21.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Salih Mustafa deklarohet i pafajshëm për katër pikat e aktakuzës

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, është deklaruar rreth luftës së UÇK-së në paraqitjen e sotme në Dhomat e Specializuara. Ai është deklaruar i pafajshëm për të katër pikat e aktakuzës të cilat ia ka lexuar Gjyqtari i Speciales.

Mustafa u deklarua i pafajshëm për katër pika të aktakuzës: ndalimi arbitrar, trajtimi mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme, pas një fjalimi të gjatë që mbajti.

Me këtë ka përfunduar pjesa e parë e seancës.

Mustafa u arrestua më 24 shtator në shtëpinë e tij që gjendet në periferi të Prishtinës, pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Arrestimi i Mustafës ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në vitin 2015.

E ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa, sot në fjalën e tij para gjykatësit në Dhomat e Specializuara ka bërë thirrje te drejtësia ndërkombëtare që kësaj gjykate t’i zgjerohen kompetencat për të hetuar e gjykuar krimet të cilat i ka bërë Serbia në Kosovë.

Ai ka thënë se beson që këto dhoma nuk do të ndikohen nga politika vendore e ndërkombëtare për qërim hesapesh dhe se nuk do të përdoret kundër qytetarëve të Kosovës.

“Duke dashur të besoj që këto dhoma të specializuara nuk do të ndikohen nga politika vendore apo ndërkombëtare por as nga interesa për qërim hesapesh, duke dëshiruar që këtë gjykate armiqtë e shtetit tim nuk do të mund ta përdorin kundër shtetit e qytetarëve tanë. Duke i përbuzur ata individë ndërkombëtarë që për interesa të ngushta politike po godasin themelet e lirisë tonë, luftën e drejtë të UCK-së dhe po tentojnë t’i kryqëzojnë luftëtarët e lirisë duke bërë punën e Luciferit, përderisa lakmia dhe interesat e ngushta ua kanë turbulluar mendjet, sytë ua kanë verbuar nga urrejtja dhe inatet, e shpirtin ia kanë shitur djallit. Për këtë kategori nk po gjej më fjalë për të shprehur, sesa fjalët hyjnore të Jezu Krishtit, në momentin e kryqëzimit kur thotë fali o Zot se nuk po e dinë çka po bëjnë”, ka thënë ai.

Mustafa tutje ka shtuar se pajtimi i popujve nuk arrihet duke ua mprehur shpatat xhelatëve, e as duke përkëdhelur njerëzit të cilët ishin aktiv në regjimin e Millosheviqit.

Fjalimi i plotë:

Dhoma e Specializuara të Republikës së Kosovës, z. Gjykatës, zonja dhe zotërinj, pasi që jam qytetari i parë i Republikës së Kosovës i nxjerrë para kësaj gjykate me një aktakuzë të konfirmuar, më duhet ti them ca fjalë, ose më mirë të them dua të bëjë një deklaratë.

Unë Salih Mustafa, ish-luftëtar i lirisë dhe ish-pjesëtar i UÇK-së, duke besuar thellë në betimin e ushtarit të UÇK-së, dhe moralin e bashkëluftarëve të mi, duke qenë thellë i bindur se lufta për liri dhe pavarësi e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme. Sepse okupimi i gjatë dhe regjimi fashist me përmasa gjenocidiale i Slobodan Millosheviqit si dhe pas luftërave të përgjakshme të këtij kasapi në Kroaci e Bosnjë, mua dhe popullit tim nuk na kishte lënë shumë zgjidhje. O të përfundonim në kampet e refugjatëve në Evropën Perëndimore, pa nderë pa atdhe e pa liri, ose të organizoheshim në një rezistencë të gjithanshme, që kulmoi me luftën çlirimtare për liri, pavarësi e shtet demokratik. I nderuari z. Gjykatës, duke besuar në moralin tim, bindjet e mia dhe karakterin tim, që kam ndërtuar për 34 vite të jetës sime në shërbim të atdheut, rrugës drejtë lirisë, dhe në shërbim të institucioneve demokratike të shtetit tim, duke respektuar e nderuar shtetet mike që ndihmuan lirinë tonë, duke qenë thellë i bindur se UÇK-ja kurrë nuk ka qenë organizatë terroriste ose grup a bandë e organizuar kriminale, por një ushtri çlirimtarë që lindi nga populli dhe që me shumë mund e sakrifica, duke derdhur gjakun e djemve e vajzave më të mira të kombit, është bërë gurë themel i lirisë që ne sot e gëzojmë.

Duke dashur të besoj se këto Dhoma të Specializuara nuk do të influencohen nga politika vendore a ndërkombëtare, por as nga interesa për qërim hesapesh nga interesa apo grupe interesi, duke dëshiruar që këtë gjykatë, armiqtë e shtetit tim nuk do të mund ta përdorin kundër republikës sime dhe qytetarëve të saj, duke i përbuzur ata individë apo grupe individësh, qofshin ata vendorë apo ndërkombëtarë, që për interesa të ngushta politike, pasuri apo interesa të tjera të ulëta, po godasin themelet e lirisë sonë, luftën e drejtë të UÇK-së dhe po tentojnë ti kryqëzojnë luftëtarët e lirisë duke bërë punën e Luciferit, përderisa lakmia dhe interesat e ngushta ja u kanë turbulluar mendjet, sytë ua kanë verbuar nga urrejtja dhe inatit e shpirtin ia kanë shitur djallit. Për këtë kategori nuk po gjej fjalë adekuate për të shprehur, sesa fjalët hyjnore të Jezu Krishtit në momentin e kryqëzimit kur thotë “Fali o zot se nuk po e dinë çfarë po bëjnë”.

I nderuar z.Gjykatës, duke të falënderuar për mundësinë që më dhe për tu shprehur lirshëm, duke besuar në drejtësi dhe vlera demokratike, shfrytëzoj rastin që nga kjo gjykatore ti bëjë thirrje deputetëve të Parlamentit Evropian, deputetëve të Kosovës, politikanëve vendimmarrës të shteteve evropiane, politikanëve të Kosovës, si dhe drejtësisë evropiane, që të zgjojnë ndërgjegjen njerëzore, demokratike e humanitare, që kësaj gjykate speciale selektive, që në analet e drejtësisë ndërkombëtare, është e panjohur, t’ia zgjerojë kompetencat, për të gjykuar dhe dhënë drejtësi, edhe për mbi 1300 fëmijë të vrarë e masakruar, 16 mijë viktima civile, për të dhunuarat, për kthimin dhe gjetjen e mbi 1600 bashkëqytetarëve ende të zhdukur, varrezat masive ende të pazbuluara, mbi 450 masakra të ndodhura anë e këndë Kosovës, dhe dëmet kolosale materiale të shkaktuara mbi ekonomitë familjare dhe ekonomitë shoqërore që i shkaktoi okupatori gjenocidial i Serbisë. Sepse jam i bindur se pajtimi nuk arrihet duke ua mprehur shpatat xhelatëve, e viktimat duke i viktimizuar edhe për së vdekuri. Por as paqja e prosperiteti demokratik në Ballkan, nuk do të arrihet duke përkëdhelur e mikluar trinomin autokratik nacional-shovinist të përbërë nga ALeksandër Vuciq, Ivica Dacic e Aleksandër Vulin, që ishin akterë aktivë në regjimin e Millosheviqit, dhe tani si derivat i atij rexhimi, janë shndërruar në çetnikë sallonesh, të cilët gjithashtu edhe në ditët e sotme me politikat e tyre fashiste po godasin lirinë dhe qytetarët e shtetit tim, bashkëkombësit e mijë në Kosovën lindore e Sanxhak po i bëjnë të vuajnë, duke ua mohuar edhe të drejtat themelore njerëzore, e në anën tjetër po cenojnë të gjitha shtetet e Ballkanit që po ndërtojnë demokraci perëndimore. E në këtë mision, po përkrahen nga aleati i tyre djallëzor. Duke shpresuar se kjo gjykatë do të prodhojë drejtësi dhe vetëm drejtësi, edhe pse ende nuk e kam marrë aktakuzën e pacenzuruar, dhe të gjitha shkresat e lëndës, ju siguroj z.Gjyaktës se në këtë betejë time ligjore me prokurorinë para kësaj gjykate, në çdo rast dhe çdo herë, do ta përdori të vërtetën, për të vërtetën dhe të drejtën. Sot jam i gatshëm të deklarohem për pafajësinë apo fajësinë time. Faleminderit për fjalën.

Më Shumë

Gjini: Vendimi është fushatë qëllimkeqe

Doktori Sebajdin Gjini, i cili para do ditësh u shkarkua nga shefi i Repartit të Obstetrikës ka reaguar, duke e konsideruar vendimin e spitalit...

Elsa Lila rrëfen qëndrimin e saj në burg

Elsa Lila ka rrëfyer në ‘Ferma Vip’ ditët e qëndrimit të saj në burg. Ajo u arrestua në Itali si pjesë e një grupi kriminal...

Lajmet e Fundit