Dy partnerët e koalicionit në Prizren, VV dhe LDK, po e shqyrtojnë mundësinë e ndërrimit të drejtorive të Ekzekutivit.
LDK po e kërkon Drejtorinë e Shëndetësisë, ndërsa Drejtorinë e Mirqeniesë Sociale, të cilën e drejton aktualisht, dëshiron t’ia japë Vetëvendosjes.
Burime të “TV Prizreni”, thonë se kohëve të fundit janë duke u zhvilluar bisedime intensive ndërmjet këtyre dy subjekteve politike për t’i ndërruar drejtoritë.
Kryetari i degës së LDK-së, Haxhi Avdyli, gjatë bisedimeve me zyrtarë të VV-së, ka kërkuar që drejtori aktual i Mirëqenies Social, Fejzë Kabashi, të emërohet drejtor i Shëndetësisë, ndërsa LVV-ja ende nuk ka ndonjë emër që mund të drejtonte drejtorinë e Mirëqenies Sociale.
Po sipas këtyre burimeve, një pjesë e LDK-së por dhe disa zyrtarë të VV-së, janë të mendimit që nëse arrihet marrëveshje për këto ndryshime, në krye të Drejtorisë së Shëndetësisë të vendoset një zyrtar tjetër i LDK-së, i cili merret me profesionin e mjekut, e jo drejtori aktual i Mirëqenies Sociale.
Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka gjetur mbështetje rreth njerëzve të cilët aktualisht e kanë në dorë LDK-në .
Në anën tjetër, zyrtarë të LVV-së, thonë se për këtë çështje nuk kanë pasur takime me partnerin e koalicionit, si dhe nuk kanë diskutuar për një gjë të tillë me kryetarin e komunës, Mytaher Haskuka.