20 C
Prizren
E premte, 11 Korrik, 2025
Home Blog Page 4581

Kryetari i Rahovecit bën një gjest të pahijshëm në publik, fut gishtin në hundë(Foto)

0

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, është fotografuar duke bërë një gjest të pahijshëm në publik. Gjatë qëndrimit të tij në një kafiteri ai ka futur gishtin në hundë.

Fotografia më poshtë është bërë virale në internet për të cilën janë dhënë komente negative në adresë të kryetarit të Rahovecit.

Latifi që vije nga radhët e AAK-së, vitin e kaluar fitoi zgjedhjet lokale në Rahovec ndaj kundërkandidatit të tij Idriz Vehapit./ Gazeta Express

 

Ankaraja dorëzohet para SHBA, liron pastorin amerikan Brunson

0

Një gjykatë në Turqi do të lirojë pastorin e burgosur amerikan, Andrew Brunson, raportin BBC.

Ai u akuzua për lidhje terroriste, moment ky që i vështirësoi së tepërmi marrëdhëniet SHBA-Turqi.

Z. Brunson u arrestua lidhur me lidhjet e dyshuara me grupet të caktuara politike pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti të 2016.

Ai mohoi akuzat për spiunazh, të cilat mund të kishin çuar në një burgim 35 vjeçar.

Ai u dënua me tre vjet burg, ndërkohë që ka dy vjet që është në burg.

Malisheva konstituon për herë të parë Komitetin për Barazi Gjinore

0

Komiteti për Barazi Gjinore i cili u drejtua nga kryesuesi, Rrahim Morina, punoi me një pikë të rendit të ditës: Zgjedhja e kryesuesit/kryesueses së Komitetit për Barazi Gjinore.

Përmes faqes zyrtare Komuna e Malishevës bën të ditur se anëtarët nga të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës së Malishevës, si dhe nga zyrtarja për Barazi Gjinore, Vera Bytyçi e shoqëria civile, unanimisht për kryesuese të Komiteti për Barazi Gjinore, zgjodhën, Agnesa Kastratin.

Kastrati u zotua se do të bashkëpunojë me të gjithë që ta përmirësojnë pozitën e gruas në shoqëri.

“Ju shprehi gatishmërinë time për besimin tuaj, se do të bashkëpunoj me të gjithë anëtarët vetëm e vetëm që ta përmirësojmë pozitën e gruas në shoqërinë tonë”, tha Kastrati.

Kurse të gjithë anëtarët u zotuan që sa më parë ta hartojnë planin e veprimit të Komitetit për Barazi Gjinore, për vitin 2019.

Fshatrat e Prizrenit që nuk do furnizohen me ujë gjatë vikendit

0

Disa fshatra në Prizren gjatë fundjavës nuk do të furnizohen me ujë të pijshëm për shtatë orë.

Fshatrat e Komunës së Prizrenit, të cilat furnizohen me ujë të pijshëm nga stacionet e pompave “Sozi” në Nashec dhe në Vërmicë gjatë fundjavës do të mbeten për shtatë orë pa furnizim me ujë.

Ndërprerja e furnizimit me ujë të pijes do të bëhet pasi KEDS-i është duke punuar në sistemin e energjisë.

Ndërprerja me furnizim më ujë të pijes do të ketë në këto zona: Kobaj, Atmaxhë, Tupec, Nashec, Grazhdanik, Planejë, Gorozhup, Mile, Mazrek, Gjonaj, një pjesë e qytetit në rrugën e Nashecit, Zhur, Vërmicë, Dobrusht, Shkozë dhe pika kufitare në Morinë.

Me rikyçjen e energjisë elektrike do të kthehet furnizimi me ujë të pijshëm në këto fshatra, ka njoftuar KRU Hidroregjioni Jugor sh.a. në Prizren.

Rasti Kqiraj: Mungesat elementare që e anuluan aktgjykimin e fajdeve

0

Rreth katër muaj pasi që Gjykata Themelore e Prizrenit i kishte gjetur fajtor dhe dënuar 10 persona në rastin e njohur për fajde ku akuzoheshin disa anëtarë të familjes Kqiraj nga Prizreni, Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e Prizrenit sepse ka gjetur mungesa esenciale që duhet t’i përmbajë një aktgjykim.

Aktvendimi i Gjykatës së Apelit të cilin e ka siguruar KALLXO.com evidenton shkelje elementare në aktgjykimin e Gjykatës së Themelore të Prizrenit e dhe pse ky rast është njëri nga rastet e shënjestruara si kriter për liberalizim të vizave.

Kështu, Apeli e ka gjetur të bazuar ankesën e Prokurorisë dhe gjithashtu sipas detyrës zyrtare ka gjetur se aktvendimi i Themelore së Prizrenit ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit nuk ka përmbajtur emrat e kryetarit e as anëtarëve të kolegjit apo procesmbajtësit të rastit e po ashtu nuk janë përshkruar në tërësi as veprat penale për të cilat akuzoheshin të akuzuarit.

“Shkeljet konsistojnë në atë se aktgjykimi nuk është përpiluar në pajtim me nenin 370 të KPPRK-së ngase në hyrje të aktgjykimit të ankimuar të gjykatës së shkallës së parë nuk ka cekur emrat e kryetarit të kolegjit e as të anëtarëve të kolegjit dhe procesmbajtësit e kjo përbën shkelje esenciale të procedurës penale”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Apelit.

Përpos kësaj shkelje, Apeli gjithashtu ka gjetur se Themelorja nuk e ka cekur fare në aktgjykim se të akuzuarit Tunë Kqiraj, Kastriot Kqira, Gjon Kqira Marjan Kqira, Benson Buza, Gjekson Kqira janë të akuzuar për veprën “krimi i organizuar” lidhur me veprën penale të detyrimit dhe fajdes duke rënë ndesh kështu me kërkersat e Kodit të Procedurës Penale se çka duhet të përmbajë një aktgjykim.

Të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm në këtë pikë të akuzës nga Gjykata në Prizren.

Instanca e dytë e drejtësisë, përpos shkeljeve të konstatuara, Gjykatës Themelore të Prizrenit i ka obliguar që t’i administrojë edhe njëherë provat dhe të vlerësojë se a është i nevojshëm dëgjimi i dëshmitarëve-policëve të propozuar nga Prokuroria dhe gjithashtu të marrë parasysh edhe pretendimet e ankesës së prokurorisë lidhur me shkeljen e ligjit penal lidhur me atë se a është gjykuar në tërëri aktakuza apo jo.

Në këtë proces gjyqësor, Tunë Kqira, Gjon Kqira, Ekrem Leci dhe Hill Kaqinari akuzohen për shkak të veprës penale, organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Kastriot Kqira akuzohet për veprën penale fajdeja, Benson Buza akuzohet për veprën penale detyrimi, Besfort Omaj për shkak të veprës penale detyrimi.

Po ashtu, Gjekson dhe Gëzim Kqira dhe Zyrafete Hukolli akuzohen për shkak të veprës penale fajdeja.

Në lidhje me këto akuza, Gjykata në Prizren më maj të këtij viti kishte shpallur aktgjykimin me të cilin i akuzuari Tunë Kqira ishte dënuar me 2 vjet e 3 muaj burg; Kastriot Kqira me 3 vjet burg, Gjon Kqira me 2 vjet e 6 muaj, Gjekson Kqira me 5 muaj, Gëzim Kqira me 5 muaj, Benson Buza me 2 vjet e 6 muaj, Besfort Omaj me 2 vjet e 5 muaj, Zyrafete Hukolli me 6 muaj, Ekrem Leci me 6 muaj, Hil Kaqinari me 6 muaj ndërsa dy të akuzuarit tjerë Ragip Fazlija dhe Sejfë Kaqorraj janë liruar nga akuzat, raporton KALLXO.com.

Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, kishte thënë gjatë shpallës së aktgjykimit se Tunë dhe Gjon Kqira shpallen të pafajshëm në veprën penale të detyrimit ndërsa Kastriot Kqira e Besfort Omaj janë shpallur fajtorë për këtë vepër.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm jo proporcionale, ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Të akuzuar në këtë rast ishin: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Kaçinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me këtë rast ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.

Banka Botërore: Shkollimi në Kosovë, 5 vite prapa

0

12.8 vite shkollimi në Kosovë janë të barasvlefshëm me 7.7 vite për nga cilësia.

Kështu ka gjetur raporti i Bankës Botërore , indeksi i Kapitalit Njerëzor (HCI).

Sipas këtij raporti fëmijët në Kosovë deri në moshën 18 vjeçare pritet të ndjekin 12.8 vite të shkollimit parafillor, fillor dhe të mesëm, mirëpo kur vitet e tyre të shkollimit nivelohen për nga cilësia e arsimit, atëherë shkollimi i tyre është i barabartë vetëm me 7.7 vite, që do të thotë se ata kanë një mungesë prej 5.1 viteve të arsimit.

Sipas raportit, një fëmijë i lindur sot në Kosovë do të jetë vetëm 56 për qind produktiv kur të rritet në krahasim me fëmiun që do të kishte arsimim komplet dhe shëndet të plotë.

Në përgjithësi, Indeksi i Kapitalit Njerëzor i Kosovës është nën mesataren e rajonit, por mbi mesataren e grupit të saj të të hyrave.

Indeksi HCI përbëhet nga pesë indikatorë: gjasat për mbijetesë deri në moshën 5-vjeçare, vitet e pritura të shkollimit të një fëmije, rezultatet e testeve të harmonizuara që masin cilësinë e mësimit, shkalla e mbijetesës së të rriturve, dhe proporcioni i fëmijëve që nuk kanë kufizime në zhvillim./kallxo

I jepet lamtumira lirkut Fatos Arapi

0

Një nga zërat e dalluar të letrave shqipe, poeti e shkrimtari Fatos Arapi ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Arapi vdiq mbrëmjen e 10 tetorit, kurse prej 10 vjetësh ai ishte i sëmurë pasi kishte pësuar një hemorragji cerebrale. Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Arapi lindi më 1930 në Zvërnec të Vlorës, ndoqi studimet për ekonomi në Sofje, mandej punoi në Tiranë në fillim si gazetar dhe më vonë për një kohë të gjatë si pedagog. Fatos Arapi, bashkë me Ismail Kadarenë dhe me Dritëro Agollin, bën pjesë në ata poetë që sollën një kthesë të rëndësishme në poezinë shqiptare të viteve ’60-a. Arapi solli në këtë poezi elemente të modernizmit, madje të hermetizmit. Ai u orientua nga poezia filozofike. Veçanërisht origjinale janë dy përmbledhjet e tij të para poetike “Shtigje poetike” (1962), “Poema dhe vjersha” (1966), “Ritme të hekurta” (1968) është më konformiste. Më 1971 i botohet në Prishtinë vëllimi “Kaltërsira”, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Vëllimin “Më jepni një emër” ia ndaloi diktatura. Pas tij ai shkroi vëllimet: “Drejt qindra shekujsh shkojmë” (1977), “Fatet” (i botuar në Prishtinë më 1979), “Duke dalë prej ëndrrës” (1989). Në anën tjetër pas rënies së diktaturës botoi vëllimet: “Ku shkoni ju statuja”, Tiranë 1990, “Dafina nën shi”, Tiranë 1991, “Ne, pikëllimi i dritave”, Tiranë 1993, “Unë vdiqa në brigjet e Jonit”, Shkup, 1993, “Më vjen keq për jagon”, Tiranë 1994, “In tenebris”, Tiranë 1996. Fatos Arapi është një poet që parapëlqen temat ekzistenciale dhe një nga poetët e rrallë shqiptarë që trajtojnë në poezinë e tyre temën e detit. Ka shkruar edhe romanet “Dhjetor i shqetësuar” (1970), “Dikush më buzëqeshte” 1972, i ribotuar në Prishtinë më 1973, “Shokët”, 1974, “Deti në mes”, 1986 dhe novelat “Patat e egra” (1970) e “Cipa e dëborës”. Arapi ka shkruar edhe vëllime me kritikë letrare.

Për vdekjen e Arapit familjarëve, miqve e dashamirëve ngushëllime u ka shprehur edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

“Me hidhërim të thellë e mësova lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të poetit, shkrimtarit e përkthyesit Fatos Arapi. Vepra e tij e pasur dhe kontributi i jashtëzakonshëm do të mbeten unike në letërsinë shqipe si dëshmi e një individualiteti me kontribute të vyera. I veçantë dhe i paharruar do të mbetet për mua takimi me të, kur student 20-vjeçar e ftova për një bisedë me një grup studentësh të Fakultetit të Ekonomisë. Thjeshtësia, modestia dhe mirësia e tij në komunikim na la mbresa të veçanta të gjithëve dhe e bëri figurën e tij edhe më shumë të dashur për të gjithë ne.

Këto cilësi i jepnin një vend e një dimension të veçantë në raportet njerëzore e shoqërore, pasi vepra e tij fliste vetë. Ndaj dhimbjen e thellë për humbjen e këtij njeriu të veçantë dhe i përcjell ngushëllimet më të thella të gjithë familjarëve dhe të afërmeve të tij. I përcjell ngushëllimet gjithë miqve, bashkëpunëtorëve, kolegëve dhe lexuesve të të paharruarit Fatos Arapi”, është shprehur Meta në mesazhin e ngushëllimit.

Me dhimbje lajmin për vdekjen e Arapi e kanë pranuar edhe miqtë e kolegët. Shkrimtari shkodran Agron Tufa shkruan se Arapi vdiq në kohën më të bukur kur nuk do të donte të vdiste, po të kemi parasysh një ndër titujt e veprave të tij “Nuk vdes shpirti në tetor”.

“Sot u nda prej nesh poeti Fatos Arapi. Një zë origjinal në poezinë shqipe, me një gjuhë, stil e vokacion të spikatur individual. Flamur në gjysmështizë për kulturën shqipe. Ai vdiq në kohën më të bukur kur nuk do të donte të vdiste, po të kemi parasysh një ndër titujt e veprave të tij – “Nuk vdes shpirti në tetor”, për të mbetur i pavdekshëm në rima e ritme poetike, një referencë e fuqishme në poezinë moderne shqipe. Sidomos në pjesën ku nuk i pagoi ‘taksë’ regjimit”, shprehet Tufa.

Në një intervistë të dhënë vite më parë gazetares Vera Pelaj, Fatos Arapi thoshte: “Dëgjoj shumë andej e këndej pesimistë që flasin rreth letërsisë në përgjithësi dhe rreth poezisë. Por unë nuk jam pesimist. Unë mendoj se letërsia ecën. Po krijohen emra, po vijnë gjenerata të tjera dhe poezia nuk do të mbetet në mes të rrugës. Përkundrazi, me traditën që është krijuar tanimë dhe me tendencat e shumëllojshme të larmishme që janë krijuar me një teknologji krejt të re, poezia do të shkojë përpara. Pastaj, fakti është që në përgjithësi letërsia shqiptare tashmë e ka të qartë synimin e saj drejt lirisë së njeriut, drejt të drejtave njerëzore të njeriut, në përgjithësi, sigurisht të kombit shqiptar dhe të njeriut shqiptar, në veçanti, mendoj se kjo letërsi është në rrugë të drejtë. Nuk duhet të jemi pesimistë. Unë jam optimist. Natyrisht në moshën time dhe me sëmundjen që kam nuk mund t’i ndjek të gjithë, por jam optimist dhe ata ecin, ecin”. Ai shtonte se letërsia ka ligjet e veta dhe me një moment të caktuar, atje ku ti nuk e pret, del një talent, i cili bën sintezën, bën përgjithësimin e një plejade të tërë, e cila ka punuar.

Shuarja e Arapit është një humbje për shoqërinë shqiptare, por vepra e tij ka vendin e vet të pazëvendësueshëm në historinë e letërsisë shqipe. Zëri

Mbappe “pushton” Amerikën

0

“Fenomeni” Mbappé ka mbërritur në SHBA. Revista prestigjioze amerikane “Time”, nesër i kushton kopertinën e saj sulmuesit të PSG-së, duke e konsideruar si një nga “modelet e brezit të ri” në botimin e saj ndërkombëtar.

Kampioni i fundit botëror, në moshën 19-vjeçare, duket si një nga të rinjtë më me ndikim në glob, nga pikëpamja sportive dhe sociale.

“Mbappé është e ardhmja e futbollit”, – thotë revista prestigjioze, e cila flet për ngritjen e shkëlqyeshme të lojtarit të ri. Mbappé është sportisti i katërt, që do të shfaqet në këtë revistë prestigjioze botërore, pasi e kanë bërë këtë më parë Messi, Neymar dhe Balotelli. Talenti francez prek në rrëfimin e tij, që do të publikohet në numrin e nesërm të “Time”, karrierën e tij meteorike, jetën si futbollist dhe atë familjare.

“Unë mendoj se kam humbur disa gjëra. Nuk kam pasur jetën normale të një të riu, që të dal me miqtë dhe të kem kënaqësi të shpeshta”, – thotë sulmuesi, i cili flet për virtytet që i konsideron thelbësore, për të arritur në krye. Duke na njohur me veten, Mbappe tregon të vërtetë e parimeve të tij, pavarësisht nga fama: “Kam mësuar se yjet e mëdha dhe lojtarët e mëdhenj janë më të përulur, njerëzit më të respektuar. Ka tri gjëra jetësore për mua: respekti, përulësia dhe kthjelltësia”.

Kylian Mbappé, një nga 30 kandidatët për të fituar “Topin e Artë” për vitin 2018, pasi bëri një paraqitje të madhe në Botërorin e Rusisë, ka shënuar së fundi katër gola me PSG-në në vetëm 13 minuta loja. Ai tashmë ka fituar Ligue 1 me PSG-në dhe kryeson renditjen me ekipin e tij, këtë sezon, me fitore të plota. PSG-ja, në fakt, ka thyer rekordin e fitoreve të njëpasnjëshme në historinë e futbollit francez.

Gazeta gjermane i përgjigjet Ronaldos: Kemi qindra dokumente për ty

0

Cristiano Ronaldo i ka mohuar me forcë të gjitha akuzat që janë bërë kundrejt tij për përdhunim, me avokatët e tij që kanë folur për dokumente të manipuluar.

Por e përjavshmja gjermane “Der Spiegel” i është përgjigjur portugezit duke thënë se zotëron qindra dokumente që konfirmojnë atë që është raportuar në fillim, akuzat e Kathyrn Mayorga.

Në një reagim pas deklaratës së avokatit të Ronaldos, gazeta gjermane shkruan: “Kemi kontrolluar me shumë imtësi informacionet tona, edhe nga ana ligjore”.

Nga ana tjetër, edhe Real Madrid i ka kthyer shpinën lojtarit, duke “zbritur në fushë” për të sqaruar pozicionin e vet. Klubi madrilen ka publikuar në faqen e vet në internet një sqarim mbi lajmet e qarkulluara së fundmi se kanë qenë pikërisht drejtuesit e Realit që kanë detyruar Ronaldon të paguajë para për të blerë heshtjen e vajzës në vitin 2010.

Në deklaratë madje paralajmërohet se do të merren edhe masa ligjore kundër gazetës portugeze “Correio de Mahna” për publikimin e këtij lajmi që, sipas Real Madrid, është i rremë. “Klubi nuk ka pasur fare dijeni për ngjarjen, kështu që nuk mund të ushtronte presion”, thuhet në deklaratë.

Komuna e Prizrenit akuzon gjykatën për shpërfillje faktesh për mbeturinat

0

Komuna e Prizrenit ka akuzuar Gjykatën Themelore të Prizrenit për shpërfillje apo hedhje poshtë të fakteve lidhur me hedhjen e paligjshme të mbeturinave të ngurta nga persona të papërgjegjshëm.

Sipas zyrtarëve komunalë, pandëshkueshmëria po bën që të vazhdojë praktika e hedhjes së paligjshme të mbeturinave nga keqbërësit, shkruan sot Koha Ditore.

Mirëpo këto akuza janë hedhur poshtë nga Gjykata Themelore, e cila ka pohuar se lëndët e kësaj natyre duhet të jenë precize dhe ka kërkuar bashkëpunim profesional nga të gjitha institucionet.

Në komunikatën e Komunës së Prizrenit thuhet se “faktet për hedhje të mbeturinave të ngurta nga persona të papërgjegjshëm shpesh nuk përfillen ose hidhen poshtë nga Gjykata Themelore. Kjo është një prej arsyeve pse keqbërësit e pandëshkuar vazhdojnë të hedhin mbeturina, ndërsa pëson e gjithë Komuna”.