Labehat B. Kryeziu nuk ka mundur të zgjedhet asistent në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike të UPZ-së. Ai, thotë se është eliminuar për shkak dallavereve, pasi që ka plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara me konkurs.
Fajëson rektorin në largim, Ramë Vatajn dhe dekanin Samedin Krrabaj.
“Në raportin e Komisionit recensues të publikuar me date 01.11.2018, shihet që kemi aplikuar tre kandidatë, ndërsa Agon Koka është përzgjedh edhe pse ka qenë me herët në këtë pozitë, duke qëndruar në mënyrë të paligjshme dhe shkelur Nenin 174 Pikën 1.4 të Statutit të Universitetit të Prizrenit”, tregon Kryeziu për “PrizrenPress”.
Fakulteti i Shkencave Kompjuterike i UPZ-së, me datën 14.9.2018, ka hapur konkurs për një asistent të rregullt për lëndët: Senzorët dhe Interfejesët, Mikrokontrollerët, Metodat e Transmetimit, dhe Machine Learnin.
“ Me zgjedhjen e Agon Koka është shkelur Statuti i Universitetit të Prizrenit, pasi që Neni 174, paragrafi 1.4, kërkohet nota mesatare në bachelor dhe master të jetë jo më pak se 8, kurse Koka ka mesataren nën 8, në studimet Master”.
“Po ashtu vlen të cekët se nuk janë bërë transparente edhe notat mesatare të kandidatëve në mënyrë që të krijojnë më shumë mjegull dhe të i realizojnë lojërat e tyre, gjë qe nuk ndodh në asnjë universitet”.
Komisioni recensues ka vlerësuar se Labehat B. Kryeziu nuk ka plotësuar Pikën 1.3 të Nenit 174 të Statutit te Universitetit te Prizrenit, ku kërkohet që kandidati duhet të jetë i regjistruar në studimet e doktoratës me rastin e rizgjedhjes.
“
Kjo është edhe një shkelje tjetër sepse kjo pikë vlen për ata persona që janë në rizgjedhje për këto pozita pra që kanë qenë më herët, kurse unë nuk jam në rizgjedhje por kam konkurruar për herë të parë në këtë pozitë”, shprehet Kryeziu.
“Po ashtu nuk ka dorëzuar asnjë dëshmi për kryerje të doktoraturës deri me datë 29.09.2018 kur është mbyllur konkursi edhe pse me statut të Universiteti të Prizrenit për asistent kërkohen vetëm dy nivelet BSc dhe MSc, neni 174 pika 1.4.”
“Në raportin e Komisionit recensues në Universitetin e Mitrovicës, po i njëjti kandidat Agon Koka, refuzohet për shkak të këtyre problemeve me mesatare ku edhe nuk e dërgon certifikatën e notave të nivelit master, sepse mesatarja e tij është nën 8 dhe bie në kundërshtim me Statutin e Universitetit, kurse këtu në Universitetin e Prizrenit në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike i njëjti propozohet duke e shkelur statutin pa asnjë problem dhe vetëm tek ne ndodh që të fshehën notat mesatare!”.
“Shpresoj se ky rast do të merret seriozisht, sepse shumë qartë vërehen shkeljet”.
“Shpresoj se njerëzit që bëjnë padrejtësi dhe shkelje të tilla një dite do të sillen para drejtësisë”
Labehat B. Kryeziu, me padrejtësi ishte përballur në dy konkurse të tjera të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.
“Po e përmendi konkursin e parë të datës 26/01/2018 me numër protokolli: 01-28/A për t’ia u sqaruar se si ka rrjedhur ngjarja në mënyrë kronologjike, edhe pse ankesa ka të bëjë me konkursin e dytë të datës 31/08/2018 me nr: 01-145/A”.
“Në konkursin e parë të datës 26/01/2018, në përzgjedhjen e parë nuk kam qenë në listë për asistent të angazhuar, por pas bisedës me dekanin, pasi iu tregova se jam në dijeni për ligjet që janë shkelur dekanati i FSHK më dha pozitën që e meritoja, por me kërkesë që kjo punë të mos bëhej e madhe, atëherë dhe të mos bëja ankesën ku përmendeshin këto shkelje”.
“Pasi u angazhova më të drejtë si Asistent në FSHK atëherë filloi një presion i vazhdueshëm i cili u përmbyll me hakmarrje në konkursin e dytë të datës: 31.08. 2018”.
Kryeziu tregon se Komisioni vlerësues për shqyrtimin e konkursit për angazhimin e stafit akademik në FSHK, duhet të përbehet prej profesorëve në marrëdhënie të rregullt pune, anëtar të departamentit përkatësisht degës ose programit përkatës.
“Në këtë përzgjedhje ka ndodhur krejtësisht e kundërta ku anëtar i komisionit ka qenë një mësimdhënës i angazhuar i cili është profesor i Fizikës (mësimdhënës i vetëm një lende në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike – FSHK), i cili nuk është staf i rregullt në FSHK”
“Vlen të theksohet se nuk ka pasur mungesë të profesorëve të rregullt, por është caktuar i lartpërmenduri për përfitime dhe interesa personale të individëve të caktuar!”.
“Nuk është shfaqur asnjë raport apo e dhënë për personat e propozuar për asistentë”
Kryeziu dyshon në falsifikimin e nënshkrimit të profesorit, Xhevahir Bajrami.
“Po ashtu është falsifikuar edhe nënshkrimi i profesorit Xhevahir Bajrami i cili ditën e nënshkrimit nuk ishte në Kosovë”.
“Në konkursin e dytë (të fundit) të datës 31. 8.2018, prapë u pranova si asistent i angazhuar sepse zgjedhja ishte transparente dhe nuk mund të ndikonin, por më pas filluan edhe lojërat e rektorit të cilat i realizonte përmes dekanit dhe këshillit te FSHK-së”.
“Në bazë të këtij raporti unë u pranova si asistent i angazhuar për semestrin dimëror 2018/2019, po ashtu kalova dhe u votova pozitivisht edhe në Senat të Universitetit të Prizrenit dhe emri im u shfaqë në orar si asistent i disa lëndëve:.
“Pas këtyre filloi presioni me ndarje jo të drejte të orëve (lëndëve) të cilat nuk ishin të fushës sime të studimit, me ç’rast patëm edhe një bisedë të ashpër me Dekanin Samedin Krrabaj sepse me kishte ndarë orët me qëllim të caktuar, për këtë arsye e bëra një kërkesë për ndryshime të orëve, e cila nuk u përkrah nga Këshilli i FSHK-së”.
“Dhe zgjidhja e vetme që me mbeti ishte që të vazhdoja me ato orë dhe me ato lëndë. Por pas gjithë kësaj mendoj se rektori në ikje, Ramë Vataj filloi të përzihej në këtë punë, ku më datë 23/10/2018 në koordinim me dekanatin dhe Këshillin e FSHK-së e publikuan një “Listë përfundimtare” të stafit të angazhuar në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, ku më larguan nga lista pa ndonjë arsye edhe pse unë kisha kaluar njëherë në Senat dhe e kisha emrin në orar”.
Në konkursin e datës 31/08/2018, janë kërkuar katër asistentë për gjuhë shqipe, tre për gjuhën boshnjake dhe tre asistent për gjuhën turke.
“Por, me këtë “Listë përfundimtare” këta vepruan sikurse Universiteti të mos jetë institucion publik. Kjo listë u publikua vetëm për Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe jo për fakultetet tjera, sepse kjo procedurë kishe përfunduar dhe ne ishim votuar në Senat”.
“Nga kjo shihet qartë se është duke u luajtur një lojë për të më eliminuar edhe pse isha zgjedhur njëherë, isha votuar në Senat dhe emrin e kisha në orar të ligjëratave dhe ushtrimeve”.
“Në këtë listë ndryshuan gjërat. U zgjodhën tre asistent për gjuhën shqipe, ku ishin katër, duke me eliminuar mua nga lista dhe duke e shtuar edhe një asistent në gjuhen turke edhe pse ishin kërkuar tre me konkurs, këta e kaluan numrin dhe zgjodhën katër asistentë, kjo nuk përputhët as me konkurs”.
“Haptas shihen qëllimet e rektorit në largim Ramë Vataj dhe dekanit Samedin Krrabaj që të më eliminojnë prej listës, duke iu bërë presion edhe anëtareve të Këshillit të FSHK, të cilët ma pohuan të njëjtën dhe nuk ishin të njoftuar saktë së çfarë po ndodhë”.
“Po të njëjtit anëtar të komisionit besoj se me iniciativë të Rektorit dhe Dekanit të FSHK-së kanë nënshkruar edhe
“Listën përfundimtare” në të cilën më kishin eliminuar, duke rënë kështu në kundërshtim me vetveten!”.
“Po ashtu vlen të cekët se edhe në këtë “Liste Përfundimtare” kanë bërë edhe një falsifikim të nënshkrimit të asistentes Dhuratë Hyseni”.
Nënshkrimet

Ndërkaq, dekani Samedin Krrabaj, mohon akuzat e Kryeziut. Ai thotë se kandidati që është zgjedhë ka të përfunduar doktoratën.
“ Nuk qëndrojnë ato akuza, sepse kandidati që është pranuar ka të përfunduar doktoratën ”, tha Krrabaj për “PrizrenPress”.
Me arsyetimin e Krrabajt nuk pajtohet Kryeziu.
“Konkursi dhe Statuti i UPZ-së, tregon se cilat niveli të kualifikimit duhet t’i ketë një kandidat për asistent, prandaj nuk qëndron arsyetimi i Dekanit”, shprehet ai.
Kryeziu ka paralajmëruar se të drejtën e tij do ta kërkojë edhe përmes organeve të drejtësisë./PrizrenPress.com/