16.8 C
Prizren
E mërkurë, 5 Tetor, 2022

Zhuri, fshati më i madh i Kosovës që po e ‘han’ kurbeti!

Shkruan: Berat Luzha

Zhuri është një vendbanim i madh i krahinës së Lumës, komuna e Prizrenit. Është fshat i tipit të grumbulluar në një fushëgropë mes maleve e kodrave, rreth 12 km nga Prizreni, 20 km nga Sharri dhe 25 km nga Kukësi. Ka pozitë shumë të mirë gjeografike, duke u gjendur në rrugën kombëtare Prishtinë – Prizren – Kukës – Tiranë dhe në udhëkryqin ku degëzohet rruga për Opojë e Gorë. Në hershmëri nëpër Zhur ka kaluar rruga e njohur antike “Via de Zenta”, që lidhte Lezhën me Prizrenin dhe Nishin. Fshati ka klimë kontinentale me ndikim të dukshëm të klimës mesdhetare.

 

 

Si vendbanim Zhuri është shumë i lashtë. Dëshmi është një stelë e gjetur prej guri, në të cilën është e gdhendur hardhia e rrushit, ndërsa afër fshatit ndodhen themelet e një kishe ilire. Megjithatë, në dokumente me këtë emër përmendet për herë të parë në vitin 1331. Në Qafën e Zhurit, në vitin 1881 është organizuar luftë kundër forcave osmane të Dervish Pashës e në vitin 1884 është sulmuar garnizoni i ushtrisë osmane në Zhur, prirë nga tribunët popullorë, Ramadan Zaskoci e Shaqir Ali Zhuri. Në vitin 1912 lumjanët, në krye me Ramadan Zaskocin, Islam Spahinë, Cen Dacin, Sylë Elezin etj., kanë zhvilluar një betejë me ushtrinë serbe në Qafën e Zhurit. Pas humbjeve të mëdha të ushtrisë serbe në këtë betejë, për hakmarrje serbët morën 37 shqiptarë peng dhe bën disa masakra. Në mars të vitit 1914 luftëtarët lumjanë e zhurjanë kanë sulmuar pikën kufitare në Vërmicë, kurse në shkurt të vitit 1915, nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, kanë zhvilluar betejë disaditëshe me forcat serbe në Zhur. E frikësuar nga hakmarrja serbe, për gjashtë muaj tërë popullsia e fshatit kishte kaluar në shtetin e Shqipërisë.


Pas ripushtimit serb të Kosovës, në vitin 1918, Zhuri u përball me vështirësi e probleme të mëdha; me dhunë, terror shtetëror, kolonizim. Edhe pas LDB (1945) popullsia e Zhurit gjithashtu ka përjetuar ndjekje politike, dhunë shtetërore, skamje e diskriminim mbi baza etnike. Njihet në historinë më të re demonstrata e 28 marsit 1989 në Zhur për mbrojtjen e autonomisë së Kosovës, ku morën pjesë mijëra demonstrues. Atë ditë kur në Prishtinë po miratoheshin ndryshimet kushtetuese, të diktuara nga Milosheviqi, forcat shoviniste serbe me armë zjarri qëlluan mbi demonstruesit, me ç’rast vranë tre (Xhymshit, Gjylbehar dhe Hajrim Badallaj) dhe plagosën 52 zhurjanë. Në luftën e UÇK-së ranë dëshmorë luftëtarët e lirisë, Remzi Ademaj, Mevlan Hoxhaj, Feriz Susuri, Behamir Memaj. Edhe në këtë luftë, nga 28 marsi deri më 12 qershor 1999, popullsia e Zhurit ka qëndruar në R. e Shqipërisë, e dëbuar nga fshati.

Sipas regjistrimeve osmane të popullsisë, në vitin 1571 në Zhur kishte 16 shtëpi e 20 vjet më vonë vetëm 10 shtëpi apo familje të krishtera. Kurse në gjysmën e dytë të shek. XIX Zhuri kishte 79 shtëpi me 479 banorë. Sipas regjistrimit të vitit 1919 Zhuri kishte 251 shtëpi me 1304 banorë e sot është fshati më i madh në Kosovë me rreth 1500 familje e me mbi 10 mijë banorë, të gjithë të përkatësisë etnike shqiptare. Edhe nga sipërfaqja Zhuri është fshat i madh, madje është më i madh se Prizreni. Një pjesë e madhe e popullsisë, për shkak të papunësisë dhe ndjekjeve politike, është detyruar të marrë botën në sy. Llogaritet se mbi 3500 zhurjanë sot jetojnë e punojnë në vendet e zhvilluara të Evropës e Amerikës, të cilët nga një anë paraqesin bazë të fortë materiale për fshatin e tyre. Për fat të keq, trendi i ikjes jashtë vendit të rinisë së Zhurit ende po vazhdon pandalshëm.

Berat Luzha


Zhuri është një qendër e rëndësishme ekonomike e kulturore. Duke pas pozitë dhe kushte të mira natyrore, banorët e Zhurit janë marrë tradicionalisht me bujqësi, blegtori, pylltari, vreshtari e bletari. Marrjen me këto drejtime ekonomike e kanë mundësuar toka e begatshme, pyjet e pasura, kullosat e livadhet e gjera. Nën pushtimin austrohungarez (1916 – 1918) zhurjanët filluan të merren edhe me tregti, të hapin dyqane e të mbajnë ditën e tregut. Që nga ndërtimi i rrugës Shtime – Prizren – Zhur – Kukës, në fillim të shek. XX, Zhuri ka përjetuar një zhvillim të pandërprerë, që vazhdon edhe sot.

Tradita kulturore e Zhurit është mjaft e pasur e ajo ruhet edhe sot me mjaft kujdes. Fshati është nga të rrallët që ende kremton festat pagane; Ditën e verës, Shëngjergjin, etj. Ky fshat veçanërisht mburret e krenohet, me të drejtë, me ansamblin amator “Emin Duraku”, që është një vatër e ngrohtë kulturore, e formuar në vitin 1949. Ky ansambël përmes veprimtarisë kulturore ruan e kultivon këngët e vallet popullore, si dhe ritet e zakonet autoktone. Nga Zhuri dhe nga ansambli kanë dalë shumë rapsodë, këngëtarë, valltarë… Të theksojmë se “Emin Duraku” i Zhurit ka shfaqur mbi 2000 koncerte brenda e jashtë vendit, duke e pasuruar folklorin tonë e duke e përfaqësuar Kosovën në shumë festivale të karakterit kombëtar, federativ, ballkanik, evropian e botëror, i shpërblyer me shumë çmime, plaketa, mirënjohje e dekorata.

Arsimi shqip në Zhur e ka zanafillën që në kohën e pushtimit austrohungarez, në vitin 1917, kur u hap një mësonjëtore për 30 nxënësit e fshatit. Hapjen e shkollës shqipe në Zhur e kishte ndihmuar edhe Luigj Gurakuqi, atëherë drejtor i Arsimit në Shkodër, si dhe mësuesi atdhetar, Lazër Lumezi. Në vitin 1926 ishte hapur shkolla katërklasëshe në serbisht, kurse në shqip u rihap gjatë okupimit italian, në vitet 1942 – 1944, pastaj është rihapur edhe në vitin 1945, pas mbarimit të LDB, me mësues nga R. e Shqipërisë. Sot në shkollën e Zhurit mësojnë më shumë se 1000 nxënës.

Të shpresojmë se atraksion turistik afër Zhurit mund të bëhet shpejt një shpellë nëntokësore, e zbuluar tash, para disa muajve. Gjatë zgjerimit të rrugës Zhur – Sharr (Dragash) është zbuluar shpella nëntokësore, por që ende është e pahulumtuar. Deri tash shpella mund të vizitohet vetëm në tetë metrat e parë, ku shihen stalagtitet e stalagmitet e shumta. Për shkak se shpella ende nuk ka mbrojtje institucionale dhe se hyrja në shpellë nuk ka kontrollë, vizitorët e papërgjegjshëm i kanë dëmtuar mjaft shumë vlerat natyrore të saj, duke i thyer stalagtitet.   

Zhuri, në fakt, nuk është vetëm një fshat i madh, është një qytezë gjithnjë e më shumë e urbanizuar. Fshati ka pamje të re, si të një qyteti. Pos popullsisë, sa të një qyteti, Zhuri ka edhe objekte publike e infrastrukturë; shkolla, shtëpi të kulturës, shtëpi të shëndetit, zyrë postale, xhami, lokale të shumta tregtare e hoteliere, amfiteatër, park, shesh, stadium, infrastrukturë të kompletuar rrugore, ujësjellës e kanalizim. Megjithatë, edhe pse ka sistem të ujësjellësit, fshati ka problem të theksuar për furnizim me ujë të pijes, sidomos gjatë muajve të verës.

 

 

Zhurjanët kanë traditë të pasur atdhetarie, kanë të kaluar të lavdishme në të gjitha kohët, duke qenë përherë në ballë të luftërave për liri. Por, kanë edhe diçka të rëndë, si plumbi; kurbetin. E, si vendbanim i madh, si qendër e shumë fshatrave, Zhuri i plotëson të gjitha kushtet e kriteret për t’u shpallur komunë në vete, për çka kaherë ka bërë kërkesë, por që deri tash ka hasur në veshë të shurdhër.

Më Shumë

Lajmet e Fundit