7.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Prizreni nis shpërndarjen e shujtave falas për nxënësit e ciklit të ulët

Shujtat falas për nxënësit parafillorë dhe ata të klasave 1 deri në 5 kanë filluar të shpërndahen në shkollat e Komunës së Prizrenit.

Drejtuesit e pushtetit lokal kanë bërë të ditur se nga ky projekt do të përfitojnë mbi 13 mijë nxënës. Të martën, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi, kanë vizituar disa shkolla për të parë nga afër ofrimin e këtyre shujtave.

I pari i Prizrenit ka pranuar se ka pasur vonesa lidhur me jetësimin e këtij projekti, që njëherësh ka qenë njëri prej zotimeve të tij paraelektorale.

“Në vitin 2019 e patëm parapa buxhetin për shujta për nxënësit e klasave 1-5, por që nga ajo kohë, për shkak të procedurave dhe ankesave është vonuar ky projekt. Sidoqoftë sivjet kemi kuptuar se Autoriteti Qendror i Prokurimit ka lidhur kontratë dhe ne si Komunë pasi e kemi pas të ndarë buxhetin e bëmë kërkesën, ku Drejtoria e Arsimit ka bërë planin e shpërndarjes dhe ka filluar shpërndarja e shujtave në shkollat e Prizrenit”, ka thënë Haskuka. Sipas tij, në kuadër të shujtave për nxënësit çdo ditë do të shpërndahen “kroasanë” ose “kifle” me përbërje të ndryshme, derisa se qumështi do të ofrohet një herë në javë.

“Prizreni në aspektin gjeografik është problem në aspektin e shpërndarjes së këtyre shujtave. Por është me një paketim të mirë dhe higjienik. Besoj se nuk do të ketë probleme. Kompania ka siguruar se do të shpërndajë në të gjitha shkollat e Prizrenit, në baza ditore, ndërsa qumështi do të shpërndahet një herë në javë”, ka deklaruar Haskuka.

Ai ka shtuar se “shumë hulumtime tregojnë se nëse nxënësit janë të uritur kanë probleme me mësimin, dhe se tani çdo fëmijë do të ketë shujtën e siguruar në shkollë, ku prindërit s`kanë nevojë më me mendua a me ju dhënë të holla”.

Drejtoresha e Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi ka vlerësuar se zbatimi i këtij projekti do të sjellë një lloj lehtësimi ekonomik për prindërit e nxënësve, sikurse edhe një lloj barazie sociale për të gjithë nxënësit.

“Në kuadër të këtij projekti do të përfitojnë 13 mijë e 36 nxënës”, ka thënë ajo, duke shtuar se bëhet fjalë për nxënësit prej nivelit 0 deri në klasën e 5-të. “Projekti kap shumën prej rreth 162 mijë eurove dhe është planifikuar që të zgjas deri në fund të vitit shkollor. Pastaj shohim për modalitetet tjera, ndoshta për vazhdimin e tij apo edhe zgjerimin për klasat 6-9”, është shprehur zyrtarja e lartë komunale.

Drejtori i shkollës “Dëshmorët e Zhurit” në Zhur, Ismen Ajazaj ka theksuar se fëmijët janë përfituesit më të mëdhenj të këtij projekti. Sipas tij 450 nxënës të kësaj shkolle do të marrin shujta falas.

Ndërsa drejtori i shkollës “Haziz Tola” në Prizren, Miran Ferati ka njoftuar se 407 nxënës të kësaj shkolle do të përfitojnë shujta falas në baza ditore. Ai ka shprehur bindjen se në saje të këtij projekti, nxënësit do të fitojnë shprehinë e të ushqyerit në kohë të caktuar si dhe do të ndihen të barabartë.

Shujtat e para janë shpërndarë edhe në shkollën “Meto Bajraktari” në Reçanë, ku e pranishme ka qenë edhe nënkryetarja për komunitete, Memnuna Ajdini.

 

Më Shumë

Ish-gazetari Ramadan Baraliu aderon në Vetëvendosje

Ish-gazetari dhe politikologu, MSc. Ramadan Baraliut ka aderuar sot në Lëvizjen Vetëvendosje. Ai ëshvë mirëpritur nga kryetari i Qendrës së LVV-së në Prizren, Artan Abrashi...

Sot moti me diell, temperaturat deri në 26 gradë Celsius

Moti sot në Kosovë parashikohet të jetë me diell dhe po ashtu edhe me vranësira. Siç bën të ditur Meteo Kosova, era do fryjë kryesisht...

Lajmet e Fundit