29.9 C
Prizren
E hënë, 14 Korrik, 2025
Home Blog Page 4565

Shaqir Totaj shpreh dhembje për Mytaher Haskukën

0

Ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, ka shprehur keqardhje për kryetarin e Komunës, Mytaher Haskuka.

Që kur e ka marrë pushtetin ka pasur pak punë kualitative në drejtim të përmbushjes së premtimeve elektorale të dhëna qytetarëve te Prizrenit”, shkruan Totaj në “Facebook”.

“Kohëve të fundit ka kritika në adresë të kryetarit të Prizrenit, Dr. Haskuka. Myta, para se të kritikohet, mendoj se është për me tu dhimbtë”.

“ Është për me të ardhur keq për të se si dhe pse i ka hy një sfide e cila i tejkalon kapacitetet e tij të lidershipit për të udhëhequr qytetin e Prizrenit”.

Totaj (PDK) e Haskuka (VV), në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar kanë qenë kandidatë për kryetar të Prizrenit./PrizrenPress. com/

Kisha shumë vite që kisha vdekur…

0

Poezi e shkruar nga Agim Doçi.

Kisha shumë vite që kisha vdekur
Erdhën plot njerëz dhe në varrim
Sa fjalë të bukura që kishin gjetur
I kishin shkruar mbi varrin tim…

Sa turp më vinte, sa më peshonte
Rrasa e varrit me ato fjalë.
Ndonëse parajsa nuk më pranonte
Ndoshta dhe shpirti s’më kishte dalë…

Sa isha gjallë më ndenjën ftohtë
Nuk e kuptoja çfarë kisha bërë
Doja nga njerëzit një fjalë të ngrohtë
Vetëm më iku, jeta e tërë…

Tani që s’jam, mos u frikësoni!
Se larg prej jush vendin e gjeta.
Rri kuvendoj me Perëndinë
Ai s’paska frikë nga e vërteta!

Haskuka: Vetëm në katër shkolla do të përsëritet konkursi për drejtorë të shkollave (Video)

0

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka thënë se 90 për qind të emrave të propozuar për drejtorë të shkollave, tashmë i kanë marrë vendimet.

Sipas tij, konkursi do të përsëritet në katër shkolla.

Kliko linkun

https://web.facebook.com/TVBESA/videos/2206656169656210/

 

DOKUMENT: Gjykata pezullon zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Prizrenit

0

Gjykata Themelore e Prizrenit ka vendosur të ndalë ekzekutimin e vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prizrenit ‘Ukshin Hoti’ për zgjedhjen e Ismet Temajt në postin e rektorit.

Ramë Vataj, mandati i të cilit përfundon më 27 tetor, paditi Universitetin e Prizrenit, përkatësisht Këshillin Drejtues, lidhur me zgjedhjet për rektor që u mbajtën në maj të këtij viti.

Masa e përkohshme është vendosur duke u bazuar në padinë e Vatajt.

Ai pretendon se kundërkandidati i tij, Ismet Temaj, është përzgjedhur në mënyrë të parregullt, pasi nuk kishte anëtarë të mjaftueshëm të Këshillit Drejtues në kohën e votimit.

Në aktvendimin e Gjykatës të datës 8 tetor “urdhërohet Universitetit të Prizrenit ‘Ukshin Hoti’ të shtyjë ekzekutimin e vendimit të Këshillit Drejtues të datës 30 maj 2018’.

Këtë aktvendim, i siguruar nga KALLXO.com, e konfirmoi kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri, i cili tha se do ta respektojnë vendimin dhe se do të zgjedhin një ushtrues detyre të rektorit deri në përfundimin e procedurave.

“Po është e vërtetë, e kemi marrë vendimin dhe konform atij vendimi Këshilli Drejtues edhe duhet të veprojë dhe e ka në agjendën e vet që brenda kësaj jave të marrë vendimin e duhur. Rektori i ri ka qenë dashtë të fillojë me datën 28. Këshilli drejtues është i detyruar ta zgjedhë një ushtrues detyre deri në vendimin përfundimtar nga gjykata”, tha Muhadri.

Në anën tjetër, rektori i përzgjedhur sipas vendimit të kontestuar të Këshillit Drejtues, Ismet Temaj tha se ka ankesë ndaj këtij vendimi të Gjykatës.

“Ai aktvendim është i pakuptimtë, për mendimin tem se unë nuk jam jurist. Kemi bërë njëfarë ankese, sepse ai vetë rektor vetë e ka paditë universitetin. Këshilli Drejtues ka bërë ankesë”, tha Temaj.

Në anën tjetër, vetë Ramë Vataj nuk ka qenë i qasshëm në telefon për të komentuar këtë vendim.

Historiku i problemit

Këshilli Drejtues i UPZ-së  më 22 maj të këtij viti në rundin e dytë të votimit zgjodhi profesorin Ismet Temaj rektor të këtij Universiteti.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues të këtij Universiteti kishte marrë vendim të shkruar më datën 30 maj për përzgjedhjen e Temajt si rektor, duke u thirrur në Statutin e Universitetit të Prizrenit dhe Rregulloren e Punës së Këshillit Drejtues.

Në fakt zgjedhja u bë në sallën ku prezentë ishin katër nga shtatë anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit dhe në mesin e shumë tensioneve.

Statuti i Universitetit të Prizrenit  ‘Për mbajtjen e mbledhjeve të Këshillit Drejtues nevojitet kuorumi prej pesë anëtarëve, së paku katër prej tyre me të drejtë vote’.

Ky statut po ashtu parasheh që për zgjedhjen e rektorit duhen dy të tretat e votave të anëtarëve të Këshillit Drejtues.

Sekretari i Universitetit të Prizrenit, Burim Berisha, e quajti këtë zgjedhje të jashtëligjshme, pasi sipas tij në sallë nuk ka pasur kuorum dhe kandidatët nuk kanë mundur të marrin 2/3 e votave, të nevojshme për zgjedhjen e rektorit.

“Jena dalë jashtë për konsultë, deri sa ne kemi qenë jashtë, në media e kam dëgjuar se është mbajtur një rund tjetër i votimit me katër anëtarë të bordit… Këtu ka pasur shkelje se nuk ka pasur kuorum dhe nuk i ka marrë pesë vota”, tha Berisha.

Berisha po ashtu akuzoi kryesuesin e Këshillit Drejtues të këtij universiteti se ka marrë me vete materialin zgjedhor nga votimi për zgjedhjen e rektorit.

Në anën tjetër, kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri e konsideroi vendimin legjitim, duke thënë se janë të hapur ndaj ankesave.

“Rundi i parë dhe rundi i dytë është pjesë integrale dhe është një tërësi e njësuar për një çështje, po të ishte ndryshe mbi konstatimet e mia atëherë rektori do të ishte një maratonë e procesit të votimit, pasi nëse nuk kemi rezultate të duhura për një grupacion dhe lëshimi i mbledhjes do ta bënte një garë monotone dhe maratonike për zgjedhjen e rektorit”, tha Muhadri.

Muhadri thotë se vendimi ishte bazuar edhe në rregulloren për Punën e Këshillit Drejtues.

Megjithatë në rregulloren që e ka siguruar KALLXO.com në nenin 13 të saj parashihet se ‘Vendimet e Këshillit Drejtues janë të plotfuqishme vetëm nëse kuorumi vërtetohet në kohën e votimit’.

Muhadri po ashtu pranoi se kishte marrë me vete materialin zgjedhor dhe për këtë çështje kishte dhënë deklaratë në polici.

Ai tha se meqë nga mbledhja ishte larguar Sekretari i Përgjithshëm dhe një zyrtar ligjor i KD-së, ai nuk kishte ditur çfarë të bënte me atë material.

Rektori i përzgjedhur, Ismet Temaj tha se vërtetësia e zbatimit të rregullave në votim është në kompetencën e atyre që kanë qenë prezentë.

“Mënyra si ka shkuar ka qenë shumë legjitime, shumë e drejtë, mënyra më e mirë e mundshme edhe gjatë intervistës, pyetjet kanë qenë me vend. Pastaj kur të kryhet intervista kandidatët nuk duhet të jenë aty… e bëjnë punën e tyre Këshilli Drejtues. Gjithmonë ai që humb garën ankohet, kjo është normale për mua, për mua ka qenë garë fer”, tha Temaj.

Në kohën kur për këtë rast kishte raportuar Gazeta Jeta në Kosovë, rektori aktual Ramë Vataj nuk kishte pranuar të flasë para kamere, mirëpo kishte thënë se është ankuar në Ministrinë e Arsimit dhe te kryeministri i Kosovës.

Ramë Vataj ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kandidat për kryetar të Suharekës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ishte zgjedhur rektor në vitin 2014.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar për problemet në zgjedhjet për rektor në UPZ.

Lorik Cana zbulon të ardhmen: Kërkoj të blej një klub

0

Olimpique Marseille-Lazio, një përballje e veçantë në Europa League sidomos për Lorik Canën, emblemën kuqezi, që në karrierën e tij ka lënë gjurmë te të dyja skuadrat që do të përplasen në Velodrome. Është e pashmangshme prania e tij në sfida të tillë, por edhe interesimi i mediave për një lojtar që ka ditur të lërë kujtime të bukur si në Marsejë ashtu edhe në Romë.

Olimpique Marseille-Lazio? Unë jam dhe do të mbetem një mbështetës i flaktë i Olimpique Marseille.

Gjithsesi, kujtimet të paharrueshme ka edhe nga Parisi, aty ku nisi karrierën si futbollist.

Në Paris mbërrita në vitin 2000, kur isha ende një djalë i ri. Me PSG debutova në futbollin profesionist. Qëndrova për tre sezone në ekipin e parë dhe fitova trofenë tim të parë, Kupën e Francës. Jam ende shumë i lidhur me këtë klub, edhe pse shumë njerëz nuk më kanë falur kurrë për transferimin tim te Marseille në vitin 2005.”

Cana u pyet edhe për përballjen mes PSG dhe Napolit në Champions.

“Është shumë e vështirë të marrësh rezultat pozitiv në “Parc des Princes”. Neymar me shokë janë të fiksuar pas Championsit, por edhe Napoli i Ancelottit është shumë i fortë dhe ka treguar se mund të marrë rezultat të mirë. Gjithsesi, PSG dhe Liverpooli mbeten skuadrat favorite për të kaluar grupin, por mund të ndodhë gjithçka.”

Ish-kapiteni legjendar zbuloi një detaj interesant për ta ardhmen e tij, që sigurisht ka lidhje me futbollin.

“Kam nisur negociatat për blerjen e një klubi, kështu që nuk mund të flas për të ende. Ky është një klub që nuk është pjesë e njërës nga pesë ligat më të mëdha europiane, por do të jetë një vend i mirë për të krijuar përvojë. Më duhet të shoh nëse e pëlqej, nëse ndjehem mirë në këtë rol dhe nëse mund të mendoj të shkoj në një klub më të madh. Më tepër synoj drejtimin sportiv, ose në përgjithësi drejtimin e përgjithshëm. Për të stërvitur, kurrë nuk më ka tërhequr. Drejtimi, me të vërtetë që më intereson.”

Gjermania këshillon qytetarët: Kujdes gjatë postimeve në FB nëse shkoni në Turqi

0

Gjermania ka paralajmëruar qytetarët e saj që vizitojnë Turqinë të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të shikojnë se çfarë publikojnë në rrjetet sociale, pas një serie arrestimesh të gjermanëve për shkak të kritikave të qeverisë së presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në internet.

Në këshillën e përditësuar për udhëtime, e cila është publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme sot, thuhet se përpjekjet e Berlinit për përmirësimin e marrëdhënieve me Ankaranë deri më tani shumë pak kanë ndikuar për dhjetëra qytetarë të ndaluar gjermanë pas grushtit të shtetit të dështuar të vitit 2016.”Arrestimet dhe persekutimi janë shpesh në lidhje me postimet në rrjetet sociale kritike e qeverisë,” sipas një këshille të re për udhëtime në Turqi.

Ministria shtoi se edhe komentet private mund të paraqesin një rrezik dhe se akuzat për “fyerje të presidentit” ose “përhapjen e propagandës terroriste” mund të çojë në dënim me shumë vjet burgim.

Moratti: Mungesa e Messit balancon ndeshjen

0

Ish presidenti i Inter, Massimo Moratti ka deklaruar para derbit të sontëm me Barcelonën se mungesa e Lionnel Messit do të jetë një mundësi për të fituar ndeshjen,

“I jep ndeshjes një balancë. Do të jetë ndeshje e vështirë, por nëse ne japim më të mirën tonë kundër Barcelonës nuk mund të thuhet se Inter nuk mund t’ia dalë”, është shprehur Moratti.

Italiani ka folur edhe për mundësinë që Inter të fitojë këtë vit Scudetton.

“Është e vështirë të mendohet për atë objektiv, kur e sheh Juventusin duke e vështirë”, ka përfunduar Moratti.

73 vjeçari në vitin 2016 i shiti Interin indonezianit, Erick Thohir.

Françeskanët zbulojnë pesë letrat e panjohura të Fishtës

0

Si të thashë, kam fillue nji kangë, qi shpresoj se ká me mbetë nder mâ të bukura të Lahutës. Dér m’sod kam shkrue ktu n’Italí kater kangë të Lahutës; nji Cantico drammatico mâ se dý mij vjerrshash; nji Konferencë mbí Provincjen t’onë e nji satirë mjaft të gjatë. E pra Doktori më ká pasë urdhnue kater muej pushim menduer, posë trazimesh të mdhá qi më qesin letrat shum herë të papuna. I falem nderës Zotit, qi ké kthye në Shkodër ti!”.

Pesë letra të At Gjergj Fishtës janë publikuar për herë nga françeskanët. Pas daljes te numri i parë i “Hyllit të Dritës”, “Gazeta Shqiptare” i sjell të plota në bashkëpunim me “Botimet Françeskane” me rastin e 147-vjetorit të lindjes së poetit kombëtar (dje më 23 tetor). Nga bisedat personale me fretnit e tjerë, te bisedat për çështje me ndjeshmëri të veçantë për të e provincialin, ku flitet për ecurinë me “Lahutën e Malcis”, botimin e Kanunit të Gjeçovit, a shkollimin e fretnëve në Itali. Dimensioni njerëzor e ai i njeriut të besimit, ndërthuren për të dhënë Fishtën e letrave, librave e shkresave, që teksa gjendej në Romë, kujdesej për fretnit e ri, për shkollat në Shkodër, për botimet e mbetura në mes shpesh kritikonte edhe veten për çka kishte lënë pa bërë.

***

Shkodër, 16 – IX. – 20

I dashtuni P. Bernardin,

Kuer kjeçë në Troshan, zgodha në bibliotekë t’ujen dy libra: Horacin, nji libër i vjetër e krejt i tymytun, edhè Iliaden të perkthyeme kroatisht. Kta libra i kam lânë m’skâj të raftit kahë dritsorja mbi kopshtë. Per në kjoftë se i gjênë, kishe me m’bâ shûm nderë po pate se si me m’i dergue per s’shpejti.

Provincjali s’kà kthye kthye ené. Punët m’front janë mirë. P. Çirili sot niset për Shalë në misjon.

U falem me shndet të gjithve.

P.Gjergj Fishta.

***

Romë, 11 Kallnduer 1925

Fort i dashtuni P. Ambroz,

M’ká n’dorë kartolina edhè letra e jote. Të falem nderës per urime qi m’dergon e qi un po t’i terrnoj, pak me thânë, nji qind herë të shumueme. Kshtû edhè – sot me 11 Kallnduer – po të fatoj ditën e êmnit, të cillen s’t’a kam fatue me kohë jo prej harreset a priteset, por vetem prej ngaëjet; pse, tuj u gjetë në Piano dei Greci e tuj m’u dashtë me bâ kah dyë trië predke në ditë, ishëm teper i zanun me punë – Me gjith kta nuk besoj, se kto urime per ditë t’êmnit po të mrrîjnë teper vonë. Rexhepi i jonë i ktushem: P. Leonard Boroncelli, ká lutë diten e emnit të vet me 26 Dhetuer. […] âsht vetem ktû, qi na, tuj lutë Sh’ Leonardin me 26 Dhetuer, prá mbas nji mojit, kena pasë nji gostë mjaft të mirë, ndersa kto urime të prapambetuna të Sh’ Ambrozit as mue as tyë s’po na qesin gjâ m’skep.

Po m’thue, se sdin shka me m’shrue. Po ti të m’kishe dhânë ndoj lajm mbí gjêje të Shkollës, të trupit msojtuer, të zansave, do të m’kishe bâ nji nderë të madhe fort; pse, tue pasë kênë vetë msues e drejtuer per dymdhetë vjetë – jânë 25, besa, por… nejse – kam të madh dishír, me diejt se si shkon puna e Shkollës. Në paç ngaë pra ndoiherë me m’shkrue, mos m’shkruej kurrgjâsend tjeter, në daç vetem punë shkollash, e kam me tu falë nderës.

Per punë të veglave të fizikës enè s’kam pasë kurrnji lajm prej Germanijet. Parmbramit kje me m’pa Dr. Reimers e ky, tuj i a pasë zanë n’gojë un at punë e tuj u gjetë ktû në Romë nji mik i tij prej Bavjeret, muer listen e veglave, qi ti m’a ké pasë lânë mue, e m’tha, se do t’i a epte atij mikut të vet, i cilli do t’interesohej mi gjetë sa mâ lirë në ndonji fabrikë tjeter. Me kênë gjallë P. Agostini, dritë pasët, kishte me thânë: Bre qi lujti makina.

A din shka jam tuj bâ shi njitash, qi jam tuj t’shkrue letren tyë? Jam tuj grîe asì duhanit të keq, qi na ká pasë dergue damas per Ekspozicjon. Plasa me tê jo veç pse jam tue grîe si me kênë tue grîe lakna per akshihane, por pse nuk man zjarm e po m’duhet orë e ças me ndezë cingaren – Punë të mirë qi kishi bâ ti e P. Pali tuj m’marrë gjwmsen e cingareve, qi kemi pasë në Bari!

Dje kemi shtî në dhé në Pantheon Mbretneshen e Italís, Margariten. Varrimi âsht bâ me lumní të madhe. Prej Klerit kan kênë grishë vetëm Franciskâjt e Kapuçîjt, si kishte pasë metë doke kah mot në vorrim të gjindës s’dinastís Savoja. Freten kan kênë mâ se 100. Kam kênë edhè vetë. Në ket rasë kam pá Diaz e Cadornen edhè Pipo Papen e “Beço Giallo”.

Detyren qi ké te libratari Marietti kam me t’a pague në mos harrosha. Ká dekë Nikolla, deraxhija i kuvendit të ktushem. Lute Zotin per të mjerin, pse ká pasë kênë fort i mirë.

Jam tuj punue n’ Lahutë të Malcís. Dér n’marim të ktij mojit shpresoj se do t’i kryej trië kangë të reja, kshtû qi kan me mbetë vetem dy per të shkrue. Kah Pashkët mundet me kênë krejt e marueme. Eh po, inshalla!

Ktû mbrendë po të paloj nji leter të P. Bernardinit Sokol, i cilli, si ká kthye prej Friburgut, i âsht dhânë edhè mâ teper pershpirtnís. Âsht pernjimend nji Meshtar i mirë.

Per P. Justinin s’due me të shkrue kurrgjâ, pse ishte bâ i keq e s’e due mâ si perpara. Veç me pasë per ta kndue letren “bihude” qi m’ká shkrue! E pse masandej? Veç pse i kam shkrue Provlit [Provincialit], se aj kamen s’e ká të ligë. Tashti, un tuj e marrë me mend, se Provli mund do t’a kndote at leter edhè para tij, a mund thojshe ashtû trûç, se kamës s’tij i ká ra pika, si P. Agustinit, dritë pasët, e se me kohë do t’i bjerë “qymja” “ma[draga”, “dala e gjâs”, “priçit” etr. etr. etr.? Nejse…

Tash, mjaft. U falem me shndet të gjithve në Kuvend e në Shkollë. Të marr ngrykë me shum máll.

P. Gjergji i yt

***

I dashtuni P. Provincjal,

Kaluen dye të Merrkurre – dye ditë Poste prej Shqypnijet – e un prej tejet s’mora as leter as kartolinë, mos tjeter, sa me m’diftue se keni mrrîjtë shndoshë e mirë në Shkoder. Por ká pasë thânë i moçmi: si t’i a bâjsh kujë, t’a bâjnë e t’a teprojnë; prandej, mbasì vetë jam i ngâthtë në të mbajtun të korrispondencës pustollare me tjerë, s’kam tager me u zemrue pse tjerët nuk m’shkruejn.

Simini ká shkrue prej Livorno e difton, se e ká xjerrë pasaporten. Un i telegrafova në ket mndyrë: “Venite Roma quanto prima urgendo vostra presenza gimnasio francescano Scutari”. I telegrafova në ket mndyrë, pse aj m’shkruete, qi do të shkote me giasë, në Leçe, per me pá familjen e Atiljas e të Gjacintos, të vllazenve të vet, e se masandej do të nisej per Shkoder – Tue kênë se ktû n’Italí fillojnë msimet gymnazjore në Ndanuer, aj kujton se ká kohë me u ndalë edhè ndonji ditë mâ teper n’ Italí – Dér sod enè s’ká ardhë në Romë. Do t’ia mushi menden me u nisë sa mâ para per Shqypní.

Ekspozicjoni ká me u mbyllë zyrtarisht me 24 të Dhetorit të k.v. Por, mbasì muzeu etnografik në pellaz papnuer të Láteranit enè nuk âsht gati e kshtû Ekspozicjoni ká me u çilë vetem dyë dit në javë, me personal të muzejve të Vatikanit. Prandej nuk lânë qi të hiqen teshat, perpara se komisjoni i muzeut të rí etnografik të ketë caktue, se cillat tesha t’Ekspozicjonit lypen per muzé. Si po shof puna do të shkojë gjatë. Un û kam thanë Ercolit e Nagarës, se argjantarín s’mund e bâ kurrsesi mâ teper se nji vjetë e se domosdo do t’a nisi per Shkoder. Atà m’thânë: shko nji herë në Shqypní per do dit, e mandej eja prap. […] Si t’a shof punen mâ kjartë, kam me të shkrue prap mbí ket çashtje.

Ktej punët sikurë i ké lânë: makarona e fjalë të mdhá, sa me t’u neveritë. E merr mend, sa jam tuj u merzitë vetun. Me mzi pres diten qi me u nisë per Palermo, per me predikue novenen e Zojës: veç si t’a kalojë kohen me ndoj punë per dore.

U falem me shndet të gjithve, êmen per êmen, shka âsht Frat e kushdo qi të pvesë per mue.

P. Gjergj Fishta

P.S.

Kuer të keshë pare me shpenzue per mue, të lutem mi dergo tash e mâ vonë ká nji çerek kg cingaresh m’adresë: Legazione Albanese – Roma.

***

Fort i dashtuni P. Pál!

Fort kam pasë dishrue me i kalue Kshndellat me tyë në Troshan; por Provincjali – per do arsye të vetat – po m’thotë, m’e lânë per nji tjeter herë. Prandej s’po m’jet tjeter, veç me të thânë me leter: i gzosh per shum mot Kshndellat e motmotin e Rí. Dramin e Sh’ Luigjit e kam marue s’shkruemit e m’ká dalë mjaft i mirë e i gjatë: afer 1600 vjerrsha. Ká me u tfaqë me 16 Kallnduer 1927.

Tuj t’marrë ngrykë të falem me shndet tyë, P. Engllit e gjith tjerve.

P. Gjergj Fishta

***

Livorno,

Fort i Nderti e i dashtuni Provinçjal!

Letra e jote – me 10 të k.m – më ká ngushllue fort, si pse âsht mâ e para mbas tre muejsh heshtimi, si edhè fort e mâ fort per dý mrekullít e Shna Ndout qi m’i lajmon në ket leter.

Per punë t’lterit të Shna Ndout jam tue i shkrue sod P. […], prandej ktû s’po të shkruej gjâ të posaçme mbi të.

Në të mbyllun t’Akademís së Sienës shkova vetë atje, me vertetue me sw të mí perparimin e P. Leonit në Pikturë mundem me të thânë, se n’at ród pikture qi ndiekë aj âsht sugurisht mâ i pari i klasës së vet. Si Drejtori i Akademís si Profesori i tij e kan levdue per cenë e perparim. Edhè un vetë jam konden me tê. Ktû po të qes dý fotografí punimesh së tija e të shenjueme me siglat A e B. Fotografija A) paraqet nji të katert të tavanit. Leoni ká pikturue në nji odë t’Akademís. Si ravizimi si ekzekutimi me bojna janë fort me vend. Në fotografín B) janë të rreshtueme punimet, qi krye rrokul vjetit n’Akademí. Drasëzat njyrje murrtë jane pûnue “a fresco” ndersa ato të bardhat me “carbonçino”.

Ajo e mjedismja – “Maternità” âsht punimi bâ per provimin e mbramë të vjetit shkolluer, e âsht sugurish mâ e bukra nder të gjitha punime të ktij subjekti paraqitë nder sprovime – Ndoshta, në mos […] “creatare”, ká me dalë sigurisht nji ekzekutore i mirë. Ky ká kryè sivjet të tretin kurs akademik e do të rrijë edhè dý vjet në Sienë, per me krye plotsisht kursin akademik t’asajë Shkolle e me marrë diplomen per piktor. Un jam mendimit me e lânë me vijue, mos tjeter, edhè per dý vjet Pikturen – Mjerisht âsht i mberthyem teper me sherbime të Kuvendit.

P. Agustini ká dhânë trí sprovime n’Univerzitet, e të katertin gjûhen tedeshke – në Tetuer – Nder trí sprovimet e bame, per dý ka marrë noten mâ të nalten: “30 con lode”, e per të tretin 24 – italisht.

Edhè do Freten të rí, qi ndjekin Univerzitetin, e levdojnë fort per kah zotsija në kndime.

Si P. Agostini si P. Leoni kishin me dashtë me ardhë në Shqypní kah gjysma e Shtatorit. P. Leonit kishte me i u dashtë me shkue në Venezia, per me pá ekspozicjonin e Pikturës; e atw kishte me u bâ me P. Agostinin e të dy bashkë, me vaporr me ardhë në Shqypní. Prandej, të lutem me i a xjerrë Leonit obedjencen per Venezia e – po s’pate ti gjâ kundra – të dyve vetë per Shqypní. Sa per ridukcjon shpenzimesh në vaporr, tash po interesohem vetë – E meritojnë.

Sa per punë të botimit të libravet të mí fjalët i kam të mira; palè si do të më dale puna. Me pasë per t’i botue ktu n’Italí m’nji leter gati si ajo e Kanunit, librit kishte me i rá per copë, me gjith trasport, Lit. 5.00. Të 7 blêjt, kund 300 faqesh, kishin me u botue mbrenda 7 muejve. Po u bâ puna me i botue, na bjen fort mirë me i botue ktu n’Italí – Kaq kishte me bâ lkura; por âsht halli se harusha […] n’mal…

P. Pali më shkruen, se perkthimin e Kanunit mendon me e bâ në bashkpunim me Toçin. Bâni si të dueni, por un nuk jam i ktij mendimi. Perkthimi i Kanunit kà randsí të madhe, e nuk shof arsyen pse t’a perziejm Toçin në ket çashtje. Sugurish, pak me thânë, nji mij bibljoteka t’Europës kishin me e blé, posë atyne t’Amerikës, të Japanit etr. Në mos dashtë me e perkthye P. Pali shkruej P. Bazilit, pse sugurisht aj e perkthen tash (vakancash?) me nihmen e P. Marinit e të Donatit. S’âsht çashtja me i bâ komente Kanunit: çashtja âsht, me perkthye tekstin ashtu si âsht. Flitet per terme teknike e legale: aq sa ká dijtë P. Shtjefní – dritë pasët! – në kso termesh, i din secilli nesh – un do t’a dergoj nji listë bibljotekash, qi sugurisht kishin me e blé Kanunin.

Më fal se s’po m’epet me shkue mâ gjatë me ket leter: më ká kcye damari me i a hî njâjë kange të Lahutës sande, e s’kam si vijoj mâ gjatë. Por jo, prit; se kam edhè nji fjalë.

Kam kenë dý here në Postico, e të dyja herët kam ndêjë per nji ditë. Doga âsht shndosh e fort konden. Me P. Martinin kam bâ qi me i u njoftë per kohë ligjore të Probandatit muejt qi kà kalûe në Bari; e kshtu ká me u veshë Munëgeshë në muej të Gushtit. Madre Maggiore e don fort e ká urdhmue – posë ushqimit me shoqe tjera – me i dhânë kolacjon posaçem në 10 paradite e merendë në 4 mbasdite. Mâ teper, per mos me e lânë me bâ […] kuvendi, e kam qitë si nji farë sekretarjet, me shkrue s’dij se shka…. per Munëgesha. Më ká thânë me i gjetë fuguret pomendojse të veshunit të sajë e me i a bâ gati epigrafen si edhè me i gjetë êmnin e rí rregulltar. I kam shkrue edhè Vitores se âsht shndosh e konden e se Murëgeshat kan kujdes të posaçem per tê; veç se nuk i kam shkrue gjâ se veshet në Gusht. Kan me i shkrue Munëgeshat vetë. Në ftyrë âsht fort mâ mirë se në Shkoder, e âsht fort konden si të thoshe – Nji ditë e kishin qitë me lypë, pse kishte kerkue vetë me dalë e jo pse e kam detwrue. Munëgeshat kan me më thirrë per vesticjon të sajë, edhè un do t’u shkoj- I kam premtue Dogës, se do të perkthej per tê n’at rasë të dytin liber të Kempis – Kam uzdajë në Zotin se Doga ká me bâ buona riuscita.

Kallxoja edhè Madres kto sende; pse ajo âsht e mêçme e e don Dogen. Madres vetë kam me i shkrue, kur Doga të vêshet Munëgeshë. Kish të mendojshin të gjitha si Madrja në ket punë! Pse do të flitej pak e do të ndihej edhè mâ pak! Sa per fjalë mjaft ká të motrat e veta. Vokacjoni i cilles Munëgeshë shqyptare kâ kênë vû mâ fort gjatë në provë se vokacjoni i ksajë mâ se prej shpijet, kû ká pasë nji mij të mira, mbas dymbdhetë vjet kundershtimesh ká hikë e âsht ndry në Kuvend! Nuk âsht mirë me shartue zi e me bâ profecija jashta vendit. Edhè Ruth e Bersabé njifen në genaologi të Krishtit. Mâ shêjt e mâ Shejtneshë se Krishti s’âsht kush i gjallë. Nejse…

Si të thashë, kam fillue nji kangë, qi shpresoj se ká me mbetë nder mâ të bukura të Lahutës. Dér m’sod kam shkrue ktu n’Italí kater kangë të Lahutës; nji Cantico drammatico mâ se dý mij vjerrshash; nji Konferencë mbí Provincjen t’onë e nji satirë mjaft të gjatë. E pra Doktori më ká pasë urdhnue kater muej pushim menduer, posë trazimesh të mdhá qi më qesin letrat shum herë të papuna. I falem nderës Zotit, qi ké kthye në Shkodër ti!

M’i thuej P. Palit se kilja e duhanit s’më ká rá në dorë. Me Postë nuk kam qef me më dergue kurrgjâ duhan. Jam ngusht por s’kam shka bâj. Nuk ká hije per mue me m’u gjetë gjâ kontrabandë.

Por, se të m’a dergoj Fr. Ndou nji shishe rakí – të gjymtueme, merr vesht – kishte me m’u bâ qefi; mjaft qi të jét aso s’mêret. Më ká marrë malli per nji pike rakí Gjûhadolit!

Fal me shndet P. Antonit, P. Pashkos, P. Palit, Martinit, Frano Kirit, P. Jakut, P. Paulinit, Sebastjanit, Antoninit, Fr. Ndout, Ndoc Lisnes e Shtyshkrojsve, Zef Prendushit, Ndocit, Nanës s’ate etr. etr. etr. Kam me të shkrue per së shpejti.

Mâ bash naten e mire, e kjo leter të gjetët shndosh!

P. Gj. Fishta

M’byten mushkajat, eh i marroftë Zoti!

Adresen po t’a shkruej italisht,

pse ndryshe m’recapis Posta shkruen:

Fort i Nderti, e kurrgjâ tjeter.

Dragash: Pranon fajësinë, dënohet me kusht i akuzuari për aksidentin ku mbeti e lënduar bashkëshortja e tij

0

Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, të mërkurën, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, të akuzuarin për rrezikim të trafikut publik, Bajram Selmani.

Mirëpo, ky dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale gjatë periudhës së verifikimit prej një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Para se gjykata të shpallte aktgjykimin e saj, i akuzuari e pranoi fajësinë lidhur me veprën për të cilën akuzohej, duke shtuar se aksidenti ka ndodhur pa fajin e tij.

“E dëmtuara është bashkëshortja ime, gjatë aksidentit ajo ka pësuar lëndime trupore, e gjithë kjo ka ndodhur pa fajin tim, e rëndësishme është që kemi shpëtuar, tani jemi mirë, ka mundur të ndodh më e keqja”, deklaroi i akuzuari Selmani.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, nuk e kundërshtoi as prokurori Milot Krasniqi, i cili kërkoi nga gjykata që këtë pranim të fajësisë ta marrë si rrethanë lehtësuese gjatë shqiptimit të dënimit.

Gjyqtarja e çështjes, Sabaheta Kurteshi, tha se pasi që ka vlerësuar se i akuzuari Selmanaj, ka kuptuar pasojat e pranimit të fajësisë, të njëjtit i ka shqiptuar dënimin me gjashtë muaj burgim me kusht.

I akuzuari, po ashtu u obligua që të paguaj edhe shumën prej 20 euro në emër të shpenzimeve të procedurës, 20 euro për ekspertizën mjeko-ligjore, 40.88 euro për ekspertizën e komunikacionit, 30 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe 30 euro në emër të taksës për viktimat e krimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Bajram Selmani akuzohet se me 8 shkurt 2015, rreth orës 14:45, në fshatin Brrut, Komuna e Dragashit, pranë xhamisë së fshatit, duke shkel Ligjin mbi Trafikun Publik, vepron në kundërshtim me nenin 49 dhe 54 të ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor dhe nga pakujdesia rrezikon trafikun publik, ashtu që vë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë.

Sipas aktakuzës, Selamni, duke drejtuar automjetin e markës “Land Rover”, me ngjyrë të kaltër, kur arrin në vendin kritik, duke mos përshtatur shpejtësinë e automjetit në raport me kushtet e rrugës, e cila ishte e mbuluar me bore dhe akull, rrëshqet dhe del nga rruga.

Më pas, vazhdon aktakuzë, i akuzuari me pjesën e përparme të veturës, përplaset me shtyllën elektrike të drurit, e cila gjendet në skajin e anës se djathtë te rrugës, ku si pasojë e goditjes, e dëmtuara Fetije Selmani, pëson lëndime të rënda trupore, lëndime këto të përshkruara edhe nga eksperti mjekoligjor, Dr.Flamur Blakaj.

Kësisoj, sipas prokurorisë, i akuzuari ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik, nga neni 378 të Kodit Penal të Kosovës.

Kompozitori Koci nderohet me një çmim të rëndësishëm

0

Kompozitori i njohur Akil Koci ka fituar Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore ”Niketë Dardani”.

Kocit i është ndarë çmimi nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Kujtim Gashi.

Fituesi i këtij çmimi kompozitori Koci është shprehur shumë falënderues për këtë çmim, ku siç tha ai për të sot është ditë fantastike.

“Nuk e kom prit, se kom menduar që kom kaluar në harresë, se qe 30 vjet nuk jam këtu, kam qenë në diasporë, megjithatë kam dhanë kontribut edhe atje. Kjo ditë për mu është me të vërtetë ditë fantastike e gëzimit se kolegët e mi, që meritojnë ndoshta edhe më mirë se unë, tu fillu prej Kristë Lekës e Fahri Beqirit e të tjerë, nuk më kanë harru edhe besoj se ata do të vijnë shumë shpejt në këtë vend ku jam unë. Përshëndes dhe falënderoj shumë Ministrinë që krijuesit tanë të cilët kanë dhënë kontribut jo të vogël, tu fillu prej festivaleve të Jugosllavisë dhe të Evropës, festivalin e UNESCO-s në Paris dhe të tjerë, por nuk jam i vetëm…. Edhe një herë falënderoj gjithë, sidomos studentët e mi, Valtonin e të tjerë, të cilët nuk më kanë harru me kontributin që kam dhanë”, tha Koci.

Ai ka kërkuar nga ministri Gashi që edhe më tej të ketë mbështetje më të madhe për të gjithë krijuesit e fushës muzikore.

Ministri i Kulturës tha se kjo ceremoni është organizuar për të nderuar krijuesit dhe talentët në Kosovë, për punën që kanë bërë me vite të tëra.

“Ne si shtet ndihemi zakonisht krenar me punën që keni bërë në vazhdimësi në të gjitha etapat, në të gjitha periudhat. Dhe është shumë moment i rëndësishëm, historik që ka ardhur momenti, ka ardhur koha, rrethanat që ne ta vlerësojmë punën e juaj. Jo vetëm ajo pjesa ku ne vlerësojmë financiarisht, po veçanërisht e vlerësimeve që po bëjmë, sepse puna e krijimtaria nuk paguhet asnjëherë me vlera monetare. Kështu që jam shumë falënderues, mirënjohës edhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe në emër tim personal që po bëni një punë jashtëzakonisht të mirë në fushën e muzikës”, tha Gashi.

Gashi tha se kanë emëruar një juri profesionale, për ndarjen e këtyre çmimeve.

Njëri nga anëtarët e jurisë Valton Beqiri ka arsyetuar ndarjen e këtyre çmimeve, duke lexuar edhe një biografi për Akil Kocin.

Në këtë ceremoni janë ndarë edhe çmime tjera vjetore për muzikë.

Kristë Lekaj ka marrë çmimin për veprat vokalo- instrumentale dhe muzikore-skenike, në vlerë prej pesë mijë euro.

Çmimi për veprat orkestrale-simfonike dhe koncertale, kompozitorit Mendi Mengjiqi, në vlerë prej katër mijë eurove.

Çmimi për vlerën kamertale iu nda kompozitorit Ardian Halimi, dhe u shpërblyer me dy mijë euro. Për vlerat korale, çmimi iu nda kompozitorit Kreshnik Aliçkaj dhe për veprat solistike Blondi Krasniqi.