26.1 C
Prizren
E diel, 6 Korrik, 2025
Home Blog Page 4602

Arrestohet Milaim Zeka

0

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër për arrestimin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, për shkak të kërcënimit të Prokurorit Special, Afrim Shefkiu.

Insajderi merr vesh se Policia e ka arrestuar sot Zekën ndërsa në ora 09:00 të mëngjesit e ka marrë atë në pyetje.

Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, Zekës i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Prokuroria pritet të kërkojë masë të paraburgimit prej 30 ditësh.
Zeka para dy ditësh e kishte kërcënuar Prokurorin Special, Afrim Shefkiu, duke thënë se do ta ndjekë atë me gjyq, kanun e privatisht.

“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin tim me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Kqyre ky hajni i vizave”, ka thënë Zeka në emisionin DPT te Fidani në T7.

Prokurori Special, Afrim Shefkiu ka propozuar 907 dëshmitarë kundër Zekës. 900 prej tyre janë viktima të mashtrimit me viza pune në Gjermani të cilëve u janë marrë hiç më pak se 345 mijë e 700 euro. /Insajderi.com

Sekuestrohen dy pistoleta në Prizren

0

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, mbrëmë në fshatin Velezhë, Prizren, pas ndalimi të një automjeti gjatë patrullimit janë gjetur dhe sekuestruar dy pistoleta.

“Rreth orës 22:00, në një pikë kontrolli në fshatin Velezhë, një patrullë policore e ka ndaluar një automjet të llojit ” D. Chrysler” dhe gjatë kontrollit të automjetit dhe personave janë gjetur dhe sekuestruar dy pistoleta të llojit M57 të kalibrit 7.62mm; njëra me 9 dhe tjetra me tetë fishekë”, thuhet në raportin e Policisë,

“Dy të dyshuarit janë intervistuar nga policia dhe më pas është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që rasti të procedohet sipas procedurës së rregullt ndërsa provat materiale dhe shkresat e lëndës t’i kalojnë prokurorisë për procedura të më tejme”, përfundon raporti.

Një poete franceze e dashuruar me dervishët shqiptar

0

Dervishi, përballë saj… Në heshtjen e dhomës dhe meditimin e gjatë. Një dialog nën zë, ndërkohë që ajo shkruan vargje. Poetja dhe dervishi. Dervishi otoman, zbarkuar në Paris nga miku i saj, piktori Omer Kaleshi. Dervishi që e ka lënë teqenë e tij, që është larguar nga vallja e tij rrotulluese nën një muzikë “ney” dhe ka ndalur aty në dhomën e saj, një ditë të vitit 2012, ku qëndron ditë e natë brënda një kornize, duke e parë atë me sytë e tij të mbyllur.

«Edhe pse symbyllur, dervishi shikon» – thotë piktori. Magjia e mistikës. Dervishi ka fatin ta shohë poeten dhe në çastet e saj intime, dhe atëherë kur ajo zhvishet, flë, zgjohet, me këmishën e saj të hollë me hiret e saj lakuriq dhe atë trup të hollë si nudot e hershme të vetë piktorit, atëherë kur ishte student, «nudo mjalti» siç i quan ajo, krijuar në vitin 1962.

E kisha fotografuar atë dervish në atelierin e piktorit, kur ai e kishte zbritur atë nga kavaleti i tij i vjetër dhe e kishte vendosur në kornizë. Pastaj një ditë, dervishi, kishte shkuar të gjente një strehë tjetër, më të gëzuar e femërore, një strehë të përhershme, dhomën e poetes që e shikonte me aq kërshëri, poetes që i kishte kënduar aq shumë: « … dervishi ballë shtratit tim nuk është në të zeza veshur me të bardha është gati të vijë rrotull por ai nuk rrotullohet është gati për ekstazën e tij ai qëndron i qetë dhe i paqtë aty duke pritur ceremoninë…”.

Gjithçka kishte një shije dashurie, apo diçka më shumë: sublimja e ngjyrës, figurës dhe fjalës, e poezisë me pikturën, për çka aq shumë kishte shkruar dhe i madhi Leonardo Da Vinci. Atje në atelierin e tij krijohej mrekullia.

A nuk ka shkruar ajo për tablotë e tij se: «Mrekullia mbahet veç në një fill ku ti var nga një breg në tjetrin peshq dhe koka virgjëresha dhe barinj një lot alkimik…» Ja ku kam ardhur tashmë në sallonin e mikes time Laure Cambau.

Dervishi nuk është vetëm. Jemi tre. Ai rri i heshtur dhe dëgjon fjalët tona për atin e tij, krijuesin e tij, Omer Kaleshin. Kur Laure u njoh me Kaleshin dhjetë vjet më parë, kur kisha organizuar ekspozitën e madhe të tij në hollet e bashkisë së Parisit XIII, ky piktor e habiti me kokat e shumta të tij: Omeri i kokave. Vallë përsëri një poemë homerike në kohët moderne?

Shpejt poetja e adhuroi dhe krijuesin e kokave. Ngjiste shkallët e shumta të katit të shtatë atje në bulevardin Arago. Shkonte të shikonte kokat e reja, barinj e dervishë, vajza që shisnin fruta, çobanë të rinj, personazhe të dramës së fundit ballkanike, fëmijë, fytyra ballkanasish të vjetër e të rinj. Atje, në atelier, ajo shijonte dhe rakinë e tij, dhe heshtjen e tij, pasi Omeri flet pak, ose aspak… një “heshtje memece”, siç e cilësonte miku i tij, filozofi Jacques Lacarriere, i cili po ashtu i kishte kushtuar shumë poezi kokave të tij.

Dhe kështu, poetja zbriste pastaj ato shkallë “qiellore” për të shkuar në shtëpinë e saj apo në kafene, për të shkruar vargjet e saj. Kokat e Omerit rijetonin kësaj rradhe brënda vargjeve: “Një podium kokash të vendosura e të futura bashkë një kokë e madhe mbi dy koka dy koka të vogla mbi një të madhe pesëmbëdhjetë koka kokëforta që bëjnë veç me kokë të tyre e nganjëherë të bijen mbi kokë!…”.

Dhe kështu, njëra pas tjetrës ajo krijoi nëntëmbëdhjetë poezi. Atëherë po përgatisja një libër me titull “Fjala e Omerikëve”, duke përmbledhur poezitë e poetëve të ndryshëm, miq të piktorit, si poetë francezë, shqiptarë, turq, maqedonas. Aty u vendosën edhe poezitë e Laure-s: një poezi, një tabllo.

Pas botimit të këtij libri në frëngjisht, shqip dhe maqedonisht, Laure Cambau do të vazhdonte udhëtimin e saj poetik nga atelieri i piktorit në sallonin e saj në Rue Damesme. Poezitë shtoheshin dhe kur takoheshim, unë shpesh e pyesja nëse kishte ende ndonjë poezi të re për mikun e saj. Dhe ajo m’i dërgonte për të shuar kureshtjen time: “Kam ëndërruar se më pikturoje dhe unë kisha frikë në të bardhën e telajos…” Këto poezi u botuan në librin poetik të saj Letra vagabondit qiellor (Lettres au Voyou céleste), të shtëpisë botuese Editions de l’Amandier, një vëllim i ndarë në dy blloqe poetikë, ku blloku i dytë E bardha pa të bardhë (Blanc sans blanc) i kushtohej Omerit dhe tablove të tij. Dhjetra poezi kushtuar Omer Kaleshit.

Por përsëri, kjo aventurë poetike, nga atelieri i bulevardit Arago, në Vavin, Denfert Rochereau apo në Buttes aux Cailles, etj, e pastaj do të vazhdonte në mbrëmjet e vona në Rue Damesme. Kështu u krijuan poezitë e tjera si Sytë e triptikut, Mbi sytë e mi, Tabloja e të katërve, Përse dy data – palimpsest, etj. E kuqe me të kuqe, e zezë pa të zezë… një paletë ngjyrash poetike ngjizur në vargje, si në një pjatancë frutash të Chardin. Piktori gjithnjë e befasonte atë me krijimet e reja të tij, por dhe poetja e befasonte piktorin me vargun e saj. Dhe ishte ai tani që më përcillte poezinë e saj më të fundit, një poezi pas tjetrës: «Merre, lexoje… bukur!»…

Dhe kështu lindi idea e këtij libri poetik, ku çdo poezi do të vendosej përkrah tablosë që e kishte frymëzuar atë, përcjellë nga frëngjishtja në shqip, nga njëri cep i urës gjigande në tjetrën, nga Parisi në Tiranë, në sofrën poetike të Rita Petros… Laure shikonte nuancat e së kuqes, humbiste në të kuq si në ujrat e një deti dhe në mëndje i vinte historia e asaj ngjyre pas së cilës ishte kapur aq shumë ai piktor: ngjyra e përzgjedhur e tij që në vitet e Akademisë së Arteve të Bukura në Stamboll: «Ti bën zjarr me çdo dru nga druri i spatulës tek druri i kavaletit nga këto flakë lind qielli i tablove të tua tabloja që mbushet me gjakun tënd në kufirin e së kuqes dhe të hapësirës nga hauri tek therrtorja fëmija rritet dhe në ditët që zgjohen kërkon ngjyrën e zjarrit gjaku thahet në tas dhe në porta në këmishat dhe në koka spatula vazhdon udhën e saj…”.

Në atelierin e Omerit, çdo detaj kishte për të një domethënie. Shpesh gjendeshim të tre, ulur në minderet otomane, para një rakije që ia sjell piktorit gjithnjë nga Shqipëria.

Ajo vështronte atelierin dhe humbiste në detajet dhe imazhet e çuditshme të një jete, të një historie, në atë Ballkan të vockël, të rikrijuar aty, në katin e shtatë, buzë reve, në prag të qiellit dhe gjithësisë, në natën e yjëzuar… Përse ai kolltuk i rëndë prej druri i piktorit bërë nga duart e tij? Përse ajo musandër, ajo tabelë plot manometra elektrikë të një bote të shkuar, ato kukulla dervishësh, etj, përse syreti i gjyshit i varur në mur, figurinat në miniaturë të çobanëve, shportat ku ai imagjinonte të vendoste kokat e tij, ajo këmbë allçie që varej në tavan të atelierit apo ikona e kokës së prerë të Gjon Pagëzorit?…

Njëmijë “përse” të saj si njëmijë shkallë për tu ngjitur e zbuluar jetën e një njeriu, e një artisti. Dhe kështu, duke kërkuar domethënien e një date, një ngjarje, dhimbje e dashurie, ajo e ktheu këtë histori njerëzore në një poemë të gjatë që s’dihet kur do të mbarojë, pasi piktori është e habitshëm, poetja gjithashtu! Gjithnjë do të ndeshesh me një të papritur. Laure Cambau është një poete e njohur në rrethet letrare e poetike franceze.

Disa çmime ndërkombëtare ndër të cilat dhe çmimet “Poncetton” të SGDL (Shoqatës së të Drejtave Autorëve) për librin e saj Letra vagabondit qiellor më 2010 apo “Simone Laundry”, më 2015, etj, dëshmojnë statusin e kësaj poete në poezinë franceze e frankofone në përgjithësi. Poezinë ajo e përqafoi që në fëmijërinë dhe adoleshencën e saj, kur shtatë vjeçare shkroi poezitë e para e më pas tekste këngësh, kohë kur luante sonatat e para të Chopin në pianon e vjetër familjare.

Ishte biblioteka e madhe e prindërve dhe ajo botë librash që do t’i shpaloste magjinë e leximit dhe të krijimit, dhurata e nënës për ditëlindje me një vëllim të Baudelaire në “Pleiade” të Gallimard. Kështu Baudelaire u bë shpejt i preferuari i saj, ylli polar poetik. Pastaj Verlaine, Rimbaud…

Më vonë poetë të tjerë trokitën në dritaret e shpirtit të saj: Max Jacob, Eluard, Lorca… Çuditërisht dhe një poet mistik spanjoll: Jean de la Croix apo vetë figura e shenjtes Thérèse de Lisieux në Normandi. Poetë, mistikë dhe shenjtë… shenjtë të të gjitha feve dhe kombeve. Libri i parë poetik Bulevarde lunatike (Boulevards lunatiques), u botua në Editions Brocéliande, në vitin 1998, ku poezitë e saj ilustroheshin dhe me fotot e botuesit. Ishte padyshim një ngjarje në jetën e saj duke e frymëzuar për të ngjitur më shpejt shtigjet e reja poetike.

Laure Cambau është gjithashtu pianiste. Jo rrallë ajo të fton në koncertet e saj muzikore apo ato koncerte që ka dhënë nëpër Europë, ku poezia gërshetohet me sonatat e pianos, ku luan muzikë me tekstet e Heine, Holderlin, Eluard, Hesse, Lorca… Ndoshta është dervishi i Omerit ai që e shtyu atë të merrte udhët drejt Shqipërisë dhe t’i ngjitej Malit të Tomorrit, atje ku çdo vit bëhet festa e bektashinjve, atje ku kryegjyshi botëror, Baba Mondi, bën lutjen drejtuar Zotit të tij.

Lutje me aromë paqeje, shpirti që nuk vdes, vere dhe dashurie. Në dhomën e saj, Laure ka madje dhe një diplomë të firmosur nga dora e kryegjyshit për shfaqjen e saj në majën e Tomorrit në atë ditë plot diell të festës së madhe midis mijra besimtarëve. Ajo më tregon diplomën dhe qesh me mirësi.

Një diplomë ndryshe nga diplomat e tjera që shpërndahen në të katër anët e botës… diplomë mistike, sepse ishin dervishët që e nxitën kështu të shkruante për ta dhe për rrugëtimin e tyre të gjatë, nga Bektash Veliu në shekullin e XIII duke kaluar nëpër tokat dhe poemat e sufistit Jonuz Emré, për të ardhur në Malin e Tomorrit në Shqipërinë e vitit 2014.

Legjenda thotë se themeluesi i bektashizmit Haxhi Bektash Veliu, morri një grusht dhé nga varri i Baba Abaz Aliut dhe e vendosi në majën e atij mali, duke krijuar kështu një varr të dytë të shenjtë në malet shqiptare. E megjithatë, duket se jo vetëm dervishi i Omerit e nxitën atë të udhëtonte si të ishte një Aleksandra David Néel, Hester Stanhope, kontesha Gasparin që shkruante për brigjet e thepisura të Jonit shqiptar, Mary Montagy, udhëtare këto të shekullit XIX apo dhe si udhëtaret e kohëve moderne.

Ajo më tregon për profesorin e saj të historisë, kur ishte në shkollë në moshën 13 vjeçare dhe kur ai u fliste me entusiazëm për Shqipërinë maoiste dhe utopinë e një vendi që nuk donte t’ia dinte për superfuqitë dhe kjo tashmë e bën të qeshë me të madhe. Pastaj më tregon për shkrimtarin e njohur Robert Escarpit që i ati, mik i tij, gjithnjë kur e takonte e thërriste «Robert l’Albanais» («Roberti shqiptari»), i cili ishte mahnitur nga Shqipëria e «Gjeneralit të ushtrisë së vdekur».

Më pas ajo vazhdon të më tregojë për udhëtimin e familjes së saj në jahtin e një miku të afërt, kur sëbashku, nga Brindizi, ata u afroheshin brigjeve shqiptare pranë Shkodrës dhe kur shoqëruesi nxitoi t’i largonte nga ato brigje të heshtura pasi «ushtarët e Republikës së «paepur» mund ta kthenin udhëtimin e tyre në një «udhëtim funebër»… kështu, Shqipëria kishte mbetur një mit që gjithnjë e grishte, madje dhe në ditët kur do të shkonte në festivalin poetik të Strugës, aq pranë Shqipërisë mitike, «planetit të pashkelur» nga pinjollja e «princit të vogël»…

Më së fundi, atë gusht të vitit 2014, bashkë me poezitë e dervishëve të saj, ajo shkeli zbathur në tyrben e famshme dhe të shenjtë që ngrihej atje në majë të atij mali si një observator i shenjtë i shpirtrave njerëzore… Atje bashkohej dhe qielli, poezia, piktura e Omerit dhe shpirtra që kishin jetuar në mijra vjet.

Në dhomën e poetes Laure Cambau tabloja e dervishit, tabloja dhuratë e piktorit, është gjithnjë aty, përballë shtratit, varur si në një qiell mistik, i pagjumë e vigjëlues, i paqtë e njëherësh si një ashik i heshtur që vështron përtej brigjeve ballkanase: «… fle dhe vallëzoj dhe ëndërroj në të bardhë dhe ballë meje një dervish më flet fjalët e tij janë karemë memecë një qumësht blu që më bën për vete në një këngë para pemëve në të djathtë kam një plagë në të majtë një “flakë të pikturuar» dhe ballë meje një dervish… Luan Rama

Pogba ka vendosur, nuk dëshiron të punojë më me Mourinhon – kërkon të largohet

0

Paul Poigba dëshiron të largohet nga Manchester United në afatin kalimtar të janarit, nëse Jose Mourinho vazhdon të jetë ende në stolin e “Djajve të Kuq”.

Marrëdhënia mes tyre, e përkeqësuar vitin e kaluar – duket se nuk po përmirësohet.

U mendua që pasi Mourinho ia dhuroi shiritin e kapitenit, Pogba do të qetësohet, ashtu si edhe vet portugezi, por një situatë e pa pritur ka rikthyer gjërat sërish në pikën zero.

Mbrëmë, pas eliminimit nga Kupa e Ligës, Mourinho zyrtarisht deklaroi se Pogba nuk do të jetë më kapiten i “Djajve të Kuq” dhe natyrisht kjo e ka irrituar mesfushorin francez, që kërkon menjëherë largimin.

Pogba, sipas Daily Mail, ka kërkuar nga agjenti i tij që të bëjë gjithçka për ta larguar nga “Old Trafford”.

Barcelona, Real Madridi dhe Juventusi – janë tri mundësitë e mëdha për kampionin e botës me Francën.

Shpërthen Icardi: Harruat që kam shënuar 120 gola!

0

Pas një goli të shkëlqyer kundër Tottenhamit në Ligën e Kampionëve, një javë më parë, sulmuesi argjentinas, Mauro Icardi, është “zhbllokuar” edhe në Seria A.

Kundër Fiorentinës, 25-vjeçari shënoi golin e parë në Itali për edicionin 2018/10 dhe pas ndeshjes ka shpërthyer kundër kritikuesve.

“Rrjetet sociale dhe gazetat duhet të flasin më pak. Unë kam 120 gola prapa shpinës sime, nuk jam i shqetësuar në lidhje me këtë. Isha i qetë”, siguroi Icardi pas ndeshjes.

Kur u pyet në lidhje me rinovimin e kontratës, Icardi u përgjigj: “Çdo vit më pyesin për këtë gjë, por jam i qetë”.

“Vazhdoj të bëj punën time. Klubi dhe gruaja ime duhet të flasin mbi këtë temë”, shtoi ai mes tjerash.

Fatmir Limaj flet për listat e veteranëve të UÇK-së

0

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ishte i ftuar në emisionin debatues “Click”, ku ndër të tjera ka folur edhe për listat e veteranëve të UÇK-së.

Limaj tha se disa hetime janë bërë më herët dhe kanë mbetur në gjysmë, ka pas mundësi me u vazhdu, por kjo sipas Limajt tregon që në segmente të caktuara të institucioneve hetimore të Kosovës kemi telashe.

Limaj tha se ata duhet me marrë përgjegjësi për të çuar këtë punë deri në fund.

“Ai djalë që ka qenë ushtar përnime dhe i ka dalë emri si mashtrues, dikush duhet t’i jep përgjegjësi atij dhe këto kanë dalë nga zyrat e Prokurorisë ata emra. Kush i jep përgjegjësi?”.

Veteranët sot protestojnë para Pallatit të Drejtësisë

0

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Dukagjin, ka njoftuar se sot do të mbajnë një protestë në mbrojtje të vlerave të luftës dhe dinjitetit të luftëtarit të UÇK-së.

Kjo organizatë ka ftuar bashkëluftëtarët dhe të gjithë qytetarët të protestojnë, siç kanë thënë ata kundër padrejtësisë së radhës që po i bëhet luftës së shenjtë të UÇK-së.

Sipas njoftimit, protesta do të mbahet te Pallati i Drejtësisë, duke filluar nga ora 13:00.

Kujtojmë se së fundi në opinion është ngritur tema e veteranëve të rremë dhe atyre që përfituan jashtëligjshëm nga ky status.

E pranojnë fajësinë hajnat e baterive të vetuarave në Malishevë

0

Kushtrim Bytyqi, dhe Bedri Bytyqi, të akuzuar për vjedhje  kanë pranuar fajësinë, në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

I akuzuari i parë, Kushtrim Bytyqi, ka deklaruar se e ndien vetën fajtor për të dy veprat penale për të cilat akuzohet, dhe se i kërkon falje të dëmtuarit, Sefedin Zogaj, duke shtuar se këto veprime nuk i ka kryer nga dëshira, por për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

Edhe i akuzuari i dytë, Bedri Bytyqi, ka deklaruar se e ndien veten fajtor për veprën penale të cilën akuzohet, dhe se veprën penale e ka bërë për shkak të  kushteve të vështira ekonomike, duke i premtuar gjykatës që në të ardhmen do të jetë më i kujdesshëm.

Të akuzuarit Bytyqi, kërkuan nga gjykata t’iu shqiptohet një dënim sa më i butë, duke pasur parasysh faktin se e kanë pranuar fajësinë dhe se janë mbajtës të familjeve dhe nuk kanë asnjë burim të të ardhurave financiare.

Prokurorja e çështjes, Dëshira Jusaj, ka deklaruar se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve, pasi që sipas saj, ky akt ka mbështetje në provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës, dhe pranimi është bërë në mënyrë vullnetare nga ana e të akuzuarve.

Gjykatësi i çështjes, Lulzim Paqarizi, ka marrë aktvendim me të cilin ka aprovuar pranimin  fajësisë nga ana e të akuzuarve, kurse shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar më 27 shtator 2018, në ora 15:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës i akuzuari  i parë, Kushtrim Bytyqi,  më 16 prill 2013, në fshatin Bellanicë, Komuna e Malishevës, në orët e mbrëmjes duke shkuar në oborrin e pikës së karburantit “INA Didi” pronë e të dëmtuarit Sylë Hoxha, dhe ka marrë dy bateri duke ikur në drejtim të panjohur. Kurse, bateritë janë sekuestruar dhe kthyer të dëmtuarit.

Ndërsa, sipas diapozitivit të dytë, të akuzuarit, Kushtrim Bytyqi dhe Bedri Bytyqi, më 8 prill 2013, në fshatin Bellanicë, Komuna e Malishevës, janë marrë veshë ndërmjet veti që të hyjnë në punëtorin e të dëmtuarit Sefedin Zogaj, dhe, me forcë kanë hequr mbajtëset nga dritarja e punëtorisë dhe nëpërmjet saj kanë depërtuar brenda dhe kanë vjedhur disa pjesë të vjetra të gjeneratorëve dhe pjesë të vjetra të automjeteve.

Me ç’rast të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 500 euro dhe kanë ikur në drejtim të panjohur.

Me këto, veprime i akuzuari Kushtrim Bytyqi akuzohet për veprën penale “vjedhje” nga neni 325, paragraf 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, i akuzuari, Bedri Bytyqi në bashkëkryerje me të akuzuarin Kushtrim Bytyqi kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë” nga neni 327, paragrafi 1, pika 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./betimiperdrejtesi/

Pishina olimpike në Prizren po ndërtohet sipas planit(Foto)

0

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prizren ka inspektuar punimet në pishinën olimpike

Sipas inspektimeve të bëra punimet janë duke u zhvilluar sipas planit dinamik

“Punimet për ndërtimin e Pishinës të mbuluar Olimpike janë duke u zhvilluar sipas planit dinamik.

Për inspektimin e punimeve në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm të gjithë akterët e projektit – përfaqësues nga organi mbikëqyrës, hartuesi i projektit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, thuhet në komunikatën e Komunës së Prizrenit.

Shpenzimet për kulturë, rini dhe sport janë planifikuar që të rriten për 36 për qind për vitin 2018. Nga 25.1 milionë euro sa janë shpenzuar deri në fund të vitit 2017, në vitin 2018 janë planifikuar të shpenzohen 39 milionë euro.

Nga to, rreth 500 mijë euro pritet të shpenzohen për ndërtimin e pishinës olimpike në Prizren.

Një tjetër Fury kërkon të ndeshet me Joshuan

0

Tyson ndoshta nuk do ndeshet me Anthony Joshuan në një të ardhme të afërt, por është një tjetër Fury, i cili po kërkon të përballet me britanikun.

Kushëriri i Tyson, Hughie Fury beson se është gati që të ndeshet me kampionin e katërfishtë të kategorive IBF, WBO, WBA dhe IBO, Anthony Joshuan.

“Mendoj që Joshua ka dobësi dhe unë do t’i shfrytëzoja pikat e dobëta të tij. Do isha në avantazh ndaj tij”.

“Do ta mposhti Pulev dhe pastaj do ta kërkoj në ring boksierin britanik”, tha Hughie.

Megjithatë lufta që do zhvillohet mes Denotay Wilder dhe Tyson Fury në dhjetor, me shumë gjasë do të bëjë të ditur kundërshtarin e radhës të Joshuas, i cili do ndeshet më 13 prill.

Hughie Fury ka humbur vetëm një ndeshje në 22 sosh, që nga viti 2013 kur u bë boksier profesionist.