27.7 C
Prizren
E diel, 6 Korrik, 2025
Home Blog Page 4600

Haxhi Avdyli konfirmon pjesëmarrjen në protestën e VV-së

0

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli përmes një postimi të gjatë në Facebook ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në protestën e së shtunës që është thirrur nga partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.

Ky vendim i Avdylit bie ndesh me vendimin e kryesisë së LDK-së, të cilët e kishin refuzuar ftesën e Vetëvendosjes për protestë.

“Unë vendosa. Që të shtunën nga ora 14 deri 16, ta zhveshi petkun e Neurokirugut, mësimdhënësit, veteranit por edhe kryetarit të degës së LDK-së e deputetit dhe të jem vetëm një qytetarë më shumë në Protestën e së shtunës”, ka shkruar ne Facebook, deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli.

Ai thotë se në protestën nuk po shkon për hatër të asnjë lideri opozitar, por vetëm kundër Hashim Thaçit.

“Aty do jem vetëm për Kosovën unike e të pandarë. Për hatër të asnjë lideri opozitar por vetëm kundër Hashim Thaçit vizatuesit të dështuar hartave të copëtimit Qosiqian të Kosovës”, ka shkruar tutje Avdyli.

Ai thotë se të shtunën, në protestë do të jetë së bashku me mijëra votues të LDK-së, e me tre flamuj, shtetëror, kombëtar e flamurin dardan.

Rihapet gjykimi për vrasjen në Ratkoc të Rahovecit

0

Gjykata Themelore e Gjakovës nuk e ka shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit për vrasje në Ratkoc të Rahovecit, Feriz Hoti.

Kjo pasi është gjetur dëshmitari i arratisur më parë nga burgu.

Natën e 17 Majit 2017, dëshmitari Muhamet Kiqmari nga Podujeva, bashkë me Evan Poterën, Liridon Sylejmanin dhe Hamdi Jusufi, kishin dalë me makinë me qëllim që të vjedhin një market.

Kiqmari tha se ‘në fillim kemi parë një shtëpi 6-7 metra larg marketit ku ka qenë e ndezur një dritë në katin e dytë, mirëpo kur i jemi afruar marketit dritën e ndezur nuk e kemi parë më”.

“Unë kam tentuar ta hap derën e marketit me një mjet, ndërsa Evani me dana, duke u munduar që ta këput zingjirin e dryrit të marketit dhe ndërsa Liridoni ka pritur në makinë. Pastaj dikush ka gjuajtur me armë 2-3 herë dhe ne kemi filluar të ikim”, ka treguar dëshmitari Kiqmari.

“Hamdiun e kam parë vetëm që është rrëzuar, mirëpo nuk na ka shkuar mendja që e ka kapur plumbi. Mirëpo të nesërmen e kemi kuptuar që ka vdekur”, tha dëshmitari.

Avokati i të akuzuarit Sefer Morina, e pyeti dëshmitarin se “atë natë a e keni parë personin që ka gjuajtur me armë?”

“Jo, as nuk e kam parë sepse kam ikur”, u përgjigj dëshmitari.

Prokuroria pretendon se Feriz Hoti ka kryer vjrasjen e Hamdi Jusufit natën e 17 majit 2017 në Ratkoc të Rahovecit, kur ka qëlluar drejt disa personave që po tentonin të hynin dhunshëm në dyqanin e tij.

Në seancën e kaluar, i akuzuari Feriz Hoti ishte deklaruar i pafajshëm.

“Kërkoj nga Gjykata që të më lirojë nga aktakuza. Shpreh keqardhje për të dëmtuarën Nazife Jusufi, mirëpo unë jam i pafajshëm dhe se në burg po qëndroj qe 15 muaj pa faj”, kishte thënë i akuzuari Hoti.

Gjykimi vazhdoi me fjalën përfundimtare dhe prokurori Uka tha se mbetet në tërësi pranë fjalës së tij përfundimtare të dhënë në seancën e kaluar.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit avokati Sefer Morina, tha se edhe pas dëshmisë së sotshme të dëshmitarit Muhamet Kiqmari, nuk është vërtetuar fajësia e të mbrojturit tim, sepse ai të akuzuarin nuk e ka parë natën kritike.

Në aktakuzë thuhet se Feriz Hoti, pasi që dëgjoi zhurmën që po shkaktonin Hamdi Jusufi, Muhamet Kiçmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera që po tentonin të thyenin derën e marketit “Rama-F” për të vjedhur brenda tij, doli nga oborri i shtëpisë dhe me armë filloi ndjekjen e tyre.

Sipas aktakuzës, katër personave që po tentonin të vidhnin në lokalin e tij, Hoti në fillim u kërkon të ndalen duke i sharë, e më pas kur ata vazhdojnë të ikin ai vazhdon të gjuajë drejt tyre me pushkën automatike “AK 47”.

Në aktakuzë përshkruhet edhe momenti kur i akuzuari e qëllon tani të ndjerin Hamdi Jusufi.

“Në të shtënën e fundit qëllon tani të ndjerin Hamdi në pjesën e kokës dhe nga plaga e marrë vdes në vend të ngjarjes”, thuhet mes tjerash në aktakuzë.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet nesër në ora 09:00.

Arrihet marrëveshje për shpime dhe hulumtime për ujë të pijshëm në Malishevë

0

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe kryeshefi ekzekutiv i Hidroregjionit jugor, Besim Baraliu, nënshkruan marrëveshje bashkëfinancimi për hapjen e puseve piezometër dhe eksploatuese në fshatrat Temeqinë, Bellanicë, Llapqevë dhe fshatrave tjera, sipas nevojave në Komunën e Malishevës.

Kjo marrëveshje është nënshkruar, me qëllim të hapjes së këtyre puseve, pasi nevoja për ujë të pijes është e madhe, sikur edhe shtimi i kapaciteteve të ujit, sasisë dhe kualitetit të ujit, dhe zgjerimi i rrjetit të ujit në fshatrat ku nuk ka rrjet të ujësjellësit.

Sigurimi i ujit për pije në të gjitha vendbanimet e Komunës së Malishevës, është një prej prioriteteve të veçanta, dhe për këtë qëllim, kryetari i Komunës së Malishevës është duke bërë përpjekje të shumta, që përmes projekteve të ndryshme, të rritë kapacitetet dhe të zgjerojë rrjetin e ujësjellësve, në mënyrë që fshatrat e kësaj komune të jenë të furnizuara me ujë.

Juventus provoi ta transferojë Pogbën pasi mori Ronaldon

0

Juventus bëri ofertë që ta rikthejë Paul Pogbën pas transferimit të Cristiano Ronaldo-s, pohon The Sun.

Bardh e Zinjtë ishin përgatitur që ta transferojnë francezin pasi kishin dhënë plot 100 milionë euro për Topin e Artë, por një gjë nuk ishte realizuar.

Kampionët italianë mbeten të fokusuar në fituesin e Kupës së Botës, sidomos pas kohërave të vështira që ky i fundit po i kalon te Manchester United.

Nismë që në New York të ngrihet shtatorja e Adem Demaçit

0

Një grup i mërgimtarëve që jetojnë në SHBA kanë marrë iniciativë, duke e themeluar edhe Këshillin iniciues për ndërtimin e shtatores së veprimtarit të shquar të çështjes shqiptare, Adem Demaçi, në qytetin e New Yorkut. Drejtuesit e kësaj iniciative, të cilën e kanë quajtur “Adem Demaçi në shtatore”, njoftojnë se kanë mbajtur mbledhjen e parë, ku dhe publikisht kanë shpalosur projektin e tyre për vendosjen e shtatores së Demaçit në New York të SHBA-së, përcjell albinfo.ch.

Shefki Mexhuani, iniciues i këtij projekti, ka numëruar një varg arsyesh pse duhet të realizohet ky projekt, duke thënë se kjo është edhe ide shpirtërore e përbashkët dhe, si e tillë, duhet realizuar bashkërisht.

Prezent në këtë takim ishin dhe përfaqësues të shoqatave të tjera shqiptare që veprojnë në SHBA.

Këshilli iniciues njofton po ashtu se shumë shpejt do ta bëhet dorëzimi i kërkesës pranë autoriteteve amerikane. Anëtarët e Këshillit janë: Gjek Gjonlekaj, Shefki Mexhuani, Gani Shehu, Naim Qelaj dhe Veton Grajçevci.

Kryeprokurori i Prizrenit: Rastet e dhunës në familje të trajtohen me prioritet

0

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, ka mbajtur takim me të gjithë përgjegjësit të cilët merren me trajtimin e rasteve që ndërlidhen me veprat penale të cilësuara si dhunë në familje, brenda kompetencës së kësaj prokurorie, me qëllim të ngritjes së efikasitetit për trajtimin e rasteve të tilla.

Në këtë takim ishin të pranishëm prokurorë përgjegjës për rastet e dhunës në familje, përfaqësues nga Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit, gjykatës, mbrojtës të viktimave, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, Strehimorja, Zyra për Ndihmë Juridike Falas, si dhe zyrtarë nga Shërbimi Sprovues.

Kryeprokurori Shala nga të pranishmit kërkoi bashkëpunim dhe bashkërendim të plotë mes institucioneve kompetente, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme, që trajtimi i rasteve të tilla të ketë prioritet të plotë dhe ndaj tyre të veprohet dhe të reagohet me urgjencë.

“Pjesëmarrësit në takim u pajtuan për nevojën e ndërtimit të raporteve më të drejtpërdrejta edhe me viktimën (të dëmtuarën) e dhunës në familje. Në këtë drejtim koordinatorja për dhunë në familje nga Prokuroria Themelore në Prizren, Mehreme Hoxha, zyrtarëve policorë ua prezantoi nga një kopje të vlerësimit të rrezikut si dhe të urdhërit për mbrojtje emergjente, me rekomandimin që në të ardhmen së bashku me kallëzimin penal, të plotësohet nga viktima edhe formulari për vlerësimin e rrezikut. Në fund të takimit, të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan se duhet të thellohet edhe më tutje bashkëpunimi dhe të mbahen takime më të shpeshta sa i përket rasteve të tilla në mënyrë që të shtohen mekanizmat e mbrojtjes ndaj dhunës në familje”, thuhet në komunikatë.

Legjenda e Liverpoolit e këshillon Unitedin: “Mos e largoni Mourinhon për Pogban”

0

Jose Mourinho vs Paul Pogba, telenovela e sezonit po vazhdon dhe do të vazhdojë deri në janar te Manchester Unitedi, sepse aktualisht asnjëri nuk do të largohet nga “Old Trafford”.

Fundi polemikave të vazhdueshme mes Mourinhos dhe Pogbas, që u pa edhe dje në stërvitje – mund t’i vijë vetëm nëse drejtuesit e “Djajve të Kuq” e shkarkojnë portugezin, çka edhe mund të ndodhë – duke parë ecurinë negative në Premierligë edhe eliminimin e hershëm nga Kupa e Ligës.

Sido që të jetë, ish-mbrojtësi i famshëm i Liverpoolit, Jamie Carragher, ka dhënë mendimin e tij në Sky Sports në lidhje me këtë çështje.

Ai është treguar shumë i ashpër me Pogban, duke ftuar Unitedin që t’i dalë në krah trajnerit.

“Nëse Mourinho largohet, nuk do të shihni ndonjë Pogba të transformuar”, u shpreh Carragher.

“Ai nuk është aq i mirë sa mendon. Problemi i tij i madh është të kuptuarit e ndeshjes. Mund t’i përmbledhësh paraqitjet e tij në dy ndeshjet e fundit – një gol i shkëlqyer ndaj Young Boys dhe faj te goli i pësuar ndaj Wolves”.

“Klubet e mëdha e duan, por Barcelona do ishte skuadra më pak e përshtatshme për të”, shtoi ai.

“Pogba luan për vete, nuk është realisht kapiten. Ai lejon agjentin që të flasë keq për klubin e tij. Nuk është njeriu i duhur”.

“Të jesh kapiten dhe mesfushor qendre do të thotë të luash për skuadrën, por nuk mendoj se Pogba ka disiplinën e duhur për të luajtur në mesfushën e Mourinhos”, theksoi ai mes tjerash.

Me këtë boksier do të përballet Joshua

0

Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk ka bërë me dije se ka një para-marrëveshje me menaxherin e njohur Eddie Hearn, se pas duelit ndaj Tony Bellew do të përballet me kampionin e botës në peshën e rëndë, Anthony Joshua. Të dy boksierët britanikë, Bellew dhe Joshua, kanë të njëjtin menaxher, Hearn.

Usyk do të duelojë ndaj Bellewin për titullin kampion bote të peshës “cruiserweight”, tituj që mbahen nga ukrainasi, ndërsa Joshua është në një peshë më lart. Sipas ukrainasit, kjo përballje me Bellew është pjesë e një marrëveshje që në 13 prill të 2019-ës të duelojë me Joshuan, duke debutuar në peshën e rëndë.

“Ne kemi rënë dakord që pas duelit ndaj Bellewin unë të përballem me Joshuan. Kjo lëvizje është pjesë e një marrëveshje që kemi arritur që më parë me Eddie Hearn. Ai ka mjaft boksierë të mëdhenj nën kontroll, madje edhe Dillian Whyte. Kjo është mënyra më e mirë dhe më e shkurtër për mua për të dueluar ndaj Joshuas dhe për t’u bërë kampion bote edhe në një Divizion tjetër”, tha Usyk

Gashi: MKRS-ja ka në fokus ngritjen e kapaciteteve profesionale të të rinjve

0

Në konferencën “Opportunity Scouting”, organizuar nga GIZ-i dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bëri të ditur se ministria të cilën ai e drejton, përmes strategjisë dhe planit të veprimit, ka parashtruar hapat për realizimin e objektivave dhe aktiviteteve për periudhën kohore 2018-2022.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes strategjisë dhe planit të veprimit, ka parashtruar hapat për realizimin e objektivave, për realizimin e aktiviteteve dhe përcaktimin e përgjegjësive dhe mjeteve për periudhën kohore 2018-2022”.

Sipas Gashit, ky dokument strategjik trajton të rinjtë nga mosha 15 deri në 24, raporton Ekonomia Online.

“Dokumenti strategjik trajton të rinjtë nga mosha 15 deri 24 vjeç dhe politikat ndërsektoriale në përputhje me ligjin për pjesëmarrjen e rinisë. Në të njëjtën kohë ne kemi planifikuar në planin legjislativ edhe ndryshimin e Ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje të të rinisë. Në kuadër të kësaj ne kemi të gatshëm edhe koncept-dokumentin për rininë i cili pritet t’i shfaqet qeverisë në njërën nga mbledhjet e ardhshme”.

Ministri Gashi tregoi për fondin rinor, i cili u mundëson angazhim në punë praktike të rinjve nëpër kompani e biznese kosovare, raporton EO.

“Në kuadër të MKRS-së ne kemi formuar fondin rinor, përmes të cilit jemi duke angazhuar praktikantë me pagesë nëpër kompani e biznese në vendin tonë, në mënyrë që këta të rinj të marrin një përvojë të mirë në shërbim të aftësimit profesional dhe përgatitjes së tyre në të ardhmen të jenë të gatshëm edhe për tregun e punës”.

Sipas ministrit Gashi, është e rëndësishme që të rinjtë kosovarë të mos ndihen të pafuqishëm në realizimin e ëndrrave të tyre.

“Është shumë e rëndësishme që të rinjtë kosovarë të mos ndihen të anashkaluar dhe të pafuqishëm në realizimin e ëndrrave të tyre. Në shërbim të kësaj përfshirje në aktivitetet shoqërore, informim, ngritje të kapaciteteve profesionale të të rinjve, është në fokus Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”.

Gashi bëri thirrje që të vazhdohet me krijimin e hapësirave për të rinjtë përmes bashkëpunimit të institucioneve në mënyrë që t’u sigurohet infrastruktura për formim dhe informim individual dhe kolektiv të tyre.

Helmut Zelloth, ekspert për orientim në karrierë nga BE, tha se ky projekt ka qenë për të rinjtë kosovarë dhe, sipas tij, ka rezultuar të jetë mjaft i suksesshëm.

“Në BE kemi prioritet fusha të tilla dhe se bashkëpunimi e bën zhvillimin më të mirë dhe kritik”, tha ai.

Heset Sahiti nga MAShT tha se qeveria është e vetëdijshme për nevojat e shërbimeve dhe edukimin për orientimin në karrierë, raporton EO.

“Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme për nevojat e shërbimeve dhe edukimin për orientim në karrierë, për këtë plani strategjik i arsimit në Kosovë përfshin planin e karrierës si një nga treguesit të zbatimit të suksesshëm të strategjisë së saj”, tha Sahiti.

Më shumë se 30 të rinj nga komuna kanë punuar intensivisht për të hartëzuar të gjitha shërbimet e qasshme për të përmirësuar tranzicionin e tyre nga shkolla në punë.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, Pacollit e Thaçit: Aman lëreni lobimin se horë na bëtë

0

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka reaguar për deklaratën e zv/kryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacollit, i cili ka thënë se me serbët nuk ka pasur kurrë problem dhe se ka jetuar gjithmonë me ta, shkruan Insajderi.

Avdyli ka thënë se Pacolli ndoshta nuk ka pasur probleme me serbët, por Kosova po. Ka thënë se Kosova ka probleme me Serbinë për shkak se janë të zhdukur më shumë se 2 mijë persona dhe ka vrarë 10 mijë persona të tjerë.

“Ky zotnia ka dashtë me thënë unë skam pas problem me Serbët, kam jetuar me ta. Por Kosova të cilën e përfaqëson ky ka fort problem me Serbët sepse ka 10.000 të vrarë, 2000 të zhdukur, 700.000 të burgosur e 100.000 shtëpi të djegura , nga këta miqtë joproblematik të Hashimit e Bexhës. Aman lene lobimin e kthehuni në shtëpi se horë na bëtë”, ka shkruar Avdyli në Facebook.

Pacolli gjatë ditës së djeshme kishte deklaruar për media serbe se Kosova dhe Serbia duhet të heqin kufirin mes dy vendeve.

“Ne kemi jetuar së bashku një herë dhe shoh një tendencë që ata duan të jetojnë së bashku. Ne, në vend që të bëjmë kufij, ne duhet të largojmë kufijtë dhe të lejojmë njerëzit të lëvizin lirisht”, ka deklaruar Pacoli në Neë York për TV Prvu./Insajderi.com