2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

A duhet pavarësinë ta festojmë apo kufirin ta korrigjojmë?!

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Taksa me maska: Kosova, si të vetmen masë mbrojtëse ndaj Serbisë fashiste, vendosi taksë prej 100 % për mallrat e Aleksandar Vuçiqit dhe Dodigut, çetnikut të Bosnjës. Realisht, masa ishte një përgjigje politike e Kosovës ndaj sabotimit që po ia bën Serbia në të gjitha dimensionet e që për këtë po e ka përkrahjen e mashtruesve të Brukselit, mafiozes politike Frederika Mogerini dhe rrenacakut bredhës, Johanes Han. Në Kosovë kundër taksës fuqishëm janë deklaruar dy individë me një të kaluar të lavdishme politike dhe kombëtare: presidenti Hashim Thaçi, që dikur u ka shërbyer shqiptarëve, Kosovës dhe Shqipërisë dhe Ramiz Kelmendi, që e ka një të kaluar krejtësisht të kundërt me atë të Thaçit, duke mos i shërbyer as shqiptarëve, as Kosovës, kurse për Shqipërinë nuk e besoj se ka dëgjuar më parë! Kadri Veseli, dhe sidomos Enver Hoxhaj, 100 % e morën atësinë dhe mëmësinë për taksën 100 % kurse tani, pasi janë ngritur temperaturat e që kanë ndikuar në shkrirjen e borës, kanë shumë mundësi ta bëjnë punën skllotë.

Kadria po kërkon pezullimin e taksës për 120 ditë, kurse Enveri nuk po dëgjohet fare, pasi në vend të taksës e ka vendosur maskën! Kryeministrit Haradinaj i kanë mbetur patatet e skuqura dhe përvëluese në duar dhe, përkundër vuajtjeve të Tantalit, ende po i mban! Tash është bërë ekip i tërë që po e kundërshton taksën 100 %, nga administrata Trump e deri te musteqoshi Bolton, në kokë të të cilit po betohen Aleksandar Vuçiqi, Ivica Daçiqi dhe Hashim Thaçi. Madje, dyshi kriminal nga Serbia, Vuçiq – Daçiq, po nguten të arrihet një marrëveshje gjatë sundimit të dyshes Trump – Bolton për faktin se duket të kenë siguruar mbështetje të favorshme për Serbinë e që është përcaktuese për mbijetesën politike të tyre për faktin se në Beograd dhe qytete të tjera të Serbisë, për muaj të tërë ka protesta kundër autokratit Vuçiq, siç po cilësohet nga protestuesit. Në Kosovë e kemi një situatë tjetër sa iu përket protestave, po mungon kapaciteti dhe kondicioni afatgjatë për organizimin e tyre! Lëvizja Vetëvendosje organizimin e protestave e ka ndërlidhur me procesin e shtatzënësisë duke organizuar protesta në çdo nëntë (9) muaj. Sunduesi i botës dhe gjithësisë, Amerika, së fundi, posaçërisht dueti Trump dhe Bolton, e kanë një dashuri të rafinuar për “Plazma Keksin” dhe ujin “Rosa”, prandaj kanë filluar t’i fusin sanksionet një shteti shumë të fuqishëm që po e rrezikon në politikat globale, ekonomike dhe politike.

Edhe ai shtet fillon me shkronjën K, por nuk është Kina, siç realisht edhe mund të pritet, por është Kosova, e lodhur fare për momentin dhe me pak gjasa të forcohet në një të ardhme të afërt. Duket se keksin e kanë parë në tavolinën e njërit prej këshilltarëve të presidentit Thaçi në takimet e fundit ku, sipas presidentit: “Të gjithë amerikanët flisnin me një zë apo se ishin alter ego e mendimeve të Thaçit dhe Vuçiqit…”. Kurse ujin “Rosa” e kanë parë mbi tavolinën e tajkunit Kelmendi, mendermethënë deputet, kur gjatë një deklarimi publik urbi et orbi, sikur Papë Françesku në sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, në emër të patriotizmit fliste se duhej të hiqej taksa 100 %, pikërisht në të njëjtat valë me bashkëpatriotin Hashim Thaçi, president apo pronarin real të Kosovës. Është interesant përputhshmëria e mendimeve, kërkesave si dhe motiveve për heqjen e taksës 100 % për mallrat nga Serbia dhe Bosnja të dysheve Vuçiq – Daçiq, Thaçi – Kelmendi, Mogerini – Han dhe Trump – Bolton. Pastaj, për heqjen e taksës janë disa deputetë dhe deputete, krenarë dhe krenare të PDK-së, e tërë Lista Srpska, me babën Putin, disa “biznesmenë” kosovarë apo ramiza të vegjël si dhe ata që në një mënyrë apo tjetër janë pjesë e kotillës politike të Hashimit apo përfitues të grazhdit që thuaja është e njëjta gjë.

Po pse e bëjnë këtë dhe cili është fati i taksës apo taksambrojtësve: Mendoj se taksa e ka arritur qëllimin politik, kombëtar, ekonomik, sensibilizues, mobilizues dhe psikologjik ndonëse është shumë e vonuar. Kjo taksë është dashur të jetë në kokën e çdo shqiptari si pjesë e vetëdijes dhe ndërgjegjes njerëzore, kombëtare dhe morale, që nga përfundimi i luftës dhe, po të ishte kështu, do ta kishim një situatë krejtësisht tjetër. Sot nuk do të flisnim as për taksën e as për korrigjimin e kufijve dhe nuk do të vuanim për viza. Kjo do të ndodhte po ta kishim një klasë politike që e kupton alfabetin elementar të politikës. Këtë klasë politike nuk e kishim dikur sikur që nuk e kemi as sot. Prandaj, 20 vjet pas përfundimit të luftës dhe 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë, po pranojmë të bisedojmë për kufij dhe në këtë mënyrë po e shkërdhejmë kuptimin e pavarësisë së Kosovës. Po të flasim pak për çiftet e përfolura më lart, për kërkesat dhe motivet e tyre.

Çifti shovinist Vuçiq – Daçiq. Që të dy e kanë një të kaluar kriminale, shoviniste dhe gjenocidale. Aleksandër Vuçiq është pjellë e spermës politike, shoviniste dhe paramilitare e Vojisllav Sheshelit nga i cili as sot, ndonëse nuk janë në të njëjtën parti, politikisht janë në valë të njëjta. Ivica Daçiqi ka qenë spermatozoid politik, ideologjik, shovinist dhe paramilitar i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Afërsia e madhe me të dhe përpjekja të bëhet si Millosheviqi ia kanë dhënë epitetin, Malli Slloba (Slloba i vogël). Që nga përfundimi i luftës nuk kanë lënë guri pa lëvizur për ta dëmtuar Kosovën dhe shqiptarët, kurse promovimin e karrierës politike e kanë bërë mbi krimet ndaj shqiptarëve, mbi varrezat masive në Batajnicë dhe Petrovo Sello, duke u shndërruar në viktimë. Transformimi me një alkimi të përkryer, nga krimineli masiv, në viktimë! Slloba i Vogël apo Ivica Daçiq, sidomos kohën e fundit, mbahet mend si partner i Behgjet Pacollit që bashkërisht po punojnë kundër njohjeve të Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran sikur që e kanë shpikur një dukuri që deri më tani nuk ka qenë e njohur në diplomaci: tërheqja e njohjeve apo afirmim i ç’njohjeve. Në këtë fushë kanë treguar sukses të paparë, i kanë siguruar, së bashku, 12 ç’njohje të Kosovës. Aleksandar Vuçiqi është më dinak se Slloba i vogël sepse deklarohet se është për kompromis historik me shqiptarët dhe për këtë nga bashkësia ndërkombëtare kërkon diçka konkrete për të pasur arsye të dalë para popullit serb. Nuk kërkon shumë përveç nja 20 % të territorit të Kosovës. Modest është i biri i Fahriut! Ky çift kriminal i ka dy kërkesa: vazhdimin e bisedimeve sipas kushteve të Serbisë dhe heqjen e taksës prej 100 % për mallrat nga Serbia dhe Bosnja. Marrëveshja e cila sigurisht është në dobi të Serbisë do ta sigurojë mbijetesën politike dhe fizike të dyshit fashist, Aleksandar Vuçiq dhe Ivica Daçiq.
Çifti patriotik Hashim Thaçi – Ramiz Kelmendi. Hashim Thaçi, presidenti aktual i Kosovës, është hermafrodit tipik politik; kur i duhet paraqitet si luftëtari kryesor dhe themelues i UÇK-së dhe, kur nuk i pëlqen, paraqitet si staf civil i UNHCR-së apo hartues i Rezolutës 1244. Si shef i Karl Bildit dhe Kai Aides. Si rektor i Ban ki Munit. Ramiz Kelmendi ka pësuar një ndryshim që as me teorinë e Darvinit nuk mund të shpjegohet; nga një zvarranik përfitues, përmes parave u bë tajkuni numër një në Kosovë dhe tash, për disa mandate, u bë, mendermethënë, deputet i Kuvendit të Kosovës. Tash, me një dinakëri politikani dhe grabitqari ekonomik, po angazhohet për heqjen e taksës duke përdorur si profakturë, miqtë ndërkombëtarë dhe letrën e presidentit Trump. Si çdo mashtrues. Hashim Thaçi ishte një ndër historianët e rrallë që me aktivitetin e dikurshëm u bë pjesë e historisë dhe pati mundësi të bëhet një ndër personat kryesorë të historisë shqiptare. Ka ende mundësi, nëse mbledh mend. Por, si po deklarohet publikisht, për kompromis të dhimbshëm, korrigjim të kufijve, këmbim të territoreve, Hashim Thaçi, nëse do të përfundojë siç po deklarohet, do të bëhet pjesë e errët dhe negative e historisë shqiptare. Do të bëhet njeriu më i urryer në Kosovë. Kurrë nuk ka qenë më lehtë të mbrohet Kosova se tani kur jemi të pavarur dhe e kemi Kushtetutën. Vetëm duhet të respektohet Kushtetuta e Kosovës, asgjë më shumë. Duhet të lihen përrallat se do ta marrim Luginën e Preshevës dhe nuk do të japim asgjë. As rezidentët në Shtime nuk e besojnë këtë, përveç Xhevë Izmakut që po e përkrah dhe disa injorantëve që e kanë humbur rrugën aksidentalisht, duke u bërë deputetë, ministra dhe bartës të posteve të tjera. Kushtetuta e Kosovës shprehimisht mbron kufijtë e Kosovës nga çdo lakmitar i jashtëm, por duket të jetë e pafuqishme ndaj Hashimit dhe hashimëve. Shumë besoj se Hashimi është më i palumturi në këtë proces dhe se të gjitha veprimet po i bënë për t’u mos arritur marrëveshja sepse, nëse ndodh kjo, do të jetë humbësi më i madh, në të gjitha aspektet. Hashim Thaçi duhet të dalë para popullit, ta tregojë të vërtetën, të mos hyjë llugave, të mos përmendë dhe të mos pranojë kurrfarë ndryshimi të kufijve dhe në këtë mënyrë do t’u kthehet rrënjëve – popullit dhe do ta fitonte përkrahjen e popullit. Fotografia me Trumpin dhe Vuçiqin është si çështja e orgazmës, shpejt kalon dhe ndjenja e kënaqësisë është e papërsëritshme. Madje, për më keq, bëhet e neveritshme. Kështu do të ndjehej Thaçi pas nënshkrimit eventual të Marrëveshjes me Vuçiqin. Hashim Thaçi duhet të distancohet nga idiotët që dalin në medie dhe deklarojnë se në variantin e mirë Kosova humbet vetëm 2.2 % të territorit të Kosovës, kurse në variantin më të keq i humb 4.4 % të territorit të Kosovës. Le ta gjejë një idiot gazetar që thotë se Kosova fiton diçka e jo vetëm se humb! Nëse Hashim Thaçi detyrohet t’i marrë gërshërët për t’i korrigjuar kufijtë (vetëm të Kosovës) atëherë le të këmbëngulë se këto gërshërë do t’i presin edhe kufijtë e Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe të Greqisë. Atëherë do ta fitonte përkrahjen e të gjithëve! Duhet t’ua bëjë me dije “rrobaqepësve” ndërkombëtarë faktin se nëse lëvizin kufijtë e Kosovës, asnjë serb nuk do të ndjehej i sigurt në jug të lumit Ibër sikur që Kosova nuk do të merrte përgjegjësi për sigurinë e tyre apo objekteve fetare. Ky do të jetë çmimi nëse duan t’i marrin tokë Kosovës. Ose duhet të caktohet kufiri sipas parimit etnik në Ballkan, ose duhet të respektohen kufijtë ekzistues dhe të punohet për respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare në përputhje me dokumentet ndërkombëtare e jo sipas dokumenteve të Marti Ahtikarit dhe kriminelëve të ngjashëm. Edhe çifti patriotik Hashim Thaçi dhe Ramiz Boro Kelmendi janë për vazhdim të dialogut dhe heqjen e taksës 100 %, sikur edhe Vuçiqi dhe Daçiqi. Edhe çifti patriotik këtë e përdorë për mbijetesë politike, fizike dhe biznesore. Marrëveshja eventuale shpejt dhe shpejt me Serbinë do t’ia hajë kokën politike Hashim Thaçit, kurse prolongimi i kësaj marrëveshjeje për më vonë dhe përmirësimi i pozitës negociuese të Kosovës do t’i siguronte edhe një mandat presidencial Hashim Thaçit. Kurse tajkuni Kelmendi do ta ngjyejë në të gjitha sistemet sikur që e ka bërë deri më tani. Një politikë e drejtë fiskale dhe sociale këtij tajkuni do t’ia siguronte perspektivën e Al Kapones të cilin autoritetet amerikane nuk patën mundësi për krimet e shumta dhe makabre, por e burgosën për evazion fiskal!
Çifti mashtrues Frederika Mogerini – Johanes Han. Ky çift ka edhe disa muaj mandat pas të cilit do të detyrohen ta ndërrojnë grazhdin. Besoj se Johanes Han do të përfundojë në grazhdin e Serbisë, kurse Mogerini si trafikante. Duke e parë situatën, ky çift mashtruesish po bën përpjekje ta përshpejtojë arritjen e marrëveshjes, duke e mashtruar Kosovën. Merreni me mend sa gënjyen për viza e ç’do të bënin për një interes më të madh! Edhe këta mbijetesën e ardhshme e ndërlidhin me vazhdimin e bisedimeve dhe heqjen e taksës. Për këtë, gënjeshtari bredhës Johanes Han ka ardhur në Prishtinë për t’i bërë presion kryeministrit Haradinaj, kurse Beogradit gjatë tërë kohës së mandatit ia ka lëmuar qimet e prapanicës!
Çifti që e sundon botën, Trump – Bolton. E tash është koha ta palosë pakëz bishtin si Milaimi. Ndoshta edhe më shumë! Donald Trump ka probleme me Prokurorinë e Shtetit amerikane e jo me Ramushin. Sipas deklaratave të një kandidateje demokrate për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2020, perspektiva e Donald Trumpit është burgu, në Sing-Sing, San Kuentin apo Kaliforni, nuk ka shumë rëndësi. Po hetohet shkaku se ka lejuar dhe pranuar ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet e fundit amerikane. Shumë bashkëpunëtorë të Trumpit Prokurori amerikan i ka dërguar në Dubravën amerikane. Si parashikues, gjashtë muaj para zgjedhjeve amerikane kam deklaruar se Trumpi do të bëhet president i Amerikës e që nuk nënkupton se kam besim tek ai. Nuk i besoj aspak sikur edhe Boltonit që kurrë nuk e ka përkrahur pavarësinë e Kosovës. Edhe nëse kurrë nuk do të më japin vizën. Edhe këta i kanë dy kërkesa: vazhdimin e bisedimeve me Serbinë dhe heqjen e taksës 100 %, të cilën e vendosin ata vetë kur të duan edhe ndaj partnerëve dhe shteteve mike. Po e përdorin taktikën e rusëve të cilët, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ua shkërdhenin gratë shteteve që i kishin çliruar me argumentin: “Ja te osllobodill, ja te jeball – unë të kam çliruar dhe unë kam për të shaluar…”.
Ramushi dhe taksa, pa maska: Po thonë se taksa që e kanë vendosur të tjerët e që ia kanë lënë në duar Ramushit qenka bërë për shkaqe politike. Mund të jetë edhe ashtu, kur e luani rolin sikur që jeni politikan. Po edhe këta që po e kushtëzojnë heqjen e taksës, për çka e bëjnë këtë?! Mendoni për shkaqe patriotike! E dini se nuk është e vërtetë. Këta nuk kanë guxim të marrin përgjegjësinë dhe fshihen prapa tope.. të Trumpit dhe Boltonit. Ramushi po e paguan një çmim. Ia refuzuan vizën për Lutje të Mëngjesit për t’ia bërë terr para syve. Nuk e mori vizën dhe tani po lutet kur e vlerëson ai vetë. Jo domosdoshmërisht lutja ndërlidhet me ato të mëngjesit. Erdhi mashtruesi shëtitës, Johanes Han, duke i bërë presion. Mogerini nuk do të dëgjojë më për të. As Vuçiqi e as Hashimi. As ambasadorët amerikanë në Beograd dhe Prishtinë. Edhe gjenerali nga Iowa nuk erdhi në Kosovë, jo se qenkan bërë gabime ushtarake, por që nuk po lejohet “Plazma keksi” dhe uji “Rosa” në Kosovë e që është interes jetik i paktit NATO. Edhe shefi i kësaj aleance ushtarake-politike, Jan Stoltenberg, doli në mbrojtje të “Plazma keksit” dhe ujit “Rosa”, duke treguar hidhërim të thellë pse kryeministri Haradinaj nuk po e heq taksën 100 % për mallrat nga Serbia dhe Bosnja. Nuk është e pamundur që NATO do të intervenojë ushtarakisht ndaj Kosovës, jo duke e bombarduar me bomba, por duke e bombarduar nga ajri me “Plazma keksa”, ujë “Rosa” dhe prodhime të tjera serbe. Si pikë koordinuese dhe referuese do ta kenë Çagllavicën dhe Kuçishten, me komandantë Hashimin dhe Ramiz Borën. Tash, nëse Ramushi nuk do të bindet, do të bëhen përpjekje ta shkarkojnë dhe ta bëjnë një qeveri pa Ramushin.

Hezitimin kryesor e kanë se aktualisht nuk po gjejnë zgjidhje pa Ramushin sikur që paraqet rrezik të madh nëse LV-ja dhe AAK-ja mbesin në opozitë për shkak të kapacitetit të madh destabilizuse, por edhe stabilizues. Ai që destabilizon, mund edhe të destabilizojë! Po të isha në vend të Ramushit do ta hiqja taksën 100 % dhe si kusht për vazhdim të bisedimeve do ta shtroja pikërisht temën e taksës 100 %. Nëse i lejohet Serbisë kushtëzimi, pse mos t’i lejohet edhe Kosovës?! Kundër Ramushit do të punohet në dy binarë: i pari, përpjekja për ta bindur ta heqë taksën me kërcënim të shkarkimit; dhe, i dyti, ta shfrytëzojë masën të drejtohet kundër tij, me pretekstin se po na prishë me miqtë ndërkombëtarë, duke në vënë në pozicion kundër krejt botës. Kështu ishte vepruar ndaj Bacës Adem Demaçi që e bënin fajtor për të gjitha viktimat gjatë Konferencës së Rambujesë dhe ndaj të cilit u vërsulën thuaja të gjithë me tituj: “Adem Demaçi kundër krejt botës”.

Ka pohime se Ramushi po sillet sikur të ishte pronar i Kosovës kur të gjithë e kanë të qartë se aktualisht tapinë apo pronësinë reale mbi Kosovën e ka Hashim Thaçi, prandaj ai po flet për korrigjim të kufijve dhe pallavra të tjera territoriale. Mendoj se Ramush Haradinaj duhet ta heqë taksën 100 % për mallrat serbe vetëm me një kusht: të bëhet udhëheqës i Ekipit Negociator dhe ta ndryshojë përbërjen e këtij ekipi që aktualisht është kondom i Hashimit, për një përdorim apo disa përdorime. Përjashtuar këtu tre persona, pjesë e Ekipit Shtetëror Negociator, të tjerët janë sekserë, antikombëtarë, hajdutë dhe kriminelë. Si të tillë ata nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën denjësisht, por do të ndjehemi të turpëruar nga ky përfaqësim. Dhe, pa asnjë dyshim, kjo përbërje shumë e dyshimtë dhe kriminale e Ekipit Negociator, me atributin shtetëror, nëse vjen puna ta rrahin pykën me pykë, do ta ulin pazarin shumë më shumë se Hashimi.

Krejt për fund, lexues të nderuar,

A e shihni normale dhe të nevojshme ta festoni 11-vjetorin e pavarësisë së Kosovës kur kufijtë e saj janë nxjerrë në ankand publik, me një çmim qesharak dhe ku pavarësinë e saj po e dhunojmë ne që jemi të thirrur ta mbrojmë atë?! Kufijtë nënkuptojnë integritetin territorial, kurse ky integritet garanton shtrirjen e sovranitetit! A po e bëjmë këtë apo pikërisht të kundërtën?!

Më Shumë

Lirohen katër policët e ndaluar nga Serbia, jo edhe Jankoviq

Katër policët e Kosovës, të cilët janë ndaluar që nga dje nga autoritetet e Serbisë, janë liruar. Një gjë të tillë e bëri të...

Kujtimi im për Enverin e Kosovës

Blerim Latifi Kam qenë vetëm gjashtë vjeç, por kujtesa fotografike e atyre ditëve vazhdon të mbetet ende shumë e gjallë tek unë. Në shtëpinë tonë...

Lajmet e Fundit