17.8 C
Prizren
E premte, 11 Korrik, 2025
Home Blog Page 4583

Prokuroria e Prizrenit ngrit 27 aktakuza për uzurpimin e pronës së Hekurudhës

0

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur 27 aktakuza kundër 27 personave për rastet e uzurpimit të pronës së Hekurudhës në Komunën e Prizrenit.

Përmes një njoftimi për media, Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se pas pranimit të 51 kallëzimeve penale nga Kompania për Menaxhim të Infrastrukturës Hekurudhore – “INFRAKOS SH.A”, ka trajtuar dhe hetuar të gjitha këto kallëzime penale, dhe pas koordinimit të veprimeve të nevojshme hetimore ka ngritur 27 aktakuza kundër 27 personave, për veprat penale: “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme”.

Nga të gjitha lëndët e pranuara, në 6 prej tyre janë hudhë kallëzimet penale, ndërsa 18 lëndë janë ende në punë, për të cilat Prokuroria në Prizren, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Gjithashtu, Departamenti për Krime të Rënda ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve për 13 persona për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe për veprat penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” 1 dhe “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, lidhur me lëshimin e lejeve ndërtimore në afërsi të pronës së Hekurudhës, duke mos respektuar distancën e duhur nga binarët, sipas Ligjit për Hekurudhat e Kosovës.

Ramadan Muja dhe të akuzuarit tjerë sërish para gjykatës

0

Në Gjykatën e Gjilanit sot pritet të vazhdoj shqyrtimi gjyqësor ndaj ish kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja dhe të tjerëve të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në seancën e shqyrtimit fillestar Muja dhe zyrtarët e ish-zyrtarët tjerë të Komunës së Prizrenit janë deklaruar të pafajshëm në lidhje me veprat të cilat ju vihen në barrë.

Rigjykimi i Ramadan Mujës dhe të tjerëve është zhvendosur nga gjykata e Prizrenit në atë të Gjilanit me kërkesë të kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, me arsyetimin se njëra nga veprat penale me të cilat ngarkohej Muja lidhej me kallëzimin penal të Gjykatës në Prizren.

Pastaj Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore në Prizren, është jokompetente për ta gjykuar këtë çështje, andaj vendosi që Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan ka kompetencë territoriale për gjykimin e Mujës dhe të tjerëve.

Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Muja për katër pikat e aktakuzës u dënua me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Në rastin e njëjtë të gjykuar nga Gjykata e Prizrenit, Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike, ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale.

Edhe Krasniqi nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë, dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, ishin dënuar me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.

Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.

Rasti Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila më pas e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit. Dhe më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur që rastin ta kthej në rigjykim.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

Dy shtëpitë e Adem Demaçit, nën mbrojtje ligjore

0

“Shtëpia e lindjes së Adem Demaçit” dhe “Shtëpia e Adem Demaçit” tashmë janë pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Nga e mërkura këto dy objekte janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Ky veprim i Ministrisë së Kulturës është bërë në kuadër të zgjatjes së afatit edhe për një vit sa i përket mbrojtjes ligjore të monumenteve.

Shtëpitë janë marrë nën mbrojtje dy muaj e gjysmë pas vdekjes së shkrimtarit, disidentit e fituesit të çmimit “Sakharov”. Demaçi i lindur më 26 shkurt 1936 ka vdekur më 26 korrik të këtij viti.

Për shkak të bindjeve të tija politike, ai kishte qëndruar në burgjet jugosllave për 28 vjet duke iu nënshtruar tri gjykimeve. Ky veprim i Ministrisë së Kulturës vjen pasi Qeveria e Kosovës në vitin 2008 i kishte dhënë Demaçit statusin e qytetarit me merita të veçanta.

Merkel: Inkurajojmë marrëveshjen për Brexit, por “djalli fshihet në detaje”

0

Kancelarja gjermane Angela Merkel përshëndeti përparimin në negociatat për një marrëveshje për Brexit dhe tha se donte një marrëdhënie të ngushtë me Britaninë, pasi ajo të largohet nga Bashkimi Evropian, veçanërisht në çështjet e sigurisë.

“Shpresoj të ketë progres dhe me sa duket ka progres, por nganjëherë djalli fshihet në detaje, kështu që gjithçka përfundon, kur gjithçka të jetë përpunuar”, tha ajo në një konferencë shtypi pas takimit me Kryeministrin holandez Mark Rutte, transmeton tch.

Më parë, negociatori i BE, Michel Barnier tha se një marrëveshje e Brexit është e mundur të arrihet javën e ardhshme, teksa çështja e kufirit me Irlandën është ajo që po mban pezull akordin mes palëve.

Merkel tha se negociatat ishin në një fazë vendimtare dhe sa më shpejt që të përfundonin, më mirë do të ishte për të dy palët, si Britaninë, ashtu edhe BE-në.

“Ne jemi dakord që duam marrëdhënie miqësore me Britaninë, mbi të gjitha bashkëpunim shumë të ngushtë në fushën e sigurisë”, tha ajo.

Kundërshtohet amnistia për veteranët ‘mashtrues’

0

Organizata e Veteranëve të Luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që çështja e statusit të veteranëve ta kthehet në pikën zero.

Drejtuesit e kësaj organizate thonë se kjo duhet të bëhet në mënyrë që të sqarohet gjithçka dhe të hiqen dyshimet për veteranët ‘mashtrues’.

Kryetari i Veteranëve të Luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, tha për Radion Evropa e Lirë, tash nga gjendja e krijuar, më e mira e mundshme tash është që procesi për verifikimin e veteranëve të bëhet edhe një herë nga e para.

“Veteranët nuk kanë nevojë të aplikojnë prapë, sepse aplikacionet janë brenda dhe ato janë pranë Zyrës së Kryeministrit dhe ne mund të punojmë. Nëse bëhet Ligji për amnisti është një kohë që do të jept 60 apo 90 ditë, që të dorëzohen certifikata nga ata të cilët nuk e ndjejnë veten veteranë dhe që kanë gabuar që kanë aplikuar. Është mirë që të dorëzohen ato certifikata dhe në momentin që dorëzohen ato certifikata, ata hiqen nga listat dhe ne na mbetet shumë më pak punë për të ardhur deri te numri i saktë i veteranëve”, tha Gucati.

Ai tha se është kërkuar nga institucionet e Kosovës që të behet një Ligji për amnisti për ata persona të dyshuar ‘mashtrues’, dhe siç tha ai, deri tani për këtë çështje e kanë mbështetjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Unë mendoj se me vullnetin e mirë dhe punën që do të bëjnë institucionet e Kosovës, kjo çështja do të zgjidhet shumë shpejt”, tha ai.

Për propozimin e OVL-së është deklaruar edhe presidenti Thaçi, i cili tha se përfaqësuesit e OVL-së së UÇK-së i kanë kërkuan që ai të ushtrojë autoritetin e tij për të dërguar në rivlerësim këtë proces, “duke e thënë se kjo është e vetmja mundësi për tejkalimin e parregullsive të shumta”.

Gucati tha se është e vërtet dhe të gjithë e dinë se ka fryrje të listave të veteranëve.

Nga ana tjetër, në Qeverinë e Kosovës thotë se është e pamundur që procesi i statusit të veteranëve të kthehet në piken zero. Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Gazmend Syla, njëherësh drejtor i Zyrës për kategoritë e dala nga lufta, tha për Radion Evropa e Lirë se përderisa ka një aktakuzë që është në dorën e drejtësisë, nuk mund të merret asnjë vendim tjetër. Sipas tij, tani gjykata e ka në pronësi gjithë dosjen.

“Pa marrë një vendim ata [gjykata], ne nuk mund ta precizojmë diçka se çka do të ndodhë më tutje. Do të thotë, ne presim një vendim të gjykatës, pastaj pas atij vendimi të gjykatës të shohim çka do të ndodhë më tutje. Por, për momentin neve po presim që gjykata të kryejë punët e veta dhe nuk do të ndërhyjmë në drejtësi asnjëherë”, tha Syla.

Sa i takon propozimit për miratimin e një Ligji për amnisti, Syla mendon se diçka e tillë është e pamundur dhe ide e vonuar.

“Po ligjërisht unë mendoj se tash nuk ka kohë për shkak se kjo ishte dashur të ndodhë më herët përpara se të ngrihet aktakuza. Tash do të thotë ne e kemi kaluar atë fazë kur është dashur të kërkohet një amnisti. Do të thotë kjo ka është dashur të ndodhë përpara se të ngrihet aktakuza, të kërkohet një amnisti prej gjithë atyre që kanë përfituar statusin jashtëligjshëm edhe të jepej një amnisti për ata. Edhe ata do të duhej t’i kthenin certifikatat, në qoftë se i kanë marrë pa meritë, pandershëm ose në forma të ndryshme. Por, tash besoj që ka kaluar ajo fazë. Gjykata po e trajton rastin dhe nuk mundemi tash të kthehemi prapa. Unë mendoj se ligjërisht kjo tash është e pamundshme të ndodhë”, tha Syla.

Anëtari i Komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Sami Kurteshi, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha kjo që tani po kërkohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është e pakuptimtë dhe një lojë, siç u shpreh ai, e rrezikshme. Ai madje thotë se kjo ide e përkrahur edhe nga presidenti Thaçi ka të bëjë edhe me kritikat e ndërsjella mes presidentit dhe kryeministrit.

“Çdo person që në mënyrë të rrejshme gjendet në listën e veteranëve, ai në të vërtetë konsiderohet se ka mashtruar publikun dhe ka marr apo ka vjedhur mjetet publike. Prandaj unë mendoj se edhe kjo loja me një Ligj për amnisti për ata persona, në të vërtet është një lojë shumë e rrezikshme. Kush kërkon ta amnistojë një hajn që ka mashtruar, ka marrë mjetet publike, para, pension, benificione apo privilegje”, tha Kurteshi.

Kurteshi thekson pos tjerash se kjo nismë edhe një përpjekje tjetër e radhës për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

“Ne të vërtetë është një përpjekje për të ndryrë në drejtësi edhe njëherë siç kanë bërë tash e njëzet vjet të gjitha këto qeveri”, tha Kurteshi.

Në fryrje e listave, sipas Gucatit, nuk ka ndikuar vetëm hierarkia ushtarake, por edhe politika.

“Ne e dimë që janë bërë gabime dhe për këtë arsye po kërkoj kthim në pikën zero dhe ta gjejmë numrin e vërtet të saktë të veteranëve. Po ta pyesim edhe një fëmijë e dinë se ka fryrje të listave. Në fyerjen e listave është edhe politika, nuk është vetëm hierarkia ushtarake”, tha Gucati.

Me herët, OVL e UÇK-së, kishte reaguar pas publikimit të disa listave të veteranëve të rremë, të publikuar nga disa media, duke thënë se në këtë listë bëjnë pjesë edhe shumë ish-luftëtarë që kanë luftuar nën emblemën e UÇK-së.

OVL e UÇK-së ka shprehur zhgënjimin lidhur me atë se si si prokuroria ka bërë gabime të tilla, duke kërkuar përmirësim të menjëhershëm të listave.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar më parë se “ka ngritur aktakuzë, të cilën e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si ‘veteranët’, në drejtim të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Protesta në Prishtinë ku është kërkuar shkarkimin i Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj, i cili ka hetuar rastin e njohur si “Veteranët”

Kurse, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur, se aktakuza për rastin e “veteranëve të rrejshëm”, i është kthyer Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë për plotësim dhe qartësim.

Prokuroria Speciale e Kosovës, nga provat e siguruara deri më tani ka vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të ish-UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej mbi 68 milionë eurosh.

Prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se numri i përfituesve të jashtëligjshëm nga kjo kategori, mund të jetë deri në 19 mijë veta.

Shesheli tregon pse nuk guxon të blejë shtëpi në Prizren

0

Lideri i Partisë Radikale të Serbisë, Vojisllav Sheshel, është i njohur me angazhimet e tij për kthimin e forcave të serbe të Sigurisë në Kosovë, transmeton Koha.net.

Para një jave kishte thënë se Serbia duhet të ketë gjithmonë në gjendje gatishmërie një njësit prej 1000 personash për të ndërhyrë në raste krize në Kosovë.

Gjatë këtij viti, Shehel e ka blerë një shtëpi në Hërtkovci, Vojvodinë, nga ku ai akuzohet të ketë dëbuar kroatë që jetonin në këtë fshat. Këtë shtëpi ai tash e ka shndërruar në seli të partisë që e udhëheq.

Gazeta e Beogradit “telegraf.rs” e ka pyetur sot pse nuk shkon edhe në Kosovë për ta blerë një shtëpi në Prizren.

“Nuk mund ta blejë shtëpinë në Prizren, sepse ushtria dhe policia jonë nuk e kontrollojnë atë pjesë të territorit. Unë si qytetar i Serbisë nuk mund ta bëjë këtë sepse nuk do të më garantohet siguria. Nga ana tjetër, është e mundshme që të blej shtëpi në Preshevë”, është përgjigjur Sheshel.

Për asgjë s’pendohem

0

Poezi nga Gioconda Belli. Përkthyer nga Beti Njuma.

Nga gruaja që jam,
më rastis, ndonjëherë,
të vërej, tek të tjerat, gruan që mund të isha;
Gra të sjellshme, të zellshme, bashkëshorte të mira,
shembuj virtyti,
siç ime më do kish dashur.
S’di pse
tërë jetën kalova pa iu nënshtruar.
I urrej kanosjet e tyre
mbi trupin tim
fajin që jetët e tyre
të pamëkata,
helmatisje të çuditshme
më shtien në mendje;
rebelohem ndaj sjelljeve të tyre që s’kanë të sharë,
ndaj përlotjeve tinëz
të shoqit,
për turpin e lakuriqësisë
nën të linjtat e hekurosura.
Këto gra,
sidoqoftë, më shohin
nga thellësia e pasqyrave të tyre;
ngrenë gishtin akuzues
dhe, hera herës,
dorëzohem para vështrimit të tyre qortues
e do doja të fitoja pëlqimin universal,
të isha “vajza e mbarë”, të isha “gruaja përsëmbari”, Xhokonda e paqortueshme,
të merrja notën maksimale në sjellje
nga partia, nga Shteti,
nga miqtë,
nga familja, nga fëmijët
dhe nga tërë qeniet
që me bollëk popullojnë
këtë dynja.
Mes kësaj kontradikte të paevitueshme
mes asaj që duhej të ishte dhe asaj që është,
kam luftuar beteja
të panumërta vdekjeprurëse,
beteja kafshuese, ato kundër meje
– ato kundër meje që jam vetëvetja-
me psikikën
që dhemb,
me leshra të kërleshura,
duke përdhosur planet e të parëve, çjerr gratë që jetojnë brenda meje
që, prej fëmijërisë, vëngërt më shohin
ngase më rrinë ngushtë ëndrrat e tyre shembullore.
ngase guxoj të jem ajo e krisura,
e pabesueshmja, e buta dhe e brishta
që dashurohet si një e përdalë e trishtë
me beteja të drejta,
burra të hijshëm
e fjalë hokatare.
Sepse, në moshë madhore, guxova të jetoj fëmijërinë e mohuar
dhe gjatë orarit të punës dashuri mbi tryeza bëra,
lidhje të shenjta rrënova
dhe guxova të shijoj
trupin e shëndetshëm e harkor
dhunti të trashëguara nga të parët e mi.
Nuk fajësoj askënd. Përkundrazi i falenderoj për dhuratat
Për asgjë s’pendohem, siç tha Edit Piaf:
por në thellomat e errëta ku fundosem në mëngjes,
me të çelur sytë.
ndiej lotët që më mblidhen
pavarësisht lumturisë që më në fund kam fituar
duke shkallmuar shtresa shkëmbore,
shoh gratë e tjera brenda meje,
të ulura në hajat
që më sytë e tyre të dhembshur më vështrojnë
dhe ndihem në faj për lumturinë time.
Vogëlushe të mbara të pakuptimta më rrethojnë
që valle fëmijënore hedhin
kundër meje;
kundër kësaj gruaje, të pjekur, të plotë
gruas me gjoks të ngjeshur
e vithe të gjera,
që, për time më e kundër saj, më pëlqen të jem.

Agim Thaçi i bashkohet Vetëvendosjes në Prizren

0

Agim Thaçi është bërë pjesë e Vetëvendosjes në Prizren.

Lajmin e anëtarësimit e ka dhënë lideri i VV-së, Albin Kurti

Postimi në Facebook
Në Prizren, bashkë me kryetarin e komunës, Mytaher Haskuka, mirëpritëm në VETËVENDOSJE!, z.Agim Thaqi.
Agimi ka mbaruar shkollën fillore “Fadil Hisari” dhe atë të mesme “Gjon Buzuku” në Prizren, kurse Fakultetin e Elektroteknikës, Dega Sistemet Elektro-Energjetike, në Universitetin e Prishtinës.

Nga viti 2001 deri në vitin 2007 ka punuar në ShMLP “11 Marsi” në Prizren si profesor i lëndëve profesionale, pastaj për tri vite në KEK si koordinator, më pas për një vit në ShMLP “Xhelal Hajda-Toni” në Rahovec si profesor i matematikës, si dhe në sektorin privat.

Anëtarësimi i Agimit në Lëvizje është fuqizim për organizatën tonë në Prizren si dhe për ekipin e profesionistëve tanë.

Ky është rrëfimi i Brendon Gigollajt nga Hasi që u rrah në Novi Sad

0

Brendon Gigollaj që u rrah ditë më parë në Novi Sad të Serbisë ka rrëfyer ngjarjen. Ai thotë se ende ka probleme shëndetësore, por thekson se nuk mund të kthehet në Kosovë për shkak të procedurave.
Ishte bashkë me Çlirim Malokun i cili ishte rrahur në Novi Sad të Serbisë. Brendon Gigollaj flet për RTV Dukagjini përmes telefonit. Ai tregon detajisht për natën kur u sulmuan.

“Kemi dalë në pije me atë shokun tim. Kur kemi dashtë me shkua në shtëpi e kam pyetur a po do në këmbë me shkua në shtëpi apo me taksi. Ai tha vetëm tregoj taksistit ku me ndalur se unë e kryej pagesën. Sapo u nisëm ata na sulmuan. Është e sigurt që ata ishin përpara dhe na kanë dëgjuar duke folu shqip. Në fillim më kanë sulmuar mua dhe më kanë humbur vetëdijen. Pastaj e kanë sulmuar edhe shokun tim, por unë nuk kamë parë çka kanë bërë. Kur kam ardhur në vetëdije e kam parë shokun tim dhe kam kërkuar ndihmë. Një femër që punon afër aty e ka thirrur policinë”, rrëfen ai.

Brendoni thotë se ndjehet i frikësuar të qëndrojë në Serbi, mirëpo nuk mund të kthehen në Kosovë pa përfunduar procedurat e gjykatës.

“Për momentin jam pak i rrezikuar dhe kam frikë, por deri të dalim në gjykatë nuk e di çka do të bëj”, thotë viktima e sulmit në Novi Sad.

Ai foli edhe për trajtimin në spital, ndërkohë thotë se akoma nuk e ndjen veten mirë me shëndet.

“Trajtimi (në spital) ka qenë korrekt. Janë sjellë shumë mirë me neve pavarësisht se ishim shqiptarë. Nuk jam shumë i lënduar, kam një varrë por po mundohem me kalua. Koka më dhemb, sepse më kanë rënë në kokë me shqelma, boksa, çfarë kanë mundur”, tregon ai.

Ndërsa vëllai i Çlirim Malokut. Ai tha se po qëndron pranë Çlirimit në spitalin e Novi Sadit në Serbi ndërkaq tregoi se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.

 

Kenia, autobusi del nga rruga, 50 të vdekur

0

Së paku 50 persona kanë vdekur pasi një autobus që udhëtonte nga kryeqyteti kenian Nairobi në Kisumu, doli jashtë rrugës. Policia thotë se numri i të vdekurve mund të rritet, pasi ka ende të bllokuar në autobus. Mes viktimave ka edhe fëmijë.

Mësohet se shoferi ka humbur kontrollin në një vend që njihet për aksidente. Në autobus po udhëtonin 52 persona në kohën e aksidentit.

Rrugët në Kenia janë të rrezikshme dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka renditur Kenian si një nga vendet më të këqija në botë për sigurinë në rrugë.