30.4 C
Prizren
E shtunë, 12 Korrik, 2025
Home Blog Page 4574

Theret me thikë një person në fshatin Nashec

0

Një person është therur me thikë në fshatin Nashec të Prizrenit.

Viktima ka marrë lëndime të rënda trupore.

“Viktima ishte therur me thikë nga një person i dyshuar i panjohur”, njofton Policia e Kosovës.

“ Viktima ka marrë lëndime të rënda trupore, por sipas mjekut është jashtë rrezikut për jetë”./PrizrenPress.com/

Për dëbimin e shtetasve turq po intervistohen zyrtarë të lartë shtetërorë

0

Në fillim të muajit dhjetor pritet që Komisioni hetimor parlamentar të paraqes konkluzionet zyrtare para Kuvendit të Kosovës në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

Kështu, të paktën thonë anëtarët e këtij komisioni edhe pse më herët kishin paralajmëruar se konkluzionet duhet të paraqiten gjatë këtij muaji.

Më 29 mars të këtij viti, me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë mjek.

Komisioni hetimor, i cili është funksionalizuar në muajin korrik, me propozim të Lidhjes Demokratike e Kosovës dhe mbështetjen e partive parlamentare, parashihet që të hetojë dhe ndriçojë rrethanat dhe procedurat e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

Xhelal Sveçla, kryetar i Komisionit Hetimor nga Lëvizja Vetëvendosje, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se aktualisht Komisioni është në fazën e intervistimit të dëshmitarëve të përfshirë në këtë proces.

Deri më tani, thotë Sveçla, janë intervistuar zyrtarë në Inspektoratin Policor të Kosovës, konkretisht kryeshefja bashkë më ekipin e saj, kurse pritet të intervistohen edhe zyrtarë të tjerë.

“Tash do të kalojmë edhe me intervistimin e zyrtarëve tjerë, siç janë zyrtarë të Ministrisë se Punëve të Brendshme dhe pastaj do kalojmë tek Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe radha do tu vijë të gjitha institucioneve që kanë qenë të involvuara në këtë rast apo kanë njohuri për të dhënë dëshmi për këtë rast”, tha Sveçla.

Pas përfundimit të intervistimit, sipas Sveçlës, do të kalohet në fazën e vlerësimit të provave dhe përpilimit të raportit i cili në fillim të muajit dhjetor pritet t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për miratim.

“Unë jam optimist që ne si Komision, por edhe si Kuvend i Kosovës do të dalim me qëndrime të qarta dhe me një pasqyrim të drejtë se çfarë ka ndodh atë ditë së bashku me rekomandimet se si të parandalohet në të ardhmen”.

Normalisht, thekson ai, “do të kërkohet të merren masa ndaj atyre që kanë kontribuar në shkeljen më të madhe të sovranitetit nga vetë institucionet e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë”.

Gjashtë shtetasit turq, të dëbuar nga Kosova, Ankaraja i ngarkon me dyshimin se janë anëtarë të organizatës “Hizmet” të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen dhe e fajëson këtë të fundit se qëndron pas një tentim-puçi në korrik të vitit 2016.

Familjarët e të dëbuarve presin që Komisioni hetimor parlamentar të paraqesë dëshmi konkrete dhe të identifikojë personat përgjegjës që kanë ndërmarrë këtë veprim, thotë Urim Vokshi, avokati i njërës prej gjashtë familjeve të shtetasve turq.

“Nga Komisioni hetimor parlamentar presim që ta hetojë rastin dhe t’i zbardhë të gjitha detajet e tij. E gjithë ajo që ka ndodhur më 29 mars ka ndodhur në një terr informativ, si për familjarët, për avokatët, po ashtu edhe për krerët e institucioneve. Gjithçka ka ndodhur në mënyrë të fshehtë”.

“Kështu që presim nga Komisioni në kuadër të kompetencave të tij, të hetojë dhe të zbardh të gjitha veprimet të cilat kanë ndodhur dhe të hetojë se kush kanë qenë personat përgjegjës të cilët kanë shkaktuar, këtë skandal të them në suaza botërore, dhe i cili i ka dhënë një imazh shumë të keq Kosovës”, thotë Vokshi.

Në ditën e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, si një aksion i koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova, jo vetëm deputetët, por edhe presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit patën deklaruar se nuk kishin njohuri rreth këtij rasti.

Dëbimi i tyre kishte nxitur reagime të ndryshme të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, posaçërisht nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e kanë dënuar veprimin e institucioneve të Kosovës.

Për 24 orë në Kosovë u shqiptuan 1211 gjoba

0

Një mijë e 211 gjoba janë shqiptuar gjatë 24 orëve të kaluara nga Policia e Kosovës.

52 aksidente kanë ndodhur gjatë të mërkurës, prej tyre asnjë me fatalitet. 21 aksidente ishin me të lënduar, kurse 31 sosh pa të lënduar.

Në mbajtje janë dërguar 10 persona, 16 janë arrestuar, kurse një është dërguar në vuajte të dënimit.

Fury në formë, ja me kë po stërvitet në prag të duelit me Wilderin

0

Nëse Deontay Wilder “zihet” me maskotët në emisionet televizive, boksieri britanik Tyson Fury e ka marrë seriozisht duelin për titull që do të zhvillojë më 1 dhjetor. Ish-kampioni i botës vazhdon të stërvitet në Kaliforni për duelin që do të zhvillojë ndaj Wilder më 1 dhjetor, në “Staples Center” të Los Angelesit. Fury ka postuar në rrjetet sociale disa foto duke u stërvitur në ring me dy boksierë të tjerë, Joe Joyce dhe Guido Vianello.

Fury po e zhvillon fazën përgatitore në malet e “Big Bear” (Ariut të Madh) në Kaliforni, ndërkohë që kanë mbetur edhe 6 javë deri në duelin ndaj kampionit amerikan të peshës së rëndë, në kategorinë WBC. Joyce, 33 vjeç, me medalje argjendi në Olimpiadë është i pamposhtur në 6 duelet e zhvilluara si profesionist, ndërsa italiani Vianello ende nuk e ka bërë debutimin e tij në boksin profesionist.

Përmes fotove që ka postuar në faqen e tij zyrtare në “Instagram”, Fury duket në formë të mirë dhe se faza përgatitore që po kryen në Amerikë po shkon mirë. Duket se 30-vjeçari e ka marrë seriozisht këtë duel ndaj Wilder, ku kërkon të rikthehet kampion bote në peshën e rëndë.Fury në formë, ja me kë po stërvitet në prag të duelit me Wilder

Vushtrria bëhet me qendër moderne të rinisë

0

 

Qyteti i Vushtrrisë tani do të ketë qendrën e saj të rinisë, investim i MKRS-së në një vlerë prej 280 mijë euro. Në ceremoninë përuruese të objektit mori pjesë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Ministri Gashi u shpreh se ky investim i ministrisë është një prej investimeve më të rëndësishme sepse është bërë për të rinjtë e Vushtrrisë me rrethinë, duke e cilësuar si një vatër dhe institucion i të rinjve dhe të rejave dhe që do të përdoret për realizimin e aktiviteteve të shumta dhe për inovacion. “Ne si ministri kemi investuar 280 mijë euro për këtë objekt, i cili po ashtu është një prej investimeve më të rëndësishme në kuadër të Departamentit të Rinisë, për shkak se kemi pas mundësi, dhe të rinjtë tanë me shumë ide kreativitet, e angazhim të madh po e mbajnë të gjallë frymën rinore në Kosovë e veçanërisht në Vushtrri”, u shpreh ndër të tjera ministri Gashi duke theksuar se ky nuk do të jetë investimi i vetëm që MKRS-ja është duke bërë në Vushtrri.

“Ky objekt është një hapësirë që do të shfrytëzohet nga të rinjtë vushtrrias e që e dimë se kanë kapacitet për kreativitet e inovacion”, ka thënë ministri.

Ministri Gashi gjatë fjalës së tij në ceremoni foli edhe për planin e ministrisë për ta krijuar një fond të veçantë për të rinjtë me qëllim të ndihmesës së tyre për të realizuar projektet që ata planifikojnë. “Për herë të parë në vitin 2019 do ta fillojmë një program të madh për të rinj e quajtur Fondi Rinor, e kostoja do të jetë e madhe, dhe ka për qëllim mbështetjen e të gjithëve, të rinjve, e veçanërisht të rinjve ndërmarrës”, tha ministri.

Ndërsa kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se ky objekt do të jetë shtëpia e të rinjve vushtrrias. “Kjo është shtëpia e të rinjve të Vushtrrisë. Do të jetë një objekt që do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve. Nga sot të rinjtë e Vushtrrisë kanë shtëpinë e tyre, kanë adresën e tyre”.

Nuk mbahet gjykimi ndaj drejtorit të Malishevës, të akuzuar për ryshfet me mbrëmjen e maturës

0

Ka dështuar të mbahet gjykimi për marrje të ryshfetit ndaj drejtorit të shkollës së mesme të Malishevës, Izet Hoti.

Arsyeja e dështimit të seancës fillestare ishte mungesa e të akuzuarit Izet Hoti.

Hoti po akuzohet se në maj të këtij viti si drejtor në shkollën e mesme të lartë “Hamdi Berisha” në Malishevë, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke kryer veprën e marrjes së ryshfetit.

Paraprakisht gjyqtari i rastit Shaqir Zika, kishte pranuar një parashtresë edhe nga Emrush Kastrati, avokat i të akuzuarit, për shtyrjen e seancës së sotme, me arsyetimin se ishte i zënë me një seancë tjetër.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës thuhet se Hoti kishte kërkuar ryshfet në shumë prej 1.500 euro nga Gëzim Kastrati, menaxher i restaurantit  “Bimi-2”, për organizimin e mbrëmjes së maturës në këtë restoran.shkruan kallxo.com.

Sipas urdhëresës së lëshuar nga gjykata, aktakuza thotë se manipulimet e drejtorit Izet Hoti rreth organizimit të mbrëmjes së maturës, janë bërë përmes përgjimeve telefonike nga ana e policisë.

Prizrenasit e filmuan viktimën në motel, më pas e shantazhuan me publikim në këmbim të 500 eurove

0

Të dyshuarve për filmimin dhe më pas shantazhimin me publikimin të materialeve intime në këmbim të parave, Gjykata Themelore e Prizren ua ka caktuar nga 30 ditë paraburgim.

Dy të dyshuarit sipas njoftimit të Gjykatës dyshohen se me qëllim të përfitimit të parave e kanë filmuar fshehurazi dhe më pas e kanë kërcënuar viktimën-vajzë me publikimin e materialit intim.

“F.B. dhe A.H. dyshohen nga prokuroria së të njëjtit me datën 14.10.2018, rrethe orës 19:30 minuta, në motelin “Tini” në Prizren duke vepruar në bashkëveprim dhe koordinim në mes vete, dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete pajtohen që i pandehuri me iniciale F. B. ta takoj fillimisht të dëmtuarën në qytet dhe pas insistimeve të shumta arrin ta bind që të shkojnë në motel, përderisa ishin marrë vesh i pandehuri me iniciale F. B. me të pandehurin me iniciale A. H. që të xhirojnë skenën fshehurazi, të cilën më pas i pandehuri F. B. e kishte shfrytëzuar për t`i bërë shantazh të dëmtuarës duke i kërkuar të njëjtës që t’ua paguaj të pandehurve shumën prej 500 (pesëqind) euro duke e kanosur seriozisht përmes sms-ve nga rrjeti “SnapCHap” se nëse nuk i paguan shumën e kërkuar, do t`i publikojnë videon intime, e cila video të dëmtuarës do t’ia dëmtonte rëndë nderin dhe autoritetin”, thuhet në njoftim.

Më tej Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, njofton se duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurve me iniciale F.B. dhe A.H. që të dy nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Shantazhi nga neni 341 para.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, dhe veprës penale fotografimi dhe filmimet tjera të paautorizuar nga neni 205 (1) i KPRK-së. Masa e paraburgimit do t’iu llogaritet prej momentit të arrestimit datë 15.10.2018 prej orës 13:10 dhe do të zgjasë deri më datën 15.11.2018.

Badallaj rrëfen rrahjen nga Dibran Hoxha

0

Hulusi Badallaj ka rrëfyer para gjykatës së Prizrenit për rrahjen dhe sulmin me thikë që ai e kishte nga Dibran Hoxha dhe grupi i tij.

Njeriu i cili u ther me thikë gjatë përleshjes me Dibran Hoxha, Arlind Dakaj, dhe Mirsat Hajredini ka rrëfyer për sulmin.

Ai ka treguar se djemtë e tij kishin një problem me të akuzuarit ndërsa ditën kritike Mirsadi i kishte bllokuar ndërsa Dibrani dhe Arlindi e kishin goditur me grushte dhe shufër metalike. Viktima ka thënë se ishte goditur edhe dy herë me thikë gjatë këtij incidenti.

Badallaj ka rrëfyer në gjykatë se është pajtuar me të akuzuarit dhe nuk kërkon të kompenzohet

Aktakuza e prokurorisë sqaron se në qershor të këtij viti Dibran Hoxha dhe Arlind Dakaj, e kishin përcjell me veturë të dëmtuarin ndërsa Mirsat Hajredini i bllokon rrugën nga mbrapa të dëmtuarin.

E njëjta sqaron se Dibran Hoxha dhe Arlind Dakaj, e sulmojnë të dëmtuarin hulusi Badallaj me grushte ndërsa më pas Dibrani i kishte dhënë thikën Arlind Dakajt i cili e kishte goditur viktimën dy herë me të.

Ndërsa i akuzuari tjetër Mirsat Hajredini sipas aktakuzës ngarkohet se në ndihmë ka kryer veprën penale të lëndimit të rëndë trupor./kallxo.com/

Malishevë: Përfaqësuesi i KEK-ut pa shkresa të lëndës, shtyhen katër seanca për kthim borxhi

0

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë të mërkurën kanë dështuar të mbahen katër seanca për kthim borxhi, për arsye se përfaqësuesi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Fahri Fazliu nuk i kishte shkresat e lëndës.

Përmes një parashtrese të dërguar në gjykatë, përfaqësuesi Fazliu ka kërkuar nga gjykatësi i çështjes, Nehat Qelaj, që seancat të shtyhen për një datë tjetër derisa të kompletohen të gjitha shkresat e lëndëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyetimin e tij, Fazliu ka deklaruar se nga maji i këtij viti ka kaluar afati i marrëveshjes me KEDS-in, pasi që e njëjta deri atëherë ishe kompetente për kërkimin e borxhit nga konsumatorët.

Kurse tani, sipas Fazliut, përgjegjësia ka kaluar mbi KEK-un, dhe ende nuk janë pajisur nga KEDS-i me shkresat e lëndës.

Në këto rrethana, gjykatësi Qelaj deklaroi se seancat e parapara për të mërkurën do të caktohen për muajin nëntor, për çka palët do të ftohen me ftesa të rregullta.

Ndryshe, rasti i parë për të cilin është shtyrë seanca, ka të bëjë me padinë e 21 prillit 2009, me të cilën KEK-u kishte paditur Ramë Pantinën, me arsyetimin se i njëjti, në shtëpinë e tij kishte shfrytëzuar në mënyrë të pa autorizuar energjinë elektrike, dhe pa njehsor fare, duke i shkaktuar dëme KEK-ut në vlerë prej mbi 7,404 euro.

Kurse tre rastet tjera, kanë të bëjnë me parashtrimin e propozimit për ekzekutimin e borxhit në bazë të faktuarave nga ana e KEK-ut, në vitin 2011, ku debitor janë Zeqir Hoti, Ibrahim Gashi  dhe Metush Kastarati, kurse vlera arrin shumën prej mbi 10,897 euro.

Në total, nga këto katër raste, borxhi i përgjithshëm që KEK-u po kërkon nga konsumatorët arrin shumën prej mbi 18,301 euro. //Betimipërdrejtësi

Ministria e Kulturës synon t’i kthehet financimit të teatrove të qyteteve

0

Ministria e Kulturës synon që të ndajë buxhet edhe për teatrot e qyteteve. Pos kësaj, menaxhmenti aktual i MKRS-së planifikon që t’i obligojë komunat që të ndajnë buxhet për teatrot e tyre dhe stafi të jetë i punësuar me kontrata të rregullta pune.

Të martën Ministria e Kulturës ka bërë hapin e parë në këtë drejtim. Me propozimin e ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, Qeveria e Kosovës ka miratuar Koncept-dokumentin për teatrot, duke i hapur rrugë plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për teatro që me hyrjen në fuqi në vitin 2012 kishte shfuqizuar atë të vitit 2005, shkruan sot “Koha Ditore”.

Me këtë nismë, sa i përket organizimit të teatrove të qyteteve, MKRS-ja nëpërmjet planifikimit që të ndajë buxhet vjetor për teatrot e qyteteve planifikon që këtë çështje ta kthejë siç ishte para vitit 2012.

Me miratimin e Ligjit aktual për teatro, teatrot e qyteteve janë nën përkujdesjen financiare të komunave që u përkasin. Gjatë shtatë vjetëve të fundit, MKRS-ja i ka financuar këto teatro vetëm nëpërmjet projekteve dhe shuma maksimale që u është ndarë ka shkuar deri në 15 mijë euro..