28.7 C
Prizren
E mërkurë, 2 Korrik, 2025
Home Blog Page 4609

Rahovec:Dënohet me 500 euro gjobë i akuzuari për armëmbajtje pa leje

0

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, e ka dënuar me 500 euro gjobë të akuzuarin për armëmbajtje pa leje, Zahir Gashi.

Ai është obliguar edhe në pagesën e shpenzimeve të procedurës në shumë prej 30 euro si dhe do të bëhet konfiskimi i armës.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të martën nga gjykatësi, Mizahir Shabani, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet.

I akuzuari Gashi, ka thënë se ndjehet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur.

“Këtë armë e kam blerë për mbrojtje pasi që shtëpinë e banimit e kam në periferi të fshatit Sapniq, ndërsa për armën nuk posedoj leje nga organet kompetente”, ka thënë ai.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Prek Kola, ka kërkuar nga Gjykatën që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh gjendjen e varfër ekonomike, pasi që është i papunë dhe mbajtës i familjes katër antarëshe.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar as prokurorja e shtetit, Dëshire Jusaj.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 20 mars 2017, ndaj Zahir Gashi, duke e ngarkuar atë me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më parë ka siguruar e deri më 2 shkurt 2017, rreth orës 10:00, në shtëpinë e tij në fshatin Sapniq, Komuna e Rahovecit, pa autorizim ka poseduar armë dhe municion në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët të tilla dhe atë një revole të markës “Ekol Special-99”, me karikator dhe një fishek të kalibrit 7.62 mm, një fishek të kalibrit 7.65mm, një gëzhojë të kalibrit 7.56mm dhe një mbajtëse të armës me rrip, në atë mënyrë që ditën kritike gjatë bastisjes të shtëpisë dhe objekteve tjera përcjellëse nga zyrtarët policorë në dollapin e kuzhinës kanë gjetur dhe sekuestruar armën dhe municionin e lartcekur.

I prishi punët me Mourinhon, largohet nga klubi

0

Eric Bailly ka vendosur të largohet nga Manchester United.

Mbrojtësi nuk i ka aspak mirë marrëdhëniet me trajnerin Jose Mourinho, i cili e ka lënë në stol 24-vjeçarin, duke preferuar Lindelof në vend të tij.

Për momentin, drejtuesit e “Djave të Kuq” nuk kanë përcaktuar një çmim për futbollistin, i cili në vitin 2016 u kushtoi arkave të klubit anglez shumën e 38 milionë eurove.

Pavarësisht kësaj, për lojtarin nga Bregu i Fildishtë nuk mungojnë ofertat.

Tottenhami e Arsenali janë gati ta rrëmbejnë mbrojtësin, kontrata e të cilit me Manchester United skadon në 2020.

Ministria e Sportit do të investojë në ndërtimin e pishinave për notarët

0

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim drejtuesit e Federatës së Notit të Kosovës, të udhëhequr nga Kryetari i kësaj federate, Imer Rama.

Në takim u bisedua për infrastrukturën fizike për sportin e notit dhe plotësimin e saj nëpër qendrat e ndryshme të Kosovës. Konkretisht, u diskutua për fillimin e investimeve që pritet të realizohen në vitin e ardhshëm. Në këtë drejtim, ministri Gashi u zotua se do të fusë në plan ndërtimin e disa pishina gjysmë-olimpike për vitin 2019.

Kryetari Rama e informoi ndër të tjera edhe për aktivitetet që organizon Federata e Notit si dhe sukseset që kanë arritur notarët. Ai mirëpriti zotimin e ministrit për investimet që ka në plan MKRS-ja të realizojë. Rama e konsideroi se përmes këtyre projekteve interesimi për sportin e notit do të rritet.

Nga ana e tij, ministri Gashi falënderoi drejtuesit e FNK-së për informacionet dhe nevojat e shfaqura. Ministri u shpreh se do të bëjë maksimumin që notarët e Kosovës të kenë hapësirat e nevojshme për të realizuar aktivitetet dhe garat e tyre.

Gjithashtu, ministri u shpreh se me investimet që do të bëjë MKRS-ja në vitin e ardhshëm do të ndikohet edhe në edukimin e qytetarëve për notin dhe të reduktohen rastet kur si pasojë e mospërvetësimit dhe edukimit të duhur për notin humbasin edhe jetën e tyre.

Kanos gruan dhe vajzën, arrestohet një person në Prizren

0

Në Prizren është arrestuar një i dyshuar, pasi ka kanosur bashkëshorten e tij si dhe vajzën.

Sipas raportit policor, me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në qendrën e mbajtjes.

Trajneri i PSG-së jep lajmin e rëndësishëm për Neymarin para duelit në Champions

0

Trajneri i Paris Saint-Germain, Thomas Tuchel është i bindur se Neymar do të jetë në gjendje të ndihmojë ekipin në ndeshjen e sotme të fazës së grupeve të Champions Leagues kundër Liverpoolit.

Neymar kishte një shans për të pushuar gjatë ndeshjes së fundit të Ligës së Parë të PSG dhe tani është shumë më i gatshëm për sfidën evropiane.“Ajo që është e sigurt është se ai do të luajë kundër Liverpoolit, por në cilin rol, unë nuk do të them!” ka thënë Tuchel për faqen zyrtare të UEFA-s.

“Nuk është kurrë një rrezik për të besuar në mesfushorin Angel Di Maria. Në cilin rol megjithatë, njëjtë si Neymar-unë nuk mund t’ju them. Do ta bënte shumë të lehtë për Liverpoolin që të përgatitej pastaj”“Kjo sfidë kundër Liverpoolit do të sjellë më të mirën tek ne, do të përgatitemi për këtë nivel”, përfundoi ai.Vlen të ceket se Liverpooli takohet sonte me PSG, me fillim nga ora 21:00, në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.

Ekspertët financiarë: Disa nga shpenzimet për manifestimin “Remzi Ademaj” në Prizren, nuk kishin mbulesë

0

Ekespertët financiarë, Hamdi Kastrati dhe Isak Krasniqi, kanë thënë se disa nga shpenzimet e realizuara në manifestimin tradicional “Remzi Ademaj”, në Prizren nuk kanë pasur mbulesë financiare, pasi sipas tyre, disa nga pagesat janë bërë me të holla të gatshme.

Lidhur me këtë manifestim për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj si dhe Bekim Thaqi e Bedri Çeku, si drejtorë të manifestimit “Remzi Ademaj”.

Për këtë rast që është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, janë dëgjuar dy ekspertët Hamdi Kastrati dhe Isak Krasniqi, të cilët kanë bërë përpilimin e super-ekspertizës në këtë çështje penale, e cila ka pasur për qëllim të nxjerr rezultatet lidhur me format e pagesave nga viti 2009 deri më 2012, që kanë pasur të bëjnë lidhur me këtë manifestim.

Pasi që dy ekspertizat e kaluara, njëra e organit të akuzës, e tjera e të akuzuarve, ishin vlerësuar si kundërthënëse, një nga arsyet pse Apeli e ka kthyer rastin në rigjykim ka qenë edhe kërkesa për caktimin e një super-ekspertize.

Eksperti financiar, Hamdi Kastrati, gjatë elaborimit të kësaj super-ekspertize, në seancën e së hënës, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, Mehdi Sefa ka thënë se gjatë kësaj kohe, mjete të lejuar për këtë manifestim kanë qenë në shumën prej 10 mijë eurosh.

Sipas tij, këto mjete më pas janë derdhur në xhirollogarinë e tani të akuzuarit Bekim Thaqi, i cili ka qenë në Këshillin Organizativ të manifestimit, duke shtuar se ato më pas i ka bartur në xhirollogarinë private të Nexhat Çoçajt, që ka qenë drejtor i Arsimit në këtë komunë.

Gjykatësja Ajser Skenderi, e ka pyetur ekspertin Kastrati nëse i është shkaktuar dëm buxhetit komunal dhe nëse po në çfarë lartësie, duke u nisur që nga viti 2009 e deri më 2012.

“Dëmin e buxhetit komunal ekspertët nuk kanë mundur ta përcaktojnë për shkak se nuk ka të dhëna burimore, se prej nga rrjedh shuma 13.150.39 euro të shpenzimeve të bëra nga Nexhat Çoçaj, e cila shumë nuk ka mbulesë nga të gjitha marrjet e tij, të cilët ekspertët e kanë paraqitur në super-ekspertizë”, është përgjigjur eksperti Kastrati.

Në këtë seancë, gjithashtu këtë super-ekspertizë e ka elaboruar edhe eksperti tjetër, Isak Krasniqi.

Ai ka thënë se në fletëdaljen e datës 12 maj 2009 në vlerë prej 600 euro, në përshkrim të realizimit për statujë të bronztë, dërguar nga Tirana, kjo pagesë është bërë me para të gatshme dhe se sipas tij, askund në ndonjë dokument nuk është hasur se malli është importuar nga Shqipëria, si dhe malli i importuar nuk posedon deklaratën doganore të importit.

“Po ashtu më 22 maj2011, përgatitja e botimit të librave të gatshëm nga subjekti “Studio Grafika Durrës”, vlera e mallit 2340 euro nuk është vërtetuar në ndonjë dokument që do të vërtetonte se malli është importuar nga Republika e Shqipërisë, ndërsa pagesa është bërë në të holla të gatshme, si dhe në të njëjtën faturë nuk ka nënshkrim fare. Si dhe rasti i tretë një shumë prej 1800 euro, është paguar personit Maksimilian Mero, në Tiranë, e cila pagesë nuk dihet se për çka është paguar, pra nuk ka një dokumentacion të qartë”, ka thënë eksperti Krasniqi.

Por, me të gjeturat e këtyre ekspertëve, nuk janë ndarë të kënaqur mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Bashkim Nevzati, Osman Zajmi dhe Hylki Kurtaj, duke i kundërshtuar pretendimet e theksuara në super-ekspertizë.

Sipas mbrojtjes, kjo super-ekspertizë ka tejkaluar urdhëresat e dhëna nga ana e Gjykatës dhe se aspak nuk zbaton detyrat të cilat rrjedhin nga dispozitat ligjore.

Ndryshe, kjo seancë gjyqësore ka qenë vazhdimësi e seancës së mbajtur më 14 shtator 2018, ku ka nisur procesi i rigjykimit të këtij rasti, e në të cilën seancë, të akuzuarit edhe njëherë ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Në atë seancë, me propozimin e prokurorit Mehdi Sefa dhe në pajtim me mbrojtësit e të akuzuarve ishte bërë leximi edhe i deklaratave të dëshmitarëve dhe të ekspertëve financiarë të dhëna në seancat paraprake gjyqësore.

Shqyrtimi i ardhshëm do të vazhdojë me marrjen në pyetje të të akuzuarve nga ana e prokurorit, si dhe do të bëhet përgatitja e fjalës përfundimtare nga palët në këtë çështje penale.

Gjykatësja Ajser Skenderi, seancat e radhës i ka caktuar më 29 tetor si dhe më më 2 nëntor2018, në orën 9:30.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2014, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë  ndaj Nexhat Çoçajt, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut, të cilët i akuzon se duke qenë drejtorë të manifestimit kulturor “Remzi Ademaj”, kanë keqpërdorur mjetet e ndara për këtë manifestim.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, me qëllim të përfitimit për vete apo tjetrin, secili në vitin përkatës brenda periudhës 2008-2012, kanë përdorur mjetet e derdhura në xhirollogarinë personale të secilit, për të blerë gjera, me të cilat veprime i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Nexhat Çoçaj, po ashtu akuzohet se duke qenë kryetar i këshillit organizativ, ka bërë furnizime nga firma “Bogdani’ pronar i së cilës është vet ai dhe ka tërhequr para nga xhirollogaria e tij, pa iu ditur destinacioni, duke e tejkaluar buxhetin e lejuar në shumën prej mbi 4000 eurove, pa vendim përkatës të komunës.

Për këto akuza, në qershor 2016, Çoçaj është dënuar me tre vite burgim efektiv, Thaqi është dënuar me një vit e dy muaj burgim efektiv, ndërsa Çeku është dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv.

Mirëpo, më 27 shtator 2016, Apeli, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe ka kthyer lëndën në shkallën e parë për ri-vendosje. Sipas Apelit, për tejkalimet e buxhetit duhet të sqarohet nëse janë përgjegjës të akuzuarit në fjalë apo zyrtarët komunalë që i kanë lëshuar mjetet.

Apeli gjithashtu ka kërkuar që të përcaktohet se sa është tejkalimi i buxhetit, a është shkaktuar dëm, kujt i është shkaktuar dhe kush është përgjegjës, sepse nëse mjetet shtesë janë lejuar atëherë përgjegjësia është te zyrtarët komunalë.

Në aktvendimin e Apelit, tutje thuhet se i akuzuari Nexhat Çoçaj, ka prezantuar një ekspertizë financiare, e cila i kundërshton gjetjet e ekspertizës së organit të akuzës, andaj duhet që të bëhet një super-ekspertizë që të sqarohen kundërthëniet.

Trupit gjykues, duke u bazuar në rekomandimet e Apelit, në shkurt të vitit 2017, ka marrë vendim që në këtë lëndë të bëhet super-ekspertiza financiare dhe lënda është dërguar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Publik të Prishtinës.

Fakulteti në fjalë, e ka mbajtur lëndën gjyqësore për më shumë se shtatë muaj dhe nuk e ka kryer ekspertizën e kërkuar nga gjykata, andaj kjo e fundit në fund të nëntorit 2017, ka marrë vendim që ekspertizën në fjalë ta kryejnë tre ekspertë privatë nga lista e ekspertëve të gjykatës./betimiperdrejtesi/ 

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës mban akademi për Adem Demaçin

0

Akademia letrare për Adem Demaçin do të mbahet të premten, më 21 shtator 2018, duke filluar nga ora 12, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Gjatë kësaj akademie do të reklamohen punimet e përzgjedhura të konkursit letrar të LSHK-së kushtuar figurës së Adem Demaçit.

Krijimi më i mirë letrar nderohet me kompletin e veprave të Demaçit

Xhamia afër 600 vjeçare në Prizren e mbushur me mbeturina

0

Xhamia e Namazgjahut në Prizren është njëra ndër katër xhamitë e këtij lloji në Ballkan dhe objekti i parë monumental i kulturës Islame në qytetin e Prizrenit.

Edhe pse kjo xhami i sjell Prizrenit me mijëra euro nga turistët nga mbarë bota ky objekt nuk po mirëmbahet.

Parku i Xhamisë së Namazgjahut është i shkatërruar, mbeturinat kanë kapluar hapësirën, ulëset, shportat dhe trafot e ndriçimit janë të dëmtuara në masë të madhe.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Jusuf Xhibo tha për KALLXO.com se mirëmbajtja e parkut në afërsi të Xhamisë së Namazgjahut i takon Komunës së Prizrenit dhe se për rregullimin e parkut disa herë është zotuar Drejtoria e Turizmit por, asnjëherë nuk ka vepruar.

“Namazxhahu i Prizrenit”është monument arkitektonik ashtu që punët dhe mirëmbajtjen e monumenteve e ka Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore – Prizren (QRTK – Pz). Meqë Namazxhahu ndodhet brenda një parku (proporcioni monument – park është afërsisht 10:1 në favor të parkut) dhe mirëmbajtjen e parqeve e bën ndërmarjet e pastrimit (besoj të kontraktuara nga Komuna) atëherë mbajtja e pastërtisë i takon atyre, derisa rojtari kujdeset për monumentin që të mos dëmtohet nga keqbërësit e ndryshëm. Rojtarët që kujdesen për monumentin disa herë kanë raportuar si inspekcionit komunal ashtu edhe policisë për persona që dëmtojnë parkun ose inventarin e parkut por rezultatet ishin të përkohshme pasi problemet vazhonin edhe më pas. Veç kësaj për problematikë e namzxhahut (ndriçimin, ulset, shportat,etj) kemi diskutuar disa herë edhe me Drejtorinë e Turizmit e cila u zotua se kanë një buxhet dhe se do të rregullojnë, por deri më sot nuk pati asnjë lëvizje konkrete”, tha Xhibo.

Krenare Koqi, shefe e kabinetit në Komunën e Prizrenit tha se janë në fazën e shqyrtimit të tenderëve për operatorët ekonomik që do të merren me mirëmbajtjen e parqeve dhe hapësirave të gjelbra në Prizren.

“Mirëmbajtja e xhamisë së Namazgjahut e kemi pasur në linjë buxhetore sivjet dhe për shkak të buxhetit kemi bërë vetëm ndriçimin e objektit, kurse sa i përket menaxhimit të mbeturinave në parkun e xhamisë dhe dëmtimeve eventuale ato i kemi evidente edhe nëpër parqet e tjera dhe kjo ka qenë si pasojë e mungesës së një kontarte në kornizë për mirëmbajtjen e parqeve dhe hapësirave të gjelbra. Ne jemi në fazën e shqyrtimit të tenderëve të aplikuesve të operatorëve ekonomik për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra, mirëmbajtjen e parqeve, vendosjen e ulëseve, vendosjen e koshave të mbeturinave dhe nëse gjithçka shkon mirë, nëse nuk do të kemi ndonjë problem me OSHP do të fillojnë punimet gjatë tetorit dhe do të fillojmë me vendosjen e mobilerive urbane në gjithë qytetin e Prizrenit duke filluar nga Qendra Historike” tha Koqi për KALLXO.com.

Gjithashtu edhe organizata jo qeveritare ‘Ec Ma Ndryshe’ ka reaguar për gjendjen jo të mirë të monumenteve historike në qytetin e Prizrenit.

Enes Toska nga Ec Ma Ndryshe tha se për mirëmbjatjen e monumenteve kulturore e historike në Prizren mungon një stategji gjithpërfshirëse dhe vetëdijesim i qytetarëve përmes kampanjave për mos degradimin e qytetit.

“Kjo është një nga pasojat e mungesës së një strategjie gjithpërfshirëse për zhvillim të bazuar në turizëm kulturor të qytetit të Prizrenit. Monumentet varësisht nga pronësia duhet të mirëmbahen nga titullarët e tyre. Në komunë të Prizrenit kemi monumente në pronësi të nivelit qendror (Ministria e Kulturës) por edhe asete në pronësi të komunës. Edhe pse një monument mund të jetë në pronësi të institucioneve vartëse nga niveli qendror kjo nuk e arsyeton as Komunën e Prizrenit apo edhe vet qytetarët që mund të jenë degradues të ambientit të një monumenti. Në këtë drejtim mungojnë kampanjat e vetëdijësimit për mirëmbajtje të monumenteve, ambient të pastër dhe zbatim të ligjit përfshi këtu edhe gjobitjen e ndotësve” tha Toska për KALLXO.com.

Po ashtu Toska për KALLXO.com tha se këtë vit do të themelohet Zyra e Qendrës historike të Prizrenit.

“Këtë vit pritet të themelohet edhe Zyra e Qendrës historike të Prizrenit, një obligim ligjor që nga viti 2012 por që nuk është zbatuar deri më sot. Kjo zyre do të ketë rolin e njësisë menaxhuese të Qendrës Historike të Prizrenit” tregoi Toska.

Namazxhahu i cili gjendet në anën veri-perëndimorë të Prizrenit, u ndërtua nga Fatih Sulltan Mehmeti në vitin 1455, i cili shërbeu për kryerjen e ritualeve fetare të ushtrisë Osmane.

Mjeshtri dhe mbikëqyrësi kryesor ishte Ahmed Çaushi. Pas vendosjes së plotë të administrimit Osman në Prizren Namazxhahu u la pas dore pasi që në atë kohë kishin filluar të ndërtoheshin xhamitë e zakonshme. Më vonë, pasi që lokacioni i Namazxhahut ishte në periferi të Prizrenit të atëhershëm, atë e shfrytëzonin për falje bujqit që punonin tokat e tyre. Në vitet ‘50-ta të shekullit të XX-të pranë Namazxhahut u ndërtua një depo e madhe me ç’rast u shfrytëzua edhe një pjesë e materialit guror të Namazxhahut.

Sikurse gjatë ndërtimit të depos ashtu edhe gjatë ndërtimit të Ambulancës që është ndërtuar gjatë viteve ’80-ta të shekullit XX-të, janë shkatërruar varrezat e vjetra që ishin përreth Namazxhahut ashtu që tani aty kanë mbetur vetëm dy-tri sosh që tani janë shndërruar në tyrbe. Në vitin 2000 Instituti për Mbrojtje të Monumenteve të Prizrenit duke vlerësuar rëndësinë e këtij objekti ka hartuar projektin ideor për restaurimin e Namazxhahut, i cili u financua nga Qeveria e Turqisë. Me përkrahje edhe të Komunës së Prizrenit, u hartua dhe u implementua projekti i restaurimit të Namazxhanut dhe parkut rreth tij. Namazxhahu është ndërtuar me planimetri drejtkëndëshe nga gur të gdhendur të lidhur me llaç gëlqeror.

Nëpërmjet tri shkallëve ngjitet në platenë ku gjendet një mur me lartësi rreth 1 metër, ku është paraqitur nisha që e shënjon mihrabin. Në këndin e djathtë të murit gjendet minarja me bazë katrore dhe trung gjashtë këndor, të punuar nga gur të gdhendur. Namazxhahu në popull njihet edhe si Kërëk Xhamia, që domethënë Xhami e Thyer. Së bashku me ambientin përreth, Namazxhahu paraqet një monument me rëndësi historike dhe pikë karakteristike për vizitorët e shumtë në Prizren.

Xhaka e nis si kapiten

0

Zvicra luan sot ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve ku do të sfidojë Islandën. Pas problemeve të shumta me festimet me shqiponjë në Kupën e Botës, trajneri Petkovic ka vendosur që kapiteni në këtë ndeshje të jetë Granit Xhaka, i cili luan titullar, ashtu si dhe Xherdan Shaqiri, ndërkohë që në bankë janë Albian Ajeti dhe Admir Mehmedi.

Vetëm pak ditë më parë, në një konferencë për shtyp, Xhaka dhe Shaqiri kërkuan falje publike për festën me shqiponjë dhe premtuan se nuk do ta përsërisin më atë gjest. Për Xhakën është aluduar se e ka bërë gjithçka për të marrë shiritin e kapitenit të Zvicrës.

Rusia dhe Turqia dakord për zonë të çmilitarizuar në Idlib

0

Rusia dhe Turqia kanë rënë dakord të krijojnë një “zonë të çmilitarizuar” në rajonin Idlib të Sirisë për të ndarë forcat qeveritare siriane nga luftëtarët rebelë, njoftoi Presidenti rus Vladimir Putin pas një takimi të gjatë në Soçi me homologun e tij turk Rexhep Tajip Erdogan.

Presidenti Putin tha se zona e planifikuar do të ishte e thellë 15 deri në 20 kilometra dhe e patrulluar nga ushtarët turq dhe rusë. Putin tha gjithashtu se zona do të krijohet deri në datën 15 tetor.

Idlibi është një nga zonat e fundit të mbetura të rezistencës ndaj forcave të presidentit sirian Bashar al-Assad. Rreth gjysma e popullsisë prej 3 milionësh janë zhvendosur tashmë nga zona të tjera dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësim se një ofensivë qeveritare mund të çojë në zhvendosje të mëtejshme dhe humbje masive të jetës së civilëve.

Megjithëse Rusia është një aleate e ngushtë e qeverisë së Asadit dhe është shprehur se qeveria e tij ka të drejtën për të rimarrë rajonin, Turqia ka shprehur gjithnjë e më shumë shqetësime në lidhje me një fatkeqësi të mundshme humanitare dhe ka dërguar trupa në zonë për të shmangur një ofensivë.

Më parë këtë muaj, Erdogan u takua me Presidentin Putin dhe me presidentin iranian Hassan Rouhani, në një konferencë trepalëshe në Teheran. Bisedimet siçduket u bllokuan lidhur me përpjekjet për të shmangur konfliktin në Idlib. Teherani gjithashtu mbështet Damaskun në luftën civile shtatëvjeçare të Sirisë.