Shehlerët nga Hasi i Prizrenit, bindën shqiptarët të mos shpërnguleshin në Turqi

Në bazë të rrjedhave historike, mendohet se sheh Tahiri profesionin e tij kadi e ka ushtruar nga maji i vitit 1851 deri në qershor të po këtij viti. Për arsye se ai duhej t’i gjykonte njerëzit e gjakut të tij, pra shqiptarët, vullnetarisht e la punën e kadiut dhe pushteti otoman e internon në afërsi të fshatit Dedaj

Ka pasur një rol të rëndësishëm të tarikateve nëpër historinë shqiptare. Ishin ato që ndikuan në frymën atdhetare të kohës sidomos në kohën e komunizmit. Sheh Abedin Shehu, intelektual i shkolluar në Universitetin e Prishtinës dhe në Turqi, për “Kosova Sot” shpjegon edhe hierarkinë e kësaj teqeje.

Ai thotë se i pari i kësaj teqeje ishte sheh Osmani i lindur në Vlesh të Dibrës pastaj në krye të kësaj teqeje kanë ardhur sheh Ahmeti, sheh Sinani, nipi i sheh Osmanit. Ai thotë se sheh Shihabudinin Qeveria osmane e dënoi me 101 vite burg, sepse ishte prefekt i Lumës dhe organizator i kryengritjes kundër Qeverisë osmane. Shton se rol shumë të rëndësishëm ka pasur edhe sheh Hasani, i cili ishte prijësi kryesor i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Sheh Hasani ishte figura atdhetare që assesi nuk pranoi të shiste as edhe nderin e vetëm një shqiptari dhe ishte veprimtar i palodhur i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Vepra e tij është e paharruar.

Teqeja e Planejës ishte çerdhe atdhetarie

Teqeja e Planejës ishte njëra ndër teqetë më atdhetare për shekuj të tërë. Sheh Sylejmani ishte bashkëpunëtor i Hasan Prishtinës e Isa Boletinit. Rrahman Shehu ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Shtjefën Gjeçovit, i cili gjatë kohës sa shërbente në Zym, më shumë ka qëndru ar në Planejë sesa në Zym. Qëllimi i Gjeçovit ishte që përmes Teqesë së sheh Tahirit t’i bindte popullin e Hasit të besimit islam që të mos shpërngulën për në Turqi.

Kjo ishte edhe arsyeja e lidhjes së ngushte të Gjeçovit me këtë teqe. Muharrem Shehu, që ishte pjesëtar i kësaj teqeje, kishte edhe miqësi me gjithë Hasin dhe në këtë mënyrë u zhvillua kjo veprimtari e madhe kombëtare duke mos lejuar që të shkonte askush për në Turqi, edhe pse në atë kohë xhamia e Gjonajve ishte ambasadë turke, që lëshonte pasaporta.

“Kur vritet Gjeçovi, Rrahman Shehu organizon popullin e Hasit të besimit islam dhe për një javë të mbajnë zi për vrasjen e Gjeçovit. Për një javë ditë as arat e Hasit nuk i lëvruan. Ky mesazh iu dha për të kuptuar edhe regjimit, por edhe dashakeqëve se mbi të gjitha tek shqiptarët është toleranca dhe atdhetaria e kësaj teqeje”, shpjegon dr. Nexhat Çoçaj.

Sipas tij, e këtij rendi në Has është teqeja e sheh Tahirit në Planejë, e cila u ngrit në mesin e dytë të shekullit XIX, po në atë vend ku gjendet edhe sot. Themelues i Teqesë në Planejë është sheh Tahiri, i biri i Imerit.

“Ndonëse nuk kemi të dhëna të sakta për jetën dhe veprën e sheh Tahirit të parë, për të cilin mendohet se ishte bashkohanik i atdhetarit Ymer Prizreni, mendojmë se Teqeja e Planejës është themeluar përafërsisht rreth vitit 1853, pra para 159 viteve. Këtë përllogaritje të themelimit e mbështes në numrin e kuburëve në tyrben e kësaj teqeje, në udhëheqësit e teqesë dhe në analizën e disa rrethana historike, që lidhen me kontributin e kësaj teqeje. Sheh Tahiri, i cili kishte arritur të shkollohet, për një periudhë kohore kishte shërbyer, si udhëheqës i disa institucioneve arsimore në Stamboll”.

Braktisi punën e kadiut në Perandorinë Osmane

Sipas Çoçajt, sheh Tahiri, themelues i Teqesë në Planejë, për pak kohë kur ishte kthyer nga Stambolli ka shërbyer kadi në Prizren. “Në bazë të rrjedhave historike, mendohet se sheh Tahiri, profesionin e tij kadi e ka ushtruar nga maji i vitit 1851 deri në qershor të po këtij viti. Për arsye se ai duhej t’i gjykonte njerëzit e gjakut të tij, pra shqiptarët, vullnetarisht e la punën e kadiut dhe pushteti otoman e internon në afërsi të fshatit Dedaj.

Meqenëse sheh Tahiri në atë kohë ishte rreth të pesëdhjetave, për të mbajtur familjen e tij, ai nisi ta ushtrojë profesionin e imamit dhe kryente edhe shërbime të tjera fetare. Brenda një periudhe të shkurtër ai bëhet i njohur në Krahinën e Hasit edhe si besimtar, por edhe si njeri i shkolluar. Sipas shumë dëshmive, të cilat ku më shumë e ku më pak janë publikuar, mendohet se sheh Tahiri ishte në njëfarë mënyrë këshilltar politik i Ymer Prizrenit, sepse që të dy ishin nxënës të një rryme fetare, pra shehlerë të tarikatit Nakshibendi”, është shprehur ai. Kontributi i sheh Tahirit në çështjen kombëtare është i madh, i cili në atë kohë do ta ndihmojë lëvizjen kombëtare dhe organizimet e shumta për t’u çliruar nga zgjedha e Turqisë. Një kontribut të madh sheh Tahiri i parë do ta japë edhe në ngritjen e teqesë së Kaderive në Lugishtë të Hasit.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Aty ku mbillet urrejtja, korret vetëm dhimbja

Nga Enver N. Rexhaj Për një krim ka përgjegjësi individuale dhe drejtësia duhet ta përcaktojë atë. Por për klimën e urrejtjes, përçarjes dhe normalizimit të...

Përkujtohet Komandant Hekuri

Në fshatin Mrasor të Rahovecit është përkujtuar heroi i kombit, Skënder Rexhepi – Komandant “Hekuri”, në ditëlindjen e tij të 61-të, përmes vizitës në...

Lajmet e Fundit