Prizren:Dënim me burgim dhe me gjobë ndaj zyrtarit doganor pasi pranoi se mori 20 euro ryshfet

Zyrtari doganor Petrit Xërxa është dënuar me 6 muaj burgim dhe 500 euro gjobë pasi ka pranuar fajësinë marrje ryshfeti. Por, më pas dënimi me burg iu zëvendësua me 2 mijë euro gjobë.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren nga kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, gjatë shqyrtimin fillestar, i akuzuari Xërxa pas konsultimit me mbrojtësin e tij, avokatin Visar Haxhibeqiri, pranoi fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohej, e këtë pranim fajësie nuk e kundërshtoi as prokurori Genc Nixha.

Fillimisht, gjykatësja Krusha, të akuzuarit i shqiptoi dënim me gjashtë muaj burgim dhe 500 euro gjobë, për veprën penale “Marrje ryshfeti”.

Por, me kërkesën e mbrojtësit Visar Haxhibeqiri dhe me pëlqimin e të akuzuarit, dënimi me burgim prej gjashtë muajve, i është zëvendësuar në dënim me gjobë në lartësi prej 2 mijë euro.

Në këtë denim, të akuzuarit i është zbritur edhe koha e kaluar nën masën e arrestit shtëpiak nga 17 shtator 2021 deri më 15 tetor 2021, ashtu që pjesa e dënimit prej 1 mijë e 420 euro duhet të paguhet në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

I akuzuari gjithashtu u obligua që t’i paguajë 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit.

Po ashtu, gjykata vendosi që të konfiskohet edhe kartëmonedha prej 20 euro, si mjet i kryerjes së veprës penale, e cila do të derdhet në buxhetin e Republikës së Kosovës.

 

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda më 24 nëntor 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Petrit Xërxës – person zyrtar, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”

Sipas aktakuzës, i pandehuri Xërxa, më 16 shtator 2021, në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, në cilësinë e personit zyrtar- Doganier i Doganave të Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon dhe pranon përfitim pasuror për vete, në mënyrë që i njejti të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Aktakuza thotë se qytetari V.K., me rastin e kalimit në pikën doganore duke drejtuar automjetin e tij, me t’u ndaluar nga ana e të pandehurit është pyetur nëse ka ndonjë mall për ta doganuar, i cili ka deklaruar se në bagazhin e veturës së tij ka dy auto-pjesë të përdorura, për të cilat i pandehuri ia ka kumtuar shumën e taksës doganore për të cilat dëshmitari detyrohej ta paguante.

Mirëpo, i njëjti thuhet se shfrytëzon rastin dhe kërkon privatisht nga dëshmitari shumën prej 50 euro, në mënyrë që ky i fundit të mos i nënshtrohej taksës doganore, derisa dëshmitari paraprakisht ka raportuar rastin tek Autoriteti i Hetuesisë Doganore dhe pajtohet që t’ia japë të pandehurit shumën prej 20 eruro, ashtu që i pandehuri pranon paratë në fjalë dhe e liron dëshmitarin.

Me këto veprime, Xërca ngarkohej se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1, të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Qeveria në detyrë miraton pakon “Inflacioni 2.0”, nga 100 euro për pensionistë, punëtorët privat, fëmijë dhe studentë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se Qeveria në detyrë ka ndarë fonde dhe ka miratuar një paketë të re për përballje me...

Sekuestrohen rreth 8 kg ari dhe argjend në Prizren, në vlerë mbi 460 mijë euro

Prokuroria Themelore në Prizren, në koordinim me Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, si dhe në bashkëpunim me Doganën...

Lajmet e Fundit