10.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Vetëvendosje: Thaçi po e degradon MPJ-në

Lëvizja “Vetëvendosje” e ka vlerësuar negativisht punën e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, pasi, sipas këtij subjekti, kryediplomati Thaçi përveç që nuk ka sjellë asnjë njohje në këta pesë muaj, ai vetëm sa e ka degraduar edhe më shumë këtë dikaster qeveritar.

Deputetja e “Vetëvendosjes”, Puhie Demaku, në një konferencë për media të mbajtur të shtunën, ka thënë se Thaçi në takimet ndërkombëtare po e promovon veten në pozitën e presidentit.

“Gjendja në MPJ, e cila është më pasivja e kësaj Qeverie destruktive, dita-ditës po degradon, bashkë me të edhe pozicioni, edhe ashtu i brishtë i Kosovës në arenën politike ndërkombëtare. Punët e Jashtme të Kosovës janë privatizuar nga Hashim Thaçi nga njëra anë, i cili takimet në emër të Kosovës i shfrytëzon për të promovuar veten për pozitën aq të lakmuar për të, e që është pozita e presidentit të vendit”, ka vlerësuar Demaku.

Ajo më tej ka thënë se asnjë rezultat pozitiv nuk i solli Kosovës, Hashim Thaçi, duke e ritheksuar faktin se në këtë periudhë Kosova nuk ka marrë asnjë njohje ndërkombëtare.

“Asnjë rezultat pozitiv nuk i solli Kosovës, emri negativ i ministrit të Jashtëm, as edhe një njohje e vetme nuk erdhi përgjatë këtyre muajve sa ai udhëheq me këtë dikaster e në ndërkohë vazhdon rrënimi i shërbimit të jashtëm nga ana e tij. Nga kushërinjtë e militantët, sot postet e ambasadorëve shpërndahen tek ish-vartësit, të cilët kontribuuan në aferën “Pronto”. Kështu edhe pozita e ambasadorit më strategjik, e ambasadorit të Kosovës në Washington i jepet një ish-ministreje, e cila ka kontribuar në avancimin e punësimit nepotist”, ka shtuar Demaku.

Deputetja e “Vetëvendosjes”, më tej ka thënë se ky subjekt e mbështet kërkesën e mërgatës shqiptare për dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, pas deklaratave që ka bërë ky i fundit rreth Joseph DioGuardit.

“Ofendimet e fundit që zëvendësministri Petrit Selimi i bëri kryetarit të Lidhjes Shqiptaro-Amerikane, Joseph DioGuardi, duke e krahasuar dhe duke e vënë në të njëjtën peshore, njërin nga miqtë dhe lobistët më aktivë të çështjes shqiptare në Amerikë, me ata që përgjatë historisë e edhe sot u dëshmuan e u pozicionuan si armiqtë më të mëdhenj e të pamëshirshëm të kombit tonë, kjo veçse e shpërfaq qëndrimin e vërtetë të kësaj Qeverie në raport me ata që quhen miqtë e Kosovës”, ka deklaruar Demaku.

Përndryshe, Joseph DioGuardi ditë më parë gjatë dëshmisë së tij në Washington e ka quajtur ndërmarrje haraçi partinë e Hashim Thaçit dhe shkaktare e humbjes së shpresës së qytetarëve në Kosovë.

Pas kësaj deklarate të DioGuardit ka reaguar zëvendësi i Hashim Thaçit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Petrit Selimi.

Ky i fundit u kundërpërgjigj duke thënë se deklaratat e DioGuardit janë si ato të Vuçiqit, Gjuriqit e Jeremiqit./zeri/

Më Shumë

Qethja e deleve në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Pal Paluca (Foto)

Zyrtarët e Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nw Prizren  kanë asistuar në qethjen e deleve në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Pal...

Guardiola me çdo kusht e dëshiron transferimin e Musialas

Pep Guardiola raportohet se ka vendosur për objektivin kryesor të afatit kalimtar veror për Manchester Cityn. “The Guardian” raporton se City pritet që të bëjnë...

Lajmet e Fundit