36.8 C
Prizren
E premte, 19 Gusht, 2022

Të ndarë rreth “fitimtarit”

MeroBaze-gazetarMero Baze

Astrit Patozi ishte zyrtari më i lartë në krye të Partisë Demokratike ditën që u bënë zgjedhjet për kreun e PD-së. Ai ishte nënkryetar i Partisë pa kryetar dhe kryetar i Grupit Parlamentar. Deklaratat e tij rreth procesit , deformimit të votave dhe paracaktimit të garës janë tronditëse. Ai i shpjegoi ato si rrallëkush ka guxuar ta bëjë në atë parti. Ato nuk janë akuza, por fakte të shpjeguara për publikun nga njeriu më i rëndësishëm i asaj partie më 22 korrik, të cilit i ka ardhur ndot të votonte në atë pisllëk që u prodhua.

Në çdo parti, në çdo vend të botës, në çdo fis apo organizim fisnor, në çdo organiztë apo njësi kolektive, një konstatim i tillë meriton një debat serioz dhe minimumi një përgjigje serioze.

Kryetari i emëruar në krye të Partisë Demokratike, duhet të ishte i pari që me përulje duhet të shpjegonte këtë problem të rëndë, që lidhet me zgjedhjen e tij në krye të Partisë Demokratike. E dimë të gjithë që atë e zgjodhën për të mos pasur kryetar, por dhe si i tillë ai e ka detyrim të flasë, qoftë edhe në emër të Familjes. Ai nuk e bëri. Përgjigjia e tij se kanë votuar 41 mijë anëtarë dhe se PD qenka parti e mendimit të lirë, është fyese në radhë të parë për Sali Berishën, i cili e ka pasur nënkryetar atë që Basha e quan një nga të 41 mijët. Ai që ka bërë konstatimet e frikshme për zgjedhjet në PD, nuk ka denjuar as të jetë tek ata 41 mijë votues, votën e të cilëve se ka lexuar askush dhe kaq mjafton që Lulzim Basha të ndjejë detyrimin të përgjigjet.

Por, a mund ta injorojë Basha debatin për zgjedhjen e shëmtuar të tij në krye të PD-së?

Ka disa arsye të forta të besohet se plasaritja e PD, më shumë se sa nga humbja më 23 qershor, po nis nga fitorja e Bashës më 22 korrik.

E para që është evdiente, është se partia besoi realisht garën dhe nisi të prodhojë mbështetje për të dy palët. Një fenomen i tillë është pozitiv në një parti, por përfundon në tragjedi kur t’i shkel rregullat e lojës. Berisha dhe Basha u trembën pikërisht nga fakti se partia besoi garën dhe e vranë atë. Por, ata që besuan garën janë gjallë dhe nuk mund t’i gënjejë askush. Ata as i ngushëllon dot Patozi dhe as i bën dot për budallenj Basha. Ata panë me sytë e tyre se nuk u lejuan të votohet, se nuk ju numërua vota, ose ju dekonspirua ajo dhe nuk e pranojnë këtë. Ajo që bëri çifti Berisha- Basha me zgjedhjet në PD po prodhon brenda asaj partie dy “ideologji”, që po e ndajnë partinë në njerëz që besojnë vetëm tek vjedhja e votës dhe të tjerë që janë të dëshpëruar nga mungesa e së drejtës së votës. Kjo ndarje do thellohet dita- ditës si një zhvillim logjik i njerëzve që nuk u jepet mundësia të zgjidhen dhe të zgjedhin dhe të tjerëve që kanë gjithë pushtetin brenda partisë nën kontroll, si të përzgjedhur të Familjes. Do të jetë beteja e njerëzve të lirë dhe atyre që do të shërbejnë si badigard politikë të Familjes në emër të PD

Së dyti, 22 korriku nis plasaritjen e PD edhe nga lidershipi që prodhon. Siç e shohim përditë, ajo parti vazhdon të ketë kryetar Sali Berishën dhe zëdhënëse, Laurën, Lulin dhe Silvën. Pra, duke bërë sikur iku për të mos ikur, Sali Berisha ka prodhuar një lidership qesharak brenda partisë, të kontestueshëm jo më nga Olldashi, Patozi etj, por dhe nga çdo njeri nën mesatar në selinë e PD-së.

Lulzim Basha po starton në krye të partisë jo vetëm si një figurinë e përzgjedhur me dhunë, por dhe si një mediokër i pagojë, që nuk i del dot zot mandatit të tij. Ai e ka të domosdoshme tashmë të ketë në krah Sali Beirshën jo vetëm në selinë e partisë, por dhe në çdo mbledhje, çdo tribunë dhe çdo hap që duhet të hedh brenda partisë, nëse do ta drejtojë atë.

Autoriteti i tij me zhvillimet e 22 korrikut është asgjesuar dhe ai shikohet nga një pjesë e madhe e PD si një hajdut ordiner votash, që ka futur PD-në në luftë për të marrë një karrige që ndërkohë ja kishin falur.

Një arsye tjetër përse 22 korriku prodhon plasaritje, është dhe sjellja me ata që u përdhënuan më 22 korrik. Në mungesë të guximit për të hapur një debat real për ta ripërfshirë pjesën e përjashtuar në PD, çifti Berisha- Basha po startojnë me linçimin e tyre. Një tufë minjsh janë zgjuar nga vrimat e tyre dhe po flasin për spastrime, hakmarrje dhe gjyq popullor ndaj atyre që tentuan të mos marrin në konsideratë kollovarin në parti.

Kjo nuk është shqetësuese për ata që po linçohen, por për linçuesit. Çifti Berisha- Basha mendon se në këtë vend do përsëritet historia e bythëlëpirësve të Sali Berishës që ikën nga PD-ja dhe u rikthyen aty se u hodhi Berisha nga një kockë. Këtu gabohen rëndë. Kjo është një histori që nis për të vazhduar gjatë, jo si histori bashkimi, por si histori ndarje.

Çifti Berisha- Basha nuk duhet të bindin as Ramën, as Metën dhe as pjesën më të madhe të shoqërisë pse kanë vjedhur votat në PD. Ata duhet të bindin pikërisht ata që kanë vjedhur dhe linçuar më 22 korrik. Dhe ata binden vetëm kur u kërkon ndjesë, kur flet hapur për atë që ndodhi dhe kur punon bashkë me ta për ta korrigjuar. Në të kundërt nuk ndodh asgjë e madhe, por thjesht ke zvogëluar edhe më shumë partinë pa arsye, një muaj pasi populli shqiptar e zvogëloi boll, nga 69 mandate në 43.

Askush në këtë vend nuk është i shqetësuar përse Berisha dhe Basha duan të kenë një parti të tyren të vogël dhe talebane pro tyre. Le ta kenë. Problemi është se nuk do kenë brenda saj, një shumicë shqiptarësh që të mundësojnë ndryshimin që ata të rikthehen dikur në pushtet.

E fundit që dua të theksoj pse 22 korriku ka prodhuar këtë plasaritje, është dhe fakti se shumica e lidershipit po hesht, me shpresë se Basha mund t’u ofrojë diçka në shkëmbim të heshtjes. Degradimi në këtë nivel i një partie të madhe, tregon se sa shumë është vrarë brenda asaj partie sistemi i vlerave, sa shumë është vrarë gara dhe sa pak njerëz kanë personalitet për t’ia ofruar asaj partie në të ardhmen. Ajo parti që u bashkua pas humbjes së Berishës, u nda nga fitorja e Bashës, pikërisht pse pa që tani vlejnë vetëm si bodigard politikë të Familjes.

Ajo që bëri Astrit Patozi nuk ishte as heroizëm dhe as blasfemi. Ajo ishte një intervistë e sinqertë e një njeriu që ka parë me sy e ka prekur me dorë një mekanizëm kriminal, që deformoi vullnetin e partisë më 22 korrik. E ka thënë këtë një njeri që për tetë vite nuk pranoi të ishte asnjë ditë ministër, asnjë ditë i korruptuar, asnjë ditë i përfshirë në kulisat e tenderave, koncensioneve dhe i tërhequr nga keqpërdorimi publik për të mbrojtur çdo krim të pushtetit. E ka thënë këtë dikush që mund të bëhej miliarder si Fahri Balliu, dhe të ishte tashmë idhtar i Bashës. PD nuk do të ketë shans të ketë më një njeri kaq afër krimeve të pushtetit dhe kaq larg përfshirjes në to, sa Astrit Patozi. Në ikjen e tij kishte doemos dhe një lloj bezdie nga gjithë çka parë e ka dëgjuar. Kishte në të një lloj lodhje nga hipokriza pa fund e Berishës, çka u ndodh shumë njerëzve që e njohin nga afër. Kishte doemos dhe fiksimin e një njeriu që nuk i trembet lirisë së tij. Për këtë arsye, intervista e tij do të besohet gjatë, do të citohet gjatë dhe do të lërë vragën e saj të thellë në plasaritjen e PD pas 22 korrikut. Sidomos me përpjekjen për të bërë sikur nuk e dëgjuan.

Më Shumë

Propozohet dyfishimi i çmimit të rrymës

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KESCO ka kërkuar shtrenjtimin e rrymës, gjegjësisht dyfshim të çmimit. KESCO e ka arsyetuar kërkesën për...

Gruaja në Prizren pret venat pasi u grind me bashkëshortin që s’e la të shkojë te motra e saj

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën në Prizren, ku një grua ka tentuar t’i japë fund jetës së saj. Burimet e Gazetës Sinjali...

Lajmet e Fundit