10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Puna e dobët e mësimdhënësit-rezultati i nxënësit

Shkruan: Prof. Gani Rudaj

Me shumë kënaqësi i kujtoj vitet e 70′ kur shkoja në mësim. Ishim krenarë që hapat tanë të vegjël një ditë do të bëhen të mëdhenj. Ishim si zogj që kërkonin trosha buke nga mësuesi.

Ai diturinë na jepte pa përtesë, me plot dëshirë sepse e dinte se ne Jemi pasqyra e tij në të ardhmen. Për secilin lëshim merrnim vërejtje. Ishte koha ku vend për lëshime nuk ka. Në atë kohë , shkolla nuk ishte vetëm shkollë, por ishte arenë ku ne bënim gara diturish mes nesh dhe mësimdhënësit krenoheshin me punën e bërë.

Përfundoi mësimi fillor. Tani po hapen dyert e shkollave të mesme. Një tjetër sfidë po na pret me të tjerë mësimdhënës. Planprogrami më i ngjeshur. Njohuri të reja po na presin për t’ i marrë. Profesorët ishin aq të përgatitur, sa që nuk kishte asnjë vrimë ku ne mund të përbiroheshim. Nxënësit që mësonin vijonin mësimin edhe më tej, të tjerët përsëritnin. Të mirët kishin qëllimin të bëhen studentë.

Përfundoi edhe shkollimi i mesëm. Po hapen dyert e UNIVERSITETIT. Pranimi në drejtimet e universitetit ishte i lehtë, por dalja me diplomë ishte e vështirë. Aty kërkohej punë serioze. Megjithatë ishte kënaqësi të studiosh. Secilën ditë diçka e panjohur hynte në kokën tonë. Shumica i lanë studimet. Vetëm kokëfortit, në kuptimin pozitiv, qëndruan deri në fund dhe dolën me faqe të bardhë. Falënderimi deri në përjetësi u takon profesorëve që na mësuan.

Sot me keqardhje po e them se shkollat tona më tepër i ngjajnë një arene cirkusi. Mendoj që vetëm shkolla fillore po e mban atë që duhet ta mbajë. Mirëpo, punën e mësuesve të fillores po e prishin kolegët e tyre në shkollat e mesme. Kjo vlen për një numër të konsiderueshëm profesorësh. Nxënësi po e kryen shkollën e mesme me 2,3 vepra të lexuara. Biblioteka e shkollës dhe ajo e qytetit rrallëherë vizitohet, madje kam mendimin që shumica e nxënësve as që dinë se ekzistojnë ato.

Nxënësit e shkollave të mesme një gjë e kanë të sigurt se asnjë prej tyre nuk do të përsëritë. Në këto shkolla ora mësimore ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë dhe shumë e rëndësishme është që mësimdhënësi të kuptojë se për cilën parti do të votojë familja e nxënësit dhe pjesa e dytë e orës është për ta zhvilluar njësinë mësimore për aq minuta që kanë mbetur.

KOHA E STUDIMEVE – Sot nuk ka më studentë që studiojnë. Këta djem e vajza në universitet përbëjnë vetëm numra njerëzish. Këtu ndodhin këto gjëra. E para, këta të rinj kanë ardhur për të studiuar, por e keqja është se nuk kanë nga kush të marrin njohuri ( me përjashtim të një numri të vogël ) dhe e dyta është gjëja më e mirë për studentët sepse të gjithë dalin të diplomuar.

Këto gjëra ndodhin sepse PROFESORËT që e meritonin këtë titull pse kanë dalë në pension, ose kanë ndërruar jetë. Zëvendësim të denjë të tyre nuk kemi, ose kemi shumë pak.

Me kënaqësi shumë të madhe lexova artikullin e të nderuarit Hisen Berisha ku ndër të tjerash thotë se ne kemi fabrikë diplomash. Me anë të kësaj fabrike po krijojmë analfabetë me diplomë. Pastaj i nderuar e shtron një plan se si duhet të veprojmë në të ardhmen dhe shumë ide të mira për arsimin tonë. Për mendimin tim ky punim duhet të jetë libër me 1000 faqe.

Në rezultatin katastrofal të testit të PISA- s nuk i kanë fajet mësimdhënësit e sotëm, por fajin duhet kërkuar te mësimdhënësit e mësimdhënësve të sotëm.

Pema nuk i ka fajet për mollët e liga, por rrënja. Në këtë test nuk është dashur të shkojnë nxënësit, por ky TEST është dashur të bëhet për mësimdhënësit me diplomat e tyre fantome.

Pas dështimit të testit, do të ishte e rrugës që të mbahet një mbledhje në mënyrë që të gjejmë një rrugëdalje nga ky mossukses. Të ndryshohet struktura metodologjike. Misioni i shenjtë i mësimdhënies nuk po frymon mirë. Verifikimi i diplomave do të ishte një hap i mirë për ikje nga kjo e keqe kombëtare. Mësimdhënësit sot krenohen me diplomat e tyre, e JO me punën që e bëjnë. Në shtetet e zhvilluara që e kanë prioritet arsimin, nëse një mësimdhënës brenda një viti nuk publikon diçka të vlefshme, atij i humb titulli.

Diploma e mësimdhënësit flet nëpërmjet nxënësit. Kjo punë te ne u pa. Po harrojmë se arsimi është shtylla kryesore e kombit, e ne këtë shtyllë po e thejmë. Qe njëzet vite këmbët për arsim i kemi vënë në pozicion përpara, por për çudi nuk e kemi vërejtur se ne po ecim prapa! Tani nuk kemi të drejtë të akuzojmë të tjerët për mësimdhënie të gabueshme. Ne Jemi ata që po e mbysim këtë rini. Për njëzet vite te gabosh në pjesën më vitale të kombit nuk është pak. Dikush duhet të japë llogari.

Më Shumë

Xhamia e Mlikës së Dragashit më e vjetër në Kosovë, besohet se u ndërtua nga një familje siriane

Xhamia e ndërtuar 735 vjet më parë në fshatin Mlikë të Komunës së Dragashit në jug të Kosovës është xhamia më e vjetër në...

Totaj takohet me Presidentin e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, Timothy Chorba

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj ka takuar Presidentin e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, Timothy Chorba, në një drekë solemne në Army & Navy Club...

Lajmet e Fundit