16.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

“Pikat e zeza” i heqin ekspertët!

Agim Muhaxheri

I torturuan brenda hekurave jo si individë, por si komb. Ky veprim bie ndesh me Konventat e Gjenevës (1949).

Nuk duhet lejuar që rolin e “kirurgëve” në procesin “Kumanova” ta marrin vetëm maqedonasit. Bashkë me ta të jenë ndërkombëtarët. U kapën të gjallë, i shpallën të vdekur. Fjala është për Xhafer Zymberin, Mirsad Ndrecajn dhe Muhamet Krasniqin.

Ekspertët ndërkombëtarë, të Balistikës dhe të Mjekësisë Ligjore, do të ndriçojnë shkakun e vdekjes së tyre. Shkupin e “drodhën” dy protesta të mëdha, ajo e Zaevit dhe tjetra e Gruevskit. Kush kujt ia nxori “zorrët për lëndinë”?

Kanë nisur hetimet për rastin “Kumanova”. Prokurorë e gjykatës janë maqedonasit, ndërsa “pacientët” e tyre 28 të pandehur shqiptarë, shumica nga Kosova, të dyshuar për “Terrorizëm” e vepra tjera penale. Do të zgjerohet numri i të pandehurve, apo jo?

Një avokate, mbrojtëse në këtë rast penal, i deklaroi gazetarëve se klientit të saj ia kanë thyer dhëmbët.

Shkupin e “drodhën” dy protesta masive, ajo e opozitarit Zoran Zaev, më 17 maj, dhe tjetra, të nesërmen, e rivalit të tij, Nikolla Gruevski. Tabori i parë e organizoi protestën “para derës” së diktatorit Gruevski, ndërsa të tjerët para “Sobranies” (Kuvendit).

Kush kujt ia nxori “zorrët për lëndinë”?

Në vallen e ithtarëve të Zaevit ishin edhe shqiptarët. Shqiptarët u paraqitën në një protestë bashkë me maqedonasit për herë të parë që nga ekzistimi i këtij shteti të brishtë. Lidhja e dy flamujve, atij të Maqedonisë dhe flamurit tonë kombëtar, më kujtoi kohën e protestave në Prishtinë, kur përkraheshin minatorët e “Trepçës” dhe me fotografitë e shokut Tito kërkohej barazi.

Për dallim nga shtetarët, diplomatët, Zaev shprehu ngushëllime vetëm për policët e vrarë. Kërkoi barazi për të gjithë qytetarët. Kundërshtarët e tij i quajti banditë, hajdutë, kapës të shtetit. Përsëriti refrenin “Odisi, odisi Gruevski!” (Ik, ik, Gruevski!).

Ata të Gruevskit, që kishin ardhur me autobusë, të kujtonin mitingjet si në kohën e Sllobodan Millosheviqit sipas asaj: “Kush s’del në protestë, largohet nga puna”. Gruevski iu kundërvu rivalit të tij Zaevit, edhe ky e përdori shprehjen “bandë”.

Kodet penale të shteteve, me demokraci të zhvilluar, rreptësisht e ndalojnë torturën psikike e fizike ndaj të pandehurit.

Sa respektohen të drejtat e njeriut në konfliktet e armatosura? Sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare edhe luftërat kanë kufij. Konventat e Gjenevës (1949) ndalojnë dhunën mbi jetën dhe personin, në veçanti vrasjet e të gjitha llojeve, gjymtimin, trajtimin mizor dhe torturën, ndalojnë cenimin e dinjitetit personal, në veçanti trajtimin poshtërues dhe denigrues.

Pas vringëllimit të armëve në Kumanovë, më 9 maj, në skenë dolën fjalëvrasësit, krerët maqedonas, diktatori Nikolla Gruevski, i pari i shtetit, Gjorgje Ivanov, ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankulovska, e të tjerët. Këta i fryjnë zjarrit, shqiptarët i nxjerrin si minues, destabilizues të shtetit.

Zaev e bëri publike audiopërgjimin e Gordanës, e cila ishte shprehur se do t’i shfarosë shqiptarët “për një orë”. Asaj nuk iu kujtua një këngë jona erotike: “Vetëm 5 minuta, jo më shumë”. Një analist yni bëri vërejtje se për këtë fyerje të Jankulovskës qytetarët e Kosovës ka qenë dashur të dalin në protesta. Përse të dalim në protesta? Për “dosjet e ëndrrave” flet edhe gjeniu i letrave tona, Ismail Kadare, në romanin e tij “Pallati i ëndrrave”.

Ivanov i çoi letër të hapur shteteve anëtare të OKB-së, tërhoqi vërejtjen për gjendjen e rëndë në shtet. Gurin ia hodhi shqiptarëve. Kujton ai se shtetarët hanë barë, nuk e kanë parë në ekranet televizive terrorin shtetëror maqedonas, “Irakun”, në këtë oazë të nxehtë të Ballkanit.

Iu deshtë të kalojë një javë për të bërë publike listën e të arrestuarve, emrat e të cilëve i bastarduan. Për shumicën nuk u paraqitën të dhënat e plota, nuk e përmendën vendbanimin, përmendën se janë nga Kosova. Njërit i shkruajnë emrin Rufki Dogan. Për lexuesin e painformuar, ky del të jetë turk, e që në të vërtetë ai është shqiptar. Shqiptarët nuk kanë mbiemrin Dogan, po Dogani.

Regjimi i diktatorit Gruevski tregohet i “kujdesshëm”. I përpilon listat e atyre që iu dogjën dhe shkatërruan shtëpitë në Kumanovë. Emrat e tyre i shkruan në alfabetin cirilikë, ndonëse ata janë shqiptarë. Edhe kjo është “cikërrimë” për qatipët. S’bën t’i shkruajnë emrat në shqip, se hidhërohet “gazda” Gruevski!

Unë jam shteti, thotë Gruevski, është punë imja si i përpiloj listat, s’bën të tjerët të përzihen në “punët e brendshme të shtetit”. Për këtë tip e të tjerët sy ky nuk ka dert pse vritet Kushtetuta, ligjet e shtetit, por edhe Marrëveshja e Ohrit. Ç’është për ta Marrëveshja e Ohrit ?

Zyrtarët maqedonas shprehin të ashtuquajturën “reservatio mentalis”. Ende s’e kanë bërë publike listën e të plagosurve. Kush janë ata?

Tjetër është politika, tjetër drejtësia. Procesi “Kumanova” është një mister i madh dhe nuk bën të hysh në mal “pa sakicë”. Hetuesit e Policisë, prokurorët, ekspertët e Balistikës, por edhe ata të Mjekësisë Ligjore mund të jenë në shërbim të shtetit. Mund ta vrasin drejtësinë. Në rastin konkret, te procesi “Kumanova” është e domosdoshme që hetues e ekspertë të jenë ndërkombëtarët. Hetues mund të jenë ata të FBI-së amerikane, apo ndokush tjetër.

Partitë shqiptare në Maqedoni me çdo kusht të bëjnë trysni që në rolin e “kirurgëve” të këtij procesi të paraqiten të huajt.

Nuk është Maqedonia përjashtim. Në proceset e ndryshme me përmasa ndërkombëtare janë paraqitur edhe të huajt si hetues dhe ekspertë.

Njëri nga dëshmitarët e gjallë të këtij procesi, Sulejman Osmani – “Sula”, i cili arriti t’ju ikë policisë, paraqiti rrëfimin shokues për atë çfarë kishte parë. Ky është personi që në xhirimet e policisë shihet duke mbajtur një leckë të bardhë, në shenjë dorëzimi. “Sula” rrëfeu se në çastin e arrestimit kanë qenë të plagosur Xhafer Zymberi – “Xhafa”, Mirsad Ndrecaj – “Nato” dhe Muhamet Krasniqi – “Malisheva”. Këta i kapën të gjallë policia, thotë ai, të cilët pastaj i shpallën të vdekur!

Ekspertët e Balistikës merren me “lëvizjen e predhës”, pozitën e viktimës. Ndërkaq, ata të Mjekësisë Ligjore merren me shkakun e vdekjes, është qëlluar viktima me plumb, nga copëzat e granatës, me mjetin topitës apo të mprehtë. Ekspertët e Mjekësisë Ligjore konstatojnë faktet, është qëlluar viktima në anën e përparme të trupit apo në shpinë. Finesat e ekspertëve lënë të kuptosh se kush është vrasësi.

Fjala e ekspertëve është vendimtare për zgjidhjen e rastit penal.

Trajtimi i të pandehurve s’është kompetencë vetëm e të drejtës së brendshme, me ta merret edhe e drejta ndërkombëtare.

I torturuan, vazhdojnë t’i torturojnë brenda hekurave, jo si individë, por si komb. Kanë aversion ndaj shqiptarëve. Nuk ndiejnë se e vrasin të drejtën ndërkombëtare.

Zaev i ka nxjerrë partallet procesit “Monstra”. Sipas tij del se shqiptarët të dënuar me burgim të përjetshëm në këtë proces janë ta pafajshëm.

Nëse del ajo çfarë thotë Zaev, procesi “Monstra” ia ha kryet Gruevskit./zeri/

Më Shumë

Kot grindem me hënën

Enver Sulaj Fjalët e shenjta më vijnë si profeci Si magji Si ankth Dhe më lënë pa frymë, pa fjalë. Sonte mori fund vuajtja Fjalët ikën tej reve Ti dridhesh si...

Përurohet Muzeu i masakrës në Krushë të Madhe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marr pjesë në përurimin e Muzeut të masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit, raporton Ekonomia Online. Muzeu përmban...

Lajmet e Fundit