7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Përtej “Eurovision”-it

Çfarë i ndalon të gjithë njerëzit mbi planet të kenë një karrierë në të kënduar? Ekspozimi ndaj këngëve e muzikës që në vegjëli, pak ushtrim dhe një dorë fat mund t’ju kthejë sa hap e mbyll sytë në këngëtarë që ia vlen t’ua vësh veshin.

Festivali i përvitshëm i këngës për kontinentin evropian festoi dje në mbrëmje në Vjenë 60-vjetorin e tij. Pa këtë festival nuk do të mund të shihnim shtete si Rusia, Austria, Finlanda apo Irlanda duke përdorur ‘armët’ e tyre më të mira për të rrëmbyer fitoren.

Është ndonjëherë e lehtë të harrohet se përtej kostumeve, shfaqjes teatrale dhe votimit taktik, shtrihet një konkurs talenti. Të gjithë pjesëmarrësit e “Eurovision”-it synojnë të bien në sy për fuqinë e këngës dhe shkallën e suksesit. Por përse disa kanë një zë më të mirë se të tjerët?

Shkencëtari Sean Hutchins po studion elementët që përbëjnë një talent muzikor në Konservatorin e Muzikës në Toronto. “Ne priremi të quajmë gjeni, njerëzit që kanë nga natyra një dhunti, le të themi për t’i rënë pianos ose violinës”, thotë ai.

“Të kënduarit është në fakt shumë i ndryshëm, pasi kushdo mund të prodhojë një tingull. Edhe nëse njerëzit nuk mësojnë teknikën e mënyrës si të këndojnë, të gjithë e përdorin zërin për të folur, ndaj instinktivisht ne arrijmë ta kontrollojmë atë. Çelësi që ndan këngëtarët e mirë nga ata të këqij, nuk është talenti natyror, por ushtrimi për ta përdorur atë siç duhet”.

Ne jemi në fakt më shumë muzikorë nga ç’mund ta mendojë dikush. Rreth 2 për qind e popullatës kanë mungesë perceptimi të timbrit që i pengon të kuptojnë diferencat mes notave muzikore, por pjesa që mbetet prej 98 përqindësh, ka aftësinë të kuptojë dhe gjykojë muzikën kur është e intonuar.

Aftësia vokale vjen kryesisht prej aftësisë për të kontrolluar timbrin e zërit dhe arsyeja kryesore përse disa njerëz duket se janë këngëtarë më të këqij, vjen prej mungesës së kontrollit të duhur motorik. “Mund ta mendoni prodhimin e muzikës dhe të kënduarit në veçanti si një aftësi fizike”, shpjegon Hutchins.

“Kërkon aftësinë për të sinkronizuar atë që synoni të bëni me atë që bëni vërtetë. Dhe mësimi i trupit dhe aftësimi për ta memorizuar atë koordinim, kërkon praktikë. Dhe nuk e kam fjalën për trajnim formal të zërit. Njerëzit që rriten duke kënduar këngët e tyre të preferuara, me shumë gjasa do të jenë këngëtarë më të mirë sesa ata që kanë praktikuar dëgjimin dhe riprodhimin e këtyre tingujve”, shtoi ai.

Kontrollimi i timbrit kërkon sinkronizimin e njëkohshëm të një serie procesesh fizike. Është një koordinim shumë i ndërlikuar mes shpejtësisë së ajrit që lëviz në mushkëritë tuaja dhe asaj se sa afër janë pozicionuar kordat vokale që ajri të kalojë mes tyre, duke shkaktuar dridhje për të krijuar më pas tingull. Tingulli varion nga tensioni që ushtrojmë mbi kordat.

“Është si të shtrëngosh fundin e një tullumbaceje dhe më pas ta lësh ajrin të dalë”, thotë Hutchins. “Mënyra se si zhurma gjenerohet, është e ngjashme me ajrin që kalon në mushkëri përmes ngushtimit të kordave zanore. Dhe kjo është baza. Gjithashtu, mund të jepni tinguj të ndryshëm në varësi të mënyrës se si mbani gjuhën, buzët, rrugët hundore, faringun dhe pjesën tjetër të artikulimeve tuaja”.

Disa njerëz shfaqen më të mirë sesa disa të tjerë në mësimin e mekanizmave komplekse fizike që duhen për të vokalizuar atë që duam, por kjo mund të jetë si rezultat i ekspozimit ndaj muzikës nga një moshë e vogël. Ashtu si gjithçka që përfshin kujtesën, është më e lehtë që të kënduarit të bëhet natyrshëm dhe një proces i nënvetëdijshëm nëse keni mësuar si ta bëni, ndërsa truri juaj zhvillohej.

“Ekspozimi në fëmijëri është shumë i rëndësishëm kur vjen puna për të gjithë aftësinë muzikore”, thotë Hutchins. Ne e dimë se fëmijët mund të dëgjojnë dhe perceptojnë cilësitë muzikore që përpara lindjes. Ka prova që nëse nëna e ekspozon fëmijën ndaj muzikës përpara lindjes, këta fëmijë mësojnë nga eksperiencat muzikore dhe kanë aftësinë të prodhojnë muzikë më vonë.

Sigurisht se nuk është vetëm kontrolli i timbrit ai që përcakton një zë të mirë. Kur vjen fjala për të zgjedhur këngëtarët tanë të preferuar, një pjesë e mirë buron nga estetika natyrore e zërit dhe duket se përcaktohet të paktën pjesërisht nga fiziologjia natyrore.

Kërkimet e fundit sugjerojnë se variacioni i formave dhe përmasave të kordave zanore, laringut, zgavrës së hundës dhe madje edhe kafka jonë, do të thotë se njerëzit mund të prodhojnë një tingull natyror më të bukur sesa pjesa tjetër e njerëzve.

“Ne e quajmë këtë timbri i zërit”, thotë Hutchins. Është një aspekt i notës që nuk ka të bëjë me volumin, zgjatjen ose tingullin. Për të kuptuar timbrin, mendoni rreth të folurit në një katedrale krahasuar me të folurit jashtë. Zërat që dëgjoni janë shumë të ndryshëm. Po kështu, timbri mund të jetë natyral, por mund edhe të stërvitet.

Timbret tona ndryshojnë, sepse zgavrat e gojës dhe hundës te ne janë po ashtu të ndryshme dhe shërbejnë si tavani i një katedraleje. Mënyra sesi përplaset tingulli në të, përcakton përfundimin e zërit.

Disa njerëz kanë zgavra që janë natyrisht të përshtatshme për disa lloje të të kënduarit, duke e bërë më të lehtë që të krijojnë tingujt që duan. Në fund të fundit, e gjitha varet nga ajo që ju doni të arrini për nga zhanri muzikor. Aftësia për të kënduar varet fuqishëm edhe nga gjendja mendore dhe nivelet e ankthit që mund t’ju pengojnë.

Çfarë e bën një këngëtar më të mirë se të tjerët për sa kohë ne të gjithë mund të prodhojmë tinguj dhe kemi një zë?

Studiuesit analizojnë shkaqet që përbëjnë një këngëtar dhe një këngë të realizuar me sukses. E gjitha varet nga kontrolli i zërit.

Nëse mësoni të kontrolloni zërin, të nxirrni frymë në formë të veçantë, të përdorni me kujdes kordat, ju mund të bëheni këngëtarë.

Edhe pse të gjithë mund të jemi këngëtarë, disa njerëz janë lindur me favoret e formës së zgavrës së gojës ose hundës për të tingëlluar më mirë. /GSH/The Guardian/

Më Shumë

Komuna e Prizrenit organizon takime për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal

Komuna e Prizrenit, ka filluar mbajtjen e takimeve informuese me qytetarët për Hartimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK). Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, është...

Pse e sulmoi Irani Izraelin?

Ben Blushi Sulmi i Iranit kundër Izraelit do të mbahet mend si një ngjarje në të cilën ai që sulmon ka më shumë frikë se...

Lajmet e Fundit