Moti i sivjetmë shënon 450-vjetorin e lindjes së Pjetër Budit. Në këtë kapërcyell të mijëvjeçarit të tretë, përkujtesa e Budit nuk mund të jetë e plotë pa qëndrimin e studimeve letrare dhe gjuhësore ndaj vetë autorit dhe librave të tij, të shtrira në kohë dhe hapësirë.
Në këtë mot të rikthimit të vëmendjes nga jeta dhe vepra e tij, nga prania dhe mungesa e librave të aurtorit, vëmë re një qëndrim të dyzuar ndaj vlerave që përçon vepra e Budit, aq sa ende hamendësohet se a ishte poet apo jo? Dyzimi ekzistencial ndaj veprës shkrimore të Pjetër Buditm, ende sot e gjithë ditën, vijohet në dy largpamje:
A- Vepra e tij ka qenë e pranishme në hapësirë dhe kohë, në arealin e letrave shqipe.
B- Mëdyshja e pjesës së dytë të shekullit të njëzet për të përcaktuar përmasën e poetit dhe të prozatorit.
Prania e Budit, e librave të tij, vjen në dy përmasa:
1. Katër librat e Budit, Doktrina e Kërshtenë, Pasqyra e të Rrëfyemit, Rituali Roman,
brenda të cilit është edhe libri i katërt, Kush thotë meshë këtë kafshë duhet me shelbuom, qysh në momentet e botimit janë bërë pjesë e pasurisë shpirtërore të bibliotekave të Romës, Parisit, Londrës, Kopenhagenit etj. , pra e salloneve të kulturës dhe qytetërimit evropian. Kjo tregon se librat e Budit, bashkë me autorët e letërsisë së shekullit 16-17, Buzuku, Matrënga, Bardhi, Bogdani dhe Kazazi, nxorrën nga mugullimat e kohës gjuhën shqipe, fytyrëzuan periudhën e parë të ligjërimit të shqipes dhe po ashtu hodhën urat e komunikimit dhe ndërlidhjes shpirtërore të botës arbënore me qytetërimin perëndimor, me gjasë me vetë Rilindjen Europiane.
2. Libri “Doktrina e Kërshtenë”, në tërësinë e vet, me tekstet e ceremonialit fetar, si dhe me 19 poezitë, ka qenë në përdorim të shqiptarëve në dy forma:
Së pari, si tekst mësimor, në shkollat fetare të kohës të ritit katolik, por ka të dhëna dokumentare, që ky libër është përdorur edhe si tekst mësimor në shkollën e Dhërmiut në vitin 1632.
Së dyti, alfabeti i librit të parë të Pjetër Budit, Doktrina e Kërshtenë, është përdorur në
tregti, sipas Kalendari Kombiar, Shoqëria Dija Vjenë 1908.
Pra, Budi hyn ndër autorët e letërsisë së hershme shqipe, që ka qenë i pranishëm në komunikim me grigjën katolike, por edhe me botën e arbënorëve, pra shqiptarëve, më përtej besimit, vizion dhe mesazh, që megjithatë formulohet në letrën drejtuar Kardinal Gocadinos, shkruar në italisht më 15 shtator 1621.
Mëdyshja dhe refuzimi për të dhënë përcaktimin e poetit dhe të prozatorit.
Askush nuk ka vënë në dyshim se është shkrimtari më prodhimtar i letërsisë së shekujve 16-17, madje që si trashëgimi vjen me katër libra. Madje, ka të dhëna që ka edhe tekste që kanë humbur, ose që do të dalin në dritë, në prozë apo poezi të përshpirtshme. Studimet gjuhësore, përkatësisht Kol Ashta, përpos analizave të thelluara të dëshmisë gjuhësore, më herët ka përcaktuar se vepra e Budit ka leksikun më të gjerë, krahasimisht me shkrimtarët e tjerë të asaj periudhe. Kjo rrethanë e thellon dhe qartëson mëdyshjen e studimeve albanologjikë.
• – Vepra shkrimore e Budit është studiuar e zbërthyer si dëshmi historike dhe gjuhësore, edhe në këtë ndërkohë. Nga ana tjetër, në shumicën e herëve, refuzohet vlera letrare, madje në jo pak herë, pa e pasë lexuar veprën e Budit, si tërësi dhe jashtë paragjykimeve biografike. Vihet re se refuzimi si vlerë letrare e librave të Budit, pra si poet dhe prozator, ka ardhur në dy forma:
– Duke përcaktuar drejtpërdrejt trashëgiminë poetike si të përkthyer dhe të përshtatur, si dhe përgjithësisht, duke e lënë jashtë vëmendjes prozëshkrimin.
– Duke e përqasur me veprën e Bogdanit “Çeta e profetëve”, pra në një qasje tërthore.
Lidhur me përcaktimet e drejtpërdrejta, pavarësisht faktit se qysh me kohë ka qenë shqyrtim i mjeshtërve të shkrimit letrar, Konica, Mjeda, Koliqi, Henrik Lacaj, Selman Riza e deri te Martin Camaj, përgjithësisht ka pasur një përpjekje për të lenë në hije të paartikuluar vlerën letrare të pozisë së Budit. Po përmend këtu një fakt të hershëm: Ende nuk është botuar monografia studimore e Henrik Lacajt, megjithëse dorëshkrimi i zbërthimit të poezisë, të vlerës së saj, të hetimit dhe të shenjave poetike, është dorëzuar qysh në vitin 1949 pranë Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë. Fil pas këtij momenti në Shqipëri nisi leximi antifetar i librave të Budit, ku pranohet shenja gjuhësore dhe historike dhe gati fshihet aspekti i krijimtarisë origjinale të shkrimtarit. Nga ana tjetër, në Kosovë, në vitin 1986, nën kujdesin e Rexhep Smajlit, botohet e gjithë poezia e autorit, e shkruar në gjuhën shqipe.
Dritarja e hapur për të lexuar poezinë e autorit solli në vëmendje një punim të Zeqirja Nezirit, “Poezia e Budit” (1995), që merr në shqyrtim poezitë e librit “Doktrina e Kërshtenë”. Në ndërkohë, periudha e parë e letërsisë shqipe, si dhe e vlerave letrare të zbërthyera përmes optikës së teorive moderne, vjen në librat e Anton Berishajt, Kujtim Shalës, me gjithë zanafillë.
/Marrë nga Gazeta Express/