11.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Mjerimi i arsimit të lartë e ka burimin te politika e lartë

Nga Milazim Krasniqi

Si shkas debati publik për projektligjin për Ligjin e Arsimit të Lartë

Ligji për Arsimin e Lartë duhet të synojë të vendosë rregull jo vetëm për institucionet private të arsimit të lartë por, veçmas dhe me përparësi, në procesin kaotik dhe ende të pambyllur të ngritjes së universiteteve të reja publike anekënd Kosovës, të cilët e kanë degraduar keq nivelin e arsimit të lartë.

Debati publik për projektligjin për arsimin e lartë në Republikën e Kosovës po vjen pak pas mbajtjes të Forumit të Katërt të Procesit të Bolonjës në Jerevan të Armenisë, ku u skicuan orientimet strategjike për të ardhmen e arsimit të lartë në hapësirën unike të arsimit evropian. Ndër qëllimet e skicuara në atë forum janë: fuqizimi i cilësisë së mësimit dhe mësimdhënies, duke i përafruar me teknologjitë digjitale, harmonizimi i politikave me tregun e punës dhe rritja e mundësisë së punësimit të të rinjve të diplomuar. Deri në forumin e radhës, i cili pritet të mbahet në vitin 2018 në Francë, pritet të ketë fokusim të plotë të dyzet e tetë anëtarëve të Procesit të Bolonjës (Bjellorusia u pranua si anëtare e re në këtë forum) për realizimin e këtyre synimeve. Fatkeqësisht, Kosova nuk është anëtare e Procesit të Bolonjës, prandaj as që ka pasur ndonjë informacion nga Jerevani dhe as që ndihet fare jehona e atij forumi. Fatkeqësisht, në këtë vend nuk ndihet as fryma e Procesit të Bolonjës, edhe pse ai proces ka pesëmbëdhjetë vjet që funksionon në kontinentin tonë. Proklamimi në mënyrë të njëanshme, se jemi pjesë e Procesit të Bolonjës, nuk ka ndikuar fare në përmirësimin e gjendjes në arsimin e lartë në vendin tonë.

Steka që rrëzon secilin subjekt

Fryma e Procesit të Bolonjës nuk ndihet realisht as në projektligjin e arsimit të lartë, i cili tashmë është në debat publik dhe që pas këtij debati pritet të futet në procedura të miratimit në qeveri e kuvend. Në fakt, ligji i vjetër, i propozuar që të bëhet i ri me disa modifikime me frymë etatiste, më shumë lë mbresën se synon ta rrisë kontrollin e ministrisë mbi universitetet, veçmas mbi institucionet private të arsimit të lartë, sesa të ofrojë një hapësirë të mirëfilltë ligjore për zhvillimin intensiv të arsimit të lartë në këtë vend. Tendenca për rritjen e kontrollit të ministrisë mbi arsimin e lartë vërehet që në nenin 6, pika 1.2, ku është propozuar që ministria ta japë pëlqimin për statuset e universiteteve publike, ndërsa t’i miratojë statutet e institucioneve private të arsimit të lartë. Futja e institucioneve private të arsimit të lartë nën kontrollin e plotë të Ministrisë së Arsimit realisht është në kundërshtim me krijimin e frymës së konkurrencës së lirë, sepse mundësia e kontrollit mbi to është më e madhe sesa mbi ato publike, statutet e të cilave i miraton Kuvendi i Kosovës. Lënia e institucioneve private të arsimit të lartë në vullnetin e Ministrisë së Arsimit mund të ketë implikime serioze për varësinë e tyre, ndërsa në realitet ato do të duhej të ishin më fleksibile dhe më të pavarura se sa ato publike. Lënia e mundësisë që institucionet private të arsimit të lartë të jenë edhe jofitimprurëse e edhe fitimprurëse, mund t’i krijojë administratës shtetërore hapësira të ndikimit e të kushtëzimeve ndaj këtyre themelatave. Realisht, ligji i ri do të duhej të krijonte ambient më të favorshëm për zhvillimin e arsimit të lartë privat, duke e lënë vetëm opsionin e të qenit të tyre jofitimprurëse, me çka nga skena e tashme kaotike do të shmangeshin aktorët profiterë, që thjesht marrin para duke shitur diploma, ndërsa hapësira do t’u zgjerohej atyre institucioneve private të arsimit të lartë, që duan të bëjnë investime të vërteta dhe afatgjata në këtë sektor. Meqë qeveria aktuale ka proklamuar program qeverisës të qendrës së djathtë, ajo do të duhej të reflektonte në stimulimin e sektorit privat të arsimit të lartë, qoftë edhe duke e përdorur pjesërisht modelin e Fridmanit, për dhënien e një grandi të caktuar studentëve që studiojnë në institucionet private të arsimit të lartë. Natyrisht, me kusht që ato të jenë jofitimprurëse. Por, me definimin e termit “universitet” (në nenin 10) praktikisht eliminohet mundësia që ndonjë institucion privat i arsimit të lartë të shndërrohet në universitet. Kushti është që themelata ta ketë sistemin treshkallësh të studimeve (bachelor, master dhe doktorale), të ketë së paku pesë njësi akademike, 15 programe bachelor, dhjetë master dhe pesë programe në studime doktorale dhe së paku njëqind e njëzet mësimdhënës me orar të plotë. Jo vetëm institucionet private të arsimit të lartë, por në fakt asnjë universitet aktual publik, përveç Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nuk i ka këto kapacitete mësimdhënësish. Prandaj, shtrohet pyetja: ligji që po ndryshohet, a synon ta inkurajojë zhvillimin e themelatave ekzistuese, private e publike, apo vetëm po e vendos një stekë që nuk mund të arrihet prej asnjërit subjekt dhe ashtu do t’i detyrojë në paligjshmëri të mëtejshme, duke i detyruar të mbeten në përqafim të politikës, si deri tash e duket edhe më shumë.

Provincializimi i arsimit të lartë publik si kartë politike

Në fakt, ligji që po ndryshohet do të duhej të ndryshohej efektivisht në ato pika ku janë hetuar gabime, që e kanë degraduar arsimin e lartë si mos më keq. Pa evitimin e atyre gabimeve ligji do të mbetet me këmbë në ajër dhe nuk do të ketë as efekte korrigjuese e as efekte motivuese për konsolidim e zhvillim. Në këtë kontekst, Ligji për Arsimin e Lartë duhet të synojë të vendosë rregull jo vetëm për institucionet private të arsimit të lartë por, veçmas dhe me përparësi, në procesin kaotik dhe ende të pambyllur të ngritjes së universiteteve të reja publike anekënd Kosovës, të cilët kanë degraduar keq nivelin e arsimit të lartë. Ligji i ri duhet të krijojë mekanizma ligjorë për zgjidhjen e problemeve që shkaktojnë universitetet e reja publike, të cilat realisht nuk i plotësojnë aspak standardet e të qenit universitete. Ngritja e disa universiteteve të reja publike në shumë qytete të Kosovës (Prizren, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë) është bërë pa pasur asnjë analizë, pa bazë të nevojshme kadrovike e financiare. Dëmi që do të shkaktojnë këto universitete fiktive në aftësimin profesional dhe shkencor të gjeneratave të reja do të shihet në vitet që vijnë, kur të diplomuarit e tyre mund të mos jenë konkurrues në tregun e punës, gjë që do të ndodhë kur shteti nuk do të jetë punëdhënësi kryesor në vend. Sot ka universitet publik në një qytet të vendit tonë, i cili, “pas pavarësimit nga UP-ja”, i ka vetëm katër mësimdhënës në marrëdhënie të rregullt pune! Si mund ta organizojë një themelatë e tillë sistemin treshkallësh të studimeve?! Prandaj, statusi i këtyre universiteteve duhet të rishikohet dhe ndryshimi i Ligjit të Arsimit të Lartë është një rast i mirë për t’i bërë korrigjimet e duhura. Ligji do të duhej ta parashikonte mundësinë që universitetet publike që nuk i plotësojnë kushtet për të qenë universitete, të rikthehen si pjesë përbërëse të UP-së. Ndërsa Universiteti i Prishtinës, pas një studimi të gjithanshëm të strukturës dhe kapaciteteve të tij, (me punktet e reja të inkorporuara e të rehabilituara brenda tij), do të duhej të riogranizohej në katër ose pesë universitete. Vetëm me këtë model, të qendërzimit të universiteteve publike, mund të sigurohet minimumi i standardeve akademike, sepse provincializmi i arsimit të lartë publik është dëmtues serioz i cilësisë dhe, thjesht, nuk është konkurrent.

Puna kërkimore – e panevojshme?!

Projektligji që është ofruar në debat publik, me aq sa unë kuptoj, nuk ofron kurrfarë zgjidhjeje për financimin e punës kërkimore në universitete. Bile neni 2, pika 1.9, duket edhe cinike, kur parasheh që “puna akademike, hulumtuese dhe shkencore në institucionet e arsimit të lartë do të bazohet në respektim të plotë të parimeve dhe standardeve ndërkombëtare të etikës”. Rendi do ta donte që të bazohej edhe në standardet dhe mënyrat ndërkombëtare të financimit të punës akademike dhe shkencore, e jo vetëm tek etika. Etika nuk është fare problem, por problem është mungesa thuajse e plotë e financimit të punës kërkimore në universitetet tona. Shumica absolute e mësimdhënësve që merren me punë shkencore, gjithë punët hulumtuese që i bëjnë, i përballojnë me fondet e veta, ose me ndonjë ndihmë modeste të ndonjë fondacioni. “Standardet ndërkombëtare të etikes” nuk i kanë problem, por e kanë mungesën e financimeve adekuate, sepse universitetet tona publike nuk ofrojnë financime për punën shkencore. Universitetet tona publike nuk kanë fonde as për veprimtari mirëfilli botuese. Nuk kanë fonde as për botimin e revistave mirëfilli kërkimore. Sot për sot, e tërë puna është reduktuar në mësimdhënie. Ndërsa kjo është në kundërshtim me frymën e Procesit të Bolonjës dhe me vite drite larg objektivave të rinj të proklamuar të forumit në Jerevan. Për të qenë ironia edhe më e madhe, pikërisht projektligji i ri për arsimin e lartë e ngre edhe më lart stekën për thirrjet akademike, duke kërkuar qiqra në hell, me revista ndërkombëtare, me impakt faktor e dokrra të tilla. Kësisoj, ligji i ri, nëse miratohet me këto “standarde”, krejt jashtë realitetit ku jetojmë, ka rrezik të marrë edhe një konotacion të ri, të shndërrohet në një lloj kryqëzate kundër profesoratit në arsimin e lartë! Disponimi medial dhe publik është përgatitur kaherë për këtë lloj kryqëzate. Edhe kjo e ka shpjegimin e vet: në pamundësi që t’i disiplinojë pjesëtarët e vet, që janë infiltruar në universitete publike e kolegje private dhe kanë marrë grada të pamerituara, politika tash ka krijuar klimën që t’i shpërlajë duart si Pontie Pilati, duke sakrifikuar ata që nuk kanë fuqi dhe as përkrahje politike. Meqë të favorizuarit e politikës janë rehatuar e avancuar kaherë, tash ligji i ri duhet të “vendosë rend” duke dëmtuar të pakrahët. Realisht, ligji i ri u shpall luftë të padëgjueshmëve dhe kundërshtarëve të tarafeve që sundojnë në universitete publike, por nën diktatin e politikës së lartë. Pikërisht në vijim të kësaj mendësie, ligji i ri i jep kompetenca të reja edhe më të mëdha rektorit, që të sundojë e jo ta menaxhojë universitetin. Pas përvojave të hidhura me zgjedhjen e të preferuarve të politikës së lartë në pozita të rektorëve tërë këtë kohë dhe gjithandej vendit, ka ardhur koha që rektori në çdo universitet publik të zgjidhet me votim direkt të profesorateve të universiteteve respektive. Kjo do të mundësonte garë të ndershme dhe do të sillte drejtues që e kanë besimin e shumicës së profesoratit. Por, projektligji i ri e përjashton këtë mundësi. Projektligji në fakt synon ta forcojë kontrollin e shtetit mbi arsimin e lartë, që nga financimet e deri te zgjedhja e organeve qeverisëse e menaxhuese dhe krijon favore për palë e partnerë të caktuar.
Përfundimisht, korreksionet as që janë të mjaftueshme në këtë ligj. Ligji për Arsimin e Lartë do të duhej të shkruhej nga e para, duke u nisur nga gjendja e mjerueshme e arsimit të lartë në vendin tonë dhe më tutje duke e gjetur vendin që duhet të ketë arsimi i lartë për zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe demokratik dhe duke e nxitur konkurrencën reale ndërmjet arsimit publik e privat, e jo duke i diskriminuar të dytë njësoj, por me mjete të ndryshme, të parin me mjete “akademike”, ndërsa të dytin me mjete “administrative”. Përfundimisht, edhe ky projektligj po dëshmon se mjerimi kronik i arsimit të lartë e ka burimin te ambicia e pafrenuar klienteliste e politikës së lartë.

Më Shumë

Osmani: Më 24 mars të ’99-ës aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar aleancën veri-atlantike, NATO-n dhe ushtarët e saj për kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për Kosovën. Sot në...

Gjendet në humnerë personi që u raportua si i zhdukur në Prevallë

Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjetur burri nga Ferizaj, i cili ishte raportuar si i zhdukur dje. Policia ka bërë me dije se...

Lajmet e Fundit