22.7 C
Prizren
E premte, 11 Korrik, 2025
Home Blog Page 4580

Administrata e Trumpit anulon projektin e shndërrimit të plutonit në termocentral

0

Administrata e Trumpit, këtë javë ka mbyllur një kontratë për projektin e shndërrimit të elementit kimik pluton në energji nga periudha e bombave të Luftës së Ftohtë, që do të kushtonte miliarda dollarë.

Konsorciumi CB&I Areva MOX Services LLC, që përfshin kompaninë shtetërore franceze Orano, të njohur si Areva, ka qenë në proces të ndërtimit të projektit në lumin Savana në Karolinën jugore që nga viti 2007.

Por, Administrata e Sigurisë Bërthamore në SHBA, përmes një njoftimi ka theksuar se projekti ka marrë fund.

“Ky njoftim anulon kontratën në tërësi dhe hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftim.

Ky vendim vjen një ditë pas gjykimit nga Gjykata e Apelit në SHBA, rreth planit të departamentit të energjisë për të mbyllur termocentralin MOX.

Politikanët e Karolinës kanë mbrojtur këtë termocental duke theksuar se kjo do të ndihmonte që plutoni të qëndronte larg duarve të militantëve dhe do të sillte 600 vende të reja pune.

Futja nën tokë e plutonit do të kushtonte rreth 20 miliardë dollar për dy dekadat e ardhshme. Kundërshtuesit e këtij projekti deklaruan se “taksapaguesit mund të flejnë të qetë për shkak se paratë e tyre nuk do të shpenzohen për një gropë të quajtur MOX”.

Vizat s’hiqen as në vitin 2019, fajtore Qeveria

0

Vendimmarrja nga Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Evropian për heqjen ose jo të vizave për Kosovën është e pamundur të përfundoj deri në fund të këtij viti. Madje ky vendim vështirë që do të ndodh edhe në vitin 2019.

Kjo pasi, sipas Demush Shashës, ish- sekretar në Ministrinë e Integrimit, në vitin e ardhshëm do të ndryshohet udhëheqja e presidencës së BE-së si dhe do të intensifikohen përgatitjet për zgjedhje parlamentare.

Shasha në një prononcim për Ekonomia Online, tha se ka gjasa të vogla, që vendimmarrja për liberalizimin e vizave të ndodh këtë vit. Në të kundërtën, sipas tij, nuk dihet se sa do të zgjas ky procesi pas vitit 2019.

“Nuk shohim në këtë moment ndonjë mundësi reale që të merret vendimi pozitiv deri në fund të vitit për liberalizimi i vizave për Kosovën. Pothuajse po hyjmë në ditët finale kohore që të lejohet një vendimmarrje e tillë, do të thotë është realisht e pamundur që Këshilli dhe Parlamenti të dakordohen gjatë ditëve në vijim për vendimmarrje deri në fundvit lidhur me plotësim-ndryshimit të rregullores. Pas këtij viti dhe me hyrjen në vit të ri 2019, gjërat do të komplikohen shumë për shkak të ndryshimit të presidencës në Bashkimin Evropian në këshillin e ministrave të BE-së por edhe për shkak se me fillimin e 2019-ës do të intensifikohen përgatitjet për zgjedhjet parlamentare në BE-së”, shtoi Shasha.

“Dua të shpresoj që deri në fund të këtij viti do të ketë vendimmarrje përkundër të gjitha këtyre zhvillimeve, nëse kjo nuk ndodh atëherë procesi i liberalizimit të vizave hyn në një rrugë me të vërtetë nuk e dina në këtë stad se sa shumë do të zgjat edhe përtej vitit 2019”, tha ai.

Hezitimin e Francës, Gjermanisë dhe Holandës për të votuar pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, Shasha që është edhe një nga themeluesit e Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), e ka arsyetuar me mos përfundimin e punëve nga institucionet e Kosovës.

“Ne si Kosovë nuk jemi duke dhënë edhe shembujt më të mirë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, qoftë rasti i veteranëve dhe deklaratat të liderëve politik rreth punës së prokurorit, ose edhe të gjithë rastit të veteranëve. Fakti që ne ende nga 30 raste që janë shenjëzuar në kuadër të luftës të krimit të organizuar dhe korrupsionit ende nuk kemi asnjë rast të vetëm të profilit të lartë të dënuar në shkallën përfundimtare për korrupsion”, përfundoi Shasha.

Ai ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj edhe për mos zbatimin e obligimeve të dala nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) dhe nga Agjenda për Reforma Evropiane (ERA), raporton EO.

“Ne si institucione kemi arrit të zbatojmë vetëm 13% të obligimeve shtohet pyetja çfarë tash mund të kërkojmë nga BE kur detyrat e shtëpisë nuk janë përfunduar”.

“Kjo Qeveri momentale ka ardhur në qeverisje me moton e vendimeve të mëdha dhe çka po shohim sot është që pikërisht kjo qeveri nuk është në gjendje të zbatojë marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në nivelin që po kërkohet nga vet institucionet e BE-së”.

Sot promovohet libri “ Në kujtesën e qytetit” i autorit Salajdin Krasniqi

0

Libri “ Në kujtesën e qytetit” i autorit Salajdin Krasniqi, promovohet sot në Prizren.

Promovimi mbahet në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në ora 17: 00.

Gjykata Themelore në Prizren “amnistoi” fajdexhinjtë e akuzuar të Prizrenit

0

Gjykata Themelore në Prizren nuk i ka vlerësuar drejt një pjesë të madhe të provave kur ka vendosur që 14 të akuzuarit për fajde e krim të organizuar t’i lirojë nga akuzat.

Grupi i fajdexhinjve, i njohur si grupi “Kqira”, i emëruar nga mbiemri i atij që aktakuza e cilëson si udhëheqës të një grupi kriminal të organizuar, muaj më parë ishte dënuar për vepra të tjera shumë me të lehta. Por Gjykata Themelore në Prizren i kishte liruar nga akuzat kryesore me të cilat i ngarkonte Prokuroria Speciale, shkruan sot Koha Ditore.

Me vendimin e shkallës së parë i akuzuari kryesor në këtë rast, Tunë Kqira është dënuar me 2 vjet e 3 muaj burgim; Kastriot Kqira me 3 vjet burgim, Gjon Kqira me 2 vjet e 6 muaj, Gjekson Kqira me 5 muaj, Gëzim Kqira me 5 muaj, Benson Buza me 2 vjet e 6 muaj, Besfort Omaj me 2 vjet e 5 muaj, Zyrafete Hukolli me 6 muaj, Ekrem Leci me 6 muaj, Hil Kaqinari me 6 muaj, ndërsa dy të akuzuarit e tjerë, Ragip Fazlija dhe Sejfë Kaqorraj, janë liruar nga akuzat.

Por Gjykata e Apelit ka vlerësuar se shkalla e parë ka marrë vendim duke i interpretuar faktet gabimisht.

Në vendimin e Gjykatës se Apelit të cilin e ka sqarohen të gjitha shkeljet që i ka bërë gjykata e shkallës se parë në lidhje me këtë rast. Apeli ka konstatuar që Gjykata në Prizren nuk i ka vlerësuar faktet si duhet.

Nis revidimi i listës esenciale të barnave

0

Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka filluar revidimin e listës esenciale të barnave, proces ky që pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Me revidimin e kësaj liste tani janë duke u marrë ekspertët e shëndetësisë, të cilët do të vlerësojnë kërkesat e spitaleve për produkte medicionale dhe do të vendosin se cilat prej tyre do t’i fusin në këtë listë.

“Të gjithë anëtarët e Komitetit teknik për revidimin e listës së barnave esenciale janë mjekë dhe farmacistë të deleguar nga institucionet shëndetësore nga tri nivelet e kujdesit shëndetësor (QKUK, spitalet e përgjithshme dhe Kujdesi Parësor Shëndetësor (KPSH). Në komitet janë të përfshirë edhe Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, si dhe procesi mbikëqyret edhe nga Agjencia Antikorrupsion, shoqëria civile, Instituti Demokratik i Kosovës, instituti ‘Columbus’ etj.”, kanë thënë zyrtarë për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, shkruan Zëri.

Sipas tyre, anëtarët e këtij komisioni do të vendosin për numrin e barnave të cilat pritet të futen në këtë listë.

Baladë në shkrepa

0

Hajdar Mallaku

 

Me një fije eshke,
Vënë mbi shkrepat strallë
Fërkonim me urorin e zemrës
Shkëndijat që na mbanin gjallë.

Por pak nga pak gjatë historisë
I dëshpruam shqipet;
Nuk u lamë as shkrepa
Për ta nisur fluturimin;
Për t’u shkëputur nga pika zero
Si atleti dhe për ta provuar zemrën
Në vigjëlimin atdhetar.
Nuk u lamë fusha,
Hambarët i lamë gojëhapur;
Nuk u lamë qytete
Për ta ruajtur qytetërimin;
Nuk u lamë altarë
Që me Zot ta ushqenim shpirtin;
Nuk u lamë dete, lumenj e liqene
Për ta larë djersën e krenarisë ilire.
Kot derdhim lotë
Për Ilirinë e dikurshme krenare
Që sot si bebe e lidhim në djep.
Ne këngën me lahutë
E kënduam edhe kur s’fituam.
Sot unë dhembjen e kam hipur
Në maje të Alpeve,
Se Alpet na e dhanë emrin Albanë.
Po këtë herë e kam për tjetër,
Për atdheun që zgrapet e rrudhet
E klith e denes deri në xhamë.
Kosova si nënë jetime,
Me duar në gjinj
Ngjitet në maje të Qakorrit,
Si Ajkuna dikur,
U bën zë varreve e emërvendeve shqip
A përgjigjet kush ?!
Apo kënga epike
Lahutës i ka mbetur në fyt…

Eddie Hearn: Joshua e dëshiron vetëm duelin ndaj Wilder

0

Eddie Hearn ka thënë për talkSPORT se Anthony Joshua është i interesuar vetëm për duelin ndaj Deontay Wilder dhe se negociatat për duelin e unifikimit të titujve tashmë janë në përparim e sipër.

Promovuesi i boksit gjatë gjithë vitit ka qenë në bisedime me përfaqësuesit e boksierit amerikan, në mënyrë që të arrihet marrëveshja për meçin ndërmjet kampionit të WBA, WBO, IBF e IBO dhe kampionit të WBC.

Meqenëse marrëveshja nuk u arrit, Wilder u pajtua që të ndeshet me britanikun tjetër, Tyson Fury, në duelin që zhvillohet më 1 dhjetor në Los Angeles.

Në ndërkohë, Hearn është i bindur se përballja ndërmjet Joshuas dhe Wilderit do të ndodhë gjatë vitit 2019, ndërsa Wembley Stadium tashmë ka shprehur interesim për zhvillimin e përballjes më 13 prill të vitit të ardhshëm.

“Tash jemi në bisedime me Deontay Wilder. Gjërat tashmë po përparojnë ngapak, sepse nuk mund të presim deri në dhjetor. Kjo nuk është një marrëveshje që do të arrihet brenda natës”.

Deontay Wilder (Foto: Getty Images)

“Puna ime është të veproj për klientin tim dhe klienti im dëshiron të ndeshet me Deontay Wilder. Është i vetmi duel i radhës që e dëshiron dhe puna ime është që ta realizoj”.

“Nëse nuk arrij ta bëj, atëherë kam dështuar. I kam zhgënjyer tifozët, veten dhe Anthony Joshuan”, ka thënë Hearn duke shtuar se do të përpiqet maksimalisht që ta realizojë meçin. /Telegrafi/

Filloi manifestimi tradicional kulturor “Takimet e Gjeçovit”

0

Sot ka filluar manifestimi tradicional kulturor, “Takimet e Gjeçovit”, i cili po organizohet për herë të 47-të në Zym të Hasit.

Këtë vit, manifestimi i është kushtuar heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, duke përkujtuar 550 vjetorin e rënies së tij, ku mes tjerash kishte aktivitete të ndryshme si ekspozitë punimesh, ushqime tradicionale dhe performanca artistike.

Pjesë e këtij manifestimi ishte edhe nënkryetari i Komunës, Eshref Memaj, i cili uroi organizatorët për këtë manifestim dhe vlerësoi lartë përkushtimin e këtij edicioni për heroin kombëtar.

Gjithashtu u bë edhe hapja e muzeut të artisteve të para në Kosovë.

Manifestimi do të vazhdojë edhe nesër me performancë të shoqërive kulturo-artistike, vënien e gurthemelit të përmendores së Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe orës letrare “Anton Pashku”.

Turistja nga Kili e mrekulluar me punimet e ekspozuara në Prizren (Video)

0

Mbi 400 punime kishin mbushur Hamamin e qytetit të Prizrenit.

Mbi 400 punime shumëngjyrëshe, kishin mbushur Hamamin e qytetit të Prizrenit. Të punuarit e veçantë të tyre, i kishin dhënë jetë edhe ambientit në të cilin ishin vendosur.

E gjithë kjo ka ndodhur për të shënuar edicionin e 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Stripit, Satirës dhe Karikaturës.

Isidora Rollan, e cila kishte ardhur nga Kili për ta vizituar Kosovën, rastisi të jetë vizitore e këtij festivali.
Ajo ka thënë për RTV Dukagjinin se dëshiron që vitin tjetër, shteti i saj të jetë pjesë e tij.

“Është hera e parë që vij në Kosovë. Gjithçka është e mrekullueshme. Ndërsa punimet këtu janë perfekte. Do të doja që vitin tjetër edhe shteti im të jetë pjesë e këtij festivali”, tha Rollan.

Këtë vit, në këtë festival kishin marrë pjesë 120 artisë, nga 47 shtete të botës.

Drejtori i këtij festivali, Gani Surdulli, ka thënë se këtë vit kanë përzgjedhur një temë shumë më ndryshe nga edicionet e kaluara.

“Këtë vit kemi përzgjedh një temë të posaçme në lidhje me festivalin. Tema është në lidhje me librin dhe teknologjinë. Është një temë besoj e qëlluar. Punimet e ekspozuara tregojnë më së miri qëllimin e librit dhe të teknologjisë. Arsyeja që e kemi bërë këtë festival në këtë formë është që të ketë një jehonë më të madhe si brenda ashtu edhe jashtë vendit”, deklaroi Gani Surdulli, përcjell Telegrafi.

Pjesëmarrës në këtë festival, për herë të parë ishte edhe Abdul Zemani, artist me përvojë 30 vjeçare.

Ai ka thënë se tema është ajo e cila e ka tërhequr që të bëhet pjesë e tij.

“30 vite punoj me karikatura dhe këtë vit vendosja të prezantoje me punimet e mia edhe ne Kosovë. Kam prekur temat aktuale që përballen qytetarët e Kosovës”, thotë artisti Abdul Zemani.

Festivali i Stripit dhe Karrikaturës, tashmë është bërë tradicional.

Ndërsa hapja zyrtare e tij do të bëhet nesër, me fillim nga ora 19:30, në hapësirat e Hamamit të qytetit të Prizrenit. /Telegrafi/

Përkujtohen 15 maturantët nga Malisheva që vdiqën në Fushë Arrëz në ekskursion

0

Sot, në prag të përkujtimit të përvjetorit të 14 të aksidentit në Fushë Arrëz, ku humbën jetën 15 maturantë gjimnazistë të Malishevës, Komuna ka bërë homazhe në vendin e aksidentit.

Për të bërë homazhe në Fushë Arrëz, ishin nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, drejtori komunal i arsimit, Blerim Thaçi, drejtori i gjeodezisë, Bashkim Krasniqi (njëherësh edhe nxënës i asaj gjenerate) dhe drejtori i urbanizimit, Islam Vrenezi, bëhet me dije në njoftimin për media të Komunës së Malishevës.

Maturantët e Gjimnazit “Avdyl Frashëri”, tani Gjimnazi “Hamdi Berisha”, 14 vite më parë, përderisa ishin në ekskursion në Shqipëri, gjatë kthimit për në shtëpi, më 14 tetor të vitit 2004, janë aksidentuar në Fushë Arrëz dhe si pasojë, kanë humbur jetën 15 maturantë.

“Në shenjë përkujtimi për 15 maturantët dhe në shenjë respekti për familjarët e tyre, në emër të Komunës së Malishevës, dhe në emër të kryetarit Ragip Begaj, bënë homazhe në vendin e rënies së 15 maturantëve”, tha nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.

Ngjarja tragjike e 14 tetorit, është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në Kosovën e pasluftës.

Përkujtohen 15 maturantët nga Malisheva që vdiqën në Fushë Arrëz në ekskursion