16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Ndryshe nga qytetarët, ekonomistët thonë se është gabim tërheqja e parave nga Trusti

Kërkesa e partive opozitare që qytetarëve të Kosovës t’u ri-mundësohet tërheqja e një përqindje të caktuar të mjeteve të tyre vetanake nga Fondi Pensional i Kosovës – përkatësisht 30 për qind – nga njohësit e çështjeve ekonomike po cilësohet si një alternativë jo e duhur, marrë parasysh qëllimin e këtij Fondi.

Tërheqja e një tjetër përqindjeje të parave nga Fondi Pensional, si një hap për të lehtësuar sado pak barrën e krizës ekonomike, sipas ekonomistëve është qasje e gabueshëm dhe kundërproduktive.

Për Hulumtuesen në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Marigonë Drevinja, Fondi Pensional i Kosovës, nuk është fondi i mirëqenies sociale, përkundrazi ai shërben si mekanizëm për nxitjen e zhvillimit ekonomik përmes orientimit në investime strategjike.

“Në aspektin ekonomik sot nuk kemi krizë paraje që të kemi nevojë për një stimulim shtesë të keshit në treg. Përkundrazi kemi shumë para – gjë që shpërndarja më e barabartë e tyre lëngon. Futja e më shumë parave në treg nxit inflacionin, ndërkohë që ne na duhet ta ndalim dhe stabilizojmë atë”, ka thënë Drevinja për Albanian Post.

Tërheqja e kursimeve për Drevinjan nuk do të ndikonte fare në zbutjen e rëndesës sociale si pasojë e rritjes së çmimeve, përkundrazi do të mund t’ua shtrenjtonte edhe më shumë jetën atyre që edhe ashtu nuk do të kishin çfarë të tërhiqnin nga Trusti.

“Tërheqja e parë e 10%-shit nga Trusti është kekquptuar si masë sociale. Kursimet në Trust janë individuale. Shumat e kursyera varen nga niveli i pagës dhe vitet e kontributit në Trust. Pra llogaritë nuk janë të barabarta. Që do të nënkuptonte që as tërheqja të mos jetë e barabartë. Pra nga Trusti, sikur herën e parë, do të tërhiqnin shuma më të mëdha ata që tashmë i kanë të ardhurat më të mëdha”, ka shtuar ajo.

Marigonë Drevinja

Edhe për ekonomistin, Safet Gërxhaliu, tërheqja e kontributeve pensionale do të ketë ndikim negativ në aspektin social në vend, sepse do të varfërojë qytetarin.

“Kjo para e kursyer do të kanalizohet në import të produkteve nga vendet e rajonit edhe të Evropës dhe se kursimet e Trustit nuk do të mbeten si vlerë e shtuar në Kosovë”, ka thënë Gërxhaliu për AP.

Tërheqja e kontributeve sipas Gërxhaliut nuk duhet të konsiderohet gjithmonë si alternativë për të dalë ballë krizave socio-ekonomike që po e kaplojnë vendin.

“Është e vërtet që qytetari i Kosovës duhet të shijojë dorën e shtetit por, kam merakun që po krijohet një precedent që çdoherë kur ka ndonjë krizë apo ndonjë problem social të adresohemi te Trusti pensional dhe në këtë drejtim besoj që kur është tërhequr 10 përqindëshi ka qenë më e lehtë, sepse ka pasur garanca që ajo do të rimburësohet”, ka shtuar ai.

Safet Gërxhaliu

Në anën tjetër, ndryshe nga ekspertët e ekonomisë, qytetarët shprehen pro tërheqjes.

“Jo 30, por 100 për qind le të lejojnë”, ka thënë një qytetar për Albanian Post.

Një tjetër, po ashtu ka kërkuar lejimin e tërheqjes, duke thënë se “janë paratë e mija, jo të shtetit”.

Tërheqjen e përqindjes në Trust, ata e kanë parë si mundësia e vetme për të pranuar ndihmë nga shteti, sepse alternativa të tjera qeveria nuk po jep.

Partia Demokratike e Kosovës  – si partia më e madhe opozitare ka propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.

Deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së më 9 mars ka dorëzuar në Kuvend Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.

Sipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.

Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.

Bekim Haxhiu

Një tërheqje e ngjajshme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19.

Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues.

Tërheqja ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike

/Albanianpost.com

Më Shumë

Kurti pranon nga Nagavci raportin e teksteve të rishikuara për klasat 1-9

Kryeministri Albin Kurti e konsideron thelbësor rishikimin e teksteve shkollore për cilësinë e arsimit dhe edukimit në Kosovë. Këtë deklaratë ai e ka bërë...

Vdes në vendin e punës mërgimtari nga Malisheva

Nazmi Morina nga Lubizhda e Malishevës, ndërroi jetë një ditë më parë në vendin e tij të punës në Itali. Lajmi u bë i ditur...

Lajmet e Fundit