23.9 C
Prizren
E shtunë, 12 Korrik, 2025
Home Blog Page 4572

Rrënimi i shtëpisë së shekullit XIX në Prizren përplas institucionet

0

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, të enjten, përmes një reagimi ka vlerësuar se gjatë rrënimit të shtëpisë së familjes Bylbyli në rrugën “Bajrakli” ka pasur shkelje ligjore. Njëkohësisht kjo qendër ka kërkuar që të ndërmerren masa ligjore nga organet kompetente ndaj shkelësve të ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Trashëgiminë Kulturore.

Sipas QRTK-së, çdo ndërhyrje brenda zonës së mbrojtur duhet të ketë miratimin paraprak nga kjo Qendër dhe se në rastin konkret ky institucion nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare përmes procedurave ligjore për rrënimin ose çfarëdo ndërhyrjeje tjetër në shtëpinë e shekullit XIX.

Mirëpo përmbajtja e plotë e reagimit të QRTK-së nga Komuna e Prizrenit është vlerësuar si kontradiktore dhe e paqëndrueshme pasi, sipas ekzekutivit lokal, edhe zyrtarët e QRTK-së kanë qenë pjesë e vendimmarrjes së përbashkët rreth kësaj ndërtese.

Kabineti i kryetarit të Komunës së Prizrenit ka bërë të ditur se leja për rrënimin e shtëpisë së familjes Bylbyli është lëshuar nga organet komunale, pasi që Komisioni për vlerësimin e rrezikshmërisë që paraqesin objektet e banimit në zonën historike të Prizrenit në përbërje të të cilit kanë qenë edhe zyrtarët e QRTK-së dhe KTK-së, ka marrë vendim se kjo shtëpi paraqet rrezik për kalimtarët dhe banorët përreth, dhe se e njëjta duhet të rrënohet pasi e vetmja vlerë që mund ta ketë është vlera ambientale.

“Prandaj reagimin e QRTK-së e vlerësojmë si kontradiktor dhe të paqëndrueshëm. Qëllimi i vetëm i këtij reagimi është që të shkaktohet huti në opinion, se gjoja gjërat janë duke vazhduar njëjtë si gjatë qeverisjes së kaluar”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit

Macron e sqaron: Viza për britanikët pas Brexitit , “fake news”

0

Hipoteza që Franca do të vendosë viza për turistët britanikë në rast të Brexitit pa marrëveshje është një ”fake news”, njoftoi Emmanuel Macron në përfundim të një këshilli europian pa progrese të dukshme për Brexit.

”Dua ti siguroj të gjithë për të nesërmen. Nuk dua të krijoj panik”, pohoi ai pas artikujve alarmues të disa gazetave britanike.

”Marrja e të gjitha masave në rast mungese të një marrëveshjeje është në përgjegjësinë tonë, në mënyrë që të vijohet një jetë normale pa ndikim ndaj fluturimeve, lëvizjeje me anije, qarkullimit dhe biznesit por me rregullat e reja”, tha ai për median.

Përfshihet nga zjarri mali, pronë e shtetit

0

Policia njofton se në fshatin Senovc të Rahovecit është raportoruar se në rrethana të panjohura nga zjarri është përfshirë një sipërfaqe malore pronë shoqërore.

Njësitë përkatëse dhe zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes duke shuar zjarrin

Partitë politike dhe shoqëria civile mbështesin iniciativën për zyrtarizimin e gjuhës rome në Prizren

0

Në Prizren është organizuar tryezë diskutimi me temën “Mbështetja institucionale në mbrojtjen e gjuhës Rome si pjesë e traditës dhe kulturës në Prizren”, nga Instituti Demokratik i Kosovës ku morën pjesë edhe përfaqësues komunalë, të cilët përkrahën iniciativën për zyrtarizimin e gjuhës rome në Prizren.

Përfaqësuesi i komunitetit rom, Osman Osmani, njëherësh anëtar i Komiteti për Komunitete i Kuvendit Komunal të Prizrenit, tha se kjo iniciativë është lënë në harresë nga institucionet lokale në Prizren.

“Iniciativa është ndërmarrë kaherë duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionit primar në çështjen e përdorimit të gjuhëve zyrtare dhe përdorim zyrtar në nivel lokal”, ka thënë Osmani.

Osmani pos tjerash ka ftuar spektrin politik të Komunës së Prizrenit të mbështesë iniciativën e grupit të komunitetit, që gjuha rome të jetë gjuhë në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Artan Abrashi, tha se e përkrahë këtë iniciativë të zyrtarizimit të gjuhës rome, duke thënë se kjo i bën nder Komunës së Prizrenit.

“E mirëpres një iniciativë të tillë dhe pres që kërkesa për pikë të rendit të ditës të vjen për Komitetin për Politik dhe Financa për të proceduar më tej për Kuvendin e Komunës. Edhe si kryesues, edhe në emër të LVV-së, do ta përkrah dhe do të jemi pro miratimit të kërkesës. Kjo i bën nder Komunës dhe ndoshta do të jetë Komuna e parë në nivel Europës e cila do t’i ketë 4 gjuhë zyrtare dhe 1 gjuhë në përdorim zyrtar, e cila do të jetë gjuha rome”, ka thënë Abrashi.

Bashkim Gashi nga KLMDNJ tha se kjo iniciativë është e mirëseardhur sepse e bën qytetin e Prizrenit edhe më shumëkulturor.

“Është më se e mirëseardhur iniciativa dhe një akti vendimmarrës për njohjen e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar do të bënë Prizrenin e dallueshëm në sferën e multikulturalizmit, jo vetëm në Kosovë por edhe përtej. Është zhgënjyese fakti që pse Komuna e Prizrenit nuk është komuna e parë në nivel vendi që ta ketë gjuhën rome si gjuhë në përdorim zyrtar”, është shprehur Gashi.

Edhe përfaqësuesit e subjekteve politike (LDK, AAK , PDK, VAKAT, NDS) kanë përkrahur iniciativën e tillë dhe janë shprehur të gatshëm që të japin miratimin e tyre në Kuvendin e Komunës së Prizrenit.

Nait Hasani: Dialogut nuk duhet ta udhëheq Thaçi e Limaj, por Haradinaj

0

Deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Nait Hasani ka thënë se nga sot e kemi një ushtri të gatshme për të mbrojtur territorin e Kosovës.

Ai në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se ushtria e Kosovës tani nuk do të dallojë nga ushtritë e vendeve tjera.

“Me këtë ligj përcaktohet një ushtri me pjesëmarrje vullnetare, dhe një ushtri që nuk është në kontradiktë me bashkësinë ndërkombëtare”.

Hasani ka thënë se edhe ushtritë e rajonit nuk kanë numër shume të madh të ushtarëve aktiv, prandaj edhe për ne 6 mijë ushtarë aktiv janë të mjaftueshëm.

“Vendit tonë nuk i duhen më shumë se 6 mijë ushtarë aktiv, ndërsa për rezervistët mund të varioj numri sipas nevojës”, tha ai.

Deputeti i PDK-së ka thënë se fatkeqësisht edhe në formimin e ushtrisë po shfaqen tendenca për “bajraktarizma”, ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën me shqiptarët.

Duke folur për debatet e fundit për korrektim të kufijve, Hasani ka thënë se kufijtë mund të lëvizin disa metra por rrethanat politike nuk e lejojnë një ndryshim të madh.

“Në gjithë këtë debat është e mirë që çështja e shqiptarëve të Preshevës të vihet në pah përsëri”.

Deputeti Hasani shprehet i pakënaqur me ecurinë e dialogut me Serbinë.

“Me Serbinë duhet të bisedohet për përmirësimin e kushteve të qytetarëve serb. Është absurde të bisedohet me Serbinë për Ujmanin, Trepçën apo ndarjen e Kosovës”.

Deputeti i PDK-së ka thënë se as Thaçi e as Limaj nuk mund të udhëheqin me bisedimet.

“Kryeministrit ia delegon kushtetuta të udhëheq me bisedime, nuk mund ta bëj këtë gjë as Thaçi e as Limaj”.

Për zgjedhjet e brendshme të PDK-së, Nait Hasani ka thënë se qëndrimi i tij ka qenë i qartë që PDK duhet të hyjë e vetme në zgjedhje dhe jo me koalicione.

“Është më e mirë për partinë të kemi në garë 110 kandidatë për deputetë, pasi secili nga ta do të mobilizojë njerëzit e tij”.

Ai ka thënë do të ishte mirë që të kishte kundër kandidat për kryetar të partisë, por sipas tij përballja me Kadri Veselin nuk është gjë e lehtë.

“Njerëzit kanë frikë të përballen me Kadri Veselin. Por unë jam që të ketë një kundër kandidatë dhe të ketë program ai”, deklaroi ndër të tjera Nait Hasani.

Digjen kontejnerët e plastikës në Prizren(Foto)

0

Kontejnerët e plastikës të vendosur në lagjen “Ortakoll” në Prizren janë djegur. Kompania e pastrimit Eko Regjioni, njësia në Prizren ka njoftuar përmes një komunikate se këta kontejnerë në këtë lagje po digjen vazhdimisht.
Kompania luti qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj pronës publike dhe të njoftojnë organet kompetente.

“Është shqetësuese dhe alarmante se si kontejnerët e plastikës që janë të vendosur në pika publike në lagjen Ortakoll po digjen vazhdimisht. Lusim qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm ndaj pronës publike, pasi kontejnerët janë pronë e KK Prizren. Po ashtu ata që kanë njohuri për rastet në fjalë të lajmërojnë organet kompetente”, thuhet në komunikatën e Eko Regjionit.

Ministri Bytyqi organizoi Tryezën e rrumbullakët për arsimin e lartë në Kosovë

0

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka organizuar Tryezën e rrumbullakët për arsimin e lartë në Kosovë, e cila është ndihmuar nga USAID-i, World Learning dhe Programi TLP-SP.

Në këtë tryezë kanë marrë pjesë ekspertë vendorë e ndërkombëtarë të arsimit, përfaqësues të USAID-it, përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë, përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë dhe të shoqërisë civile.

Ministri Bytyqi, me këtë rast, falënderoi USAID-in që vazhdimisht e ka përkrahë këtë ide dhe ka ndihmuar që të vijmë deri këtu që të krijohet një Tryezë e rrumbullakët dhe të diskutohet për pjesën shumë të rëndësishme të sistemit arsimor, pra për arsimin e lartë.

“Forma që e kemi zgjedhur me partnerët në diskutimet e përbashkëta që ta kemi një tryezë të rrumbullakët në nivel nacional, e cila do të ketë në përbërje ekspertë të arsimit të lartë, do të ishte mundësia më e mirë që të dalim me një startegji nacionale për arsimin e lartë në Kosovë”, tha ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi tha se Kosova e ka pasuri të madhe rininë, prandaj theksoi se duhet të kujdesemi që për këtë kapital të madh të krjiojmë mundësi dhe institucione, në mënyrë që këtë pasuri ta shfrytëzojmë ashtu siç duhet.

“Shfrytëzimi më i mirë i kësaj rinie është që ne t’iu ofrojmë një edukim të mirëfilltë, veçanërisht kur flasim për pjesën më të rëndësishme të edukimit të tyre, pra për arsimin e lartë, që këta të rinjë të bëhen më pas edhe bartës të proceseve të zhvillimit të vendit tonë”.

Ministri tha se në këtë Tryezë mund të kyçen edhe akterë të tjerë dhe në fund të rezultojë me një dokument që do të hapë një perspektivë tjetër për sistemin e arsimit të lartë në Kosovë. Ndërsa, ai theksoi se do të jetë gjithmonë në dispozicion për të dëgjuar mendimet dhe për t’i shtyrë ato përpara.

Ndërsa, Paul Vaca, përfaqësues i USAID-it në Kosovë falënderoi ministrin Bytyqi për vizionin që ka pasur për këtë nismë, për të cilën tha se është shumë e rëndësishme për të ardhmen e arsimit të lartë në Kosovë.

“Kam shpresë se debati që do të gjenerohet në këtë tryezë të rrumbullakët do të vazhdojë të ketë çasje të hapur në mënyrë që të arrijmë të krijojmë një strategji e cila shikon drejt të ardhmes, e cila promovon llogaridhënien dhe e cila u përgjigjet nevojave të rinisë kosovare”, tha ai.

Ndërkaq, Carl Hammerdorfer nga Programi TLP-SP, poashtu falënderoi ministrin Bytyqi dhe tha se ky grup do të merret me të gjitha institucionet që përgatisin të rinjtë për tregun e punës.

Po ashtu, rëndësinë e kësaj Tryeze e theksoi edhe William Trigg nga USAID-i, i cili tha se është koha që të lëmë anash skepticizmin dhe të punojmë së bashku që të ndërtojmë një sistem pozitiv të arsimit për të ardhmen e Kosovës.

QRTK-ja e Prizrenit thotë se nuk është pyetur për rrënimin e shtëpisë në lagjen Bajrakli

0

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren përmes një njoftimi për media sqarohet se nuk është pyetur për rrënimin e shtëpisë së familjes Bylbyli, në lagjen Bajrakli në Zonën Historike.

Kësisoj, ky institucion thotë se është bërë shkelje ligjore me rastin e rrënimit të saj.

Megjithatë, sipas këtij institucioni, bashkëpunëtorë profesionalë të QRTK Prizrenit pas vizitës në terren kanë vlerësuar se ndërtesa e familjes Bylbyli ka qenë e degraduar me vite të tëra duke iu zëvendësuar pjesë dhe elementet origjinale me materiale bashkëkohore.

Lexo edhe: Prizreni humb shtëpinë e shekullit XIX me leje të institucioneve

“Ju njoftojmë se para disa ditësh në lagjen Bajrakli është rrënuar ndërtesa e familjes Bylbyli në ngastrën kadastrale 1919-0. QRTK e Prizrenit nuk është i njoftuar se kush dhe kur është bërë rrënimi i këtij objekti që gjendet brenda Qendrës Historike të Prizrenit (QHP). Në bazë të ligjit për QHP-në, Neni 8; Neni 16, pika 1; dhe Ligjit për Trashëgimi Kulturore Neni 4 pika 14; Neni 6, pika 7, 8 dhe 9; etj. theksohet se çdo ndërhyrje brenda QHP ose brenda zonës së mbrojtur duhet të ketë miratimin paraprak nga institucioni kompetent, respektivisht nga QRTK. Institucioni ynë nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare përmes procedurave ligjore për rrënimin ose çfarëdo ndërhyrje tjetër për shtëpinë në fjalë. Andaj, QRTK e Prizrenit vlerëson se është bërë shkelje ligjore gjatë rrënimit të shtëpisë së familjes Bylbyli dhe njëkohësisht kërkon që të ndërmerren masa ligjore nga organet kompetente ndaj shkelësve të ligjit për QHP dhe TK”, thuhet në njoftim.

Për hir të vërtetës, thotë QRTK e Prizrenit, se i duhet të japë sqarime shtesë rreth ndërtesës në fjalë dhe të demantojë deklaratat dhe akuzat e Kryetarit të Komunës së Prizrenit dhe zyrtarëve tjerë.

“QRTK e Prizrenit në kuadër të programit të punës ka identifikuar ndërtesat që janë brenda QHP-së dhe janë të rrezikuara. Në ndërtesat ku qaja nuk ishte e mundur për shkaqe të ndryshme, QRTK e Prizrenit ka kërkuar nga Drejtoria për Emergjencë dhe Siguri (nr. 375, dt. 05.09.2018) që të dalin bashkarisht në terren që ata të sigurojnë qasje në 5 ndërtesa ku nuk kishte qasje dhe njëra nga to ka qenë edhe shtëpia e familjes Bylbyli. Ekipi i përbashkët ka dalë në terren 24 dhe 25.09.2018 dhe ka vlerësuar 5 ndërtesat që janë në gjendje kritike (1. ndërtesa e familjes Llokvica; 2. ndërtesa e familjes Bardhi; 3. Hani dhe Nallbani i familjes Kovaç; 4. ndërtesa e çajtores “Menta” /gjysma tjetër/; 5. ndërtesa e familjes Bylbyli). Pas përfundimit të vizitës në terren grupi punues ka hartuar një raport përmbledhës për secilin ndërtesë (raporte të detajuara janë në arkivin e QRTK-së) me datën 28.09.2018”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas këtij institucioni, bashkëpunëtorë profesionalë të QRTK Prizrenit pas vizitës në terren kanë vlerësuar se ndërtesa e familjes Bylbyli ka qenë e degraduar me vite të tëra duke iu zëvendësuar pjesë dhe elementet origjinale me materiale bashkëkohore.

“Veç kësaj shtëpia ka qenë e pa banuar që nga vitet ’90 të shekullit të kaluar dhe ka qenë e mbyllur derisa pronarët jetonin në shtete të jashtme. Duke qenë e pa banuar, e mbyllur dhe pa përkujdesje, kushtet atmosferike dhe faktori kohë ka degraduar edhe më tej ndërtesën edhe ashtu të zhvlerësuar nga pronarët kur aty banonin. Bashkëpunëtorë profesionalë të QRTK Prizrenit kanë konstatuar se gjitha elementet në enterier dhe eksterier (përveç konstruksionit të mureve dhe kulmit) janë zëvendësuar me të reja dhe nuk ka pasur asnjë element origjinal të kohës së ndërtimit si shkallë, musandra, tavane, oxhaqe, dyer, dritare, etj. Përveç saj në pjesën e hyrjes është shtuar një ballkon prej betonit të armuar që edhe më tepër ka përshpejtuar destrukturimin e ndërtesës. Pra nga ndërtesa është ruajtur vetëm silueta e një shtëpie tradicionale në kuadër të lagjes ku në rrethinë gjitha ndërtesat janë të reja. Duke parë gjendjen faktike bashkëpunëtorët e QRTK-së kanë bërë një rilevim të shpejtë për dokumentim dhe kanë vlerësuar se ndërtesa përveç gjendjes së rëndë fizike, ajo nuk përmban vlera arkitektonike, etnologjike, artistike, artizanale, etj, dhe nuk e përmbush kriteret për të vlerësuar si monument kulture”, thuhet në fund të njoftimit.

Asaj

0

Poezi nga Fatos Arapi.

Sonte,
Yjet, ndofta s’di duhen kësaj nate, aq sa ti mua.
Dritat, ndofta, s’du duhen yjeve, aq sa ti mua.
Sonte,
Erëza e trupit të kësaj mbrëmjeje më deh…
Dhe gjithë coperat e dashurive,
Qe i lashë diku nëpër rrugë të jetës
Vijnë e ringjallen tek ti
Si coperat e thyera të mermerit,
Kur restaurojmë një statujë.

Aktakuzë për katër persona që shpërndanin ushqim të rrezikshëm në Prizren

0

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur 4 aktakuza për veprën penale prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimorë.

Sipas njoftimit për media, pas përfundimit të hetimeve lidhur me dyshimet për prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimorë, ka ngritur aktakuza kundër katër personave të dyshuar dhe kundër personave juridikë.

Katër aktakuzat janë për veprën penale “Prodhim dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë” nga neni 267 i Kodit Penal së Kosovës.

“Të pandehurit, si persona përgjegjës në kuadër të personit juridik, me qëllim të shitjes kanë vënë në qarkullim artikuj ushqimor, përkatësisht mish dhe produkte të mishit, për të cilat kanë ditur se janë të dëmshme për shëndetin e njerëzve”, thuhet në njoftim të Prokurorisë Themelore në Prizren.

Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prizren, kundër njërit prej të pandehurve ka ngritur aktakuzë edhe për veprën penale “Kanosje” nga neni 185 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.