, avokati Nazmi Mustafi, deklaroi se marrja e provave nga policia dhe prokuroria është bërë në mënyrë jo të rregullt ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, avokati Mustafi deklaroi se kualifikimi juridik i veprës penale është bërë gabim, sepse sipas tij nuk kemi të bëjmë me veprën penale të vrasjes së rëndë, mirëpo vetëm me veprën penale të vrasjes, sepse vrasja është kryer si pasojë e tronditjes së fortë mendore apo aftësisë së zvogëluar mendorë të të akuzuarit në momentin e kryerjes së veprës penale.

Edhe i akuzuari Sylejman Ahmeti, deklaroi se e  mbështet në tërësi fjalën e mbrojtësit e tij.

Prokurori Metush Biraj, deklaroi se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes për kundërshtimin e provave, sepse ato prova janë grumbulluar në mënyrë të ligjshme dhe aq më pak qëndrojnë pretendimet e mbrojtësit që i akuzuari nuk ka kryer veprën penale me të cilën është akuzuar.

Andaj, prokuroi Biraj i propozoi trupit gjykues që këto pretendime të mbrojtjes të mos merren parasysh dhe të vazhdohet me shqyrtimin kryesor.

Ndërsa përfaqësuesi i palës së dëmtuaar, avokati Miftar Qelaj, deklaroi se mbështet në tërësi deklarimin e prokurorit Biraj dhe shton se asnjëra nga pretendimet të cilat i ka paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit nuk qëndrojnë, sepse të gjitha provat janë siguruar në mënyrë të ligjshme.

Sipas avokatit Qelaj, qëllimi i këtu të akuzuarit është shmangia nga përgjegjësia penale, mirëpo nga provat e administruara do të vërtetohet fajësia e  të akuzuarit.

Edhe e dëmtuara Kumrije Krasniqi, që është bashkëshortja e të ndjerit, deklaroi se e mbështet në tërësi fjalën e prokurorit dhe avokatit Qelaj.

Në fund kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha, njoftoi palët së në lidhje me kundërshtimet e mbrojtjes do të vendosë me një vendim të veçantë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, Sylejman Ahmeti akuzohet se ka privuar nga jeta tani të ndjerin Shaip Krasniqi, në atë mënyrë që më 26 janar 2020, rreth orës 21:45 minuta, në kafiterinë “Toni”  në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës, pronë e Liman Aliut, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 euro, që ia kishte tani i ndjeri Shaip Krasniqi vëllait të tij, fillimisht i thotë: “a e din kënd e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”, dhe pasi Limani e largon nga lokali tani të ndjerin, atëherë i akuzuari pasi është ulur dhe ka qëndruar një kohë të shkurtër në tavolinën tjetër brenda në lokal, deri sa tani i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje nga pronari i lokalit për gjestin e bërë, me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari shkon te kamioneta e tij e markës “VW”, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “AK-47”,  kalibri 7.62 mm, dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu, i cili përpiqet ta pengoj të akuzuarin, Agron Krasniqit dhe mysafirëve tjerë që kishin dal jashtë lokalit, e në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit Shaip, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, i cili rrezohet në tokë, e pastaj deri sa ishte i rrëzuar e godet edhe disa herë duke i thënë: “qu ti q**** shtatëmijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, ku i shkakton tetë plagë në regjionin e kokës, kraharorit, abdomenit si dhe në krahun dhe kofshën e djathtë, të cilat dëmtime kanë qenë të shoqëruara me thyerje në kokë, shtyllë kurrizore, brinjë, kockat e krahut dhe kofshës së djathtë, dëmtime të rënda të organeve vitale, trurit, mushkërisë së djathtë, mëlçisë, dhe veshkës së djathtë, të përcjella me gjakderdhje masive në kokë, kraharor dhe abdomen, të cilat edhe kanë qenë aty për aty vdekjeprurëse.

Me këto veprime, Sylejman Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të KPRK-së.

Kurse sipas dispozitivit të dytë, në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar sikur në dispozitivin e parë, nga data e pavërtetuar, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm, i akuzuari ka poseduar armën gjysmë automatikë të tipit “AK-47”.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Kalon në Komisionin për Arsim Projektligji për Provimin e Maturës, Nagavci: Evidentohet mundësia për të kopjuar

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se nxënësit të së njëjtës klasë do të shpërndahen në Provimin e Maturës,...

Vjedhja e veturës në fshatin Damjan të Hasit: I mituri arrestohet pas aksidentit në Prizren

Një veturë është vjedhur mbrëmë në fshatin Damjan të Hasit tw Gjakovës. Pronari ka deklaruar se vetura ka qenë e parkuar në oborrin e shtëpisë. Ajo...

Lajmet e Fundit