10.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Protesta, “dhuna”, solidariteti i papritur

RronGjinovciShkruan:Rron Gjinovci

Me gjithë skepticizmin që pata për protestën, duke qenë në pozicionin e një aktivisti që për vite të tëra thërret për protesta, nuk mu duk as e ndershme as e sinqertë të mos jem atje ku janë protestuesit.

Ndonëse formalisht, thirrja e organizatorëve ishte le të themi korrekte, ne të gjithë e dimë se Lëvizja “Vetëvendosje” ka tjera synime. Dhe ato synime lidhen me pushtetin të cilin ajo e ka larg që pas zgjedhjeve kur ka shënuar rënie.

Megjithatë, neve nuk na duhet në këtë kohë të merremi me ato që nuk janë thelbësore, as për situatën e as për çështjet që janë ngritur.

Përpara neve është ngritur çështja që ne nuk i kemi nën kontroll disa ministra tanë, të cilët janë shprehur publikisht në televizionet e Serbisë se janë futur në Kosovë për ta rritur sa më tepër autoritetin e Serbisë në Kosovë.

Përveç kësaj që është thelbësore, Jabllanoviq që është udhëheqësi i tyre, pati guximin t’i quante egërsira nënat e Gjakovës dhe protestuesit e tjerë në Gjakovë të para disa javësh. U shfajësua në fillim duke thënë se nuk e kishte fjalën për nënat e Gjakovës por për aktivistët e LVV-së.

Dhe askush nuk u mërzit për këtë. Ministri që nuk e pranon shtetësinë e Kosovës paska të drejtë t’i fyejë taksapaguesit që janë aktivistë të një subjekti të ligjshëm në Kosovë! Problemi me të vërtetë nuk është Jabllanoviq si person, por si entitet politik që vepron brenda institucioneve më vitale të Republikës.

Tjetra çështje është ajo e “Trepçës”. Kur Qeveria e Kosovës provoi ta nacionalizonte “Trepçën” duke e bërë atë ndërmarrje publike, përveç që u kundërshtua prej Serbisë që mëton të përfitojë diçka, u kundërshtua po ashtu prej ndërkombëtarëve të cilët duan të jenë të sigurt se ajo do të privatizohet. Është folur kaq shumë për të sa çfarëdo që mund të them unë, me siguri është e tepërt.

Tani po i kthehem protestës që u mbajt pikërisht për këto dy çështje e siç duket më shumë për “Trepçën” e cila elektrizoi opinionin publik kohëve të fundit. Unë siç thashë, mora pjesë në të dhe përcolla me vëmendje mbarëvajtjen e saj.

Deri te Teatri Kombëtar gjithçka shkoi mirë. Disa djem të rinj e të varfër nuk donin t’ia dinin për fjalimet. Merrnin ku të mundnin gurë e hidhnin në drejtim të asaj që për ata është shkaktar i krejt mjerimit të tyre.

Nuk e përjashtoj po ashtu që aty-këtu shiheshin persona të dyshimtë që nga përvoja ime mund t’i cilësoj si agjentë që kryenin detyra me lëvizjet e tyre të shpejta. E aktivistët e LVV-së, me sa të mundnin provonin t’i ndalnin ata. E siç duket, kur nga organizatorët u shpall përfundimi dhe kur aktivistët e LVV-së filluan të largoheshin, këto grupe, ca të mjerë e ca me detyrë sulmuan ashpërsisht.

Më vjen keq që media jonë ende vuan nga një nivel i saj i mjerë i profesionalizmit. Askush nuk u mor me përmbajtjen e protestës, por të gjithë u morën me “dhunën”, shkatërrimet, dëmtimet. Nuk u kritikua LVV-ja për paaftësinë e saj për ta pasur nën kontroll një turmë disa mijë vetash, por mundoheshin ta paraqisnin me fotografi “non-sens” si organizatore të huliganëve. Unë isha aty. LVV-ja mund të fajësohet për paaftësinë e saj për të mbajtur nën kontroll turmat, por për organizim të huliganëve kurrsesi.

Me t’u kthyer në shtëpi e duke parë vazhdimisht lajme nga më të çuditshmet, pash një e-mail nga shoku im serb, që i përket një organizate të të majtëve në Serbi e quajtur “Marks21”. Titulli i shkrimit ishte “Kujt i takon Trepça? – Minatorëve të Trepçës!”. Dhe më lejoni t’ju them se ishte gjëja më e papritur që mund të lexoja atë natë. Ishte një përkrahje e “Marks21” për “Trepçën” dhe popullin e Kosovës. Po ndaj me ju disa pjesë të atij e-maili që mediave në Kosovë nuk iu duk interesant dhe këtu po e mbyll këtë editorial.

“Ne jemi të udhëhequr nga ideja e internacionalizmit. Për ne, është e papranueshme që shteti i Serbisë të vazhdojë ta imponojë veten si autoritet legjitim në Kosovë. Republika e Serbisë nuk është qeveria legjitime e Kosovës, qëkur popullsia shumicë nuk do që në territorin e saj të kthehet Serbia”.

“Ne besojmë që nacionalizimi për të cilin minatorët e “Trepçës” vetë kanë luftuar do të ishte një goditje si për ish-okupatorin Serbinë, po ashtu për okupatorin e tashëm NATO-n. Presioni nga baza do të krijonte një situatë në të cilën Qeveria e Kosovës do të duhej ta dëgjonte popullin e saj, e jo fqinjin e saj agresiv, e as lakmitarin “komunitet ndërkombëtar” të cilit tash për tash i përgjigjet”.

“Ne gjithashtu besojmë se qëndrimi ynë do t’u tregojë shqiptarëve të Kosovës se ata e kanë një mik të vërtetë: të majtën e Serbisë”.

Më Shumë

Gjini: Vendimi është fushatë qëllimkeqe

Doktori Sebajdin Gjini, i cili para do ditësh u shkarkua nga shefi i Repartit të Obstetrikës ka reaguar, duke e konsideruar vendimin e spitalit...

Me 31 vota për e 4 kundër, kalon raporti për Kosovën në Komisionin e KiE-së

Kosova ka marrë dritën jeshile në kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.   Kështu ka bërë të ditur faqja zyrtare e Komisionit për Çështje Politike...

Lajmet e Fundit