11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Ndikimi i Trumpit mbi republikanët vë në sprovë gjykimin e tij në Senat

Përkundër mbështetjes së fillimit, demokratët tani po konfrontohen me një sërë argumentesh ligjore të ngritura nga republikanët lidhur me legjitimitetin e gjykimit dhe me vënien në pikëpyetje të çështjes nëse kërkesat e vazhdueshme të Trumpit për ta përmbysur fitoren zgjedhore të Joe Bidenin përkojnë përnjëmend me nxitje

Washington, 25 janar (AP) – Rasti i impiçmentit kundër Donald Trumpit po avancon drejt gjykimit historik në Senat, mirëpo senatorët republikanë tani po e zbusin gjuhën e tyre të kritikës ndaj ish-presidentit dhe po u shmangen thirrjeve për dënim, shkaku i protestës së përgjakshme para ndërtesës së Capitolit.

Është kjo një shenjë e hershme e ndikimit të tij të qëndrueshëm mbi partinë.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve po përgatiten që ta dërgojnë padinë e vetme të impiçmentit lidhur me “nxitjen e kryengritjes” përreth Capitolit në orët e vona të së hënës (orët e para të së martës, sipas kohës sonë). Por denoncimet e ashpra të republikane ndaj Trumpit janë ftohur që prej ngjarjeve të 6 janarit.

Tani demokratët po konfrontohen me një sërë argumentesh ligjore të ngritura nga republikanët lidhur me legjitimitetin e gjykimit dhe me vënien në pikëpyetje të çështjes nëse kërkesat e vazhdueshme të Trumpit për ta përmbysur fitoren zgjedhore të Joe Bidenin përkojnë përnjëmend me nxitje.

Ato që për demokratët konsiderohen rast i qartë i nxitjes së turmës prej anës së Trumpit për të “marshuar si të çmendur” në mbrojtje të presidencës së tij, tani po përballen me pengesën e republikanëve që përnjëherë kanë ndryshuar qëndrim. Senatorët jo vetëm se kanë shqetësime ligjore, por janë edhe të kujdesshëm që të mos “shkelin mbi” ish-shefin e Shtëpisë së Bardhë dhe ithtarët besnikë të tij, që përkthehen në vota.

“Mendoj se gjykimi është budallallëk, mendoj se është kundërproduktiv”, ka thënë të hënën senatori republikan Marco Rubio. Ai ka thënë se “në rastin e parë që do t’i jepet për ta votuar përfundimin e këtij gjykimi, do ta bëjë” shkaku se beson se do të ishte i dëmshëm për vendin dhe do të nxiste ndasi të mëtutjeshme partiake.

Argumentimet në gjykimin e Senatit do të fillojnë në javën e 8 janarit dhe rasti kundër Trumpit, i pari ish-president që do të përballet me gjykim të impiçmentit, do ta vërë në sprovë një parti politike që ende po mundohet të këndellet nga epoka e pas Trumpit. Senatorët republikanë janë duke i peshuar kërkesat nga donatorët me xhepa të thellë, të cilët janë duke u distancuar prej Trumpit dhe votuesit që kërkojnë besnikëri ndaj tij.

Si një republikan, senatori Rob Portman nga Ohio ka bërë të ditur të hënën se nuk do të kërkojë rizgjedhje për vitin 2022, duke përmendur mjedisin e polarizuar politike.

Për demokratët, toni, rrjedha dhe kohëzgjatja e gjykimit në pritje, që do të mbahen në fazë të hershme të presidencës Biden, përbën një sfidë tjetër brendapartiake që i vë ata karshi balancimit midis zotimit të tyre për ta mbajtur Trumpin përgjegjës dhe padurimit të tyre për t’i caktuar prioritetet e administratës së re pas kontrollit të siguruar në Dhomë, Senat dhe në Shtëpinë e Bardhë.

Të hënën është mësuar gjithashtu se kryeprokurori, John Roberts, nuk do ta kryesojë gjykimin, siç kishte bërë gjatë impiçmentit të parë të Trumpit. Në vend të tij, senatori Patrick Leahy, i cili shërben në rolin kryesisht ceremonial të kryetarit të përkohshëm të Senatit, do të jetë kryesuesi i rastit.

Liderë të dy partive janë pajtuar për shtyrjen e shkurtër të procesit, në shërbim të interesave të tyre politike dhe praktike, ani pse trupat e Gardës Kombëtare vazhdojnë të jenë të stacionuara përreth Capitolit për shkak të kërcënimeve ndaj sigurisë së ligjvënësve para gjykimit.

Data e fillimit i ofron kohë të mjaftueshme ekipit të ri ligjor të Trumpit për t’u përgatitur për rastin, duke siguruar një distancë më se njëmujore prej trazimeve të përgjakshme në Capitol.

Për Senatin e drejtuar nga demokratët, koha në dispozicion ofron mundësi për konfirmimin e disa prej të nominuarve kyç të kabinetit.

Kundërshtimi në rritje i republikanëve për procesin lë të kuptohet se senatorët bashkëpartiakë të Trumpit do të votojnë sipas të gjitha gjasave për shfajësimin e tij. Demokratëve do t’u nevojitej mbështetja e 17 republikanëve – një prag ky i lartë – për ta dënuar atë.

Shefi i shumicës demokrate në Senatin, Chuck Schummer, ka premtuar të premten gjykim të shpejtë dhe të drejtë për impiçmentin e Trumpit.

Me nisjen e këtij procesi, republikani do të ballafaqohet me gjykimin e dytë të impiçmentit, kësaj radhe për akuzën e nxitjes së kryengritjes vdekjeprurëse në Capitol, më 6 janar.

Fillimi zyrtar i procesit do të shënohet, atëherë kur kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pellosi, do t’ia dorëzojë zyrtarisht padinë Senatit. Mirëpo, do të duhen edhe dy javë kohë derisa Schummeri dhe lideri i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, të arrijnë një ujdi për çështjen.

Trumpi, i cili tashmë është larguar nga Shtëpia e Bardhë me përfundimin e mandatit, akuzohet për nxitjen e kryengritjes në kuadër të përpjekjes për ta përmbysur disfatën në zgjedhje. Në padi përmendet edhe presioni i tij ndaj sekretarit të shtetit në Geurgias për “t’i gjetur” vota të mjaftueshme në sprapsjen e rezultatit në këtë shtet.

Vitin e kaluar Trumpi e kishte mbijetuar impiçmentin e parë rreth ndihmës së kërkuar nga Ukraina për njollosjen e rivalit të atëhershëm zgjedhor, Joe Biden.

Më 13 janar, ai u bë zyrtari i parë federal që iu nënshtrua dy herë impiçmentit, kur Dhoma e Përfaqësuesve dhe 10 republikanë votuan për ta nxjerrë atë në gjykim para Senatit.

Në rast se dënohet në Senat, Trumpit mund t’i ndalohet e drejta për të kandiduar për zgjedhjet e ardhshme presidenciale më 2024.

Më Shumë

Zyrtare: Cannavaro, trajneri i ri i Udinese

Fabio Cannavaro është trajneri më i ri i skuadrës së Udinese. Klubi bardhezi ka kënaqësinë të mirëpresë kampionin e botës dhe fituesin e Toipt të...

“Fortnight”, kënga e re e Taylor Swift thyen rekord!

Kënga e re e Taylor Swift “Fortnight” po korr një sukses të jashtëzakonshëm. Spotify së fundmi njoftoi se kënga e 34-vjeçares “Fortnight”, me Post...

Lajmet e Fundit